PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kina nxit hapjen e ndërsjellë për zhvillimin e ri
2016-01-12 16:56:50 CRI Komenti juaj Printoni

Në të ashtuquajturën "fazë e re normale" të ekonomisë së saj, Kina ka shpejtuar hapat për hapjen e mëtejshme, duke ndryshuar modelin e vjetër të hapjes ndaj jashtë në modelin e ri të hapjes së ndërsjellë. Në vitin 2015, qeveria kineze e vuri theksin më tej në krijimin sa më shpejt të gjendjes së re të hapjes, duke kërkuar për herë të parë që t'i kushtohet rëndësi hapjes së ndërsjellë të nivelit të lartë.

Pak kohë më parë hynë në fuqi zyrtarisht marrëveshjet e tregtisë së lirë Kinë-Kore e Jugut dhe Kinë-Australi, duke u sjellë përfitime konkrete konsumatorëve kinezë. Kjo është arritja e parë e Kinës në hapjen e ndërsjellë.

Në të vërtetë, në planin e 13-të 5-vjeçar, të miratuar gjatë plenumit të 5-të të Komitetit Qendror të 18-të të PKK-së, është nënvizuar hapja e ndërsjellë. Në mbledhjen e çështjeve ekonomike të Komitetit Qendror të PKK-së për vitin 2015, u kërkua për herë të parë që të nxitet hapja e ndërsjellë e nivelit të lartë. Krahas kësaj, në mbledhjen kombëtare të çështjeve të tregtisë të zhvilluar pak ditë më parë, drejtori i Zyrës së Studimit të Politikave në Ministrinë e Tregtisë Shen Danyang u shpreh se, gjatë formimit të sistemit të ri të ekonomisë së hapur, do t'i kushtohet më shumë rëndësi hapjes së ndërsjellë me ekuilibrim interesash.

"Në këtë periudhë globalizimi ekonomik, edhe ne jemi përfshirë në një proces të tillë. Bashkëpunimi, qoftë shumëpalësh, qoftë dypalësh, bazohet në nevojat e ndërsjella me përfitime dypalëshe ose shumëpalëshe. Për sa i përket hapjes, ne duhet të jemi aktivë dhe të marrim parasysh interesat e palëve të ndryshme gjatë bisedimeve dypalëshe ose shumëpalëshe. Për këtë arsye, hapja e tanishme duhet të jetë më e balancuar dhe ne duhet t'u kushtojmë rëndësi interesave të përgjithshme kombëtare," thotë Shen Danyang, drejtori i Zyrës së Studimit të Politikave të Ministrisë së Tregtisë të Kinës.

Për hapjen e ndërsjellë të nivelit të lartë, Kina jo vetëm do të tërheqë më shumë investime të huaja nëpërmjet hapjes së tregut të saj, por edhe do të nxitë vendet e tjera të hapin tregjet e tyre për investimet kineze, si për shembull nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Tani Kina ka nënshkruar 14 marrëveshje të tregtisë së lirë me 22 vende e rajone. Krahas kësaj, janë në bisedime edhe marrëveshja për partneritetin e gjithanshëm ekonomik rajonal (RCEP), marrëveshja e tregtisë së lirë Kinë-Japoni-Kore e Jugut dhe marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kinës dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Drejtori i Departamentit të Lidhjeve Tregtare në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Zhang Shaogang u shpreh se marrëveshja e tregtisë së lirë nënshkruhet mes dy ose më shumë ekonomive dhe është korniza e tregtisë dhe investimeve më e favorshme për palët. Në të ardhmen, Kina do të marrë masa të shumta për të nxitur hapjen e ndërsjellë brenda kornizës së tregtisë së lirë.

"Së pari, duhet të ulim taksat doganore e të lehtësojmë barrierat jotarifore bashkë me partnerët e tregtisë së lirë në kornizën e tregtisë së mallrave, dhe duhet të hapim tregjet e njëra-tjetrës për tregtinë e mallrave, për të realizuar përfitime të përbashkëta. Së dyti, duhet të nxitet aktivisht hapja e sektorëve të shërbimeve, si financat, arsimi, kultura e shëndetësia, dhe duhet të lehtësohen kufizimet ndaj investimeve të huaja në sektorë si shërbimi për fëmijët dhe të moshuarit, arkitektura, auditimi, logjistika e tregtisë dhe e biznesit në internet, për të nxitur në mënyrë graduale bisedimet mbi 'listën negative' në bazë të bashkërendimit me partnerët e tregtisë së lirë. Së treti, duhet të pakësohen kufizimet ndaj hyrjes së investimeve të huaja në tregun e brendshëm dhe të lehtësohet në mënyrë thelbësore dhënia e lejeve për investimet e ndërsjella mes vendit tonë dhe partnerëve të tregtisë së lirë," vë në dukje Zhang Shaogang-u, drejtor i Departamentit të Lidhjeve Tregtare të Ministrisë së Tregtisë të Kinës.

Vitet e fundit, me eksportimin e mallrave dhe produkteve me të drejtat e veta të pronësisë intelektuale, si trenat e shpejtësisë së lartë, pajisjet e telekomunikacionit dhe të energjisë bërthamore etj., Kina ka shpejtuar në mënyrë të pandërprerë hapat e saj në bashkëpunimin ndërkombëtar në sektorët e prodhimit. Veçanërisht me nxitjen e strategjisë "Një Brez dhe Një Rrugë", kjo prirje është bërë më e dukshme. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme në Ministrinë kineze të Tregtisë Song Lihong bën të ditur, që me nxitjen e një sërë politikash dhe projektesh të mëdha bashkëpunimi, në vitin 2015, investimet e ndërsjella mes Kinës dhe vendeve përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë" kanë shënuar rritje më të madhe sesa vëllimi i përgjithshëm i investimeve kineze në tregun e jashtëm dhe i investimeve të huaja në Kinë. Me këtë prirje, nxitja e investimeve të ndërsjella nëpërmjet bashkëpunimit në prodhim, në të ardhmen do të bëhet një mënyrë e rëndësishme për shtimin e lidhjeve mes tregut kinez dhe tregut ndërkombëtar.

"Në 11 muajt e parë të këtij viti (2015), investimet e drejtpërdrejta kineze në vendet përgjatë 'Një Brez dhe Një Rrugë' arritën në 13.2 miliardë dollarë amerikanë, 35.3 % më shumë se një vit më parë. Kjo rritje është shumë më e shpejtë sesa rritja e përgjithshme e investimeve kineze në tregun ndërkombëtar. Në 11 muajt e parë, investimet e këtyre vendeve në Kinë kanë shënuar një rritje me 16.2 %, shifër kjo shumë më e madhe se rritja e vëllimit të përgjithshëm të investimeve të huaja në Kinë. Në të ardhmen do të përsosim aktivisht sistemin e tanishëm, për të stimuluar tregtinë dhe investimet me vendet përkatëse, dhe do të shtojmë hapjen e ndërsjellë, për të eksploruar pikat e reja të rritjes së tregtisë," thotë Song Lihong-u.

Në mbledhjen kombëtare të çështjeve të tregtisë për vitin 2015, u propozua që të nxitet hapja e ndërsjellë nëpërmjet strategjisë së integrimit të tregut vendas dhe atij të huaj, për të pasur lidhje më të mira mes këtyre tregjeve. Zv.drejtoresha e Institutit të Studimeve pranë Ministrisë së Tregtisë Xing Houyuan është e mendimit që strategjia e integrimit të tregut të brendshëm dhe atij të jashtëm ka dy drejtime kryesore: së pari, rregullat duhet të përshtaten me standardet ndërkombëtare; së dyti, duhet të rregullohet shpërndarja e faktorëve të prodhimit në këto dy tregje.

"Të parat janë rregullat. Duhet të bazohemi në sistemin e ri të ekonomisë së hapur. Mjedisi i biznesit dhe rregullat përkatëse në tregun vendas duhet të përshtaten me standardin ndërkombëtar. Të dytët janë faktorët e prodhimit. Për t'u bërë një shtet i fuqishëm në tregti, duhet medoemos të përballojmë një ndryshim: Kina mund të integrohet thellësisht me tregun ndërkombëtar, vetëm kur të bëhet siç duhet shpërndarja e faktorëve të prodhimit. Me këto dy drejtime do të ndryshojë statusi i Kinës në investimet e ndërsjella, tregtinë e ndërsjellë e në zinxhirin global të vlerës dhe ne mund të futemi në sistemin ndërkombëtar të prodhimit me një bazë më të lartë," thekson zv.drejtoresha e Institutit të Studimeve në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Xing Houyuan. (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China