PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Hapja e bizneseve, motori i ri i rritjes së ekonomisë kineze
2016-01-05 16:50:51 CRI Komenti juaj Printoni

Disa vjet më parë, koncepte si "krijues" dhe "hapësirë risish" nuk ishin shumë të kuptueshme nga publiku i gjerë në Kinë, por me zgjerimin e prirjes "Forcim i sipërmarrjes (nisje biznesi në shkallë të gjerë) dhe krijim masiv i risive", sivjet "nisje biznesi" dhe "krijim risish" janë bërë shprehje kyçe për ekonominë kineze. Në mbledhjen qendrore të çështjeve ekonomike të zhvilluar pak kohë më parë në Pekin, u vu theksi në zbatimin në mënyrë të thellë të strategjisë "Nxitje e zhvillimit nga risitë" dhe inkurajimin e "forcimit të sipërmarrjes dhe krijimit masiv të risive". Këto u përcaktuan si detyrat kryesore të qeverisë kineze lidhur me ekonominë në vitin 2016.

Kjo është paraqitja nga Xu Lei, nismëtari i projektit teknologjik "Shengmaodou", e produktit të fundit, një termometër i saktësisë së madhe me teknologji smart. Xu Lei e nisi këtë biznes bashkë me shokët e vet një vit më parë, pas studimit jashtë vendit. Xu Lei mendon që, në krahasim me jashtë, mjedisi brenda Kinës për nisjen e biznesit është shumë i përshtatshëm.

"Unë mendoj që brenda vendit, klima për nisjen e biznesit është shumë e mirë. Jashtë vendit, pavarësisht se çfarë sipërmarrjeje nis, nuk ka mbështetje dhe vëmendje nga qeveria dhe gjithçka duhet ta bësh vetë. Ndërsa këtu brenda vendit, mjedisi është shumë i favorshëm dhe qeveria e mbështet grupin tonë të vogël," thotë Xu Lei.

Tani konkurrenca në tregun ndërkombëtar po ashpërsohet gjithnjë e më shumë dhe zhvillimi i ekonomisë kineze është futur në një periudhë të ndryshimit të shpejtësisë së rritjes. Në kushte të tilla, risitë janë bërë kyçi për ndryshimin e modelit të zhvillimit ekonomik në Kinë. Në Forumin e Davosit Veror 2014, kryeministri kinez Li Keqiang për herë të parë shpalli atë që ai e quajti valë të forcimit të frymës së sipërmarrjes dhe hapje të biznesit nga qytetarët e thjeshtë, dhe krijimin e gjendjes së re me "krijim masiv risish" ose "inovacion nga e gjithë shoqëria".

Në qershor të vitit 2015, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi "Vendimet për nxitjen e forcimit të sipërmarrjes dhe krijimit masiv të risive", duke e ngritur këtë koncept në nivelin e strategjisë kombëtare. Në mbledhjet e fundit, Këshilli i Shtetit ka kërkuar shpesh që të zbatohen masa dhe politika për nxitjen e sipërmarrjes dhe të krijimit të risive. Masat konkrete janë pakësimi i barrës fiskale për ndërmarrjet e vogla e të mesme, mbështetja për konceptin "Hapësirë risish" dhe lehtësimi i mëtejshëm i procedurave të mbikëqyrjes. Krahas kësaj, qeveria ka marrë edhe masa për të ulur rolin e shtetit, me synim që të nxitet punësimi nëpërmjet nisjes së bizneseve. Këto masa kanë formuar një sistem të gjerë mbështetës që favorizon të gjitha sipërmarrjet.

Drejtori i Institutit të Studimit të Strategjive Inovative pranë Shoqatës së Teknologjisë të Kinës Luo Hui thotë:

"Këshilli i Shtetit ka publikuar mbi 20 dokumente dhe politika të reja për të mbështetur nisjen e bizneseve në mënyrë të gjerë. Në këto dokumente dhe politika janë shprehur në mënyrë të qartë kërkesat e përgjithshme për të përkrahur nisjen e biznesit dhe risitë masive, si përmirësimi i mjedisit për nisjen e biznesit, përsosja e sistemit tatimor dhe gjallërimi i sistemit financiar. Krahas kësaj, do të inkurajohen investimet për hapjen e sipërmarrjeve dhe shërbimet përkatëse, për të nxitur pjesëmarrjen e mbarë shoqërisë në inovacion."

Sipas propozimeve të planit të 13-të 5-vjeçar, në pesë vjetët e ardhshëm Kina do të vazhdojë optimizimin e elementeve të tilla si krahu i punës, kapitalet, toka, teknologjia e menaxhimi dhe do të shtojë dinamizmin në nisjen e biznesit dhe inovacion, për të nxitur "Forcimin e sipërmarrjes dhe krijimin masiv të risive" dhe për të shpejtuar ndryshimin e motorëve të zhvillimit. Këto politika të reja kanë krijuar një perspektivë të gjerë për të gjitha bizneset e saponisura dhe ato me teknologji novatore.

Në vitin 2014, kompania atëherë e sapokrijuar "Rouyu Tech" prodhoi me sukses ekranin më të lehtë e më të hollë elastik me ngjyra, që mund të përdoret drejtpërdrejt për smartfonat. Në krahasim me ekranet e tjera, ky ekran mund të rrotullohet dhe të zgjatet lirisht. Në qoftë se ky ekran vihet në përdorim të përditshëm, kjo do të ndryshojë krejtësisht gjendjen e tanishme të pajisjeve me teknologji smart. Kryeekzekutivi i kompanisë "Rouyu Tech" Liu Zihong, që ka studiuar në Universitetin e Stanfordit, bëri të ditur që ai ka zgjedhur Shenzhen-in e Kinës Jugore dhe "Silicon Valley" të Kalifornisë në ShBA për nisjen e biznesit të vet, sepse Shenzhen-i ka kapacitete të mëdha prodhimi. Sipas Liu Zihong-ut, me këtë teknologji të re novatore, këto kapacitete prodhimi mund të gjejnë një hapësirë më të madhe.

"Ekrani që prodhojmë ne, është më i holli në botë. Ky ekran elastik me trashësi 0.01 milimetra do të zëvendësojë ekranet tradicionale. Vitin e kaluar, vlera e tregut e ekraneve tradicionale ishte afro 1 trilion juanë. Ekrani ynë do të zëvendësojë një pjesë të madhe të ekraneve tradicionale. Krahas kësaj, ekrani elastik mund të krijojë një treg më të gjerë se në të kaluarën, duke sjellë një ndryshim revolucionar. Me rrotullimin dhe palosjen e ekraneve, ne mund të krijojmë më shumë mundësi të reja. Në 5-10 vjetët e ardhshëm mund të kemi një shpërthim në treg, vlera e të cilit mund të arrijë në 2 trilionë juanë (ose rreth 300 miliardë dollarë amerikanë). Kjo mund të nxitë zinxhirin e prodhimit në sektorë të shumtë. Ndikimet nuk do të jenë vetëm mbi ekranin vetë, por edhe në dizajnin e produkteve përkatëse. P.sh., tani pajisjet që mund të mbahen me vete, kanë ndikuar në sektorët e dizenjimit. Në këtë zinxhir, sektorët janë të lidhur ngushtë," thotë Liu Zihong, kryetari ekzekutiv i kompanisë "Rouyu Tech".


Liu Zihong

Përveç politikave dhe masave favorizuese, edhe qëndrimi lidhur me nisjen e bizneseve po ndryshon në mënyrë graduale. Kështu, tani individët kanë më shumë guxim për të nisur sipërmarrjet e veta dhe gjithnjë e më shumë njerëz të apasionuar pas teknologjisë dhe që dëshirojnë të fillojnë sipërmarrjet e veta, janë inkurajuar të marrin pjesë në këtë prirje të përgjithshme. Në vitin 2014, Gan Xiaoming-u u largua vetë nga kompania e huaj ku punonte dhe më pas krijoi një kompani kërkim-zhvillimi për pasqyrat e pasme të makinave me teknologji smart.

"Më përpara, kur flisja për hapjen e sipërmarrjes sime, njerëzit më shikonin si me mëshirë, duke thënë se kjo është një gjë plot me vështirësi etj., ndërsa tani ata më shohin me admirim. E di që shumë nga njerëzit përreth meje e kanë një ide të tillë," thotë Gan Xiaoming-u.

Sipas të dhënave përkatëse, në tre tremujorët e parë të vitit 2015, janë regjistruar gjithsej 10 milionë e 656 mijë sipërmarrje të reja, me një kapital 20.7 trilionë juanë, përkatësisht 15.8 % dhe 40.9 % më shumë se në vitin 2014. Në këto sipërmarrje të reja gjenden motorët e rinj të rritjes, që do të krijojnë të ardhmen e ekonomisë kineze. (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China