PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Daoxiangcun" -i, "ëmbëlsuesi" i festave tradicionale
2015-02-17 16:37:24 CRI Komenti juaj Printoni

Ëmbëlsirat janë një element i rëndësishëm i kremtimit të festave, të cilat ua shtojnë atyre edhe më tepër gëzimin dhe janë pjesë e pandarë e tryezave të shtruara me këtë rast. Dhe sigurisht nga kjo nuk bën përjashtim as festa më e madhe popullore e kombit më të madh në botë, atij kinez, pra Festa e Pranverës. E ndonëse në Kinë kanë filluar të përhapen ëmbëltoret e stilit perëndimor, sërish ëmbëlsirat tradicionale vijojnë të jenë pjesë e përditshmërisë dhe një ndër zgjedhjet e para kur është fjala për të bërë dhurata në raste festash e gëzimesh. 120 vjet më parë në Pekin u hap një dyqan i vogël, i cili sot është kthyer në një kompani të madhe dhe në markën më të njohur të ëmbëlsirave tradicionale pekinase, "Daoxiangcun".

Dyqani i parë "Daoxiangcun" (daoxiangcun në gjuhën kineze do të thotë "fshati i orizit erëmirë") në Pekin u hap në vitin 1895, afër fundit të dinastisë Qing (1644-1911), në tempullin "Guanyin" në zonën e Qianmen-it, në qendër të Pekinit të sotëm, fare pranë sheshit "Tiananmen". Por marka që do të kthehej në simbol të Pekinit të Vjetër në të vërtetë e ka zanafillën në Jug të Kinës, në qytetin e Suzhou-t. Ai ishte dyqani i parë që siguronte ushqime të veçanta nga Jugu në kryeqytetin kinez Pekin, prandaj u quajt dhe Dyqani i Kekëve të Jugut "Daoxiangcun" në atë kohë. Në pjesën e prapme dyqani kishte një punishte ku përgatiteshin ëmbëlsirat. Produktet e tij ishin të pëlqyera gjerësisht nga njerëz të të gjitha shtresave. Shkrimtari i madh kinez Lu Xun ishte klient i rregullt i "Daoxiangcun"-it gjatë qëndrimit të vet në Pekin dhe e pëlqente aq shumë këtë ëmbëltore, saqë ka shkruar për të në ditarin e vet rreth dhjetë herë. Megjithatë, në vitet '20 të shekullit të kaluar dyqani u detyrua të mbyllej, por trashëgimia e tij vijoi derisa në vitin 1984 Liu Zhenying, pasardhës i pronarëve të dikurshëm të "Daoxiangcun"-it, e rihapi këtë dyqan, gjë që shënon edhe lindjen e Kompanisë së Produkteve Ushqimore "Daoxiangcun" të Pekinit.

Kur afron Festa e Pranverës, siç quhet ndryshe Viti i Ri kinez, Yu Cheng shkon me biçikletë në një dyqan "Daoxiangcun" pranë shtëpisë së tij në Dongzhimen të distriktit Dongcheng në kryeqytetin kinez Pekin.

"'Daoxiangcun'-i është ëmbëltorja ku unë shkoj të blej prej më shumë se tridhjetë vjetësh," shprehet pekinasi 85-vjeçar. "Edhe pse e kam ndërruar shtëpinë disa herë, duke u zhvendosur nga njëra zonë e qytetit në tjetrën, gjithmonë blej ëmbëlsira në 'Daoxiangcun'. Unë i besoj kësaj marke."

I moshuari Yu Cheng nuk është i vetmi klient besnik i "Daoxiangcun"-it. Një tjetër kliente tregon: "Ka vite që nuk shkoj në asnjë dyqan tjetër për të blerë ëmbëlsira. Që nga fëmijëria më është bërë zakon të shkoj në 'Daoxiangcun'."

Veçanërisht në raste festash, mijëra veta mbajnë radhë të gjata para dyqaneve të kësaj firme për të blerë ëmbëlsirat e saj tradicionale. Sot produktet e "Daoxiangcun"-it jo vetëm janë bërë pjesë e dietës së shumë familjeve pekinase, por kutitë e saj të kuqe janë shpesh dhurata që zgjedhin pekinasit në raste të veçanta. Një tjetër banor vendor shprehet: "'Daoxiangcun'-i ka ëmbëlsirat më të mira tradicionale. Pekinasit e vjetër si unë gjithmonë shkojnë atje gjatë Vitit të Ri për të blerë dhurata për miqtë e vjetër dhe radha aty është gjithmonë e gjatë."

Vjet "Daoxiangcun"-i prodhoi 140 tonë ëmbëlsira në ditë gjatë ditëve të pushimeve me rastin e Festës së Pranverës. Ndërsa në vjeshtën e vitit 2013 nëpër dyqanet "Daoxiangcun" u shpërndanë 3000 tonë kekë hëne me rastin e Festës së Mesit të Vjeshtës.

Të gjitha produktet e shitura në dyqane prodhohen në të njëjtën fabrikë në distriktin Changping të Pekinit, gjë që garanton që ato të jenë të gjitha të së njëjtës cilësi, vë në dukje Li Xingcun-i, zëdhënës për mediat i Kompanisë së Produkteve Ushqimore "Daoxiangcun" të Pekinit. Në shkurt të vitit 2012 përfundoi faza e dytë e rikonstruksionit të kësaj fabrike. Në fund të po atij viti të ardhurat nga shitjet të "Daoxiangcun"-it ishin 4.5 miliardë juanë (pak më shumë se 720 milionë dollarë amerikanë). Kompania synon që deri në vitin 2020 të rrisë të ardhurat e saj nga shitjet në 10 miliardë juanë (1.6 miliardë dollarë amerikanë).

Megjithëse një markë tradicionale e Pekinit të vjetër, "Daoxiangcun"-i përpiqet që të ecë me kohën.

Ka një numër markash të tjera ëmbëlsirash tradicionale në Pekin, të tilla si "Guixiangcun" dhe "Guishunzhai", por ato nuk mund të krahasohen me "Daoxiangcun"-in për sa i përket numrit të konsumatorëve dhe popullaritetit, vërejnë analistë të ndryshëm.

"Suksesi i 'Daoxiangcun'-it vjen nga një varg reformash, nga strategjitë e zhvillimit dhe diferencimi i produkteve, që u bënë në kohën e duhur gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit," thekson Wang Danqing-u, partner në firmën e konsulencës ACME me bazë në Pekin.

Në vitet '80 të shekullit të kaluar shumë nga markat e njohura tradicionale të ëmbëlsirave në Pekin nuk ishin të gatshme të përballonin rreziqet që mund të krijonte zgjerimi i bizneseve të tyre, shprehet Wang-u, duke shtuar më tej se kjo çoi në një mbizotërim të tregut nga "Daoxiangcun"-i në ditët e sotme.

Përveç rritjes më të shpejtë se rivalët e vet vendorë, kompania është përpjekur të ofrojë shërbime të reja për të tërhequr konsumatorët e rinj.

"Më pëlqen mënyra se si mund t'u tregoj shitëseve emrat e pastave e kekëve që dua për të bërë një ndërthurje të ndryshme të tyre," shprehet një 30-vjeçar me mbiemrin Zhang. Ai shpenzoi 90 juanë për një kuti të kuqe dhurate që përmbante brenda mbi 20 lloje të ndryshme ëmbëlsirash, si "kek trëndafili", kek me susam të zi dhe kek mjalti.

Vitet e fundit numri i ëmbëltoreve të stilit perëndimor në Kinë ka ardhur duke u shtuar, jo vetëm në metropolet e mëdha si Pekini, Shangai, Guangzhou apo Chengdu-ja, por edhe në qytetet më të vogla. Marka të tilla si "Paris Baguette", "BreadTalk" dhe "Holiland" janë bërë mjaft të pëlqyera nga konsumatorët e rinj kinezë.

Kështu "Holiland"-i është zgjeruar që nga viti 1992 në më shumë se 70 qytete kineze, duke përfshirë qytete të quajtura të kategorisë së dytë dhe të tretë, pra jo qytete kryesore. Kjo markë ka tani mbi 1000 dyqane në mbarë Kinën.

Ndërkohë firma me bazë në Singapor, "BreadTalk", e cila funksionon mbështetur në një sistem dhënieje ekskluziviteti, ka hapur mbi 300 dyqane në rreth 50 qytete kineze që nga viti 2002. Në vitin 2012 të ardhurave nga shitjet të "BreadTalk"-ut në Kinë kapën një vlerë prej 7.03 milionë juanësh (mbi 1.1 milionë dollarë amerikanë).

Megjithatë, analistët janë të mendimit se konkurrenca nga dyqanet e ëmbëlsirave të stilit perëndimor nuk përbën një sfidë për markat e konsoliduara tradicionale kineze.

"Ëmbëlsirat tradicionale kineze kanë evoluar me kalimin e viteve, duke u mbështetur në karakteristikat e veçanta të grurit kinez," shpjegon Ma Wenfeng-u, një analist i lartë në Kompaninë e Konsulentëve të Bujqësisë Lindore të Pekinit.

"Ëmbëlsirat tradicionale kineze që bëhen me produkte bujqësore kineze gjithmonë ua kalojnë ëmbëlsirave të stilit perëndimor të bëra me produkte bujqësore kineze kur është fjala te shija", vijon Ma Wenfeng-u.

Zëdhënësi për mediat i "Daoxiangcun"-it Li Xingcun thekson se produktet e kompanisë së tij janë të ndryshme nga ëmbëlsirat e stilit perëndimor, duke vënë në dukje se kompania është përpjekur gjithashtu të joshë konsumatorë të të gjitha moshave.

Kompania ka organizuar veprimtari të ndryshme, duke përfshirë edhe ato në intenet, për ta treguar veten qoftë një pjesë të kulturës tradicionale kineze, "ashtu dhe një lojtar aktiv në ringjalljen e kulturës së vjetër," shprehet Li. Në vitin 2009 "Daoxiangcun"-i krijoi një llogari zyrtare në "Sina Weibo", që është si njëfarë ndërthurjeje e "Twitter"-it dhe e "Facebook"-ut, për të forcuar më tej ndërveprimin e vet me konsumatorët e rinj.

"Daoxiangcun"-i është tashmë ndër markat më të vjetra dhe me ndikim më të madh në industrinë ushqimore kinezedhe marka më e njohur e ëmbëlsirave tradicionale pekinase. Që me rihapjen në vitin 1984, "Daoxiangcun"-i është zhvilluar shpejt duke përshkruar një rrugë mbresëlënëse. Ai është mirëpritur nga klientët falë produkteve të veta të kualifikuara dhe karakteristike. Historia dhe ndihmesa e "Daoxiangcun"-it për kulturën kulinare të Pekinit është njohur nëpërmjet përfshirjes së tij në listën zyrtare të "Markave të njohura tradicionale të Kinës", së bashku me gjigandët e tjerë të Pekinit të Vjetër, si restoranti i rosës së pjekur të Pekinit "Quanjude" dhe barnatorja e mjekësisë tradicionale kineze "Tongrentang", e cila ishte barnatore zyrtare në oborret perandorake të dinastisë Ming.

Nën drejtimin e menaxherit të përgjithshëm Bi Guocai, "Daoxiangcun"-i po bën përpjekje të vazhdueshme për t'u kthyer një forcë udhëheqëse në industrinë ushqimore. Integrimi i përpunimit të ushqimit, i prodhimit dhe i shitjes, duke promovuar më tej popullaritetin e "Daoxiangcun"-it në Kinë, e ka bërë kompaninë të zërë një pjesë më të madhe të tregut, për të menduar pastaj për zgjerimin ndërkombëtar, duke u mbështetur në kulturën e pasur, mjeshtërinë e hollë dhe cilësitë e shkëlqyera.

"Daoxiangcun"-i ka tashmë më shumë se 300 pika shitjeje në kryeqytetin kinez. Po të hyni brenda dyqaneve të tij në kohën e pikut, do të gjeni klientë të grumbulluar te sportelet, duke u thënë emrat e ëmbëlsirave shitëseve që me ngut peshojnë ëmbëlsirat e ndryshme. Veçanërisht të moshuarve u pëlqen të shkojnë në "Daoxiangcun", sepse u kujton kohët e vjetra, por siç thamë "Daoxiangcun"-i po përpiqet të grishë edhe të rinjtë.

Gjatë festave të rëndësishme, "Daoxiangcun"-i gjithashtu tregton specialitete, të tilla si keku i hënës për Festën e Mesit të Vjeshtës, zongzi gjatë Festës së Barkës së Dragoit dhe toptha të ëmbla orizi veshtullor me mbushje të ndryshme të quajtura tangyuan gjatë Festës së Fenerëve, që festohet në ditën e 15-të të muajit të parë sipas kalendarit hënor e që shënon edhe mbylljen e Festës së Pranverës. Për të blerë këto ushqime festash shpesh radhët shkojnë edhe përtej hyrjes së dyqanit.

Në "Daoxiangcun" ende përdoren mjetet tradicionale të përgatitjes së ëmbëlsirave. Lidhur me përgatitjen e tangyuan-it një kuzhinier në "Daoxiangcun" tregon: "Orizi veshtullor që përdoret për të bërë tangyuan-ë vjen nga Heilongjiang-u. Procedura e përgatitjes së tyre është e ndërlikuar dhe kërkon kujdes të jashtëzakonshëm." Ai vazhdon më tej duke shpjeguar se mbushjet e tangyuan-it përfshijnë susamin e zi nga provinca Jiangxi dhe arrat e kokosit nga ishulli tropikal i Hainanit.

Vendësit shkojnë në "Daoxiangcun" prej vitesh, por popullariteti i kësaj marke është rritur shumë, aq sa vizitorët në Pekin tashmë e kanë bërë zakon që ëmbëlsirat e saj t'i blejnë si dhurata për t'ua dhënë miqve e të afërmve kur kthehen në qytetin ose fshatin e tyre. E çfarë mënyre tjetër më të mirë mund të ketë për të ndarë përvojën e vizitës në kryeqytet sesa duke sjellë ëmbëlsirat e njohura të tij.

Me gjithë mundësinë për përzgjedhjen e llojeve të ndryshme të ëmbëlsirave, më e parapëlqyera në "Daoxiangcun" është një ndërthurje e tyre, që emërtohet "Tetë thesaret e Pekinit". Kutia e kuqe ku futen ëmbëlsirat dhe zbukurimet tërheqëse të saj e bëjnë "Tetë thesaret e Pekinit" të përsosur si dhuratë për vizitat te miqtë e të afërmit gjatë festave. Një shitëse e re në "Daoxiangcun" shpjegon: "'Tetë thesaret e Pekinit' përfshin tetë lloje ëmbëlsirash, si fruta të sheqerosura, gurabie-lule me hide etj."

Me gjithë synimet për zgjerim, problem për kompaninë është kapaciteti i saj i kufizuar i prodhimit. "Daoxiangcun"-i ka vetëm pak dyqane jashtë tregut të vet kryesor, Pekinit, dhe vetëm dy fabrika, një në Pekin dhe një në vendlindjen e vet, Suzhou.

Kompania është gjithashtu e kujdesshme për sa i përket një zgjerimi të madh e të shpejtë, pasi kapaciteti i saj i tanishëm i prodhimit nuk mund të përmbushë as kërkesat e tregut të Pekinit, vëren zëdhënësi për mediat i "Daoxiangcun"-it Li Xingcun, duke vënë në dukje megjithatë se kompania tashmë po planifikon ta zgjerojë kapacitetin e prodhimit.

Por analistë si Wang Danqing-u janë të mendimit se "Daoxiangcun"-i nuk mund të zgjerohet në qytete të tjera nëse nuk i ofrohen kushte të përshtatshme nga autoritetet e pushtetit vendor për ngritjen e qendrave të prodhimit. Gjithashtu, sipas tyre, kompanisë do t'i duhet të gjejë furnizues të kualifikuar që plotësojnë standardet e saj të cilësisë.

Dallimet rajonale në aspektin e të ardhurave të disponueshme të konsumatorit janë një tjetër faktor i rëndësishëm, mendojnë këta analistë.

"Markat e vjetra të Pekinit janë më pak të gatshme për t'u zgjeruar në qytete të kategorisë së dytë dhe qytete të kategorisë së tretë," vëren analisti i lartë në Kompaninë e Konsulentëve të Bujqësisë Lindore të Pekinit Ma Wenfeng.

Kryeqyteti "ka një nivel të lartë të ardhurash të disponueshme të banorëve" dhe një treg fitimprurës, kështu që kompani si "Daoxiangcun"-i nuk kanë nevojë shumë të madhe për t'i hedhur sytë gjetkë, shton Ma.

Wang Danqing-u është i një mendjeje me Ma-në për sa i përket qëndrimit të kujdesshëm të "Daoxiangcun"-it në lidhje me zgjerimin e biznesit në rajone të tjera, duke vënë në dukje se kjo markë ende mund të bëjë më shumë për të shfrytëzuar në mënyrë të plotë potencialin e tregut të Pekinit.

Kjo do të thotë se entuziazmi për produktet e "Daoxiangcun"-it do të vazhdojë të jetë kryesisht në Pekin, të paktën tani për tani, mendon Ma Wenfeng-u.

Zhvillimi i "Daoxiangcun"-it sigurisht ka krijuar raste të mira edhe për punonjësit e tij të thjeshtë. Një prej tyre është edhe Xie Daoyun-i. Xie ka lindur në provincën Anhui dhe në vitin 1991, kur ishte 21 vjeç, e la fshatin e vet dhe shkoi në Pekin për të provuar fatin. Në atë kohë ai nuk kishte aspak përvojë në gatim. "Nuk po kërkoja të gjeja ndonjë punë të caktuar. Sa kohë që të ishte një punë çfarëdo, do të isha i kënaqur me të," kujton Xie Daoyun-i.

Me ndihmën e të afërmve të vet, Xie gjeti më në fund punë në "Daoxiangcun", ku u caktua për të bërë kekë hëne të Festës së Mesit të Vjeshtës që po afronte.

Ai ishte i kënaqur që jetës së tij endacake i kishte ardhur fundi, por nuk e dinte ishte se ajo ëmbëlsirë e vogël do të sillte një ndryshim të madh në jetën e tij.

"Unë jam një punëtor nga fshati pa shumë arsim ose pa ndonjë kualifikim të madh në prodhimin e ushqimeve," shprehet Xie Daoyun-i. "Mënyra e vetme për të pasur sukses është puna e palodhur dhe të mësuarit me pasion."

Me kalimin e kohës ai u caktua në departamentin e kërkimeve për të gjetur lloje të reja ëmbëlsirash. "Keku i hënës ka shumë sheqer dhe vaj. Unë po përpiqem të gjej përbërës të shëndetshëm për t'i zëvendësuar ato," tregon Xie Daoyun-i.

Xie është i vetmi në "Daoxiangcun" i aftë për të bërë me dorë modelet e kërkuara nga konsumatorët, si dragonj, feniksë e lule, madje ai bëri sipas porosisë edhe maskotët e Lojërave Olimpike të Pekinit të vitit 2008.

"Daoxiangcun" ka prodhuar tashmë lloje të reja keku hëne, si me frutin e papajës dhe rrënjë lotusi për shembull, e madje edhe me çaj jeshil.

Por Xie beson se, pavarësisht se sa stile të reja do të krijohen në të ardhmen, "ëmbëlsirat tradicionale janë gjithmonë më të mira dhe do të zgjasin përgjithmonë".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China