PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Plenumi i 4-t i KQ-së të PKK-së: koncepte e ndryshime të reja në kushtet e reja ekonomike
2014-10-28 16:37:04 CRI Komenti juaj Printoni

Javën e kaluar u zhvillua plenumi i 4-t i Komitetit Qendror të 18-të të Partisë Komuniste të Kinës, ku u vendosi vazhdimi i zhvillimit të shëndetshëm të ekonomisë kineze, mbështetur në zbatimin e ligjit.

Që nga plenumi i 3-të, që u zhvillua në vitin 2013, e deri më sot, zhvillimi i ekonomisë kineze ka shfaqur disa veçori të reja. Krahas kësaj, edhe mekanizmi rregullator i qeverisë ka ndryshuar nga shqyrtimi para regjistrimit në mbikëqyrje gjatë ose pas regjistrimit. Në këtë mënyrë, është nxitur më shumë gjallëria dhe krijueshmëria në treg.

Sigurisht, sipërmarrësit janë ata që i kanë ndier drejtpërdrejt ndryshimet që ka pësuar ekonomia kineze gjatë vitit të kaluar. Wu Cheng është drejtori i marketingut i një ndërmarrjeje bujqësore në Hainan të Kinës Jugore. Ai thotë që masat e qeverisë tani janë më standardizuese dhe punët janë më të thjeshta:

"Me tetë masat e qeverisë për ndryshimin e modelit, unë ndiej që gjendja ka ndryshuar shumë dhe bashkëpunimi është më i rregullt. Qeveria na ka dhënë mbështetje me politika dhe disa projekte stimuluese. Kemi ndjenja të thella dhe shpresojmë që qeveria do të kalojë më shumë kompetenca menaxhimi në dorën e ndërmarrjeve."

Është e vërtetë që sipërmarrësit po presin nga qeveria të krijojë një mjedis konkurrimi të drejtë. Nga viti 2013 deri më sot kjo gjë po realizohet në mënyrë graduale. Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës ka të drejtën e shqyrtimit të shumë projekteve të mëdha kombëtare. Zv.drejtori i departamentit të investimeve pranë këtij Komisioni Zhang Minglun u shpreh që tani, me një mjedis më të lirshëm të krijuar nga qeveria, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës po përpiqet me të gjitha forcat për t'ua kaluar më shumë kompetenca vetëmenaxhimi kompanive.

"Përveç vetëm disa rregullave, kemi hequr pothuajse plotësisht procedurën e shqyrtimit të të gjitha projekteve me investime të huaja, duke e ndryshuar në një procedurë të thjeshtë regjistrimi. Sipas parashikimeve tona, në vitin 2014, vëllimi i punës së shqyrtimit nga organet qendrore do të pakësohet me afro 40 %, teksa në vitin 2013 u ul me rreth 60 % krahasuar me 2012-n. Kështu, qeveria e tanishme në këta dy vjet e ka pakësuar gjithsej me 76 % punën e shqyrtimit," u shpreh Zhang Minglun.

Krahas decentralizimit, edhe procedura e regjistrimit të kompanive është thjeshtuar në mënyrë të dukshme, veçanërisht pas muajit mars, kur nisi reforma në sistemin e regjistrimit në sektorin tregtar e industrial. Kryeministri kinez Li Keqiang u shpreh që tani po krijohet e ashtuquajtura situatë e nisjes së biznesit nga të gjithë.

"Sivjet kemi bërë reformë në sistemin e regjistrimit tregtar e industrial. Nga janari deri në gusht janë regjistruar mbi 8 milionë njësi tregu, duke punësuar mbi dhjetë milionë veta. Brenda 6 muajve qysh nga nisja e reformës në sistemin e regjistrimit tregtar e industrial, numri i kompanive të regjistruara është rritur me 60 %, gjë që përshkruhet si një rritje shpërthyese. Mund të themi që tani po lind një gjendje e re ku të gjithë po nisin biznese."

Gjatë kësaj faze, qeveria kineze ka lehtësuar më tej procedurat e dhënies së lejeve për investime private në disa fusha të rëndësishme. Për shembull, kompania shtetërore SINOPEC ka bërë reformë, duke krijuar një sistem të ri me investime të përziera. Me këtë reformë, shumë kompani janë futur në fushën e naftës, gjë që ka qenë shumë e vështirë më parë. Wang Jun është zv.drejtor i departamentit të kërkimeve pranë Qendrës së Shkëmbimeve Ndërkombëtare të Kinës. Ai është i mendimit që masat e qeverisë për t'ua kaluar kompetencat e menaxhimit kompanive i kanë dhënë më shumë gjallëri ekonomisë kineze:

"Ndryshimi më i madh sivjet është, siç u tha në plenumin e 3-të të Komitetit Qendror të PKK-së, që tregu do të luajë një rol vendimtar dhe qeveria do të luajë rolin e duhur. Një gjë e tillë ka dhënë një sinjal të qartë dhe është në dobi të zhvillimit ekonomik, si edhe të nxitjes së konkurrencës në treg. Tani shumë kompetenca të mëparshme dhe ndërhyrje të qeverisë në zhvillimin ekonomik po pakësohen, madje po hiqen. Kjo ka sjellë gjallëri dhe entuziazëm ndër të gjithë. Me standardin e ri, kompanitë mund të kryejnë të gjitha veprimet që nuk kufizohen. Qytetarët e thjeshtë dhe kompanitë mund të përcaktojnë në mënyrë të lirë prodhimin, menaxhimin, konsumin, investimin e qarkullimin. Heqja e kufizimeve ose dhënia e lirisë në këtë drejtim është puna me të cilën po merremi."

Shumë njerëz e përshkruajnë gjendjen e tanishme të ekonomisë kineze si "një gjendje e re e zakonshme". Kjo shprehje u përdor për herë të parë në maj të këtij viti nga sekretari i përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping gjatë vizitës në provincën Henan. Ekonomistët janë të mendimit që veçantia kryesore e një gjendjeje të tillë është ndërthurja e tre fazave me divergjenca dhe probleme të ndryshme, të cilat janë përkatësisht faza e kalimit të rritjes ekonomike në ritme më të ulëta, faza e rregullimeve strukturore dhe faza e zbatimit të politikave stimuluese. Ndër to, ndryshimi më i dukshëm është ulja e rritjes ekonomike në nivelin e tanishëm rreth 7.5 %. Fan Jianping është kryeekonomist në Qendrën Kombëtare të Informacionit të Kinës. Ai është i mendimit që njerëzit duhet të mësohen me këtë ndryshim:

"Ne duhet ta shikojmë zhvillimin ekonomik të Kinës nga një këndvështrim i ri. Të gjithë janë mësuar me një rritje të shpejtë, prandaj mendohet se është normale që ekonomia të rritet shpejt, dhe madje që një ulje e vogël nuk është normale. Mos harroni që vendi ynë ndodhet tani në një fazë kalimtare, kur ritmet e rritjes ekonomike po ulen në mënyrë graduale. Duhet ta dini që gjendja në vendin tonë është më e mirë se në vende të tjera."

Z. Wang Jun u shpreh që pas plenumit të 4-t të Komitetit Qendror të 18-të të PKK-së, parimi i ri i sundimit të ligjit do të rregullojë veprimet e qeverisë, për të ruajtur zhvillimin e mbarë të ekonomisë kineze.

"Tema e plenumit të tanishëm është sundimi i ligjit. Tashmë është bërë përparim i madh në sistemin ligjor. Lidhur me zhvillimin dhe reformat ekonomike, ky përparim do të përcaktojë më qartë marrëdhëniet mes qeverisë dhe kompanive, si dhe lidhjet mes shtetit dhe tregut. Kjo ka një rëndësi të madhe për rishpërdarjen e të ardhurave nga reformat, rritjen e efektivitetit të tregut dhe përmirësimin e qeverisjes. Kështu, ky është një plenum inkurajues," thotë Wang Jun, zv.drejtori i departamentit të kërkimeve pranë Qendrës së Shkëmbimeve Ndërkombëtare të Kinës. (Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China