PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zhou Hongyi, "sfiduesi" i internetit
2015-09-29 16:40:15 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti kinez Xi Jinping sapo ka përmbyllur vizitën e tij në ShBA, vizitë e cila nuk nisi nga qyteti i Uashingtonit, por nga ai i Siatëllit, ku e ka selinë kompania "Mikrosoft". Kreu i shtetit kinez ndodhej në Siatëll për të marrë pjesë në Forumin e 8-të të Internetit Kinë-ShBA. Prania e tij në këtë samit tregon edhe një herë rëndësinë që i kushton Kina sektorit të internetit. Në fjalën e vet në këtë samit z. Xi Jinping vuri në dukje ndër të tjera se Kina është një mbrojtëse e vendosur e sigurisë në internet.Dhe pjesë e delegacionit që e shoqëronte presidentin kinez dhe pjesëmarrës në këtë forum ishte edhe Zhou Hongyi,themeluesi, zyrtari kryeekzekutiv dhe kryetari i bordit të kompanisë më të madh të shërbimeve të sigurisë në internet në Kinë, "Qihoo 360". Ai është një nga pionierët e industrisë së internetit në Kinë dhe një shembull i frymës së sipërmarrjes të biznesmenëve kineze, e po ashtu ka marrë edhe nofkën "sfiduesi".

Zhou Hongyi ka lindur në Huangang të provincës Hubei në Kinën Jugore më 4 tetor 1970. Ai i ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Elektronikës dhe të Inxhinierisë Informatike në Universitetin "Jiaotong" të Xian-it, kryeqendër e provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore. Po në të njëjtin universitet Zhou Hongyi mori edhe gradën "master".

Në vitin 1995, pas përfundimit të studimeve pasuniversitare, Zhou Hongyi shkoi në Pekin, pikërisht në zonën Zhongguancun, të pagëzuar edhe si "Silicon Valley" i Kinës. Ai nisi punë në Grupin "Founder", atëherë kompania më e madhe e programevekompjuterike në Kinë. Zhongguancun-i po ashtu njihej edhe si kryeqyteti i internetit në Kinë dhe, si punonjës i Grupit "Founder", Zhou Hongyi u njoh për herë të parë me internetin.Ai dhe kolegët e tij krijuan pas përpjekjesh më në fund "FYmail", sistemi i parë postës elektronike i prodhuar në mënyrë të pavarur në Kinë. "Unë ende e çmoj hapin e parë që hodha në Zhongguancun, Tokën e Shenjtë të industrisë së teknologjisë informative të Kinës", kujton Zhou Hongyi. Dhe më tej shton me bindje: "Ky hap e ndryshoi krejtësisht jetën time."

Zhou Hongyi i kuptoi mundësitë e mëdha që ofronte lulëzimi i internetit në Kinë dhe vendosi ta lërë punën në "Founder" për të filluar biznesin e tij vetjak. Dhe kështu në tetor të vitit 1998, Zhou themeloi 3721.com (në gjuhën kineze shqiptimi i 3721 është i ngjashëm me atë të një shprehjeje të vjetër kineze dhe ka pak a shumë kuptimin "pavarësisht nga pasojat"). "3721.com" ishte një uebsajt që ofronte shërbimin e kërkimit të fjalëve kyç në gjuhën kineze, që do të thotë se u lejonte netizenëve të gjenin emrat e domeneve në alfabetin latin duke përdorur gjuhën kineze. Kështu për shembull, nëse dikush donte të hapte uebsajtin "sina.com", por nuk e dinte adresën në anglishte, ai a ajo thjesht mund të shtypnin emrin "sina" në gjuhën kineze në uebsajtin "3721.com" e aty shfaqej adresa e uebsajtit.

Në vitin 2000, kompania e Zhou Hongyi-së kishte tërhequr më shumë se 2 milionë dollarë kapitale investimi me rrezik. Ajo i mbijetoi krizës së internetit dhe nisi të bëjë para. Zhou Hongyi krijoi "3721 Internet Assistant", të cilën ai e kishte programuar që të instalohej automatikisht në kompjuterin e përdoruesit nëse ai ose ajo hapte faqe të caktuara interneti. Ky veprim i mundësoi "3721 Internet Assistant" të përhapej me shpejtësi të madhe, dhe pa kaluar shumë kohë numri ditor i përdoruesve të tij arriti në 30 milion, duke e ndihmuar kompaninë e Zhou Hongyi-së të fitojë 140 milionë juanë në vitin 2002.

Suksesi i kompanisë së Zhou Hongyi-së "3721" bëri që ajo shpejt të tërhiqte vëmendjen e "Yahoo"-së, që në atë kohë po bënte përpjekje për t'u zgjeruar sa më shumë në Kinë. Në janar të vitit 2004 gjiganti i kërkimit në internet e bleu më në fund "3721" për 120 milionë dollarë, ndërsa "3721 Internet Assistant" u ripagëzua "Yahoo Assistant". Ndërkohë, në mars të po atij viti Zhou Hongyi u emërua zyrtar kryeekzekutiv i degës së "Yahoo"-së në Kinë. Nën drejtimin e tij, dega e "Yahoo"-së në Kinë u bë për herë të parë fitimprurëse në vitin 2004, duke siguruar 40 milionë dollarë të ardhura dhe 10 milionë dollarë fitime. Por në të njëjtën kohë, tregu i kërkimit në internet në Kinë po njihte një rritje dhe konkurrencë të fortë. "Baidu" ishte fuqizuar tashmë prej një oferte publike fillestare në ShBA, e po ashtu "Google" kishte filluar biznesin e vet në Kinë. Zhou Hongyi e kuptoi se do të bëhej gjithnjë e më e vështirë ruajtja e fitimeve, prandaj në gusht të vitit 2005 dha dorëheqjen nga "Yahoo", e cila ia kaloi biznesin e vet në Kinë "Alibaba"-s. Ndërkohë Zhou Hongyi u bë partner në "International Data Group", ku ai ishte ndër investitorët më aktivë dhe ndihmoi në dhënien e fondeve kompanive të vogla e të mesme, për të mbështetur rritjen e tyre. Zhou Hongyi financoi një numër biznesesh të tilla të suksesshme, duke përfshirë "Thunder Networking Technologies", "Kugou", "Discuz", "Flint", "Nora" dhe biznese të tjera fillestare. Por megjithatë, jo gjithçka shkoi mbarë. Zhou po ashtu humbi një shumë të madhe që kishte investuar në një projekt përpunimi të qumështit të deles.

Në mars të vitit 2006 Zhou Hongyi bashkëthemeloi Kompaninë Teknologjike "Qihoo 360", që merrej me prodhimin e programeve të sigurisë. Zhou Hongyi u bë zyrtar kryeekzekutiv dhe kryetar i bordit të kësaj kompanie, çka shënoi edhe rikthimin e tij në industrinë e internetit në Kinë. Katër muaj më vonë, kompania nxori në qarkullim "360 Safe Guard", një program falas, me qëllimin për t'i ndihmuar përdoruesit të hiqnin programet e dëmshme nga kompjuterat e tyre. Programi u mirëprit nga përdoruesit, duke i dhënë peshë Zhou Hongyi-së dhe kompanisë e tij në sektorin e sigurisë në internet të Kinës. Në atë kohë tregu i sigurisë në internet në Kinë arrinte një vlerë prej 1 miliard juanësh (161 milionë dollarë amerikanë). Modeli i biznesit i ndjekur nga Zhou Hongyi dhe risitë në prodhim dhe teknologji të kompanisë së tij përmbysën konceptin tradicional të sigurisë në internet, duke ndihmuar gjithashtu në ndryshimin e modelit të tregut. Sipas Zhou Hongyi-së, në epokën e internetit duhet të zbatohen rregulla të reja tregu. Zhou thekson: "Një shërbim interneti për të cilin ka nevojë gjithësecili, duhet të jetë falas, kurse fitimet duhet siguruar nga shërbimet me vlerë të shtuar, kur baza e përdoruesve rritet mjaft."

Sot "Qihoo 360" është bërë ofruesi më e madh i shërbimit të sigurisë në internet në Kinë. Produkti i saj kryesor, 360, është programi antivirus më i përdorur në Kinë. "Qihoo 360" po ashtu është një ndër kompanitë kryesore në tregun e shfletuesve të internetit në Kinë, si edhe të lojërave në internet.

Në epokën e internetit tradicional, Zhou dhe "Qihoo 360" kanë luajtur rolin e "sfiduesit". Në kohën kur mbizotëron interneti në celular, ata janë të sfiduarit dhe pritet të shihet nëse do t'i rikthehen përsëri rolit të sfiduesve. Dhe duket se në të vërtetë kjo po ndodh.

Muajin e kaluar kompania "Qihoo 360", në bashkëpunim me "Coolpad"-in, hodhi në treg një celular me çmim relativisht të lirë, por me funksione të shumta e një cilësi mjaft të mirë. Manjati i internetit Zhou Hongyi thotë se, në tregun kinez të mbushur plot e përplot të smartfonave, celulari i ri i "Qihoo 360" radhitet denjësisht përkrah konkurrentëve të vet.

"360 Mobile Safe" i "Qihoo 360" mbetet një nga aplikacionet më të njohura dhe më të përdorura të sigurisë së smartfonave në Kinë, ndonëse përballet me një konkurrencë të ashpër nga "Mobile Phone Guard" i "Tencent"-it. Mbështetur në këtë, Zhou thotë se celulari i krijuar nga kompania e tij, i quajtur "Qiku" dhe që shitet për afro 3600 juanë (565 dollarë), ka elementet më të mira të sigurimit të të dhënave dhe do të mundë me lehtësi të gjithë smartfonat në treg, duke përfshirë "iPhone 6 Plus" të "Apple"-it, që shitet në Kinë për afro 6 090 juanë (940 dollarë).

"Qihoo 360" po ashtu ka prodhuar edhe dy lloje të tjerë smartfonash "Qiku", me vlerë 2500 juanë (pak më shumë se dhe 390 dollarë amerikanë) dhe 1000 juanë (157 dollarë)

"Siguria e informacionit është ajo me të cilën jemi marrë prej vitesh dhe nuk ka prodhues tjetër që mund të na e kalojë", shprehet Zhou Hongyi. "Sot të gjithë përdoruesit e celularëve me sistemin 'Android' në Kinë përballen çdo ditë me telefonata mashtruese telemarketingu dhe bëjnë blerje në uebsajte të pasigurta të tregtisë në internet. Me smartfonat 'Qiku', ne i pakësojmë këto rreziqe, duke ofruar sigurim falas."

Një sondazh i fundit tregon se "Qihoo 360" renditet në vendin e pestë ndër kompanitëe internetit në Kinë për sa i përket vlerës së tregut, pas vetëm "Tencent", "Alibaba", "Baidu", dhe "Netease".

Zhou Hongyi është po ashtu një investitor i njohur në bizneset fillestare, Në vitin 2006 ai themeloi një fond për investime në këto biznese, për t'u ofruar atyre mbështetje dhe mundësi për zhvillim të mëtejshëm.

Sipas listës së të pasurve të Kinës të Institutit "Hurun", pasuria e Zhou Hongyi-së në fund të vitit të kaluar arrinte në 2.4 miliardë dollarë, ndërsa vlerësimi më i fundit i "Forbes"-it është se kjo pasuri është vetëm 1.18 miliardë dollarë.

Në mars 2011 "Qihoo 360" u kuotua në tregun amerikan të aksioneve, e pikërisht në Bursën NASDAQ. Në fund të ditës së parë të tregtimit, çmimet e aksioneve të "Qihoo 360" njohën një rritje prej 134 % nga çmimi fillestar. Në atë kohë, sipas revistës "Forbes", pjesa prej 18 % e Zhou-t në "Qihoo 360" kishte një vlerë 700 milionë dollarë, teksa një vit më vonë rritja e vlerës së këtyre aksioneve do të bëhej që ai të renditej në radhët e miliarderëve. Por megjithatë, Zhou Hongyi thekson se kompanitë e regjistruara në bursë nuk duhet të bëhen skllevër të tregut të kapitaleve. "Nëse kuotohesh në bursë, mund të kthehesh në dritëshkurtër në rast se përpiqesh më shumë se ç'duhet për të kënaqur tregun, dhe mund të mos guxosh të investosh për të ardhmen. Mund të humbësh të ardhmen në qoftë se ke një vizion të ngushtë në fillim. Për një kohë të gjatë në vitet e saj të hershme, për 'Amazon'-in u tha se ishte një kompani mashtruese, por ajo investoi shumë për të ardhmen e saj dhe rezultatet janë shfaqur vetëm së fundmi. 'Yahoo' gjithmonë mundohej të përmbushte kërkesat e Wall Street-it dhe në fund ishte duke shkuar drejt greminës," vëren ai. Dhe më tej shton: "Kompanitë e listuara kanë një barrë më të madhe, por sapo fillon 'të veshësh këpucët', atëherë ke humbur forcën konkurruese, prandaj më mirë të ruash atë frymën e 'të ecurit zbathur'.

"Bërja e mundur që motorëve të kërkimit në internet t'u rikthehet thelbi," ky ka qenë qëllimi i punës së Zhou-t në këtë sektor. Në vitin 2003, kur ia shiti "Yahoo"-së "3721", kjo e fundit ishte asokohe udhëheqëse në sektorin kinez të kërkimit në internet. Dhe vendimi për këtë shitje do të ishte pengu më i madh për 45-vjeçarin. Prandaj, kur ai krijoi motorin e kërkimit "360", ky u bë njëfarë fiksimi, madje edhe ëndrra e tij. Lidhur me ulje-ngritjet e sipërmarrjes së tij, Zhou Hongyi vë në dukje "Nga zhvillimi i '360' mund të them se, me gjithë vështirësitë, nëse fiton përkrahjen dhe besimin e përdoruesve të internetit, do të arrish të kesh sukses".

Zhou Hongyi shprehet se në njëfarë mënyre ai e ka krijuar "360" sipas shembëlltyrës së vet: "'360' nuk është si kompanitë e tjera, që janë të buta nga jashtë dhe të ashpra nga brenda. Kjo lidhet edhe me personalitetin tim. Unë jam i çiltër dhe i drejtpërdrejtë e më pëlqen t'i kritikoj të tjerët në publik."

Dhe Zhou Hongyi mund të thuhet se është i çiltër dhe i drejtpërdrejtë edhe kur flet për veten e vet: "Unë mund të mos kem sukses në fusha të tjera, por kur është puna te teknologjia, vetëm pak veta mund ta ndryshojnë botën nga një garazh. Dhe besoj se unë jam një prej tyre". Më tej ai shton: "E pranoj se jam idealist. Unë besoj se bërja e asaj që më pëlqen të bëj është gjëja më e rëndësishme dhe më e bukur në jetën time."

Ndër vlerat themelore të kompanisë "Qihoo 360" janë "5 të parat", numri një ndër të cilat është "vënia në qendër e përfitimeve nga përdoruesit". Lidhur me një gjë të tillë Zhou Hongyi vë në dukje: "Duhet ta mendosh veten, duke treguar këmbëngulje e durim, në vendin e përdoruesit!"

Biznesmeni sfidues i kushton një rëndësi të madhe krijimit të risive, ndonëse është i ndërgjegjshëm se një gjë e tillë nuk është fushë me lule. "Për të qenë i sinqertë, njerëz të zgjuar ka kudo. Kur ke një ide, 100 të tjerë kanë menduar tashmë për të, 10 e kanë gjetur mënyrën për ta vënë në jetë dhe 5 të tjerë kanë qenë duke e bërë që prej një viti pa qenë ti fare i vetëdijshëm për një gjë të tillë," thotë ai. Megjithatë, si gjithmonë sfidues, ai thotë se kurrë nuk do të heqë dorë nga risitë, dhe jo vetëm për hir të rritjes e të mbetjes në pararojë të kompanisë të tij, por edhe sepse, siç thekson: "Përmirësimet, qoftë edhe të vogla, mund ta ndryshojnë dhe shndërrojnë botën."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China