PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Chen Yihong-u, "kumbari i veshjeve sportive të modës"
2016-01-12 16:20:44 CRI Komenti juaj Printoni

Chen Yihong-u është kryetari i bordit të Grupit "Dongxiang" të Kinës, një sipërmarrje veshjesh sportive udhëheqëse në botë që kryesisht merret me dizenjimin, prodhimin, marketingun dhe shitjen e veshjeve sportive me markë në Kinë. Nga një shitës i zakonshëm, Chen-iarriti që për një kohë të zinte vendin e 36-të në listën e njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës, me një pasuri rreth 2 miliardë dollarë. Ai solli në Kinë firmën italiane të veshjeve sportive "Kappa", duke e renditur atë në tre vendet e para përkrah gjigantëve "Nike" e "Adidas". Chen-i njihet si "kumbari i veshjeve sportive të modës" në Kinë.

Në rininë e tij të hershme, 58-vjeçari Chen Yihong-u ishte një pingpongist i talentuar, e për këtë arsye u pranua të ndiqte një akademi sportive në qytetin e Tianjin-it. Por ndonëse dashuria për sportin do të diktonte rrugën e karrierës së tij, Chen Yihong-u nuk arriti dot të bëhej vetë sportist. Pas pesë vjetësh në ushtri, në vitin 1980 ai nisi tregtinë e veshjeve sportive.

Në vitin 1991 një shok i paraqiti Chen Yihong-ut Li Ning-un, të ashtuquajturin "princ të gjimnastikës", i cili në Lojërat Olimpike të vitit 1984 kishte fituar tre medalje të arta, ndërsa do të ishte ndezësi i pishtarit në Lojërat Olimpike të Pekinit 2008. Në vitin 1990, pasi ishte tërhequr nga sporti, Li Ning-u kishte krijuar kompaninë e vet me të njëjtin emër. Chen Yihong-ut i bënë përshtypje entutiazmi dhe ambiciet e Li Ning-ut, i cili donte të formonte një markë sportive kineze të njohur ndërkombëtarisht. Por edhe Li Ning-u e vlerësoi lart Chen Yihong-un, i cili për mendimin e tij, ishte "një sipërmarrës i vërtetë, me mprehtësi për biznes dhe me një ndjenjë përgjegjësie." Për Li Ning-un Chen Yihong-u ishte një ndër kandidatët më të përshtatshëm për t'u bërë pjesë e ekipit që ta ndihmonte të realizonte ëndrrën e vet.

Dhe kështu Chen Yihong-u, asokohe 33-vjeçar, u bë pjesë e kompanisë së veshjeve sportive "Li Ning". Falë aftësive të veta Chen Yihong-u u rrit në detyrë nga manaxher i njësisë së këpucëve sportive në provincën Guangdong, në drejtues të degës së kompanisë në Pekin, menaxher i përgjithshëm, e më pas edhe kryezyrtar ekzekutiv i Korporatës së Mallrave Sportive "Li Ning". Në vitin 1998, pas ristrukturimit të "Li Ning"-ut, Chen Yihong-u bleu 3.53 % të aksioneve të kompanisë. Ëndrra e Li Ning-ut dhe talenti në biznes i Chen Yihong-ut sollën një periudhë të artë dhjetëvjeçare zhvillimi për kompaninë "Li Ning". Në vitin 2001 shitjet e saj arritën 700 milionë juanë dhe "Li Ning"-u u bë kompani udhëheqëse në tregun kinez të veshjeve sportive, duke zënë 29 % të tij, e ndjekur nga "Nike" me 19 %.

Në vitin 2002, asokohe 44-vjeçari Chen Yihong mendoi se kishte ardhur koha për ndryshim. Për 11 vjet ai kishte hedhur themelet e markës "Li-Ning", duke e kthyer një ëndërr në realitet. Tani themeluesi i kompanisë, Li Ning-u, shpresonte t'i zëvendësonte veteranët e kompanisë me njerëz të rinj, duke zgjedhur kështu një zyrtar kryeekzekutiv të ri.

Chen Yihong-u mendoi për hapin e ri që do të hidhte. Duke ndjekur këshillën e tij, në shkurt 2002 kompania "Li Ning" hyri në marrëveshje me markën e njohur italiane të veshjeve sportive "Kappa", duke krijuar Kompaninë e Zhvillimit të Sporteve "Dongxiang" të Pekinit, pararendësen e Grupit "Dongxiang" të Kinës, e cila u bë shpërndarëse për "Kappa"-n në Kinën kontinentale dhe në Makao. Chen Yihong-u u zgjodh kryetar i bordit i kësaj kompanie, e më pas edhe zyrtar kryeekzekutiv, kryesisht përgjegjës për strategjitë, planifikimin dhe zhvillimin e përgjithshëm të biznesit të kompanisë. Ai bëri një marrëveshje me Li Ning-un për të këmbyer aksionet e tij në kompaninë "Li Ning" për 20 % të aksioneve në "Dongxiang", ku Li Ning-u kishte në pronësi pjesën tjetër prej 80 %. Ndonëse "Kappa" në atë kohë ishte një firmë jo fort e njohur në Kinë, Chen Yihong-u e spikati potencialin e madh të saj, duke pasur parasysh edhe që marzhi i fitimit për produktet e "Kappa"-s ishte 57.5 %, shumë më i lartë se marzhi i fitimit të vetë produkteve të "Li Ning"-ut.

Chen Yihong-u shpresonte të krijonte një model biznesi të veçantë për "Dongxiang"-un, të ndryshëm nga ai i Li Ning-ut dhe nga ai i një kompanie thjesht shpërndarëse. Ai e përshkruan atë si "modeli i trefishtë": rreziqe të mëdha, investime të mëdha, fitime të mëdha. Ai model mbështetej në konceptin e veshjeve sportive të modës. "Ne donim ta ripoziciononim 'Kappa'-n në Kinë si një ndërthurje mes një kompanie veshjesh sportive dhe një firme mode," shpjegon Chen-i, "për të shmangur konkurrencën e drejtpërdrejtë me 'Nike' dhe 'Adidas', dy markat e huaja me shitje më të mëdha në Kinë."

Plani ishte që marka "Kappa" të zinte dhe të konsolidonte vendin e vet në Kinë dhe të formonte një rrjet të fuqishëm të shitjes me pakicë, duke tërhequr një bazë klientësh të rinj të ndjeshëm ndaj modës. Duke vënë në fokus të rinjtë, në "Dongxiang" e kuptuan se, më shumë se veshje profesionale sportive, ata kërkonin veshje që nxirrnin në pah individualitetin. Dhe "Kappa" njohu një rritje mjaft të shpejtë në Kinë.

Në vitin 2004, kur "Li Ning"-u u regjistrua në bursë, "Kappa" siguronte 5.6 % të të ardhurave të kësaj kompanie, ose 148 milionë juanë, me fitime neto që arrinin në 5.7 milionë juanë. Në vitin 2005 porositë për këtë markë në Kinë i kalonin ndjeshëm në vlerë 500 milionë juanët e parashikuar. Një vit më pas Li Ning-u vendosi t'ia shesë pjesën e tij kontrolluese të aksioneve prej 80 % Chen Yihong-ut, për shumën 45 milionë juanë. Në atë kohë "BasicNet", kompania që ka në pronësi markën "Kappa", po kërkonte të shiste të drejtën e përdorimit të kësaj marke në Kinë dhe Chen Yihong-u vendosi ta shfrytëzonte këtë rast. Dhe kështu që nga 30 marsi i vitit 2006 "Dongxiang" bëri të vetën të drejtën e plotë të përdorimit të markës "Kappa" në pjesën kontinentale të Kinës e në Makao, duke përfshirë edhe prodhimin dhe marketingun. Duke parë potencialin e "Kappa"-s në Kinë, si një bankë që kishte marrë pjesë në marrëveshjen e blerjes, në maj 2006 "Morgan Stanley" bleu për 38 milionë dollarë amerikanë 20 % të aksioneve të atij që është sot Grupi "Dongxiang" i Kinës, duke u bërë investitori i dytë më i madh.

Duke u fokusuar te "Kappa" si markë veshjesh sportive mode, për të rinjtë e moshës 18-35 vjeç, Chen Yihong-u e bëri atë një ndër tre markat kryesore sportive ndërkombëtare në Kinë, së bashku me "Nike" dhe "Adidas". Në fund të vitit 2006 fitimet e "Dongxiang"-ut arritën në 180 milionë juanë. Një vit më pas shitjet e kompanisë së Chen Yihong-ut arritën 1.71 miliardë juanë, me një rritje vjetore 99.2%. Numri i dyqaneve "Kappa" arriti atë vit në 1 945, duke shënuar një rritje prej 70.9 % në krahasim me një vit më parë.

"Kappa" kishte hyrë në tregun kinez teksa kërkesa aty po zgjerohej. "Ne hymë në këtë sektor në kohën e duhur, kur ekonomia e Kinës po njihte një zhvillim të jashtëzakonshëm," vë në dukje 58-vjeçari Chen Yihong. Kjo, së bashku me aftësitë e Chen Yihong-ut, i mundësuan markës italiane të zhvillohej me shpejtësi, duke shënuar kulmin kur numri i dyqaneve që tregtonin produktet e "Kappa"-s arriti në 4800.Kompania beson se suksesi i markës "Kappa" në Kinë është për shkak se produktet e kësaj marke përcjellin "një imazh të gjallë, modern e rinor jashtëzakonisht popullor për bazën e konsumatorëve me rritje të shpejtë në Kinë e me mundësi shpenzimi potencialisht të lartë". Chen Yihong-u u shpreh: "Kam qenë me fat. Kam arritur të shfrytëzoj të gjitha burimet më të mira të Kinës, burimet njerëzore, burimet e markës, kapitalin, burimet e tregut."

Në tetor 2007, duke synuar të përfitojë edhe nga rritja e interesit në Kinë për sportin në përgjithësi e veshjet sportive në veçanti, në prag të Olimpiadës së Pekinit të vitit 2008, "Dongxiang"-u u regjistrua në Bursën e Hong-Kongut. Çmimi i mbylljes atë ditë ishte 5.43 dollarë hongkongas, nga 3.98 dollarë hongkongas që ishte çmimi fillestar, duke i dhënë kompanisë një vlerë 29.87 miliardë dollarë hongkongas, më e lartë se vlera e "Li Ning"-ut në bursë në atë kohë. Në këtë mënyrë kompania "Dongxiang" fitoi titullin "Mbretëreshë e bursës e sektorit të veshjeve sportive." Ndërkohë vetë Chen Yihong-u hyri në "klubin e miliarderëve". Në mars të vitit 2008 pasuria e tij llogaritej në 1.6 miliardë dollarë, ndërkohë që do të arrinte kulmin dy vjet më vonë, 1.9 miliardë dollarë.

Por megjithëse kompania e tij ishte kurorëzuar me titullin "Mbretëreshë e bursës e sektorit të veshjeve sportive" vetëm pesë vjet pasi ishte formuar, suksesi i saj, në vend që thjesht ta gëzonte, e bëri Chen Yihong-un të vetëdijshëm se "Dongxiang"-u nuk kishte shumë hapësirë për rritje të mëtejshme. Në vitin 2008, konkurrentët e saj ishin pozicionuar mirë në tregun kinez. Shitjet e "Nike", "Adidas" dhe "Li Ning" zinin 19 %, 15 % dhe 11% të tregut përkatësisht, ndërsa marzhet vjetore të fitimit atë vit ishin 45%, 48.7% dhe 48.1% . Për shkak të kontrollit të rreptë të kostos, marzhi vjetor i fitimeve për "Dongxiang"-un ishte 58.5%. Chen Yihong-u shpresonte se marzhet e larta të fitimit do ta ndihmonin kompaninë të zhvillohej, por kjo nuk ishte një sfidë e vogël.

Chen Yihong-u ishte i vetëdijshëm se, që nga regjistrimi i "Dongxiang"-ut në bursë në vitin 2007, kompania kishte njëfarë pike ngopjeje. "Në përgjithësi, të gjitha kompanitë në këtë sektor janë në të njëjtën gjendje, zinxhiri i furnizimit është i ngjashëm, burimet njerëzore janë të ngjashme. Ne mund të bëjmë më shumë përpjekje e të arrijmë fitime të vogla, por nga një perspektivë më e gjerë, kjo është e pafrytshme. Ne kemi hasur në një pengesë." Dhe më tej Chen Yihong-u shtoi: "Teknologjia nuk është më pengesë për ndonjë sektor, qoftë ky i veshjeve apo i makinave. Konkurrenca është në nivelin e kulturës, zinxhirit të furnizimit dhe procesit teknologjik. Në pesë deri në dhjetë vjet kjo pengesë që kemi hasur, do të jetë e vështirë për t'u kapërcyer."

Chen Yihong-u tha se shpresonte ta shihte "Dongxiang"-un të ecte i mbarësi në fazën tjetër, me mbështetjen e burimeve të reja.

Dhe kështu, më pas "Dongxiang"-u u bë e para kompani kineze veshjesh sportive që e zgjeroi pronësinë e një marke ndërkombëtare edhe jashtë vendit. Në vitin 2008 kompania e Chen Yihong-u bleu kompaninë japoneze të veshjeve sportive "Phoenix", e cila kishte të drejtat e tregtimit të markës "Kappa" për Japoninë, duke u bërë e vetmja zotëruese e huaj e të drejtave të "Kappa"-s. "Phoenix"-i po ashtu kishte në pronësi edhe tre marka të tjera veshjesh, si edhe një ekip kërkim-zhvillimi prej 70 vetash. Një blerje e tillë tregonte ambiciet e kompanive kineze të veshjeve për t'u zgjeruar në shkallë ndërkombëtare dhe për t'u ngritur në zinxhirin e vlerës.

"Sektori i veshjeve sportive ka identifikuar drejtime të reja zhvillimi. Ne kemi bërë risi revolucionare në modelin tonë të mëparshëm të biznesit, por nëpërmjet veprimeve të matura e të kujdesshme," thotë Chen Yihong-u.

"Dongxiang"-u vazhdon të zbatojë "strategji të zgjuara marketingu", duke përfshirë përdorimin e rrjeteve të mediave sociale, një telenovelë në internet, mikrofilma etj., duke e futur markën "Kappa" në jetën e përditshme të konsumatorëve.

Kompania thotë se në të ardhmen do të vazhdojë të thellojë filozofinë "markë + shitje me pakicë", duke zgjeruar shtrirjen e pikave të saj të shitjes dhe duke optimizuar më tej zinxhirin e furnizimit.

"Ne do të forcojmë aftësitë tona të modelimit dhe prodhimit, gjë që do të në sjellë mundësi shumë të mëdha biznesi në të ardhmen e afërt. Duke parë potencialin e madh të veshjeve sportive të modës në Kinë, ne kemi besim të plotë në të ardhmen e 'Dongxiang'-ut," shprehet Chen. "Ne jemi të mirëpozicionuar për ta forcuar vendin që kemi në treg dhe për ta rritur cilësinë e produkteve tona. Është angazhimi ynë afatgjatë për të siguruar fitime të larta për aksionerët tanë."

"Grupi 'Dongxiang' i Kinës u bë shpejt një kompani publike dhe më tej një sipërmarrje që u shtri drejt tregjeve më të gjera përmes një morie blerjesh ndërkombëtare. Çdo hap të këtë rrugë, megjithatë, ka qenë i mbushur me rreziqe dhe pasiguri, po ne i kemi përballuar këto rreziqe e pasiguri me besim të fortë, pragmatizëm dhe krijim risish," vëren Chen Yihong-u. "Pa dyshim, ne sollëm risi në sektorin e veshjeve sportive. Kjo dëshmohet nga rritja jonë të madhe, me një ritëm të paparë.

Sektori i tregtimit të veshjeve sportive me pakicë në Kinë ka hasur vështirësi në kohët e fundit, por Chen Yihong-u është optimist. "Sektori i veshjeve sportive është përballur me një situatë të vështirë në aspektin makroekonomik dhe mjedisin e funksionimit, dhe një gjë e tillë ka pak mundësi të ndryshojë për mirë në të ardhmen e afërt. Megjithatë, duke u mbështetur në përvojën tonë, në pozicionin e fortë financiare të grupit dhe në strategjitë dhe vizionet e qarta, grupi ynë do të shfrytëzojë mundësitë që krijohen nga rimëkëmbja e këtij sektori," vë në dukje Chen Yihong-u.

"Me gjithë sfidat, ne kemi shtuar efikasitetin duke përdorur në mënyrë të arsyeshme burimet tona," shprehet ai.

Dhe vërtet, vjet "Dongxiang"-u njoftoi për një rritje mbi 20 % të shitjeve në më shumë se 1230 dyqanet e "Kappa"-s në pjesën kontinentale të Kinës.Edhe porositë patën një rritje dyshifrore. Chen Yihong-u i quajti këto rezultate "spektakolare", duke thënë se ato ishin rezultat i përpjekjeve për të rritur efektivitetin e modeleve të biznesit, të shitjeve dhe zinxhirit të furnizimit, si edhe të markës.

Por Chen Yihong-u nuk është nga ata që flenë mbi dafina, por është një sipërmarrës gjithnjë kërkues: "'Dongxiang'-u pa dyshim ka krijuar një mrekulli, por mrekullitë i përkasin së shkuarës, ndërsa sfidat së ardhmes," shprehet "kumbari" i veshjeve sportive.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China