PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Mimoza Vojka-Emanuelsi, sipërmarrësja me moton "Kurrë mos ki frikë"
2015-06-03 09:13:28 CRI Komenti juaj Printoni

Administratorja e kompanisë së prodhimit të veshjeve SAM, Mimoza Vojka-Emanuelsi, është ndër femrat pionere të sipërmarrjes në Shqipëri. SAM-i është e vetmja kompani shqiptare që punon me kërkesa në internet, duke synuar mbulimin e plotë të tregut vendës dhe zgjerimin e mëtejshëm në atë europian. Vojka-Emanuelsi, me kompaninë e saj të veshjeve, prej disa vitesh ka fituar sfidën personale: prodhimin me cikël të plotë të modeleve të ndryshme për veshje sportive sipas kërkesave që paraqesin në internet klientët e huaj. Si logo të produkteve të saj ka dy femra, që i pëlqen t'i krahasojë me logon e supermenit, për të shprehur forcën dhe potencialin e gruas. Si sipërmarrëse ka moton: "Të jem nënë e mirë, grua e zonja, krijuese dhe drejtuese e suksesshme në punë".

Në vitin 1990 Mimoza Vojka, e sapodiplomuar në degën e inxhinierisë së tekstileve, nisi punën në Ndërmarrjen e Veshjeve në Tiranë. Por ishte viti kur në Shqipëri po ndodhnin ndryshime të mëdha, e një prej tyre ishte edhe fillimi i iniciativës së lirë në biznes, dhe një gjë e tillë, bashkë me faktin që nuk ishte e kënaqur me punën që bënte aty, u dhanë shtysë ideve të së resë për të bërë diçka më shumë. Dhe ndërsa po ndërdyshej nëse duhej të hapte ndonjë biznes të vetin apo kurse për mësimin e gjuhëve të huaja, të tilla si anglishtja dhe gjermanishtja, të cilat ishin mjaft të kërkuara në atë kohë, Mimozës i mbërriti oferta e parë nga një biznesmen gjerman për të punuar në industrinë tekstile. Ndonëse një gjë e tillë iu duk me interes, vetëm në vitin 1993 Mimoza Vojka pranoi ofertën e ardhur nga kompania italiane "'CBF Balduci" që të hapte një firmë shqiptare. "Kjo ofertë më bëri të vendos dhe të hap ndërmarrjen time private në korrik 1993, ndër të parat në vend. E quajta SAM, ose 'Kompania Shqiptare e Modës', fusha ku më pëlqente të punoja. Kështu nisa me kompaninë italiane 'CBF Balduci' nga Ankona prodhimin me fason (material porositësi) të rrobave të punës me 60 punëtorë në ditën e parë," kujton Mimoza Vojka.

Puna me SAM-in i solli Mimoza Vojkës njohje të reja në treg dhe rriti interesin e saj për teknologjitë e reja moderne në industrinë e veshjeve. Pasi u ndie e sigurt në atë çfarë donte, në vitin 2008, ajo vendosi dhe mbyllë ndërmarrjen e fasonit SAM, duke kaluar në një aktivitet të ndryshëm, i pari i llojit në Shqipëri: prodhim veshjesh me cikël të mbyllur. Ishte një ëndërr e rritur gjatë viteve, për të cilën Mimoza ndoqi një seri kursesh mbi menaxhimin, futjen e ciklit të plotë të prodhimit, kërkimin e tregjeve për lëndën e parë, makineritë etj.

Gjatë panaireve botërore në vende të ndryshme, veçanërisht të Europës, të njohura në fushën e veshjes e të modës, si Francë, Gjermani dhe Itali, me bashkëshortin e vet holandez Steven Emanuels, i cili njëkohësisht u bë edhe kolegu i saj në punë, tashmë Mimoza Vojka-Emanuelsi mori kontakte me klientë të ndryshëm. Kështu gjatë një panairi në vitin 2005 në Francë, çifti Emanuels përzgjodhi dhe firmosi kontratën me firmën "D.G.E. production", e specializuar për veshjet sportive me stampim sublimatik, e cila sjell në internet porositë bashkë me dizenjon sipas kërkesave të tregut dhe klientëve, kryesisht klube sportive, qofshin këto profesioniste, ose edhe amatore.

Kështu nisi gati një dhjetëvjeçar më parë SAM-i prodhimin e veshjeve sportive, një ritëm në rritje vit pas viti. Sot, Mimoza Vojka-Emanuelsi e siguron lëndën e parë në Europë, kryesisht në Itali e Spanjë, te firmat udhëheqëse në këtë fushë specifike me teknologjinë më të re në Europë, ose siç njihet "printim dixhital", që përfshin modelet, dizenjimin, stampimin, prerjen, qepjen, paketimin dhe dërgimin në destinacionin e kërkuar. Për Mimoza Vojka-Emanuelsin ishte një përpjekje që kërkoi paraprakisht shumë njohuri, studime të pafunda në internet, për tregjet, blerjen e teknologjive, makinat për printime dixhitale dhe montimin e tyre. Gjithçka ishte në kushte jo të lehta, pasi në Shqipëri mungonte asistenca teknike e specializuar për teknologji moderne, përgatitja dhe kualifikimi i stafit etj. "Në kushtet e mungesave të tilla, asgjë nuk ishte e lehtë dhe për çdo gjë konsultoheshim me internetin, që nga montimi i makinerive dhe mësimi i proceseve. Të gjitha llojet e veshjeve me porosi që prodhojmë janë të personalizuara, falë një programi të avancuar kompjuterik", tregon Mimoza. Ajo luan me ngjyrat në stampim, endet nëpër imagjinatë duke përdorur pajisjet më moderne, për të arritur te dëshira e blerësit. Krahas kompanisë franceze "D.G.E. production", SAM-i punon për dy klientë të tjerë nga Holanda, me klientë nga Gjermania, por edhe për tregun anglez me shitjet drejtpërdrejt në internet. "Sot, brenda javës, sapo marrim kërkesën bashkë me dizenjot online nga klientët tanë, nisim prodhimin, duke arritur t'i dërgojmë në kufirin kohor nga 5 deri në 10 ditë. Kjo rritje është mjaft e mirë, krahasuar me fillimin, kur na u desh ta bënim vetë gjithçka për të arritur ku jemi", shprehet znj. Vojka.

Tashmë sfida e Mimoza Vojka-Emanuelsit është teknologjia dixhitale për ciklin e plotë të veshjeve. Uebsajti i kompanisë SAM është në pritje të porosive të tjera, sepse synon tregun shqiptar dhe zgjerimin në atë europian. SAM-i ka si objektiv prodhimin e veshjeve për shkolla dhe për ekipet e minifutbollit, veshje suvenire për agjenci turistike etj. "Çmimet janë shumë konkurruese dhe prodhimi cilësor", thotë Mimoza Vojka-Emanuelsi. Në katalogun e SAM-it përfshihen veshje për sportet e volejbollit, basketbollit e atletikës, për pushim apo udhëtime, ku dallon portreti me përkrenare i Skënderbeut, apo Tirana natën e të tjera pamje krejt shqiptare. Paraqitja e veshjeve të SAM-it në turneun e volejbollit në plazh në Durrës, Pogradec, Sarandë e Vlorë në vitin 2009 ishte shumë pozitive për kompaninë, e po ashtu dhe realizimi i veshjeve për Maratonën e Tiranës në tetor 2012, veprimtari të cilat, bashkë me disa klientë të rëndësishëm në Shqipëri, i kanë dhënë kompanisë emër të mirë. Ndërsa SAM-i ka për qëllim zgjerimin e gamës së artikujve dhe klientëve në Europë, vazhdon punën për përsosjen e uebsajtit të vet, duke shtuar aty edhe veshje të modës, si një mundësi që i jep klientit që të dizenjojë vetë veshjen, çka sipas znj. Mimoza garanton se mjafton një ide e ofruar nga klienti që fantazia e çdo lloji, ngjyre, stampimi, të marrë jetë në fabrikën në Tiranë. "Nuk dua të bëj thjesht një biznes për të fituar ca lekë. Mbi të gjitha, dëshiroj të jem e arritur profesionalisht", thotë Mimoza Vojka-Emanuelsi.

Shqipëria ka tashmë rreth 470 firma prodhimi me porosi nga jashtë. Për shkak të krizës, ato kanë tashmë rreth 60 mijë punëtorë, nga 100 mijë punëtorë që kishin në 2008. Nga të parët ndër bizneset e eksportit dhe për sa i përket tërheqjes së euros, fasonët tani kanë dalë të dytët pas energjisë, mineraleve dhe metaleve.

Nën ndikimin e efekteve të krizës në sektorin e fasonit, shumë sipërmarrës zgjodhën të bëhen prodhues të mirëfilltë. Por Mimoza Vojka-Emanuelsi nuk u diktua nga kriza e tregjeve fqinje, pasi me largpamësi zgjedhjen e pati bërë më përpara.

Kur e pyet se si ka ndikuar kriza e fundit ekonomike në strategjinë e biznesit të saj, zonja Vojka-Emanuelsi përgjigjet: "Pas 15 vjetësh për të njëjtin klient, na u desh të bënim shkurtime në biznesin tonë, për shkak të se klienti ynë u godit kriza financare dhe porositë e marra prej tij ishin të pamjaftueshme për të mbajtur të gjithë personelin. Prandaj, fuqia punëtore ra në shkurt 2009 dhe fokusi u vu në investimet dhe shitjen e rrobave të gatshme, çka rezultoi në një rritje 10% të të ardhurave atë vit."

Mimoza Vojka-Emanuelsi e di shumë mirë se, të jesh një hap përpara të tjerëve, është çelësi i suksesit në biznes. Ndaj në vitet e fundit, kur bizneset shqiptare po përballeshin me ulje të porosive nga jashtë, sipërmarrësja inxhinere zgjodhi të investojë në atë që beson: në teknologji.

"Përherë më ka pëlqyer të jem në kërkim të së resë. Këtë kam bërë në drejtimin e biznesit, nuk kam reshtur së kërkuari e studiuari të rejat e teknologjisë e teknikës, në kontakt të vazhdueshëm me rrethet europiane të fushës," thekson ajo.

Gjatë krizës financiare në Europë, ekonomistë të shumtë theksuan se investimi në teknologji është kundërpërgjigjja më e mirë. Thënie e vërtetuar tashmë edhe në tregun shqiptar.

Mimoza Vojka-Emanuelsi thekson se gjatë kohës së krizës firma e saj investoi në teknologji moderne dhe u hap në tregje të reja, duke shtuar klientët.

Ajo thotë se sekreti është që firma të marrë përsipër sa më shumë faza prodhimi. SAM-i prodhon veshje sportive të personalizuara për të gjitha tregjet europiane me cikël të mbyllur; pra merr porosinë për një kostum dhe e mbaron të gjithin vetë, ndryshe nga firmat e tjera që përgatitin vetëm një proces ose disa procese. Znj. Vojka-Emanuels mendon se firmat në Shqipëri duhet të zgjedhin klientë cilësorë dhe të mos mbahen me klientë të parregullt në pagesa, që gjoja sjellin punë për firmat me shumë punëtorë, por nuk i paguajnë ata. Mimoza Vojka-Emanuelsi thotë se këtë lloj klienti firma e saj e largon menjëherë pa rrezikuar më tej.

Kur e pyet se cilat kanë qenë pengesat më të mëdha që ka hasur kur ka filluar biznesin, znj. Vojka-Emanuels përgjigjet: "Si një nga bizneset e para private në Shqipëri, ne gjithmonë na është dashur të ecim - dhe madje herë pas here na duhet të ecim edhe tani - në rrugë të panjohura, të mbushura me pengesa të mëdha dhe të vogla. Por, megjithatë, motoja jonë ka qenë: 'Kurrë mos ki frikë - është vetëm një rrugë!"

"Këshilla ime për sipërmarrësit e tjerë," vëren sipërmarrësja e veshjeve është: 'Mbajini gjërat të thjeshta, përqendrohuni dhe vazhdoni rrugën tuaj'". Për të pasur një biznes të suksesshëm, mendon ajo, "duhet të dish si të bësh dhe të dish si të shërbesh."

Mimoza Vojka-Emanuelsi vëren se sipërmarrësit janë të rëndësishëm për shoqërinë, për shkak se, së bashku me krijimin e vendeve të punës, ata gjithashtu mbështetin zhvillimin personal dhe shoqëror.

Mimoza Vojka-Emanuelsin nuk e tërheq politika, sepse nuk shikon pika të përbashkëta me të në biznesin si grua, por megjithatë, mendon se ka ardhur koha që gruaja në biznes duhet të jetë zë i fuqishëm, aq sa ta detyrojë politikën t'i kthejë sytë drejt saj. "Deri më sot ka disa bashkëpunime të bizneseve femërore, por në nivele sipërfaqësore dhe besoj se ka ardhur koha për ta ndryshuar këtë model të vakët. Një grup grash të afirmuara në biznes që kanë energji, nuk duhet të presin më për t'u bashkuar në një zë të vetëm, në mbrojtje të zhvillimit dhe emancipimit," shpreh opinionin e saj Mimoza Vojka-Emanuels. Duke pasur njohje të biznesit femëror në Shqipëri dhe në rajon, ku ka takuar shumë femra sipërmarrëse, znj. Vojka e shikon të dobishëm krijimin e një rrjeti rajonal, ku të këmbehen ide dhe përvoja, që i shërbejnë zhvillimit të gruas sipërmarrëse.

Në një artikull të vet të botuar vitin e kaluar lidhur me nivelet e firmave prodhuese eksportuese të veshjeve, Mimoza Vojka-Emanuels synonte të sqaronte përdorimin e termit "fason", meqë, siç thotë, opinioni i gjerë e quan çdo kompani eksportuese që merret me prodhimin e veshjeve apo këpucëve, si "firmë fason". Në këtë artikull inxhinerja shpjegon se firmat prodhuese eksportuese ndahen në dy grupe: firmat që prodhojnë dhe eksportojnë pjesë të punës së një produkti dhe ato që prodhojnë dhe eksportojnë produktin e tyre, dhe firmat fason i përkasin grupit të parë.

Firmat që prodhojnë dhe eksportojnë pjesë të punës së prodhimit tani përbëjnë grupin më të madh të firmave prodhuese dhe eksportuese në Shqipëri, vëren ajo.

Ndërkohë, për kompaninë e vet SAM, Mimoza vëren se i përket grupit të dytë, ku futen ato kompani, të cilat shesin produktin e realizuar të dizenjuar prej tyre. Sipas saj, vlera e këtyre kompanive qëndron te vlera e produktit që ofron në treg. Ky produkt mund të jetë një produkt që gjendet në treg, e kompania futet si konkurruese duke i dhënë veçori produktit, por ky produkt mund të jetë një produkt inovativ (siç është rasti i kompanisë SAM) dhe në këtë rast, kompania e mat suksesin me faktin se sa ky produkt inovativ mirëpritet nga tregu.

Suksesi i këtij grupi të kompanive prodhuese qëndron në reputacionin që ato krijojnë në tregjet e shitjes dhe aftësive që kanë për të prezantuar si duhet produktin e tyre, vëren inxhinierja dhe biznesmenia me përvojë, e cila shton se cikli i mbyllur të jep mundësi më të mira biznesi se prodhimi me fason, pra realizimi i vetëm disa proceseve. Megjithatë, znj. Mimoza Vojka-Emanuels thekson se, sidoqoftë, shoqëria duhet të respektojë punën dhe përpjekjen e këtyre kompanive të çdo niveli, pasi këto kompani japin ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin e vendit.

Mimoza Vojka-Emanuelsi mendon se biznesi femëror kërkon vetëpërgjegjësi dhe të qenit të ndërgjegjshëm për mundësitë dhe kufijtë. "Mendoj se nuk duhet të bëjmë një punë që e ndiejmë të vështirë për ta bërë, por atë punë që është brenda aftësive e kapacitetit tonë. Vetë qëllimi që kam në jetë, është që të jetoj mirë e bukur dhe mendoj se çdo grua duhet të zgjedhë e të bëjë punën që i realizon këtë qëllim jete, rolin dhe aftësinë e saj," vë në dukje sipërmarrësja e njohur.

Me bashkëshortin holandez, Steven Emanuels, inxhinier konfeksionesh, dhe me vajzën, Mimoza ndihet e lumtur. Familja jeton në Tiranë, ndërsa pushimet zakonisht i kalon në Holandë, te familja e Steven-it. Mimoza mendon se edhe krijimi i familjes për çdo grua kërkon kohën e vet. Ajo e krijoi familjen e saj kur mendoi se ishte e aftë ta mbajë siç duhet. "Fëmija është gjëja më e shtrenjtë në jetë dhe këtë detyrë e bëj me shumë dashuri e nuk pranoj ta lë pas dore angazhimin për asnjë arsye, as sepse jam sipërmarrëse. Përpiqem të kem bilancin e duhur mes fëmijës, familjes dhe punës dhe, në këtë pikë, mendoj se gruaja ka aftësi më shumë se burrat për të krijuar dhe për të mbajtur ekuilibrin e duhur. Gjykoj se të bërit biznes për një grua nuk do të thotë të prishë ekuilibrat familjarë, përkundrazi", shprehet Mimoza Vojka-Emanuelsi. Për të, gruaja në biznes ka aftësi të plotë të jetë drejtuese e mirë, sepse i qëndron idesë se çdo femër ka epërsi në krahasim me burrat dhe një moral pune më të drejtë. "Gratë pëlqejnë perfeksionin, që është karakteristikë jete në çdo fushë, dhe jep të njëjtin përkushtim edhe në familje. Ndërsa kur një burrë merret me biznes, ai ka krijuar prototipin e vet, ku angazhimi familjar është minimal", mendon Mimoza.

Për pronaren e SAM-it Mimoza Vojka-Emanuels, sfida më e madhe si grua në biznes është të jetë nënë e mirë, grua e zonja, krijuese dhe drejtuese e suksesshme në punë. "Por, për këto, më duhet të mos rresht kurrë së dhëni dashuri dhe të reflektoj mbi veten", shprehet ajo.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China