PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Ndërkombëtarizimi i juanit kinez, zhvillim i shpejtë në vitin 2014
2015-01-06 17:25:29 CRI Komenti juaj Printoni

Tashmë kanë kaluar mbi pesë vjet që prej fillimit të ndërkombëtarizimit të monedhës kineze juan dhe në vitin 2014 ky proces është shpejtuar në mënyrë të dukshme, duke siguruar arritjen e përparimeve në fushën e investimeve dhe të rezervës monetare. Përveç kësaj, në tregjet kryesore botërore janë formuar disa qendra shërbimi me juanin kinez. Për sa i përket një zhvillimi kaq të shpejtë të juanit në tregun ndërkombëtar, ekspertët janë të mendimit që duhet të parandalohen rreziqet e mundshme financiare të shkaktuara nga qarkullimi ndërkufitar i kapitaleve.

Në muajin nëntor të vitit 2014 nisi zyrtarisht projekti "Lidhja e Bursave të Shangait dhe Hong-Kongut", që vlerësohet si një masë e rëndësishme për shpejtimin e ndërkombëtarizimit të juanit. Specialistët mendojnë që ky projekt e ka zgjeruar platformën e investimeve me monedhën kineze në tregun global dhe ka shtuar likuiditetin e juanit në tregun hongkongas, duke mbështetur konkurrueshmërinë afatgjatë të tij si një monedhë ndërkombëtare.

Përveçse me dollarin hongkongas, juani në vitin 2014 ka realizuar me sukses këmbime të drejtpërdrejta me uonin koreanojugor, dollarin singaporas, euron, paundin britanik dhe dollarin neozelandez. Kështu, në tregun botëror ka gjithsej nëntë monedha që mund të këmbehen drejtpërdrejt me juanin. Ndërkohë, në vitin 2014 është shpejtuar edhe krijimi i bankave të kleringut me juan. Tani shërbimet e kleringut me monedhën kineze janë të mundshme në Korenë e Jugut, Britani, Gjermani, Francë, si edhe në Luksemburg. Kjo do të thotë që, nëpërmjet këtyre bankave të kleringut, bankat në këto vende mund të merren drejtpërdrejt me biznesin me juanë dhe nuk ka më nevojë për klering nëpërmjet bankave në pjesën kontinentale të Kinës dhe në Hong-Kong. Një gjë e tillë është në të mirë të pakësimit të rreziqeve gjatë pagesave ndërkombëtare me juanë dhe do të nxitë më shumë përdorimin e kësaj monedhe në tregun ndërkombëtar.


Foto: 大庆 / 东方IC

Drejtori i Departamentit të Studimit të Investimeve Ndërkombëtare të Institutit të Kërkimeve Ekonomike dhe Politike pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Zhang Ming shprehet:

"Në të kaluarën, kur juani kinez zhvlerësohej, kostoja e importeve për Kinën rritej, por, nga ana tjetër, kishte më shumë presion lidhur me eksportin nëse juani forcohej ndjeshëm. Kështu, me përllogaritjen dhe pagimin me juanin kinez, do të kemi më pak rreziqe për sa i përket kursit të këmbimit. Gjithashtu, kjo do t'i ndihmojë qytetarët kinezë në pakësimin e shpenzimeve të përditshme dhe do t'i nxitë më tej ata për të blerë dhe për të bërë turizëm në vendet e tjera, pasi të gjitha pagesat bëhen me monedhën vendore dhe çmimi i mallrave dhe shërbimeve është më i qëndrueshëm."

Sipas të dhënave statistikore, në tre tremujorët e parë të vitit 2014, vëllimi i pagesave ndërkufitare me juanin kinez arriti në 4.8 trilionë juanë, prej vetëm 3.58 miliardë juanë në vitin 2009. Tani juani është bërë monedha e dytë më e madhe për pagesat ndërkufitare në tregun kinez.

Në të njëjtën kohë, me shpejtimin e ndërkombëtarizimit, juani nuk është kufizuar vetëm në rolin si monedhë e pagesave të tregtisë ndërkombëtare. P. sh., tani në Australi, Britani dhe Kanada, Kina ka emetuar bono në juan. Kështu, juani po merr tani edhe funksionet e monedhës për investime dhe rezervë valutore. Këtë ndryshim të madh e ka konfirmuar banka HSBC në raportin e saj mbi përdorimin ndërkufitar të juanit nga kompanitë ndërkombëtare në vitin 2014. Drejtori tregtar e financiar i degës së bankës HSBC në Kinë Zhao Minzhong thekson:

"Në raportin tonë mund të shihet qartë se 33 % e klientëve në 12 muajt e ardhshëm do të përdorin kartë krediti ose do të bëjnë pagesa me juan në biznesin e tyre ndërkombëtar. 35 % e klientëve dëshirojnë të marrin pjesë në fondin me juan, ndërsa 22 % të tjerë, brenda 12 muajve të ardhshëm, do të marrin kredi nga grupi ndërkufitar i juanit. Këto të dhëna tregojnë se ndërkombëtarizimi i RMB-së po zhvillohet me shumëllojshmëri, si edhe me një shpejtësi të madhe."

Megjithëse ndërkombëtarizimi i juanit kinez ka ruajtur një ritëm të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, ekspertët kanë vënë në dukje që ende duhet të parandalohen rreziqet e mundshme financiare brenda e jashtë vendit. Zv.drejtori i Departamentit të Studimeve të Qendrës Ndërkombëtare të Shkëmbimeve Ekonomike të Kinës Wang Jun shprehet:

"Në të ardhmen duhet t'u kushtojmë vëmendje ndryshimeve në qarkullimin e kapitaleve brenda dhe jashtë vendit. Veçanërisht ka të ngjarë që dollari amerikan të ketë norma më të larta interesi dhe ne të nisim uljen e interesave. P.sh., kohët e fundit çmimet e pasurive të ndryshme kanë njohur rritje të dukshme e jo normale, dhe, si rezultat, edhe tregjet e aksioneve kanë pasur një rritje të vrullshme. Në këtë gjendje janë përfshirë tre faktorë: kursi i këmbimit, interesat dhe çmimi i kapitaleve. Në qoftë se këta tre faktorë bashkëveprojnë brenda një kohe të shkurtër, do të lindë rreziku i luhatjes së madhe në kursin e këmbimit, siç ka ndodhur në disa vende e rajone. Kështu që në vitin 2015 duhet të tregojmë vëmendje të madhe."

(Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China