PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Wang Zhongjun-Wang Zhonglei, vëllezërit e filmit kinez
2015-04-28 16:12:52 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 17 deri në 20 prill u zhvillua Festivali i 5-të Ndërkombëtar i Filmit i Pekinit. Ndonëse relativisht i ri, Festivali i Filmit i Pekinit synon të bëhet një ndër veprimtaritë e këtij lloji më të njohura në botë, dhe kjo ambicie mbështetet edhe në zhvillimin e madh që ka marrë industria kineze e filmit, si pjesë e industrisë kulturore të Kinës në përgjithësi. Veçanërisht në vitet e fundit, në vendin më të populluar të botës është vënë re një rritje në cilësinë e prodhimeve kinematografike, në të ardhurat nga shitjet e biletave dhe në numrin e kompanive kinematografike dhe të kinemave e të ekraneve të mëdha. E një prej këtyre kompanive është "Vëllezërit Huayi" ("Huayi Brothers" në gjuhën angleze), e themeluar dhe e drejtuar nga vëllezërit Wang Zhongjun dhe Wang Zhonglei.

Kompania Kinematografike "Vëllezërit Huayi" e ka zanafillën në vitin 1994, vit kur pikërisht Wang Zhongjun-i, i njohur edhe siDennis Wang, asokohe 34-vjeçar, mori gradën "master" në Universitetin Shtetëror të Nju-Jorkut për Shkencat e Komunikimit Masiv dhe u kthye në Kinë pas disa vjetësh jete dhe studimi në ShBA, ku i duhej edhe të punonte si dërgues picash. Me t'u kthyer në Kinë Wang Zhongjun-it i lindi ideja të krijonte një agjenci reklamash. E kështu bashkë me vëllanëe vet të vogël Wang Zhonglei (që mban edhe emrin James Wang) i përdorën të gjitha kursimet në sipërmarrjen e tyre të re, që fillimisht quhej Kompania e Reklamave "Vëllezërit Huayi". Por fillimi ishte i vështirë. "Vitin e parë gjërat nuk shkuan vaj," tregon Wang Zhongjun-i.

Për të krijuar përshtypje të mirë te klientët dhe investitorët e mundshëm, dy vëllezërit morën me qira një zyrë të madhe dhe punësuan një staf prej 30 vetash, pavarësisht se kishin para të mjaftueshme për t'i paguar punonjësit e tyre vetëm për gjashtë muaj. "Ishim nën një trysni shumë të madhe," kujton Wang Zhongjun-i.

Por pika e kthesës për kompaninë erdhi në një mënyrë të papritur. Një ditë, Wang Zhongjun-it i shkuan ndër mend shenjat që reklamonin dyqanet "McDonalds", të cilat ai i kishte shikuar pothuajse kudo që shkonte gjatë kohës që kishte qëndruar në Amerikë.

Ai mendoi nëse mund të ofronte shenja të tilla profesionale për bizneset kineze. Wang Zhongjun-i hulumtoi më tej dhe zbuloi se shenjat e përdorura për të reklamuar dyqane dhe restorante në ShBA bëheshin me materiale të cilësisë së lartë, që në atë kohë ishte e vështirë të gjendeshin në Kinë.

Një problem tjetër ishte se në atë kohë nuk kishte shumë dyqane zinxhir në Kinë, të cilat mund të ishin klientët më të mirë. Megjithatë një numër bankash kineze kishin shumë degë, kështu që Wang Zhongjun-i vendosi që kompania e vet të përqendrohej në to.

Vëllezërit i importuan lëndët e para dhe krijuan objekte për të bërë shenjat, teksa në të njëjtën kohë vazhdonin negociatat me klientët e mundshëm. Më në fund Wang Zhongjun-i dhe Wang Zhongleivendosën të fokusohen në një klient kryesor, me plotësimin e porosive të të cilit kompania u mor për gati dy vjet.

"Fituam 5 milionë milionë dollarë amerikanë," kujton Wang Zhongjun-i. Shokët e tij në Amerikë u çuditën kur mësuan se ai dhe i vëllai kishin bërë aq shumë para në një kohë aq ​​të shkurtër. "Ata kujtonin se ishte një shaka. Tani të gjithë e di se sa rritje të shpejtë ka biznesi në Kinë," shprehet Wang Zhongjun-i.

Kompania e vëllezërve Wang tashmë e kishte kapitalin për t'u zgjeruar, dhe në vitin 1998 "Vëllezërit Huayi" u bë e para kompani private që investonte në prodhimin e filmave në Kinë. Por Wang Zhongjun-ivë re se ata nuk e kishin menduar se do të kishin atë sukses që kanë arritur sot. "Synimet tona nuk ishin shumë të qarta këtë dhe ne nuk e dinim nëse ideja për të bërë filma ishte e mirë apo jo. Ndoshta nuk na dukej e vështirë, ngaqë synimet tona nuk ishin të qarta," shprehet Wang Zhongjun-i.

Kompania punësoi disa nga regjisorët më të njohur të Kinës për të bërë filmat e vet të parë. Wang Zhongjun-i thotë se edhe pse ata nuk bënë shumë para në këtë fazë, suksesi i filmave ndihmoi për të krijuar reputacionin e tyre në industrinë kinematografike. Që atëherë kompania ka bërë më shumë se 50 filma, duke fituar qindra miliona dollarë.

Në vitin 2000 kompania "Vëllezërit Huayi" krijoi atë strukturë biznesi që vijon edhe tani, e cila mundëson ndërveprimin e filmave, dramave televizive dhe agjencive të talenteve.

Si një ndër kompanitë më të suksesshme private të filmit dhe televizionit në Kinë, "Vëllezërit Huayi" ka ndihmuar për t'u shfaqur në ekranin e madh me dhjetëra vepra të njohura kinematografike, të tilla si "Celulari", "Një botë pa hajdutë", "Rob-B-Hood", "Vëllamët", "Nëse ti je i duhuri", "Mbretëria e ndaluar", "Mesazhi", "Shiko për një yll", "Pasgoditja" etj. Ky i fundit, "Pasgoditja", i vitit 2010 dhe i regjisorit Feng Xiaogang,që ka si temë pasojat e tërmetit shkatërrimtar të rënë në Tangshan të Kinës në vitin 1976, ka marrë vlerësime si një triumf qoftë artistik, qoftë dhe komercial, duke i dhënë një vrull të ri kinematografisë kineze dhe duke siguruar 672 milionë juanë fitime (më shumë se 108 milionë dollarë amerikanë). Tre vjet më vonë, në 2013-n, filmi "Udhëtim në Perëndim: fitorja mbi demonët", arriti të sigurojë mbi 200 milionë dollarë amerikanë fitime, duke zënë vendin e dytë për sa u përket fitime nga një film i prodhuar nga një kompani kineze.

Si udhëheqëse në industrinë e filmit, suksesi i kompanisë "Vëllezërit Huayi" mbështetet në përkushtimin e saj për bashkëpunime. Në film, kompania ka krijuar marrëdhënie të ngushta me disa prej regjisorëve më të njohur kinezë, si Feng Xiaogang dhe Chen Kuofu. Risitë e spikatura në drejtim të prodhimit të filmit kanë ndikuar dhe kanë çuar në zhvillimin e mbarë industrisë.

Të ardhurat e përgjithshme të kompanisë nga tetë filmat e publikuar në Kinë në vitin 2013 ishte 487.6 milionë dollarë amerikanë, vlera më e lartë e siguruar nga kompanitë kinematografike kineze. "Vëllezërit Huayi" ka një partneritet të frytshëm me yje të filmave me aksion si Jackie Chan, me filma të tillë me fitime të larta si "Rob-B-Hood" në 2006-n dhe "CZ12" në 2012-n.

Në televizion, "Vëllezërit Huayi" ka prodhuar seri të njohura në Kinë, si "Ushtarët", "Komandanti im dhe regjimenti im" dhe "Ngushtësia e banesës", të gjitha të renditura në vendet e para për sa i përket shikueshmërisë. "Vëllezërit Huayi" ka ndërtuar një rrjet të sofistikuar studiosh, duke bashkëpunuar me disa prej figurave më të njohura të prodhimit televiziv në Kinë. Deri në fund të vitit 2011, kompania e kishte zgjeruar rrjetin e saj të studiove në 12 të tilla.

Si një agjenci talentesh, "Vëllezërit Huayi" është përfaqësuese e më shumë se 100 yjeve të reja të kinematografisë, televizionit dhe muzikës, duke e bërë atë agjenci talentesh udhëheqëse në Kinë. Suksesi i kompanisë ka lindur nga pasioni për zbulimin dhe kultivimin e talenteve të reja, duke i dhënë "Vëllezërve Huayi" emër për sa u përket marrëdhënieve të saj që zgjasin në kohë me shumë prej yjeve më të talentuara bashkëkohore kineze.

Kompania Kinematografike "Vëllezërit Huayi" në të vërtetë sot quhet Korporata Mediatike "Vëllezërit Huayi"dhe është një ndër grupet më të mëdha private në Kinë.Wang Zhongjun-i sot është kryetar bordi e zyrtar kryeekzekutiv i këtij grupi, ndërsa Wang Zhonglei president.

"Vëllezërit Huayi" është zotëruesi, prodhuesi dhe shpërndarësi i disa prej filmave dhe emisioneve televizive më të njohura në Kinë, dhe është udhëheqës i industrisë së zbavitjes nëpërmjet risive të spikatura në kinematografi, muzikë, televizion, agjenci talentesh dhe biznese të tjera. Gjatë viteve të fundit ky grup ka krijuar një gamë të gjerë produktesh zbavitjeje dhe është shndërruar në një markë të njohur e të besueshme që sjell zbavitje të cilësisë së lartë për publikun artdashës.

Lidhur me pyetjen se çfarë e bën "Vëllezërit Huayi" të veçantë, presidenti i saj Wang Zhonglei thotë: "Ne jemi një kompani e rrallë, e cila që në fillimet e veta, që kur u themelua, e vuri prodhimin në fokus. Kompanitë e tjera ndoshta janë më të përqendruara në reklamat, dramat televizive dhe shpërndarjen. Por filmi është në ADN-në tonë, ose më saktë ADN-ja jonë është filmi. Ky mbetet ndryshimi kryesor midis nesh dhe kompanive të tjera kinematografike." Më tej Wang Zhonglei shton: "'Vëllezërit Huayi' është gjithashtu një nga kompanitë e para kinematografike që u kthyen në grup. Filmi mbetet në zemër të kompanisë sonë, por tani ne jemi më të diversifikuar. 'Vëllezërit Huayi' është ndër kompanitë kinematografike më aktive në Kinë."

Wang Zhonglei po ashtu vëren: "Kompanitë kineze të filmit ende duhet të krijojnë idetë e tyre sipas mënyrës së vet. 'Huayi' është e ndryshme, edhe sepse ne kemi më shumë burime dhe krijimtari e origjinalitet më të madh. Ne jemi gjithmonë të angazhuar për origjinalitetin e prodhimit të filmit"

Wang Zhonglei vë në dukje se "Vëllezërit Huayi" nuk ngurron për të eksploruar lloje të reja për kinemanë kineze. Kjo kompani, sipas tij, krijon vepra në lloje kinematografike që kompanitë e tjera i kanë harruar ose kurrë nuk i kanë prodhuar. Edhe vëllai i tij, Wang Zhongjun-i, vëren nga ana e tij se ndryshimi i llojeve të filmave dhe i përvojës së shikimit të filmave është ndër synimet kryesore të kompanisë, duke u shprehur se me më shumë se 50 filmat e prodhuar "Vëllezërit Huayi" ka ndihmuar për t'ia ndryshuar faqen kinemasë kineze.

"Të gjithë në fillim ndiqnin atë që quhej se ishte një model i suksesshëm, si për shembull filmat me kunggu. Por në vitet e fundit filmat kinezë kanë filluar të bëhen më të larmishëm. Kompania jonë nisi të prodhojë filma që nuk ishin bërë më parë, si filmat me luftë, filmat me spiunazh, komeditë dhe filmat me temën e fatkeqësive," thekson Wang Zhongjun-i.

Filozofia e zhvillimit të biznesit e kompanisë "Vëllezërit Huayi" ka qenë gjithmonë e bazuar në orientimin drejt së ardhmes dhe në risitë e vazhdueshme. Që prej listimit në "ChiNext" të Bursës së Shenzhen-it në vitin 2009, kompania ka shërbyer si ambasadore globale për kulturën pop kineze, duke e zgjeruar dhe ngritur biznesin e saj deri në majën e zinxhirit të industrisë. Sot "Vëllezërit Huayi" jo vetëm prodhon përmbajtje të ndryshme, por edhe ka krijuar kanale të reja shpërndarjeje (siç janë kinematë në pronësi të vetë kompanisë) dhe ka investuar shumë në biznese derivate me të drejta vetjake të pronësisë intelektuale, duke përfshirë turizmin kulturor, videolojërat etj. Këto qëllime ambicioze e kanë ndryshuar mënyrën se si e sheh bota sektorin kinez të argëtimit, duke shkruar përkrah misionit të "Vëllezërve Huayi" për të "prekur zemrat e shikuesve" në Kinë dhe jashtë vendit nëpërmjet veprave të artit domethënëse, zbavitëse dhe të paharrueshme.

Në vitin 2009 "Vëllezërit Huayi" u kuotua në Tregun e Sipërmarrjeve me Rritje (GEM), një treg aksionesh i krijuar nga Bursa e Hong-Kongut, duke u bërë kompania e parë argëtuese e listuar në Kinë.

Por vëllezërit Wang vënë në dukje se një pjesë e investitorëve në tregun kinez të filmit kanë pak njohuri lidhur me kontrollin e rrezikut të këtij tregu dhe nuk e kuptojnë mirë atë, gjë që sipas tyre u ka sjellë probleme vetë këtyre investitorëve, por edhe kompanive kinematografike dhe investitorëve të tjerë. Sidoqoftë, sipas tyre, është premtuese që drejtimi i zhvillimit të kinematografisë kineze ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më i qartë. Wang Zhongjun-i dhe Wang Zhonglei theksojnë se, përveç "Huayi", ka edhe shumë kompani të tjera që po fitojnë pjekuri nga viti në vit. Ato kanë plane afatgjata investimesh, gjë që sipas vëllezërve Wang është e rëndësishme për qëndrueshmërinë e industrisë kinematografike.

"Vëllezërit Huayi" po ndërton në Shangai kompleksin më të madh të studiove kinematografike dhe televizive në Azinë Lindore. Ky kompleks, që do të quhet Qyteti i Kulturës "Vëllezërit Huayi", do të zërë rreth 1000 hektarë dhe do të kushtojë rreth një miliardë juanë (më shumë se 160 milion dollarë amerikanë). "Huayi" e ka parashikuar atë si një destinacion turistik kulturor që ndjek modelin e "Universal Studios" dhe "Warner Bros", duke përfshirë studiot filmike, turet publike dhe udhëtimet zbavitëse të lidhura me industrinë kinematografike kineze.

Ndërkombëtarizimi është ndër objektivat themelore të kompanisë "Vëllezërit Huayi". Që nga themelimi, departamenti ndërkombëtar i kësaj kompanie ka pasur disa detyra kryesore, si publiciteti i markës dhe shitblerja e filmave. Një tjetër detyrë e rëndësishme kanë qenë edhe bashkëprodhimet ndërkombëtare.

"Ne nuk do të presim që mundësitë të vijnë vetë tek ne. Ne kemi një numër planesh për të bashkëpunuar me kompanitë të njohura kinematografike ndërkombëtare. Tani kompania është më e pjekur dhe më e aftë," thekson Wang Zhonglei.

Në fillim të muajit prill "Vëllezërit Huayi" arriti një marrëveshje trevjeçare me "STX Entertainment", një studio e re kinematografike e "Hollivudit", për financimin, prodhimin dhe shpërndarjen e përbashkët të 15 filmave në vit, duke filluar që nga 2016-a. Kjo marrëveshje shënon partneritetin më të fundit të një studioje kinematografike hollivudiane dhe investitorëve kinezë, teksa tregu i filmit në Kinë vazhdon të zgjerohet dhe është parashikuar të bëhet më i madhi në botë në vitin 2020. Kjo është hera e parë që një kompani kineze do të përfshihet si në prodhimin, ashtu edhe marketingun dhe shpërndarjen e filmave amerikanë.

"Kjo marrëveshje do të ndihmojë 'Vëllezërit Huayi' të hyjë në industrinë e filmit të Hollivudit, me pjesëmarrje në të gjitha segmentet, duke përfshirë financimin e filmit, prodhimin dhe shpërndarjen," shprehet kryetari dhe kryezyrtari ekzekutiv i "Huayi Brothers" Wang Zhongjun. "Partneriteti me 'STX Entertainment' është një hap i rëndësishëm, në kohën që 'Vëllezërit Huayi' zbaton një strategji ndërkombëtare rritjeje dhe hyn në treg amerikan të filmit". Ndërsa zyrtari kryeekzekutiv i "STX Entertainment" Robert Simonds shprehet se "'Vëllezërit Huayi' ka një fuqi të jashtëzakonshme në tregun kinez të filmit dhe ne besojmë se do të na ndihmojë që disa nga filmat që po bëjmë të shfaqen edhe për publikun kinez".

'Vëllezërit Huayi' po ashtu ka në plan të investojë 130 milionë dollarë amerikanë për të krijuar një degë në pronësi të plotë të saj në ShBA për prodhimin dhe shpërndarjen e filmave dhe të shfaqjeve televizive. Një gjë e tillë është pjesë e interesit të kompanisë për zgjerimin e biznesit në nivel ndërkombëtar, gjë që është theksuar në disa raste nga dy drejtuesit e kompanisë.

Në vitin 2014 "Huayi" ishte bashkëprodhues i filmit me temën e luftë "Fury", ku interpretojnë Brad Pitt dhe Shia LaBeouf, dhe i trillerit politik "John Wick" me Keanu Reeves, e po ashtu ka bashkëprodhuar filmin komik të këtij viti "Mortdecai," ku luan Johnny Depp.

Por nga ana tjetër, të ardhurat nga industria e argëtimit në Kinë parashikohet të rriten me 15% në vit edhe për tre-katër vjetët e ardhshëm dhe gjigantët e "Hollivudit" duke përfshirë "DreamWorks" dhe "Disney", po bëjnë gjithashtu përpjekje për të shfrytëzuar këtë potencial të madh.

Vëllezërit Wang janë nderuar me shumë çmime, të tilla si "Elitë e kulturës kineze", "Udhëheqës ekonomik i Kinës", "25 udhëheqësit e biznesit me ndikim më të madh", "Njeriu i vitit në variete" etj.

Përveç të qenit i vlerësuar gjerësisht si "pronari i një kompanie argëtimi më i dashuruar pas leximit të skenarëve të filmit", Wang Zhongjun-i është shumë i dhënë pas artit dhe koleksionimit, gjë që ka bërë që ai të quhet edhe "biznesmeni artist", por edhe pas mirëqenies publike dhe bamirësisë.

Gjatë vitit 2012 vlera e aksioneve të "Huayi"-së u rrit më shumë se 160 % falë besimit në perspektivën e rritjes së industrisë së argëtimit në Kinë, duke bërë që Wang Zhongjun-i t'u bashkohej radhëve të miliarderëve të Kinës, me një pasuri 1.1 miliardë dollarë, ndërkohë që sipas vlerësimit më të fundit të bërë disa ditë më parë nga "Forbes"-i pasuria e tij është rritur në 1.29 miliardë dollarë

Wang Zhongjun-i zotëron 26 % të "Vëllezërve Huayi", që ka një vlerë më shumë se 1 miliard dollarë; ndërsa vëllai i tij, Wang Zhonglei, mban 8 % të kompanisë dhe ka një pasuri. Jack Ma, kryetar i Grupit "Alibaba" dhe që zë vendin e dytë në listën e njerëzve më të pasur në Kinën kontinentale, zotëron 5 % të "Vëllezërve Huayi".

(Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China