PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Hapet më tej procesi i financimit në ZTL të Shangait
2015-03-04 17:03:58 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait publikoi një projekt të reformës financiare, gjë që ka tërhequr vëmendjen e madhe të publikut. Sipas këtij projekti, të quajtur Rregullat e Makromenaxhimit të Kujdesshëm të Financimit dhe Qarkullimit Ndërkufitar të Kapitaleve për Kontabilitetin e Llogarive në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait, kompanitë dhe institucionet financiare në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait mund të sigurojnë financim pa kufizim nga tregu ndërkombëtar. Ndërkohë, procesi i mbikëqyrjes ka ndryshuar nga mbikëqyrja para financimit në mbikëqyrjen gjatë ose pas financimit. Ekonomistë dhe përfaqësues të bankës qendrore kineze janë të mendimit që nga një gjë e tillë ekonomia reale e vendit mund të ketë më shumë përfitime.

Në rregullat për reformën financiare në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait, ajo që bie më shumë në sy është heqja e kufizimit ndaj financimeve ndërkombëtare për kompanitë vendase. Me këtë rregull të ri, kompanitë dhe institucionet financiare në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait mund të marrin fonde dhe financim ndërkombëtar. Zv.drejtori i Institutit të Studimeve Financiare Ndërkombëtare pranë Bankës së Kinës Zong Liang është i mendimit që, në gjendjen e tanishme, një rregull i tillë është në të mirë të kompanive, të cilat mund të sigurojnë në mënyrë më të lehtë financime.

"Problemi më i madh që po përballojmë tani është kostoja e lartë e financimit për kompanitë vendëse. Në tregun e jashtëm, qoftë me RMB, qoftë me monedha të tjera, kostoja e financimit është e ulët, pasi në tregun ndërkombëtar, niveli i interesit të dollarit amerikan është gati zero, e po ashtu edhe normat e euros dhe të jenit japonez. Një gjë e tillë e ka ulur shumë edhe koston e financimeve komplekse. Kështu, edhe financimi me RMB në tregun ndërkombëtar është më i ulët sesa në tregun kinez. Me një rregull të tillë, kompanitë do të kenë një platformë më të lirshme financimi dhe do të shmangin koston e lartë të financimit që kemi tani. Kjo është në të mirë të zgjidhjes së problemit të financimit të shtrenjtë në tregun vendas," analizon Zong Liang.

Kohët e fundit, me rritjen e interesit të RMB-së jashtë pjesës kontinentale të Kinës, kompanitë kineze janë më të prirura drejt financimit me monedha të huaja në tregun ndërkombëtar. Rregullat e sapopublikuara në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait i kanë zgjeruar më tej përmasat dhe platformën e financimit ndërkombëtar. Si rezultat, përmasat e financimit të kompanive mund të dyfishohet krahasuar me nivelin e tanishëm dhe monedha e financimit do të zgjerohet nga monedha vendore në ato të huaja.

Zv.Drejtorja e Bankës së Zhvillimit të Pudong-ut (SPDB) në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait, Wang Jianxin mendon se, me rregullat e reja, do të shtohet efektiviteti i shfrytëzimit të kapitaleve, ndërsa kostoja do të përgjysmohet.

"Duhet thënë se, kur bëjmë këtë lloj biznesi, mund të marrin fonde nga jashtë për vetëm gjysmë ore, sigurisht duke pasur dokumentet përkatëse gati. Më e rëndësishmja është se kostoja do të ulet shumë. Nëse nuk llogariten kapitalet me rrezik, mund të kursejmë afro 50 %. Pas financimit, do të kemi më shumë zgjedhje për produktet bankare dhe, kur bankat ofrojnë me lehtësi fonde, kompanitë do të kenë kosto të ulët," vë në dukje Wang Jianxin, zv.drejtore e Bankës së Zhvillimit të Pudong-ut (SPDB) në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait.

Gjatë vitit të kaluar, qeveria kineze u ka kushtuar vëmendje të madhe vështirësive që përballon ekonomia reale e vendit. Kompanitë kanë pasur fonde të pakta dhe kostoja e financimit ka qenë e lartë. Për këtë, banka qendrore kineze ka marrë disa masa, duke synuar që të ndihmojë me më shumë fonde zhvillimin e ekonomisë reale të vendit. Zhang Xin, zv.drejtori i selisë në Shangai të Bankës Popullore të Kinës, banka qendrore kineze, shprehet se kjo bankë shpreson që ekonomia reale të ketë përfitime më të mëdha nga procesi i reformave.

"Kemi një sistem menaxhues të llogarive të tregtisë së lirë, me të cilin mund të ndjekim çdo biznes 24 orë në ditë. Në sistemin tonë kemi të dhënat përmbledhëse nga bankat e ndryshme, duke formuar një sistem të përbashkët mes bankës qendrore, Administratës Shtetërore të Këmbimit Valutor dhe bankave të tjera për mbikëqyrjen gjatë ose pas procesit të financimit. Me rregullat ereja, kompanitë mund të dyfishojnë nivelin e marrjes së financimit dhe më e rëndësishme është që edhe bankat dhe institucionet e tjera financiare mund të sigurojnë financim me kosto të ulët. Po presim që ta kalojmë të paprekur këtë epërsi tek ekonomia reale," thotë Zhang.

Kompanitë kanë edhe një tjetër përfitim nga rregullat e reja, që është heqja e mbikëqyrjes dhe miratimit para financimit në tregun ndërkombëtar, duke u ndryshuar në mbikëqyrje gjatë ose pas procesit të financimit nga jashtë. Kështu, huamarrësit mund të vendosin vetë mënyrat, afatet dhe monedhat e financimit në tregun ndërkombëtar. Kjo është dëshmi e arritjeve të reformave administrative të qeverisë kineze gjatë këtij viti. Zv.drejtori i Institutit të Studimeve Financiare Ndërkombëtare pranë Bankës së Kinës Zong Liang thotë se një gjë e tillë është në të mirë të risive të kompanive në sektorin financiar dhe sektorë të tjerë.

"Në të kaluarën kishte procedura të ndërlikuara miratimi para financimit dhe gjithçka bëhej vetëm pas miratimit dhe shqyrtimit. Kjo i kishte vështirësuar risitë dhe menaxhimin e bizneseve në këtë fushë. Ndërsa me rregullat e reja, nëse përmbushen kushtet, i gjithë procesi mund të aktivizohet para shqyrtimit. Kompanitë bëjnë vetëm regjistrimin dhe nuk ka nevojë për miratim para financimit. Kështu, procedurat në këtë fushë janë thjeshtuar," u shpreh zv.drejtori i Institutit të Studimeve Financiare Ndërkombëtare pranë Bankës së Kinës Zong Liang.

Sipas projektit të selisë së Shangait të bankës qendrore kineze, brenda 6 muajve të ardhshëm do të zbatohen në mënyrë të gjithanshme dhe të rregullt këmbyeshmëria e llogarive kapitale, investimet personale në tregun ndërkombëtar dhe vendosja e përgjithshme e normës së interesit sipas gjendjes së tregut.

(Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China