PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Made in China" modernizohet me teknologjinë e robotëve
2015-08-18 16:02:52 CRI Komenti juaj Printoni

Në Kinën Juglindore, robotët industrialë po futen në fabrikat e uzinat e ndryshme, duke zëvendësuar punëtorët e linjave të prodhimit. Sipërmarrësit janë të mendimit që, me robotë në vend të punëtorëve, produktet "Made in China" do të kenë cilësi më të mirë dhe më të qëndrueshme. Me arritjet në teknologjitë thelbësore në këtë drejtim, sektori i robotikës në Kinë nuk është kufizuar si më parë nga pajisjet dhe teknologjitë e importuara nga vendet e tjera. Kjo ka siguruar kosto më të ulët në sektorin e prodhimit të vendit.

Në fabrikën e kompanisë japoneze "Nidec" në Dongguan të Kinës Jugore, afro 100 linja prodhimi po funksionojnë në mënyrë të rregullt. Më parë në këtë fabrikë kishte një punëtor në një linjë prodhimi, ndërsa tani numri i punëtorëve është përgjysmuar dhe shumë pajisje nuk kanë nevojë për kontroll nga njeriu.

"Në këtë linjë më parë kishte 26 veta, ndërsa tani ka vetëm pak më shumë se 10, pasi punët bëhen nga pajisjet automatike," thotë një punëtor.

Tani vetëm në qytetin Dongguan, 60% e kompanive kanë filluar të përdorin robotë në vend të punëtorëve. Në provincat kryesore prodhuese, si Guangdong, Zhejiang dhe Jiangsu, shumë kompani kanë vënë në përdorim robotë dhe disa ndërmarrje të famshme, si "Midea", "Galanz" dhe "Skyworth" kanë nisur procesin e automatizimit të prodhimit të tyre.

Më përpara robotët përdoreshin kryesisht në proceset e nivelit të lartë, si prodhimi i automjeteve dhe i pajisjeve elektronike, kurse tani gjithnjë e më shumë përdoren në prodhimin e mallrave të përditshme, si produkte tekstile dhe këpucë.

Drejtori i fabrikës së kompanisë "Nidec" në Dongguan, Liu Yanqiu, pohon që përdorimi i robotëve është një prirje në këtë sektor.

"Fuqia konkurruese do të ulet shumë nëse nuk ka automatizim. Tani, kostoja e krahut të punës po rritet pandërprerë. Të gjithë e dinë këtë. Jo vetëm në Dongguan, por edhe në krahina të tjera gjendja është e njëjtë. Pse janë lëvizur disa fabrika në Vietnam? Sepse kostoja atje është më e ulët se në Dongguan," thotë Liu Yinqiu.

Tani janë futur robotët në punë në vend të njerëzve, por si është raporti cilësi-çmim? Kompania "Nidec" në Dongguan ka bërë këtë përllogaritje: kostoja e automatizimit është 20 milionë juanë në vit, ndërsa kostoja vjetore e një punëtori është afro 40 mijë juanë. Vjet, automatizimi zëvendësoi punën e 450 vetave, duke i kursyer kompanisë "Nidec" 18 milionë juanë. Në këtë mënyrë, parashikohet që investimi me rreth një vit.

Përveç kostos, cilësia e prodhimit është një përparësi e rëndësishme e automatizimit. Zv.drejtorja e prodhimit të kompanisë "Nidec", Tian Birong, është e mendimit që prodhimi me robot ka forcuar më shumë besimin e klientëve.

"Lidhur me koston, automatizimi ka pakësuar numrin e punëtorëve. Kostoja e automatizimit zë vetëm një pjesë të vogël të vëllimit të shitjeve. Më e rëndësishmja është që kjo do të ndikojë në qëndrueshmërinë e prodhimit dhe do të rritë më shumë besimin e klientëve. Kështu, do të shtohet niveli i fitimeve, pasi cilësia e prodhimit ngrihet, dhe do të pakësohet numri i padive për kompensim, si edhe numri i produkteve jocilësore," thotë Tian Birong.

Përveç cilësisë, përdorimi i robotëve mund të pakësojë edhe rreziqet e mundshme gjatë procesit të prodhimit. Në laboratorin e Institutit Kërkimor të Teknologjisë së Përparuar pranë Akademisë së Shkencave të Kinës, ka një autokrah, i cili është projektuar posaçërisht për lëmimin me precizion. Me një pajisje të tillë, punëtorët mund të qëndrojnë larg pluhurit. Drejtori i laboratorit He Kai thotë:

"Në çdo sektor, lëmimi harxhon shumë kohë dhe energji, ndërkohë që është helmues për njerëzit, pasi pluhuri mund të hyjë në mushkëri. Tani, punëtorët zakonisht janë fëmijë të vetëm dhe nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë punë. Kështu, kemi vënë në përdorim robotë. Tani disa kompani janë të gatshme për ndërtimin e një laboratori të përbashkët me ne. Ne bëjmë konceptimin dhe prodhojmë modelin, ndërsa kompanitë e vënë në zbatim."

Megjithëse përdorimi i robotëve ka plot përparësi, automatizimi kërkon fonde të mëdha, çka në të vërtetë është një ngarkesë e madhe për kompanitë. Tani në Kinë pjesët kryesore të këmbimit, si ulësit e shpejtësisë me precizion, kontrolluesit dhe heterostati, janë kryesisht të importuara nga jashtë. Kostoja e importit zë mbi 50% të kostos së përgjithshme të prodhimit me robotë.

Në 2-3 vjetët e fundit, institucionet si Instituti Kërkimor i Teknologjisë së Përparuar, kanë pasur përparime në studimin, prodhimin dhe përdorimin e disa pjesëve kryesore të këmbimit. Kjo ka ulur mjaft çmimin e pjesëve të këmbimit të importuara. P.sh., ulësit e shpejtësisë me precizion tani shitet së paku 1/3 më lirë se dy vjet më parë. Të dhënat tregojnë që çmimi i robotëve industrialë po ulet me rreth 10 % në vit dhe një robot i zakonshëm industrial shitet mesatarisht 150-200 mijë juanë, ndërsa një robot i thjeshtë për transport afro 100 mijë juanë.

Përveç përparimeve teknologjike, kostoja e përdorimit të robotëve është ulur edhe në mënyra të tjera. Në Shenzhen, Chongqing dhe Nankin, pushteti ka nisur shërbimin e marrjes së robotëve me qira, duke ulur në mënyrë të dukshme koston dhe rreziqet e kompanive. Në këto kushte, shumë ndërmarrje që prodhojnë robotë, e kanë zgjeruar biznesin e tyre nga prodhimi në shërbimin pas shitjes. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Industrisë së Robotëve të Kinës Song Xiaogang u shpreh:

"Vetëm blerja e pajisjeve nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e kompanive, pasi roboti është ndryshe nga produktet e tjera që përdoren në mënyrë manuale. Roboti duhet të bashkëpunojë me pajisjet e tjera, për të formuar një njësi përpunimi ose linjë prodhimi, madje një njësi të dixhitalizuar prodhimi. Kështu, sektori i robotëve duhet të lidhet ngushtë me sektorin e përdoruesit dhe të ofrojë një zgjidhje të përshtatshme për sektorë dhe procese të ndryshme. Gjëja e mirë është që tani njerëzit kanë kuptuar këtë gjë."

Tani në Kinë, përdorimi i robotëve në vend të punëtorëve është një proces në vazhdim. Ndoshta disa vjet më vonë, një mall pranë jush "Made in China" do të jetë prodhuar krejtësisht nga një robot dhe pjesa më tërheqëse e këtij malli mund të jetë dizenjimi dhe prodhimi modern. (Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China