PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zhang Ruimin, "çarësi" i rrugës së suksesit me vare në dorë
2015-01-06 17:37:13 CRI Komenti juaj Printoni

Zyrtari kryeekzekutiv i Grupit "Haier" Zhang Ruimin-i e nisi si një punëtor i thjeshtë, ndërsa sot ka arritur të krijojë një perandori biznesi me vlerë 23 miliardë dollarë. Ai e ktheu një fabrikë prodhimi frigoriferësh në prag falimentimi në kompaninë që zë sot vendin e pestë në botë për prodhimin e pajisjeve elektroshtëpiake, me më shumë se 80 000 mijë punonjës e rreth 100 produkte, ndërsa veten e vet në një nga njerëzit më të pasur në Kinë. Rrugën drejt suksesit ai e çau me … një vare në dorë.

Zhang Ruimin-i ka lindur më 5 janar 1949 në qytetin Laizhou të prefekturës Yantai në provincën Shandong të Kinës, në një familje punëtorësh. Zhang Ruimin-i nuk arriti dot të ndjekë studimet e larta, pasi shumica e universiteteve në atë kohë ishin mbyllur për shkak të Revolucionit Kulturor. Në vend të kësaj ai nisi punë në vitin 1968 në një fabrikë shtetërore në qytetin Qingdao, po në provincën Shandong. Në fillim Zhang Ruimin-i ishte vetëm një punëtor i thjeshtë, por pas 12 vjetësh pune të zellshme, në vitin 1980, u bë zëvendësdrejtor i fabrikës. Në vitin 1982 Zhang Ruimin-i u caktua zëvendësmenaxher i Njësisë së Pajisjeve Elektroshtëpiake të Bashkisë së Qingdaos. Pas dy vjetësh ai mori detyrën e menaxherit të përgjithshëm të Fabrikës së Frigoriferëve të Qingdaos. Zhang Ruimin-i e njihte këtë fabrikë se ishte ngarkuar me importimin e teknologjisë së linjës së prodhimit nga jashtë për përmirësimin e konkurrencës së saj. 35-vjeçari Zhang Ruimin kishte arritur të blerë linjat e prodhimit nga kompania gjermane "Liebherr" në vitin 1983, por, për vënien në jetë të teknologjisë së re, ishin krijuar probleme nga dorëheqja e menaxherit të përgjithshëm të mëparshëm të Fabrikës së Frigoriferëve të Qingdaos, për shkak të pengesave të vazhdueshme në menaxhim. Zhang Ruimin-it iu ngarkua menjëherë detyra për të kërkuar një drejtues të ri, por pa sukses. Duke mos gjetur një kandidaturë të përshatshme për ta zëvendësuar, ai mori vetë përsipër këtë sfidë. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të mbajtur premtimin ndaj "Liebherr"-it dhe për të siguruar që përpjekjet për blerjen e linjës së prodhimit të mos shkonin kot dhe të arrinin vërtet sukses.

Fabrika e Frigoriferëve e Qingdaos ishte krijuar që në vitet '20 të shekullit të kaluar dhe, pas krijimit të Kinës së Re në vitin 1949, kishte kaluar në pronësi shtetërore, por në kohën kur Zhang Ruimin-i mori drejtimin e saj, kishte një borxh 1.47 milionë juanë (më shumë se 236 mijë dollarë amerikanë) dhe menaxheri i mëparshëm kishte dhënë pra dorëheqjen, duke e parë si të pashpresë gjendjen e fabrikës. Produktet ishin me cilësi të dobët dhe etika e punës ishte në një shkallë të ulët.

"Ishte një fabrikë shumë e vogël me 600 punëtorë dhe po shkonte drejt falimentimit. Edhe rrogat e punëtorëve ishin bërë barrë. Shkova në Pekin për të kërkuar mundësi biznesi. Por askush nuk donte të fliste me mua, sepse fabrika jonë ishte thuajse e panjohur," kujton Zhang Ruimin-i.

Por ai nuk u tërhoq. Zhang-u e kuptoi se, që një sipërmarrje të mbijetojë, veprimi i parë që duhet bërë është ndryshimi rrënjësor i menaxhimit. Shumë shpejt Zhang Ruimin-ihartoi një rregullore menaxhimi me 13 pika.

Në fillim të viteve '80 të shekullit të kaluar kishte një kërkesë shumë të madhe për frigoriferë në Kinë, por cilësia e tyre ishte e dobët. Zhang Ruimin-i e parashikoi që gjërat nuk do të ishin gjithmonë kështu dhe që cilësia do të kthehej në normë në Kinë e ndërgjegjësimi për konceptin e markës do të rritej. Në atë kohë në Kinë kishte disa marka biçikletash dhe birrash, por pjesa më e madhe e mallrave që prodhoheshin ishin pa markë. Zhang Ruimin-i e ndryshoi modelin e biznesit, duke nisur krijimin e markës në bazë të cilësisë së lartë.

Modeli fillestar i biznesit i Zhang Ruimin-it për Fabrikën e Frigoriferëve të Qingdaos, që më pas do të quhej "Haier", mbështetej në besimin se një sipërmarrje mund të dallohet nga të tjerat duke krijuar një markë e fortë e me vlerë bazuar në produkte të cilësisë së lartë. Cilësia u bë kryefjala për Zhang Ruimin-in. Në vitin 1985, një klient ktheu një frigorifer me defekt në fabrikë dhe ia tregoi Zhang Ruimin-it. Të dy shkuan në magazinë për të kërkuar një frigorifer të ri. Zhang Ruimin-i zbuloi se, ndër katërqind frigoriferët e atyshëm, 76 prej tyre, ose rreth 20 për qind, kishin një cilësi të papranueshme, edhe pse mund të shiteshin me një çmim të lartë. Për t'i paralajmëruar punonjësit që t'i kushtonin vëmendje cilësisë së produkteve, Zhang Ruimin-i kreu një veprim që bëri bujë në Kinë dhe që ende edhe sot ka mbetur i paharrueshëm: urdhëroi që të 76 frigoriferët të shkatërroheshin publikisht me vare, duke e prishur vetë frigoriferin e parë. Zhang-u e ndëshkoi edhe veten, duke mos marrë rrogën e një muaji si përgjegjës për menaxhimin e dobët. Varetë ruhen tani në stendat e muzeut të kompanisë, si një tregues i faktit që "Haier"-i përpara fitimit vë cilësinë.

Që prej ngjarjes së shkatërrimit të frigoriferëve me defekt nga Zhang Ruimin-i, Fabrika e Frigoriferëve e Qingdaos, si pararendëse e grupit "Haier", nisi t'i kushtojë rëndësi të madhe cilësisë së produkteve dhe konsumatorët nisën të jenë shumë të kënaqur me cilësinë e produkteve të saj. Në vitin 1985, kur u krye ky veprim i famshëm tashmë, çmimi i një frigoriferi ishte sa rroga e dy vjetëve e një punëtori dhe, siç thamë, Fabrika e Frigoriferëve e Qingdaos po kalonte probleme të shumta, edhe financiare, e kishte vështirësi edhe për pagimin e rrogave të punëtorëve. Por Zhang-u ishte i prerë për ta çuar deri në fund atë që kishte vendosur: "Nëse nuk i shkatërrojmë këta frigoriferë sot, ajo që do të shkatërrohet nga tregu në të ardhmen do të jetë sipërmarrja jonë," tha ai.

Vizioni i Zhang Ruimin-it e tejkalonte vlerën e atyre 76 frigoriferëve. Shkatërrimi i tyre solli ndërgjegjësimin për cilësinë. Në vitin 1986, "Haier"-i nisi të jetë me fitim dhe për dy dhjetëvjeçarë shitjet patën një rritje mesatare vjetore 83 për qind. Frigoriferët e "Haier"-it u shitën mirë në Kinën Veriore, në Pekin, Tianjin dhe Shenyang. Ndërsa në vitin 1984 vëllimi i shitjeve ishte vetëm 3.5 milionë juanë (560 mijë dollarë amerikanë), në vitin 1992 ky vëllim arriti në 1 miliard juanë (156 milionë dollarë amerikanë), në vitin 1998 10 miliardë juanë (1.56 miliardë dollarë amerikanë),në vitin 2000 shitjet arritën në 40.5 miliardë juanë (diçka më pak se 6.5 miliardë dollarë amerikanë), ndërsa në vitin 2004 shkuan në 101.6 miliardë juanë (16.17 miliardë dollarë amerikanë).


Foto: 玲珑 / 东方IC

Zhang Ruimin-i dhe "Haier"-i ishin aq të suksesshëm, saqë atyre iu kërkua si nga qeveria qendrore, ashtu dhe nga pushteti vendor në Qingdao, për të marrë disa ndërmarrje shtetërore në vështirësi dhe për të ndryshuar gjendjen e tyre. Kështu, në vitin 1988 "Haier"-i mori kontrollin e Kompanisë së Furrave me Mikrovalë të Qingdaos dhe në vitin 1991 Fabrikën e Kondicionerëve dhe Fabrikën e Ngrirësve të Qingdaos.

Në vitin 1997 "Haier"-i nisi prodhimin e televizorëve me ngjyra dhe të pajisjeve të tjera elektroshtëpiake. Ndërkohë, nëpërmjet blerjeve me kosto të ulët, "Haier"-i përfshiu në gjirin e vet 18 sipërmarrje të reja, si Fabrikën e Prodhimit të Makinave Larëse "Shunde" të provincës Guangdong, Fabrikën e Hekurave Elektrikë "Laiyang", Fabrikën e Frigoriferëve "Fenghua" të provincës Guizhou dhe Fabrikën e Televizorëve "Huangshan" të Hefei-t, duke krijuar një hapësirë të gjerë zhvillimi dhe zgjerimi për "Haier"-in. Tani ky grup përfshin 22 kompani.

Zhang Ruimin-i bëri zgjedhje të rëndësishme për kulturën e kompanisë, për të mundësuar që "Haier"-i të kishte punëtorë të kualifikuar e të disiplinuar, që do të prodhonin produkte cilësore dhe do të krijonin markën e kompanisë. Si rrjedhojë, në vitin 1991, "Haier"-i u përfshi në "10 markat më të njohura kombëtare të Kinës".

Arritja e suksesit dhe e bërjes së njohur të markës brenda vendit ishte hapi i parë i madh. Pas përmirësimit të cilësisë, "Haier"-i filloi përpjekjet për të depërtuar në tregun ndërkombëtar. "Globalizimi i kompanive kineze është një prirje e pashmangshme dhe ne duhet ta kthejmë epërsinë tonë brenda vendit në një epërsi në nivel ndërkombëtar," vë në dukje Zhang Ruimin-i."Por, po të mos dalësh fitues brenda vendit, nuk mund të kesh sukses as jashtë tij."

Zhang Ruimin-i e përgjithëson këtë proces me tre hapa: eksportimi, hyrja në tregun ndërkombëtar dhe bërja markë e njohur. Grupi "Haier" është një pionier dhe shembull i suksesit të hyrjes së kompanive kineze në tregun ndërkombëtar.

Në vitet '80 të shekullit të kaluar Kina ishte bërë qendër e prodhimit industrial botëror, por shumica e kompanive kineze prodhonin produkte të porositura e të dizenjuara nga kompanitë perëndimore. Megjithatë, Zhang Ruimin-i donte që "Haier"-i të eksportonte produktet e veta, gjë që përbënte një filozofi krejt të ndryshme.

Diçka tjetër po ashtu e dallonte strategjinë e eksporteve të "Haier"-it: kompania e nisi nga tregjet e vendeve të zhvilluara perëndimore, ku depërtimi dhe suksesi ishte mjaft i vështirë, si Gjermania dhe ShBA-ja.

Zhang Ruimin-i ishte ideuesi i kësaj strategjie, e njohur si "Të nisesh nga më e vështira për të arritur tek më e lehta", domethënë të përpiqesh të hysh së pari në vendet që kanë kërkesa të rrepta për standardet, dhe më pas në vendet në zhvillim.

Zhang Ruimin-i thotë: "Shumica e kompanive kineze zgjidhnin rrugën e kundërt: në fillim tregjet e lehta dhe pastaj të vështirat. Shumë prej tyre e fillonin nga Afrika dhe Azia Juglindore, për shkak se ato tregje kishin një kërkesë më të vogël për cilësinë. Por ne vendosëm të hynim në tregun gjerman në fillim dhe njerëzit menduan se ishim të marrë. Por ne e provuam. Ne thamë: 'Le t'i krahasojmë produktet gjermane dhe produktet e 'Haier'-t, dhe njerëzit të shohin se cilat janë më të këqija ... Shpresonim që nuk do të ishim ne".

Dhe kjo shpresë u realizua. Në vitin 1992, një krahasim i bërë midis frigoriferëve gjermanë "Liebherr" dhe frigoriferëve "Haier" nxori triumfues këta të fundit. Gjermanët nënshkruan në vend kontrata për 20 000 frigoriferë "Haier". Periudha nga përdorimi prej "Haier"-it i një linje gjermane prodhimi në vitin 1985 deri në vitin 1997, kur frigoriferët e saj ua kaluan për nga cilësia frigoriferëve "Liebherr" me një histori 50-vjeçare, tregon se "Haier"-it të Kinës iu deshën vetëm shtatë vjet për të arritur aty ku homologut të saj gjerman iu deshën 50 vjet. Në të vërtetë, frymëzimin për të këmbëngulur te cilësia si çelësi i suksesit Zhang Ruimin-i vëren se e mori pikërisht në Gjermani. "Toleranca në Gjermani ishte zero," vëren ai. "Në qoftë se diçka, qoftë edhe diçkaja më e vogël, nuk ishte mirë, ata nuk e pranonin. Ne kërkonim të vendosnim standarde të larta, duke e detyruar në këtë mënyrë veten që të zgjidhnim të gjitha problemet për të përmbushur standarde të tilla." Dhe më pas shton: "Kinezët kanë një thënie: 'Nëse do të luash shah, duhet të luash me mjeshtrit", sepse kjo është mënyra e vetme për të mësuar."

Por duket se rasti i "Haier"-it dhe i "Liebherr"-it është ndër ato raste kur nxënësi ia kalon mësuesit.

Si rezultatet i teknologjive të pavarura të prodhimit dhe cilësisë së lartë, produktet e "Haier"-it kanë hyrë në tregjet e më shumë se 100 vendeve ose rajoneve të botës. Sidomos konsumatorët europianë, amerikanë, japonezë dhe të vendeve të Afrikës e të Azisë Juglindore janë të kënaqur me produktet e "Haier"-it. Produktet e markave të njohura të grupit "Haier" kanë hyrë me sukses në tregjet globale. Grupi shënoi rekord të ri pas shitjes së 7000 kondicionerëve "Haier" brenda 7 orësh në një qendër tregtare të Nju-Jorkut, duke treguar edhe një herë suksesin e zhvillimit në tregun e jashtëm.

Tani "Haier"-i është një markë e famshme botërore, kështu që aftësia e menaxhimit dhe e kontrollit të tregut e Zhang Ruimin-it vlerësohet shumë lart nga qarqet ndërkombëtare të menaxhimit.

Nëse sipërmarrja mendohet si një anije, shumë e përfytyrojnë drejtuesin e saj si kapiteni i anijes. Por Zhang Ruimin-i shprehet se në të vërtetë drejtuesi duhet të jetë projektuesi i kësaj anijeje.


Foto: 王启明 / 东方IC

Ndër risitë e Zhang Ruimin-it është se ai e hoqi shtresën e mesme a të ndërmjetme të menaxhimit të "Haier"-it. Tani stafi i shitjeve në bazë ua përcjell drejtpërdrejt mendimet e klientëve menaxherëve të lartë, të cilët, nga ana e tyre, krijojnë strategji të mbështetura në këtë informacion. Tani kompania funksionion si një "treg i hapur" idesh dhe talentesh. Për çdo projekt të kompanisë konkurrojnë disa grupe si njësi të pavarura biznesi, të cilat shpërndahen sapo projekti përfundon. Kjo në mënyrë efektive krijon konkurrencë brenda kompanisë, duke nxitur në të njëjtën kohë edhe frymën e sipërmarrjes.

Zhang Ruimin-i është një njeri të cilit i pëlqen të studiojë e të jetë në një kërkim të pareshtur të njohurive të reja, dhe quhet gjerësisht si "biznesmen intelektual". Atij i pëlqen të lexojë veçanërisht libra lidhur me menaxhimin, duke mësuar nga guru të kësaj fushe si Peter Drucker dhe Peter Senge, japonezët Matsushita Konosuke dhe Akio Morita, Jack Welch i "General Electric", dhe kompani si "Toyota", "Dell Computers" e "Whirlpool".

"Një here, kur ndodhesha në Shtetet e Bashkuara, një guru marketingu më tha: 'Kompanitë e mira plotësojnë kërkesat, kompanitë e mëdha krijojnë kërkesa.' Ne duam të jemi një kompani të madhe," tregon Zhang Ruimin-i.

Dhe sigurisht dashamirësi i dijeve dhe i librave do të ketë ketë ndier kënaqësi kur ka mësuar se kompania e tij është jo vetëm subjekt i një libri të tërë, Rruga e "Haier"-it, por edhe i më shumë se 30 rasteve të studimit të shkollave të biznesit.

Gjithkush thotë se pa Zhang Ruimin-in nuk do të kishte "Haier". Të paktën ai "Haier" që njihet sot. Por vetë Zhang Ruimin-i e quan veten një punonjës i zakonshëm si gjithë të tjerët. Zhang-u thekson se dështimi i një kompanie rëndom vjen jo nga konkurrentët, por nga vetvetja.

Në botën e sipërmarrjes në Kinë, Zhang Ruimin-i njihet edhe si "biznesmeni konfucist". Ai ka kërkesa të larta për veten dhe punonjësit e tij dhe përpiqet të krijojë një baraspeshë ndërmjet punëve të biznesit dhe atyre vetjake. Zhang Ruimin-i vlerësohet si një sipërmarrës për të cilin fitimet vijnë në vend të dytë.

Punëtorët e shohin shpesh Zhang Ruimin-in të darkojë i vetëm në lokalin e kompanisë, i zhytur në mendime. Në zyrën e tij gjen të shkruara këto fjalë: "Mendo sikur qëndron buzë një humnere, sikur po ecën mbi një shtresë të hollë akulli", një tregues i të qenit të tij përherë i vëmendshëm.

Zhang Ruimin-i është nderuar me shumë tituj, si "Sipërmarrësi i vitit" nga revista "Asia Weekly" në vitin 1997, "30 sipërmarrësit më të respektuar globalë" nga "Financial Times" në vitin 1999, "Biznesmeni i vitit (2001) në Kinë" nga CCTV, "25 figurat e biznesit me ndikim më të madh në Azi" nga revista "Fortune" në vitin 2004, "50 drejtuesit më të respektuar të biznesit në botë" po nga "Financial Times" në vitin 2005, "Njerëzit më të fuqishëm të Kinës" nga "BusinessWeek" në vitin 2009 etj.

Megjithëse është bërë një emër dhe një figurë e njohur ndërkombëtarisht, Zhang Ruimin-i ende ka një tis misteri dhe bën një jetë shumë dorështrënguar. Ai nuk pi alkool e duhan dhe nuk mban truprojë. Për shumë vjet me radhë Zhang Ruimin-i jetoi në fjetoren e punëtorëve të kompanisë së vet, por edhe kur hyri në një shtëpi me hapësirë të gjerë, përsëri ajo shtëpi nuk mund të quhej luksoze, dhe çka të binte më tepër në sy në atë shtëpi ishin librat e shumtë.

Në një industri ku mjaft rendin pas përfitimeve personale, Zhang Ruimin-i i nxit biznesmenët e rinj të marrin përsipër detyra të rëndësishme e jo poste të rëndësishme. Ai thekson: "Unë nuk punoj në 'Haier' për para, por për zemrën time."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China