PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Shi Yuzhu, "feniksi" që u miliarder dy herë
2015-10-07 11:11:30 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesi dhe drejtuesi i kompanisë "Giant" Shi Yuzhu ka pasur një rrugëtim të trazuar gjatë karrierës së vet, duke kaluar sa hap e mbyll nga një prej njerëzve më të pasur në "më të varfrin" e saj, ose "borxhliun më të madh" në Kinë, por si një feniks ai diti të rilindë dhe sot është bërë përsëri një ndër njerëzit më të pasur në Kinë.

Shi Yuzhu ka lindur në vitin 1962 në kontenë Huaiyuan në veri të provincës Anhui të Kinës. Pas diplomimit për matematikë në vitin 1984 në Universitetin e Zhejiang-ut, Shi nisi punë në Zyrën e Statistikave të provincës së tij të lindjes Anhui. Shumë të diplomuar në Kinë edhe sot e kanë ëndërr të bëhen nëpunës shteti, por jo Shi Yuzhu. Për të puna me shifrat ishte e mërzitshme dhe pa krijimtari, prandaj vendosi të shkojë në Shenzhen të provincës Guangdong të Kinës Jugore, një qytet në zhvillim të jashtëzakonshëm në kufi me Hong-Kongun dhe djepi i reformës në Kinë. Shi Yuzhu nisi studimet për master në programim kompjuterik në Universitetin e Shenzhen-it, të cilat i përfundoi në vitin 1989. Në atë kohë shpirti i sipërmarrjes po lulëzonte dhe zonat e pjesës kontinentale të Kinës pranë Hong-Kongut dhe Makaos tërhoqën mijëra biznesmenë nga Hong-Kongu, si edhe kinezë që jetonin jashtë vendit, për nisjen e bizneseve të tyre aty. Pikërisht në këtë atmosferë të zjarrtë sipërmarrjeje, fill pas përfundimit të studimeve për master, edhe Shi Yuzhu u hodh në atë "det biznesi", siç është një shprehje në gjuhën kineze. Ai e filloi biznesin me vetëm 4000 juanë (më pak se 630 dollarë), por në atë kohë vetëm një kompjuter në Shenzhen kushtonte mbi dy herë më shumë. Shi nisi të hynte në pazar me një shitës kompjuterash, duke i thënë se do t'i jepte 1000 juanë më shumë se çmimi, nëse i jepte mundësinë të paguante dy javë më vonë. Duke shfrytëzuar njohuritë e tij për programet kompjuterike, Shi Yuzhu krijoi një program që përkthente sistemet e operimit të kompjuterave nga anglishtja në kinezishte, të quajtur M-6401.

Shi e kuptoi shpejt forcën e reklamës dhe të marketingut për të shitur produktin e vet. Por ai nuk ishte në gjendje të përballonte financiarisht reklamat, kështu që u mundua të siguronte përsëri një shtyrje pagese, një praktikë e rrallë në sektorin e reklamave. Por revista "Bota kompjuterike e Kinës", një nga botimet me ndikim më të madh në industrinë e teknologjisë së informacionit të Kinës, pranoi. Shi i lumturuar vendosi një reklamë gjysmë faqe në këtë revistë dhe premtoi t'i paguante 17 550 juanët (afro 2757 dollarë, po në atë kohë më pak se 1800 dollarë) që kushtonte kjo reklamë brenda 15 ditëve, ose përndryshe do ta mbyllte biznesin e vet për të paguar borxhin.

Dhe vetëm dy ditë para se të mbaronte ky afat, pra në ditën e 13-të pas vendosjes së reklamës, Shi Yuzhu siguroi tre porosi për M-6401 me një vlerë të përgjithshme rreth 20 000 juanë (pak më shumë se 3140 dollarë), gjë që e shpëtoi kompaninë e tij, ende në djep, nga falimentimi. Programi u popullarizua kaq shumë dhe kaq shpejt, saqë pa kaluar një muaj shitjet i kaluan 100 mijë dollarët, ndërsa në tetor të po atij viti, pra 1989, Shi Yuzhu bëri milionin e vet të parë. Ai ishte vetëm 27 vjeç në atë kohë. Por, për habinë e të gjithëve, Shi i shpenzoi të gjitha paratë për reklama, çka në të vërtetë u shpërblye, pasi porositë për M-6401 erdhën duke u rritur.

Kjo është historia e ngritjes së parë në biznesin e Shi Yuzhu-së, që nuk erdhi vetëm nga risia teknologjike e programit M-6401, por edhe mënyrat me risi të shitjeve dhe marketingut.

Në vitin 1991 Shi Yuzhu krijoi kompaninë e vet, të cilën e pagëzoi me një emër shumë ambicioz, Grupi i Teknologjisë së Re "Giant" (ose "Juren" në gjuhën kineze). Në të vërtetë, për këtë emër ai u frymëzua nga nofka e IBM-së, Big Blue (Bluja e madhe). Shi Yuzhu shpresonte ta bënte "Giant" IBM-në e Kinës dhe një nga kompanitë më të mëdha të kompjuterave në Lindje.

Në vitin 1992 Shi Yuzhu e zhvendosi selinë e kompanisë së vet në Zhuhai, duke e ripagëzuar Grupi i Teknologjisë së Lartë "Giant" i Zhuhai-t. Zhuhai është një qytet edhe ky në provincën Guangdong, ku ndodhet edhe Shenzhen-i, ku deri atëherë e kishte selinë kompania. Por Shi Yuzhu mendonte se Zhuhai kishte një mjedis më të mirë për bizneset private.

"Giant"-i vijoi rrugën e vet të suksesshme. Si rezultat i krijimit të programeve të reja dhe i marketingut të mirë, grupi siguroi një rritje të ndjeshme të ardhurash, duke krijuar tetë degë të reja. Në vitin 1992 "Giant" krijoi programin e ri kompjuterik M-6403, që arriti atë vit 35 milionë juanë (5.5 milionë dollarë) fitime. Një vit më pas, në vitin 1993, "Giant" nxori M-6405, një laptop që bënte të mundur shkrimin me hieroglife kineze. Po atë vit të ardhurat e Grupit "Giant" vetëm nga shitja e laptopëve dhe e programeve kompjuterike arritën në 360 milionë, duke e bërë atë kompaninë e dytë më të madhe private të teknologjisë në Kinë. Karriera e Shi Yuzhu-së arriti kulmin e vet të parë. Në vitin 1993 ai mori çmimin "Sipërmarrës i dalluar i provincës Guangdong", në vitin 1994 u shpall një ndër 10 personalitetet kryesore të reformës në Kinë, kurse një vit më pas, në 1995, revista "Forbes" e renditi në vendin e 8-të në listën e vet të njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës. Ndërkohë, edhe Grupi "Giant" u shpall një sipërmarrje ikonë e Zhuhai-t. Madje autoritetet vendore të këtij qyteti e vlerësuan aq shumë ndihmesën e Shi Yuzhu-së, saqë i dhuruan atij një apartament, një "Audi" dhe 630 000 juanë, duke synuar nxitjen e frymës së sipërmarrjes në qytet.

Megjithatë, tregu i kompjuterave dhe i programeve kompjuterike në Kinë po ndryshonte. Vendet perëndimore nisën të lehtësonin kufizimet ndaj eksportit të tyre në Kinë dhe kështu prodhuesit e huaj të këtyre produkteve vërshuan në Kinë, duke i dhënë një goditje Grupit "Giant", që mbështetej në një masë të madhe në shitjen e programeve kompjuterike. I nxitur po ashtu edhe nga falimentimi në vitin 1992 i kompanisë së njohur "Wang An" me seli në Masaçusets të ShBA-së, që prodhonte edhe ajo programe kompjuterike si ato të "Giant"-it, Shi Yuzhu nisi të mendonte për të ardhmen e kompanisë së vet. Si përfundim ai vendosi të ndjekë strategji të reja, kryesisht nëpërmjet diversifikimit të biznesit. Fushat e reja kryesore ku e zgjeroi biznesin e vet kompania "Giant" ishin pasuritë e patundshme dhe kujdesi shëndetësor.

Këto dy fusha të reja ku u përfshi Shi Yuzhu dhe kompania e tij nuk mund të kishin rezultate më të kundërta sesa ato që patën. Në vitin 1995 "Giant" hodhi në treg 12 produkte shëndeti, ndër të cilat një pilulë, e quajtur "Nao Huangjin" (që mund të përkthehet "Ari i trurit"), u bë mjaft e shitur. Përsëri çelësi i suksesit ishte një fushatë agresive marketingu mbarëkombëtare. Shi i bombardoi konsumatorët kinezë me reklama në stacionet televizive të të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe stacione televizive kabllore në nivel konteje, me një buxhet prej gati 100 milionë juanësh (mbi 15.7 milionë dollarë amerikanë).

Por një shpenzim aq i madh u shpërblye. Shi Yuzhu siguroi 1 miliard juanë (15.7 milionë dollarë amerikanë) të ardhura nga shitjet dhe emri i tij, si edhe i pilulës "Nao Huangjin" u bënë të njohur në mbarë Kinën.

Por krejtësisht ndryshe do të shkonin gjërat me ndërtimin...

Shi Yuzhu përcaktoi objektivin ambicioz për t'i rritur të ardhurat vjetore të Grupit "Giant" në 10 miliardë juanë (më shumë se 1.57 miliardë dollarë amerikanë) deri në vitin 2000, dhe si simbol të suksesit të vet, ai vendosi të ndërtojë një rrokaqiell 18-katësh, që në fund do të sillte edhe shembjen e perandorisë së tij të biznesit.

Projekti i rrokaqiellit u rishikua disa herë dhe numri i kateve të planifikuara u ngjit në 38, pastaj në 54, për të arritur në fund në 72, me një buxhet prej 1.2 miliardë juanësh (më shumë se 188 milionë dollarë).

Por thuhet se edhe një numër zyrtarësh të qeverisë vendore luajtën rol në rishikimin e projektit, për ta nxitur Shi Yuzhu-nëtë ndërtonte rrokaqiellin më të lartë të vendit. Ata i shitën Shi-së një truall me sipërfaqe 30 000 metra katrorë, me një çmim vetëm 125 juanë (pak më shumë se 19.6 dollarë) për metër katror.

Por ndërtesa kurrë nuk u përfundua, edhe për shkak të keqmenaxhimit e të investimit të tepruar. Ndërtimi u zvarrit derisa kriza financiare aziatike e vitit 1998 i dha goditjen përfundimtare. "Giant"-i ishte tashmë në prag të kolapsit nën peshën e bizneseve të tij të shumta, si dhe kostos së ndërtimit të rrokaqiellit në Zhuhai. "Ne nuk kishim ndonjë kredi bankare dhe as nuk mund të merrnim ndonjë kredi bankare," kujton Shi Yuzhu. "Po, kriza financiare ka qenë një arsye, por edhe nga brenda kompania u rrit dhe u bë shumë e madhe."

Ndërtesa e papërfunduar nuk u kthye në simbol të suksesit të Shi Yuzhu-së, por të dështimit të tij. Karriera e Shi Yuzhu-së ishte në pikën më të ulët. E po ashtu edhe pasuria e tij. "Në vitin 1998," kujton Shi, "nuk isha në gjendje as të blija një biletë avioni apo të paguaja faturën e celularit. Isha njeriu më i varfër në Kinë."

Por jo vetëm kaq. Ai mori edhe nofkën "Borxhliu nr. 1 i Kinës". Shi Yuzhui kishte shitur që para përfundimit të gjitha apartamentet, prandaj kompania e tij u detyrohej blerësve 250 milionë juanë (më shumë se 39 milionë dollarë amerikanë). Por në vend që të paraqiste dokumentet për falimentim, siç kishin bërë shumë kompani të tjera në atë kohë, Shi Yuzhu e mori vetë përsipër borxhin, duke u premtuar blerësve të apartamenteve që do t'ua kthente paratë. "Gjithçka që më nevojitet," u tha ai, "është koha."

"Unë iu luta gjykatave të Hong-Kongut, të mos e linin kompaninë time që ishte e regjistruar në Hong-Kong dhe që i kishte shitur apartamentet paraprakisht, të falimentonte, sepse, në qoftë se do të ndodhte kjo, unë nuk do të isha në gjendje të ktheja paratë," thotë ai. "Po të kisha një rast mosshlyerjeje të borxhit në jetën time, atëherë askush nuk do të më besonte më përsëri, asnjë bankë nuk do të jepte para dhe unë kurrë nuk do të mundja të rifilloja biznesin."

Feniksi është një zog i rëndësishëm në mitologjinë kineze, simbol i hireve dhe i virtytit, por Shi Yuzhu i ngjan më shumë feniksit të mitologjisë greke. Ai nuk u ligështua, por vendosi ta nisë gjithçka nga e para, megjithatë këtë herë i bindur se diversifikimi ishte një gabim. "Ne ishim të rinj. Pjesëtarët e grupit tim dhe unë vetë ishin në fillim të të tridhjetave në atë kohë dhe nuk e kuptonim. Në të vërtetë, askush në Kinë nuk e kishte kuptuar. Të gjithë mendonte se diversifikimi i bizneseve ishte rruga nga duhej ecur", vëren Shai. "Por tani e kuptoj se jo vetëm mund të bësh vetëm një biznes në një kohë të caktuar, por edhe kompania jote duhet të përqendrohet vetëm në përsosjen e një produkti në një kohë të caktuar."

Me 500 000 juanë (78 683 dollarë) që ia mori borxh një miku, Shi Yuzhu krijoi në vitin 1999 një kompani biofarmaceutike, të quajtur Kompania Teknologjike "Jianteshengwu" e Shangait, për të prodhuar dhe shitur përsëri produkte të kujdesit për shëndetin. "Jianteshengwu" nisi të tregtojë një suplement të hormonit të melatoninës, të quajtur këtë herë me emrin "Nao Baijin" ("Platini i trurit"), që ndihmon kryesisht për të përmirësuar gjumin. Përsëri Shi Yuzhu u mbështet te reklamat për promovimin e produktit të ri. Ai bleu 150 000 juanë (më shumë se 23 mijë dollarë) kohë në kanalet televizive vendore, duke e promovuar "Platinin e trurit" edhe si një produkt që mund të bëhet dhuratë.

Biznesi mori hov menjëherë. Deri në fund të muajit të parë shitjet arritën 400 000 juanë (diçka më pak se 63 mijë dollarë amerikanë). Brenda gjashtë muajve, shitjet mujore arritën në 3 milionë juanë (472 mijë dollarë amerikanë), ndërsa më pas do të arrinin deri në 100 milionë juanë (15.7 milionë dollarë amerikanë).

Më pas Shi Yuzhue zgjeroi biznesin në mbarë vendin, duke e rritur buxhetin për marketingut për të reklamuar në 300 televizione. "Shumicën e produkteve ne i reklamonim vetëm për dy deri në tre vjet, por kemi pasur edhe reklama prej një dhjetëvjeçari dhe çdo vit buxhet vinim duke e shtuar," thotë 53-vjeçari.

Çdo Vit të Ri Kinez gjatë kësaj dekade, Shi Yuzhu bëri të njëjtën reklamë 30-sekondëshe tri herë në orë në televizionet e mbarë. Çdo vit, reklama kishte të njëjtat fjalë, të cilat përafërsisht mund të përkthehen: "Këtë Vit të Ri dhurata e vetme që do të pranoj është 'Platini i trurit'". Po ashtu, fushata e reklamës synon ta paraqiste si dhuratën më të mirë që fëmijët mund t'u bëjnë prindërve të tyre të moshuar. Shitjet spektakolare të "Platinit të trurit" u bënë një nga historitë më të jashtëzakonshme të rritjes dhe të marketingut.

Në vitin 2001, vetëm tre vjet pasi ishte bërë "njeriu me i varfër në Kinë", biznesmeni feniks jo vetëm i kishte shlyer borxhet, por i kishin mbetur edhe mjaft para. Ata që e kishin shmangur dikur, tani po i trokitnin në derë: "Shumë bankave papritmas erdhën tek unë për të më pyetur nëse dija të merrja kredi", rrëfen Shi. "Ata thanë se nuk kishin nevojë për ndonjë kolateral. Vetëm fjala ime se do ta ktheja kredinë u mjaftonte."

Shi Yuzhu filloi të blejë aksione në kompanitë e listuara në bursë, duke përfshirë edhe dy banka private, "Minsheng" dhe "Huaxia", dhe fitoi më shumë se 10 miliardë juanë (1.57 miliardë dollarë). Në vitin 2003 ai e shiti markën "Platini i trurit", si dhe 75 për qind të rrjeteve të shpërndarjes të saj, për 1.17 miliardë juanë (267 milionë dollarë amerikanë).

Në vitin 2004, Shi Yuzhuu rikthye aty ku e kishte nisur, në teknologjinë e informacionit, duke krijuar kompaninë e lojërave në internet "Giant Interactive". "ZT Online", një e ashtuquajtur "lojë në internet me luajtje rolesh me shumë lojtarë", e krijuar nga "Giant Interactive", është tashmë loja në internet më popullore në Kinë, me rekordin e vet 2.1 milionë lojtarë që e kanë luajtur njëherësh.

Në vitin 2007 Shi Yuzhu e kuotoi "Giant Interactive"-in në Bursën e Nju-Jorkut, me një ofertë publike fillestare 887 milionë dollarë, më e larta deri atëherë nga një kompani private kineze në bursat amerikane.

Ambiciet e vjetra është e lehtë të harrohen. Shi Yuzhu thekson se ai nuk do thjesht që "Giant Interactive" të zërë një vend në krye të tregut të lojërave në internet në Kinë. "Qëllimi im nuk është vetëm që 'Giant Interactive' të bëhet kompania më e madhe e lojërave në internet në Kinë," thotë ai, "por të jetë më e madhe edhe se numri dy, tre, katër dhe pesë të marra bashkë".

Pasuria e Shi Yuzhu-së, sipas vlerësimit më të fundit të "Forbes"-it, është 3.1 miliardë dollarë amerikanë.

Shi Yuzhu, feniksi ose gjiganti i rrëzuar e i ringritur, është kthyer në një model frymëzimi për sipërmarrësit e rinj. Një i tillë është Yan Bin-i, që kishte një kompani të vogël që tregtonte pajisje të teknologjisë së informacionit, por të cilën u detyrua ta mbyllte.

"Sipërmarrësi që admiroj më shumë është Shi Yuzhu, sepse ai kurrë nuk u mposht nga pengesat që i dolën gjatë karrierës së vet", shprehet Yan. "Ai ishte dikur ndër njerëzit më të pasur të Kinës, kur papritmas perandoria e tij e biznesit u rrënua. Por ai u ngrit përsëri dhe vazhdoi rrugën. Më vonë ai krijoi një kompani të madhe dhe kjo është edhe ëndrra ime."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China