PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Princesha e çelikut" e Kinës
2014-11-18 11:19:29 CRI Komenti juaj Printoni

Në moshën 25-vjeçare Chen Ningning-u krijoi bashkë me të ëmën kompaninë e vet të hekurit e çelikut, që në pak më shumë se një dhjetëvjeçar u bë një nga importuesit më të mëdhenj privatë të xeherorit të hekurit dhe një nga firmat më të mëdha minerare e të burimeve energjetike në Kinë, ndërsa ajo vetë ka marrë emrin "Princesha e çelikut". Në fillim të këtij viti, në moshën 43-vjeçare, Chen Ningning-u u shpall miliarderja më e re në botë e vetëbërë.

Chen Ningning-u, e njohur edhe si Diana Chen, ka lindur në Pekin në vitin 1971, por pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në Hong-Kong. Më pas familja e saj u zhvendos në San-Francisko të Shteteve të Bashkuara. Chen Ningning-u i kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Nju-Jorkut. Pas marrjes së gradës "master" në administrim biznesi në Institutin e Teknologjisë të Nju-Jorkut në vitin 1994, Chen Ningning-u punoi për pak kohë si menaxhere fondesh në një kompani shërbimesh financiare, përpara se të kthehej përsëri në Hong-Kong, ku krijoi në moshën 25-vjeçare Kompaninë e Hekurit dhe të Çelikut "Jiaxin", që më vonë do të ripagëzohej "Pioneer". Chen Ningning-u e ngriti këtë kompani bashkë me të ëmën, Lu Huin, e cila ishte e bija e ish-ministrit kinez të minierave Lu Dong dhe që kishte studiuar metalurgji në universitet, por nuk ishte përfshirë më parë në këtë industri.

Duke shfrytëzuar mundësitë e krijuara nga reforma industriale dhe zhvillimi i industrisë së çelikut në Kinë, Chen Ningning-u e udhëhoqi kompaninë e saj drejt rritjes dhe zgjerimit të shpejtë.

Në vitin 1997, "Pioneer"-i krijoi partneritet me dy sipërmarrje të tjera për të krijuar Kompaninë e Çelikut dhe të Metaleve të Rralla "Baotou" të Mongolisë së Brendshme. "Pioneer"-i zotëron tashmë 9.87 për qind të kësaj kompanie. Chen Ningning-u është aksionerja numër dy e Kompanisë së Çelikut dhe të Metaleve të Rralla "Baotou" dhe ka shërbyer aty edhe si zv.kryetare e bordit. Nën drejtimin e saj, "Baotou" u listua në Bursën e Shangait, duke u bërë e para kompani e kuotuar në bursë në industrinë e metaleve të rralla. Të ardhurat vjetore të Kompanisë së Çelikut dhe të Metaleve të Rralla "Baotou" të Mongolisë së Brendshme në vitin 2011 kapën vlerën e 11.5 miliardë juanëve, me pasuri që i kalonin 17.6 miliardë juanët në fund të vitit 2012, duke mbizotëruar në tregun e metaleve të rralla në veri të Kinës.

Chen Ningning-u ka një vizion të veçantë të tregut. Në një kohë kur industria e çelikut po pësonte rënie në vitin 1998, ajo nënshkroi në emër të Kompanisë së Hekurit dhe të Çelikut "Pioneer" një kontratë afatgjatë me kompaninë braziliane "Vale". Në vitin 2005 industria e çelikut e rimori veten, importet e xeherorëve të hekurit u rritën ndjeshëm e po ashtu edhe çmimet e tyre. Kështu, investimi në Brazil i solli përfitime të mëdha ekonomike sipërmarrjes së Chen Ningning-ut, duke treguar mprehtësinë e saj në parashikimin e ecurisë së tregut.

Duke përdorur një metodë të përshtatshme, edhe në industritë tradicionale mund të sigurohen fitime. Ky është mendimi i Chen Ningning-ut dhe arma e saj e suksesit. "Ishte një çështje e përdorimit të mjeteve jotradicionale në një industri tradicionale," thotë Chen. "Më parë, gjithkush bënte vetëm thjesht tregti. Ne i përdorëm pasuritë jomateriale dhe aftësitë tona për të ndihmuar kompanitë shtetërore, të tilla si Grupi i Hekurit dhe i Çelikut i Wuhan-it dhe Kompania e Re të Çelikut 'Angang', të marrin kredi dhe të reformohen për t'u përgatitur për ofertat publike fillestare. "

Chen Ningning-u shprehet se këto shërbime u ofruan falas, por ato e ndihmuan në krijimin e marrëdhënieve dhe i dhanë njohuri të thella të sektorit. Në fillim të këtij shekulli, kur industria e çelikut po ringjallej falë edhe rritjes së shpejtë ekonomike të Kinës, "Pioneer"-i ishte i mirëpozicionuar, duke bashkuar prodhuesit kinezë të çelikut me minierat e huaja të hekurit.

Chen Ningning-u është e zonja në shfrytëzimin e mjeteve teknike për të arritur efektivitetin maksimal ekonomik. Ajo është po ashtu e aftë në përdorimin e kapitalit, duke e vënë në punë atë për të krijuar një perandori të madhe biznesi nëpërmjet blerjeve dhe bashkimeve. Suksesi i saj mahnitës ka bërë që Chen Ningning-u të quhet pra edhe "Princesha e çelikut" e Kinës.

Njerëzit që e njohin Chen Ningning-un, thonë se ajo është shumë e thjeshtë në sjellje e veshje dhe bujare me miqtë, e shpejtë në marrjen e vendimeve dhe me një nuhajtje të mprehtë kur vjen fjala te mundësitë e mira për investime.

Një herë në një intervistë për një gazetë Chen Ningning-u rrëfeu me humor se, kur ishte në ShBA, i kishte kërkuar të dashurit që të mos i bënte dhuratë një unazë diamanti, porse në vend të saj do të parapëlqente më shumë aksione në një kompani, për shkak të mundësisë që kishte për t'ua shtuar vlerën atyre.

Chen Ningning-u e vlerëson shumë arsimin. "Një njeri i mirarsimuar ka një vizion më të gjerë. Një njeri i tillë parapëlqen t'i bëjë gjërat me forcat e veta, në vend që të kërkojë ndihmën e të tjerëve. Kam qenë gjithmonë e mendimit se kultura e sipërmarrjes dhe arsimimi janë vendimtare lidhur me atë nëse një kompani do të shkojë larg apo jo," vë në dukje ajo.

Ndonëse vjen nga një familje e lidhur me minierat e metalurgjinë, Chen Ningning-u thekson se nuk ishin njohjet shoqërore ato që bënë që të ketë sukses në biznesin e vet. Ajo shprehet: "Njerëzit e dinë që unë vij nga një familje e respektuar. Gjyshi im ka qenë një njeri i ndershëm dhe nëna më ka mësuar gjithmonë që të mos mbështetem në postin dhe arritjet e dikurshme të gjyshit tim, dhe kurrë të mos bëj diçka që do të njolloste emrin e tij."

Chen Ningning-u shprehet se çelësi për rritjen mahnitëse të pasurisë së saj ka qenë më shumë se çdo gjë tjetër koha e duhur kur hyri në industrinë e çelikut. Dhe është e vështirë ta kundërshtosh këtë pohim: asokohe kjo industri në Kinë po njihte një lulëzim si kurrë më parë.

Prodhimi i çelikut në pjesën kontinentale të Kinës më shumë se u dyfishua në periudhën dhjetëvjeçare mes viteve 1995 dhe 2005, duke përbërë në kulmin e vet 30 % të vëllimit të përgjithshëm të prodhimit të çelikut në botë. "Më vitin 2003, ne zinim rreth 15-20 për qind të vëllimit të përgjithshëm të mineralit të hekurit që importohej nga Kina," shprehet Chen Ningning-u. Pothuajse të gjitha kompanitë e hekurit e të çelikut të mesme dhe të mëdha në Kinë kanë blerë mineral hekuri nga "Pioneer"-i.

"Chen Ningning-u ishte një sipërmarrëse e suksesshme, me përvojë të gjerë dhe me marrëdhënie të forta pune me shumë lojtarë kyç në industrinë kineze të çelikut," është shprehur ish-drejtuesi i një gjigandi ndërkombëtare në sektorin minerar me seli në Hong-Kong. "Në vitet '90 të shekullit të kaluar dhe në fillimin e dhjetëvjeçarit të parë të këtij shekulli, ne nuk mund të bënim biznes pa të."

Përveç tregtimit të xeherorëve të hekurit, "Pioneer"-i e ushtron veprimtarinë e vet edhe në pasuritë e patundshme, logjistikë dhe shërbimet financiare. Chen Ningning-u dhe nëna e saj Lu Hui zotërojnë secila 50 % të aksioneve të kompanisë.

Pasuria e Chen Ningning-ut në vitin 2011 arriti në 11.97 miliardë juanë (1.95 miliardë dollarë amerikanë), duke e renditur atë të shtatën në "Listën e grave më të pasura të Kinës" dhe të 12-n në listën botërore të miliardereve, ndërsa një vit më pas ajo u rendit e nënta në listën botërore të miliardereve të vetëbëra. Ndërsa në fillim të këtij viti, në moshën 43-vjeçare, Chen Ningning-u ishte miliarderja më e re në botë e vetëbërë. Por Chen Ningning-u thotë se dëshiron që me pasurinë e saj t'u shërbejë edhe të tjerëve dhe është shprehur se nga tani e tutje do të kalojë më shumë kohë e do të bëjë më shumë përpjekje për realizimin e projekteve të bamirësisë e të mirëqenies publike.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China