PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Nan Cunhui, këpucari që u bë miliarder
2015-04-08 14:21:10 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i bordit i Grupit "Chint" Nan Cunhui, nga një këpucar i thjeshtë, është tashmë një magnat i pajisjeve elektrike të tensionit të ulët. Pas 20 vjetësh pune të palodhur, ai e shndërroi një fabrikë të vogël prodhimi çelësash elektrikë në prodhuesin më të madh të pajisjeve elektrike të tensionit të ulët në Kinë dhe të tretin në botë, kurse veten në një miliarder. Në prag të mijëvjeçarit të ri ai u përfshi ndër "100 të rinjtë që mund të ndikojnë Kinën në shekullin XXI".

Në vitin 2007 Nan Cunhui zuri faqet e para të gazetave, pas ngritjes së padisë për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale prej një kompanie të madhe shumëkombëshe, të cilën … e fitoi.

Nan paditi kompaninë franceze "Schneider Electric", një nga prodhueset më të mëdha të pajisjeve industriale në botë, për kopjim të një numri produktesh të patentuara të "Chint"-it. Një gjykatë në provincën Zhejiang e urdhëroi firmën franceze t'i paguante "Chint"-it një dëmshpërblim prej 330 milionë juanësh (53.7 milionë dollarë amerikanë), shifra më të madhe për shkeljen e së drejtës së patentës në Kinë.

Mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale në Kinë është një temë e vjetër për shumëkombëshet, por tashmë këmbanat e alarmit po bien në drejtim të kundërt. Këto kompani duhet gjithashtu të sigurojnë se nuk shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale të kompanive vendore.

Teksa "Chint"-i nisi të zgjerohet në tregjet ndërkombëtare, Nan Cunhui pa se ngritja e padive ndaj rivalëve në biznes për shkelje të të drejtave të patentave ishte një taktikë e zakonshme e korporatave shumëkombëshe që kërkonin të shmangnin konkurrentët në përpjekje për të zotëruar në treg.

"Edhe ne mund të bëjmë atë që bëjnë ata", thotë Nan Cunhui. "Nuk kishte rëndësi se sa dëmshpërblim na paguante 'Schneider'-i. Ajo që na interesonte ishte që të fitonim çështjen. Kjo do të ndihmonte për të ndryshuar stereotipin se janë gjithmonë kompanitë kineze ato që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale. Një gjë e tillë po ashtu do të ndihmonte në rritjen e besimit te sipërmarrjet kineze dhe në nxitjen e tyre për të kërkuar krijimin e risive teknologjike."

Ndonëse Nan Cunhui beson se "Chint"-i ende ka një rrugë të gjatë për të bërë për të arritur simotrat e veta ndërkombëtare të industrisë së pajisjeve elektrike, ai e kishte hedhur poshtë disa herë marrjen në kontroll të "Chint"-it nga "Schneider"-i. Ndërsa shumë janë ndier të habitur nga mospranimi i Nan-it për t'ia shitur kompaninë e tij gjigantit shumëkombësh, Nan Cunhui, që e krijoi "Chint"-in që kur ishte 21 vjeç dhe me sukses ia doli ta rritë e zhvillojë atë, ka ambicie afatgjata për grupin.

"Chint"-i nuk është vetëm prodhuesi më i madh në Kinë i pajisjeve elektrike të tensionit të ulët, por edhe e ka zgjeruar gamën e produkteve të veta në pajisjet e tensionit të mesëm dhe të lartë, pajisjet e transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë, njehsorët e matjes së energjisë elektrike, pajisjet e kontrollit automatik etj. "Chint"-i e investon 5 për qind të shitjeve të veta vjetore në kërkim-zhvillim.

Në vitin 2010, Kompania Elektrike "Chint" e Zhejiang-ut, pjesë e Grupit "Chint", u listua në Bursën e Shangait.

Në qytetin e vet të lindjes Wenzhou, në provincën Zhejiang të Kinës Lindore, sipërmarrësi 52-vjeçar është një njeri i adhuruar. Një sondazh i gazetës vendore "Wenzhou Times" tregoi se Nan Cunhui ishte një nga 10 idhujt e të rinjve të qytetit, përkrah regjisorit të mirënjohur Zhang Yimou. Ai ishte biznesmeni i vetëm nga Wenzhou në këtë listë.

Në vitin 2000, Nan Cunhui, atëherë në moshën 37-vjeçare, u përfshi në listën e "100 të rinjve kinezë që mund të ndikojnë mbi Kinën në shekullin e 21-të" nga revista "Rinia kineze". Në këtë listë përfshiheshin shkencëtarë, ekonomistë, artistë dhe sipërmarrës të moshës 19 – 45 vjeç. Kalimi i Nan Cunhui-t nga një këpucar në një magnat të prodhimit të pajisjeve elektrike ishte pjesë e arsyes që ai bëri pjesë në këtë listë. Por më e rëndësishmja, sipas revistës, ishte se Nan Cunhui u ka dhënë një shembull të mirë sipërmarrësve privatë kinezë për të modernizuar kompanitë e tyre. Nan Cunhui e diversifikoi pronësinë e aksioneve të "Chint"-it dhe e ktheu atë nga një biznes familjar në një kompani aksionare në mes të viteve '90 të shekullit të kaluar.

Vendlindja e Nan Cunhui-t, Wenzhou, më shumë se 500 kilometra në jug të Shangait, është një qytet që mund të mos bjerë shumë në sy. I rrethuar nga malet në perëndim dhe oqeani në lindje, Wenzhou ka qenë gjeografikisht i veçuar nga pjesa tjetër e provincës Zhejiang të begatë. Atij i mungojnë burimet natyrore dhe sipërfaqja e tokës bujqësore është gjithashtu e paktë. Sistemi i transportit tokësor i Wenzhou-t është po ashtu i kufizuar.

Por, gjatë thuajse dy dhjetëvjeçarëve të fundit Wenzhou mund të vlerësohet si një sinonim i rritjes së forcës sipërmarrëse në Kinë.

Banorët e tij janë njerëz me një shqisë të mprehtë për biznes dhe duket se kanë aftësinë për ta bërë gjithçka fitimprurëse. Ata shpesh fillojnë biznese të vogla dhe 90 për qind e ekonomisë vendore është e mbështetur në sektorin privat. Wenzhou është prodhuesi më i madh i Kinës e mallrave të vogla, të tilla si çakmakët dhe syzet. I ashtuquajturi "Modeli i Wenzhou-t", në shumë mënyra, simbolizon rritjen e sektorit privat në Kinë.

"Për shkak se jeta në Wenzhou ishte e vështirë, ne duhej të mendonim për rrugë për të mbijetuar dhe për të kapërcyer vështirësitë tona", thotë Nan Cunhui.

Edhe ai vetë e filloi biznesin e tij nën trysninë e mbijetesës.

Ndonëse ishte një ndër nxënësit më të mirë, Nan e la shkollën në moshën 13-vjeçare për shkak të varfërisë dhe për të ndihmuar prindërit e vet për të mbajtur familjen duke riparuar këpucë.

"Tre vjet punë në profesionin e këpucarit më mësuan rëndësinë e ndershmërisë dhe të cilësisë kur bën biznes," kujton Nan Cunhui.

Por gjëja më e rëndësishme është informacioni i dobishëm për tregun që mori. Duke ndrequr këpucët e klientëve, Nan Cunhui bisedonte me ta dhe i pyeste ndër të tjera çfarë pune bënin. Ai dëgjonte mjaft shpesh "pajisje elektrike të tensionit të ulët" dhe, duke parë entuziazmin në fytyrat e tyre, besonte se një biznes i tillë do të kishte një perspektivë të mirë.

Dhe kështu Nan Cunhui dhe tre shokë të tij morën me qira një dyqan të vogël dhe filluan të shesin aty pajisje elektrike të tensionit të ulët, të tilla si kuti çelësash elektrikë, të cilat i bënin vetë. Asnjë prej katër të rinjve nuk kishte njohuri dhe përvojë në këtë fushë. Por Nan Cunhui gradualisht nisi të përvetësojë parimet e këtyre pajisjeve, duke montuar e çmontuar produktet që blinte nga ndërmarrjet shtetërore.

Duke punuar ditë e natë, Nan Cunhui dhe tre shokët e tij fituan 35 juanë në muajin e parë. Nan fitonte rreth 20 juanë në ditë me riparimin e këpucëve, por megjithatë nuk e lëshoi zemra. "Të paktën nuk humbisja para," shprehet ai.

Në vitin 1984, kur ishte vetëm 21 vjeç, Nan Cunhui dhe shoku i tij i shkollës fillore Hu Chengzhong hapën një fabrikë për prodhimin e çelësave elektrikë, që është paraardhësi i "Chint"-it. Ata investuan 15 000 juanë (rreth 2500 dollarë), megjithatë, pa kaluar shumë u ndanë në mënyrë miqësore dhe secili ngriti biznesin e vet familjar. Nan Cunhui themeloi "Chint"-in, ndërsa Hu Chengzhong-u Kompaninë e Pajisjeve Elektrike "Delixi". Teksa "Delixi" u diversifikua në biznese të tjera, të tilla si pasuritë e patundshme dhe logjistika, Nan Cunhui u përqendrua në shndërrimin e "Chint"-it në kompaninë më të madhe të prodhimit të pajisjeve të tensionit të ulët në Kinë dhe është një nga prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve elektrike industriale. "Chint"-i vlerësohet si një nga sipërmarrjet më konkurruese sot në Kinë, duke qenë në krye të listës së "500 kompanive private më konkurruese të Kinës". "Chint"-i ka 30 000 punonjës dhe një pasuri mbi 30 miliardë dollarë. "Chint"-i ka fituar titullin "Markë e mirënjohur kineze" dhe Nan Cunhui është fokusuar në bërjen e tij një markë e njohur në të gjithë botën.

Nan Cunhui sheh si faktor kryesor të rritjes së shpejtë të "Chint"-it përqendrimin prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh të kompanisë në specializimin në industrinë e pajisjeve elektrike.

"Nëse je i vendosur për ta rritur biznesin tënd, nuk duhet në hysh në biznese që nuk kanë lidhje me të," vë në dukje Nan Cunhui.

Kur punon shumë për të realizuar një ëndërr, vazhdon ai, duhet të jesh në gjendje t'i bësh ballë tundimit. Nan-i e ka fjalën për vendosmërinë e vet për të mos investuar në sektorin e pasurive të patundshme.

Lulëzimi i këtij sektori në Kinë ka krijuar një numër të madh miliarderësh. Ndërtimi i banesave është bërë investimi më fitimprurës për shumë sipërmarrës privatë kinezë gjatë diversifikimit të bizneseve të tyre.

"Shumë kanë thënë që jam i marrë dhe kam humbur mundësinë për të bërë të paktën 10 miliardë juanë fitime", vëren Nan Cunhui. "Por unë besoj se çdo sektor dhe industri ka specializimin e vet. Nëse do të hyja në pasuritë e patundshme, do të duhej t'ia kushtoja 100 për qind të përpjekjeve të mia këtij sektori dhe të krijoja një markë të njohur dhe jetëgjatë për sa i përket ndërtimit të banesave. Për fat të keq, nuk kam kohën e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë."

Nan Cunhui thotë se ekzistojnë tre parakushte që një kompani ta diversifikojë biznesin e vet. Së pari, kjo kompani duhet të zotërojë një pjesë kontrolluese të tregut. Së dyti, tregu duhet të jetë drejt ngopjes dhe të ketë pak mundësi dhe hapësirë për zhvillim të mëtejshëm në atë sektor. Së treti, kompania të ketë një grup të mirë talentesh.

Për një kohë të gjatë "Chint"-i nuk ndodhej në këto rrethana, vë në dukje Nan. Megjithëse ishte prodhuesi më i madh i pajisjeve elektrike të tensionit të ulët në vend, tregu i brendshëm ishte gjithashtu një fushëbetejë shumë konkurruese për gjigandët ndërkombëtarë. Ekzistonte edhe një potencial i madh tregu në industrinë e pajisjeve elektrike, për shkak të rritjes së shpejtë ekonomike të vendit.

Ndonëse duket se diversifikimi për një kohë të gjatë ka qenë një fjalë dhe një ide jo fort e pëlqyer nga Nan Cunhui, në vitin 2006 ai nisi investimet në energjinë diellore. Në vitin 2007 Nan-i nisi një sipërmarrje të re në qytetin Hangzhou për prodhimin e paneleve diellore. Kompania e re, "Chint Solar" e Zhejiang-ut, është e specializuar në studimin, krijimin, prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve fotovoltaike.

"Optimizimi i energjisë është bërë një prirje e pashmangshme," vëren Nan Cunhui. "'Chint'-i do ta ndjekë këtë prirje dhe do të përpiqet të kthehet në një udhëheqës botëror në prodhimin e energjisë së pastër."

Nan Cunhui vë në dukje se produktet fotovoltaike do të jenë një pjesë e rëndësishme e strategjisë së "Chint"-it për zgjerimin drejt bizneseve me vlerë të lartë të shtuar, së bashku me pajisjet elektrike të tensionit të ulët në Wenzhou dhe pajisjet elektrike të tensionit të lartë në Shangai.

"Kanalet e shitjeve të paneleve diellore pothuajse përkojnë me ato të pajisjeve elektrike të tensionit të ulët. Disa teknologji mund të përdoren për përmirësimin e pajisjeve elektrike të tensionit të ulët të 'Chint'-it," vëren Yang Liyou, anëtar i bordit dhe menaxher i përgjithshëm i "Chint Solar", që ka qenë shef i departamentit të kërkimeve në "BP Solar". Nan Cunhui është besimplotë në potencialin e tregut të energjisë diellore. Dhe meqë dielli i Hangzhou-t nuk është i mjaftë për të realizuar krejtësisht ambiciet e tij lidhur me energjinë diellore, ai i ka hedhur sytë jashtë vendit, dhe pikërisht nga Spanja plot diell. "Chint"-i ka blerë aksione në një numër centralesh të energjisë diellore dhe në një fabrikë prodhimi panelesh diellore në vendin iberik.

"Ne e shohim Spanjën si një bazë ideale për krijimin e njësisë sonë të energjisë diellore në mbarë rajonin e Mesdheut. Spanja ofron në këtë kohë disa nga kushtet më të mira për investime në energjinë alternative," shprehet Nan Cunhui.

"Chint"-i është pa dyshim sipërmarrja më e njohur në zonën e Wenzhou-t. Shumica e bizneseve në Wenzhou fillojnë si familjare, por me zgjerimin e prodhimit të tyre dhe me ashpërsimin e konkurrencës pas hyrjes së Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë, ato po orientohen drejt metodave moderne të menaxhimit. "Chint"-i është një shembull i spikatur i një shndërrimi të tillë.

Nan Cunhui zotëronte mbi 40 për qind të aksioneve në "Chint", shitjet vjetore të të cilit në fillim të viteve '90 arrinin në 50 milionë juanë. Në atë kohë, shumë kompani të vogla nënshkruan marrëveshje me "Chint"-in për të prodhuar produkte duke përdorur markën e tij. Por Nan-i vuri re se një model i tillë biznesi kishte të meta: marrëdhënia nuk ishte shumë e ngushtë dhe kishte vështirësi për të menaxhuar partnerët. Prandaj, ai bëri bashkim dhe blerje me 48 nga këto kompani, duke u shitur atyre aksione. Në vitin 1994 u krijua zyrtarisht Grupi "Chint" dhe aksionet vetjake të Nan-it ranë në 30 për qind.

Nan Cunhui filloi një "revolucion të pronësisë" të dytë në vitin 1998, kur e kuptoi shumë mirë se ishte një mangësi mjaft e madhe për një biznes familjar tërheqja dhe mbajtja e punonjësve të talentuar. Ai zbatoi një sistem të shpërndarjes të aksioneve në biznesin e vet kryesor dhe i lejoi menaxherët profesionistë, specialistët dhe përfaqësuesit e shitjeve të zotëronin aksione. Si rezultat, numri i aksionarëve kryesorë u zgjerua nga 10 në më shumë se 100. Ai vazhdoi më tej me ndarjen e pronësisë prej menaxhimit dhe duke krijuar një sistem të plotë zotërimi aksionesh. Aksionet e Nan-it u ulën në 20 për qind.

Edhe pse reforma e nisur i shkaktoi mjaft mosmarrëveshje me të afërmit, Nan u shpreh, nëse është e nevojshme, ai do ta vazhdojë atë edhe nëse aksionet e tij bien në vetëm 5 për qind.

Po ndërsa Nan Cunhui e ka ulur përqindjen e aksioneve të tij në "Chint", pasuria e tij vijon të rritet me ritme të shpejta. Sipas "Forbes"-it, tani vlera e kësaj pasurie arrin në 1.94 miliardë dollarë, me një rritje mbi 50 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Jo keq për djaloshin e dikurshëm që fitonte vetëm 3 dollarë në ditë duke rregulluar këpucë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China