PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Sigurimet, një sektor në lulëzim në Kinë
2014-10-15 10:15:27 CRI Komenti juaj Printoni

Sigurimet po bëhen tashmë një nga sektorët më konkurrues e me ritmet më të shpejta të rritjes në Kinë. Ky sektor, me një histori mbi 200-vjeçare në Perëndim, është ende i ri në Kinë, e megjithatë ka një rritje vjetore dyshifrore. Dy ndër kompanitë më të spikatura të këtij sektori janë "Ping An" dhe "Anbang".

Ma Mingzhe, që quhet edhe Peter Ma, është i njohur si një ndër sipërmarrësit më krijues në sektorin e sigurimeve dhe në sektorin financiar e banker në Kinë. Përgjatë 25 vjetëve ai e ka kthyer kompaninë "Ping An" në një sipërmarrje udhëheqëse jo vetëm në Kinë, por edhe në botë.


Foto: 吴军 / 东方IC

Ma Mingzhe ka lindur në dhjetor të vitit 1955. Pas më shumë se dhjetë vjetësh si nëpunës shteti, në vitin 1988 ai themeloi me vetëm 13 punonjës kompaninë e sigurimeve "Ping An", në Shenzhen të provincës Guangdong të Kinës Jugore. Fillimi ishte i vështirë. Ma Mingzhe duhej të bindte zyrtarët e pushtetit dhe policisë vendore se drejtuesve të automjeteve u nevojitej sigurimi i makinës. Më pas "Ping An" kaloi në sigurimin e pasurive. Në vitin 1993, gjatë një vizite të Tajvan, Ma Mingzhe e kuptoi se sigurimi i jetës do të kishte një potencial në Kinën kontinentale, ku ende ishte pothuajse një koncept krejt i panjohur në atë kohë.

Ma Mingzhe solli profesionistë nga Tajvani për të ofruar trajnim. "Ping An" duhej të edukonte si klientët, ashtu edhe punonjësit e vet, pak prej të cilëve e dinin se çfarë ishte sigurimi i jetës. Në të njëjtën kohë, Ma Mingzhe shfaqi interes e besim në modelet perëndimore të menaxhimit. Për ta përgatitur "Ping An"-in për konkurrencën e ardhshme, Ma Mingzhe pa nevojën për të mësuar nga bota e jashtme. Në vitin 1994, "Ping An" u bë kompania e parë kineze e sigurimeve që kishte aksionarë të huaj ("Goldman Sachs" dhe "Morgan Stanley") dhe filloi një varg programesh për të përmirësuar aftësitë operacionale dhe të menaxhimit. "Ping An" është tashmë partner me lojtarë të tillë globalë, si HSBC, "Intel", "Microsoft" dhe HP.

Në vitin 1995 "Ping An"-i nisi të tërheqë talente nga e gjithë bota. Përgjatë dy vjetëve të mëpasëm, 1996 dhe 1997, në ekipin e menaxhimit të "Ping An"-it bënin pjesë mbi 50 ekspertë të huaj. Ma Mingzhe po ashtu ftoi më shumë se 30 trajnues nga kompani të mirënjohura të sigurimeve. Në atë periudhë nëntë ndër dhjetë ekspertët e huaj në sektorin e sigurimeve në Kinë ishin rekrutuar nga "Ping An"-i. Shumë prej tyre ishin drejtues departamentesh në këtë kompani. Kjo nuk ishte diçka e zakontë asokohe për një sipërmarrje në pjesën kontinentale të Kinës.

Ma Mingzhe i tërhoqi talentet e huaja nëpërmjet pagave të larta. Për shembull, Tang Meijuan-i, ish-kryezyrtari financiar dhe ish-menaxheri i përgjithshëm i firmës së njohur të kontabilitetit "Arthur Anderson", merrte një pagesë vjetore prej 9 milionë dollarësh hongkongas, përveç aksioneve në kompani. Ndërsa eksperti nga firma e konsultimit të menaxhimit "McKinsey" Zhang Zixin paguhej rreth 8 milionë dollarë hongkongas. Këto paga janë më të larta se ato të menaxherëve të lartë të shumë prej kompanive kryesore të përfshira në listën e 500 kompanive më të mëdha të botës të hartuar nga revista "Fortune", ku bën pjesë edhe "Ping An"-i.

Ma Mingzhe thotë se pagat e tyre të larta ia vlenin çdo qindarkë, sepse, sipas tij, fitimet që këta ekspertë i sollën "Ping An"-it, mjaftonin për të paguar për 500 vjet këto paga. Thënia e tij e famshme lidhur me rekrutimin e "trurit të huaj" është: "Përse të lodhesh duke i rënë lumit përqark, nëse ka një urë nga mund të kalosh në bregun tjetër?"


Foto: 豫民 / 东方IC

"Ping An" mbulon tani të gjitha aspektet e industrisë financiare, duke përfshirë, përveç sigurimit të pasurisë e të jetës, edhe pensionet e sigurimet shëndetësore, shërbimet bankare, menaxhimin e pasurive, fondet etj. Ma Mingzhe e ka shndërruar "Ping An"-in nga një kompani sigurimi pasurish në një prej grupeve të integruara financiare më të mëdha në Kinë, me degë në më shumë se 1000 qytete kineze.

"Ping An"-i ka klientë mbi 56 milionë individë e 4 milionë kompani, si edhe më shumë se 560 000 punonjës e agjentë të shitjes të sigurimeve. Ambicia e grupit është që të bëhet udhëheqës global i shërbimeve të integruara financiare gjatë disa viteve të ardhshme.

Grupi i Sigurimeve "Ping An" është i kuotuar si në Bursën e Hong-Kongut, ashtu edhe në Bursën e Shangait, dhe renditet ndër 20 sipërmarrjet kryesore financiare në botë për sa i përket vlerës së tregut dhe i treti për sa u përket grupeve globale të sigurimeve. "Ping An" është e vetmja kompani kineze sigurimesh e përfshirë në listën e 500 korporatave më të mëdha botërore të "Forbes"-it, ku renditet në vendin e 147-të. "Ping An"-i, është i përfshirë, siç u përmend, edhe në listën e 500 kompanive kryesore botërore të revistës "Fortune".

Në shumë elemente "Ping An"-i ka qenë në krye të sektorit të sigurimeve e të atij financiar në përgjithësi dhe ka ndihmuar në reformimin e zhvillimin e këtyre sektorëve. Ma Mingzhe ka shkruar shumë artikuj për teoritë financiare e të sigurimeve, të mirëpritura brenda dhe jashtë Kinës.

Që nga viti 1992, Ma Mingzhe nisi të përdorë mësimet e Konfucit (kodet morale dhe sociale) për të formuar një rrugë të veçantë të "Ping An"-it, për t'i trajtuar klientët dhe bashkëpunëtorët me respekt, ndershmëri dhe besnikëri. Sot në selinë e "Ping An"-it në Shenzhen ka dy statuja bronzi: një e Konfucit dhe një e Ajnshajnit. Ndërveprimi mes Lindjes e Perëndimit është kultura e sipërmarrjes e krijuar nga Ma Mingzhe. "Ping An"-i ka marrë më të mirën nga praktikat perëndimore të menaxhimit, duke i ndërthurur ato në mënyrë krijuese me vlerat konfuciste dhe shpirtin kinez të biznesit.

Në vitin 2000 Ma Mingzhe nisi të zbatojë qasjen e "katër shtyllave" të rritjes së biznesit, që përfshijnë një model biznesi të përqendruar te klienti, funksionimin e mbështetur mbi rregullat, menaxhimin e performancës të mbështetur te tregu dhe një menaxhim të informacionit të integruar në mbarë kompaninë.

Bazuar në "katër shtyllat", "Ping An"-i u përqendrua në krijimin e një kulture të vetën të korporatës, vlerëson meritën mbi vjetërsinë dhe ofron trajnim të vazhdueshëm për punonjësit e vet.


Foto: WeiLeng Tay / 东方IC

Ma Mingzhe beson se guri i themelit i "Ping An"-it është ndershmëria. Sipas tij, ndershmëria është oksigjeni për të gjitha sipërmarrjet, sidomos për një kompani sigurimesh, pasi ajo është e lidhur me jetën e njerëzve. Paratë e depozituara aty mund të tërhiqen pas 20-30 vjetësh. Për këtë arsye, një kompani sigurimesh duhet të fokusohet në marrëdhëniet dhe planifikimin afatgjatë, për të fituar besimin e klientëve. "Klientët na japin paratë e tyre të fituara me mund. Paratë për arsimimin dhe dasmën e fëmijëve të tyre, për pensionin ose jetën e tyre. Ata na besojnë paratë dhe lumturinë e gjithë jetës së tyre. Po t'i mashtronim, do të na vinte turp edhe të hanim bukë. Duart tona që do të kishin marrë paratë e tyre, do të dridheshin, dhe zemrat tona që i kishin mashtruar, kurrë nuk do të gjenin paqe," thotë Ma Mingzhe.

Qenia në listën e 500 kompanive më të mëdha në botë të "Fortune" është vetëm një qëllim afatshkurtër për "Ping An"-in, dhe po ashtu zotërimi i tregut kinez nuk është "fundi i lojës" për të, por fillimi, hedhja e themeleve për udhëheqjen globale. Për t'u bërë një udhëheqës global në shërbimet financiare, "Ping An" është zgjeruar në sektorin bankar dhe menaxhimin e pasurive. Ma Mingzhe dhe menaxherët e lartë të kompanisë zotërojnë energji, ekspertizë ndërkombëtare dhe disiplinën për të vendosur një vizion afatgjatë për rritjen. Dhe ata mund të realizojnë ambiciet e tyre në tregjet në zhvillim të shpejtë në Kinë, si sigurimet dhe shërbimet bankare.

Për sa i përket argëtimit, Ma Mingzhe-sëi pëlqejnë pajisjet më të fundit elektronike. Por kjo pasqyrohet edhe te "Ping An"-i, ku menaxherët e lartë, që dikur përdornin "Nokia", tani përdorin "iPhone" dhe "iPad" nën ndikimin e tij.


Foto: 吴军 / 东方IC

Ma Mingzhe është gjithashtu i interesuar për sektorin e internetit dhe beson se interneti do të jetë një strategji e ardhshme për "Ping An"-in.

Ma Mingzhe merret edhe me bamirësi. Ai krijuar bashkë me familjen e vet fondacionin e bamirësisë "Ming Yuan", që ka si synim ndihmën për të varfrit dhe viktimat e fatkeqësive, kujdesin për gratë, fëmijët dhe të rinjtë në zonat e goditura nga varfëria, si edhe zhvillimin kulturor.

Ma Mingzhe është nderuar me shumë çmime përgjatë viteve, si "Njeriu i sektorit të sigurimeve i vitit", "Sipërmarrësi i vitit i Kinës", "Bamirësi i vitit" dhe "60 njerëzit me ndikim më të madh në 60 vjet në Kinë".

Një tjetër kompani sigurimesh me zhvillim të shpejtë në Kinë dhe që ka bërë lajm kohët e fundit edhe në medien kryesore ndërkombëtare për një blerje në shifra të larta është Grupi i Sigurimeve "Anbang".   

"Anbang" është një grup i gjithanshëm sigurimeshi themeluar në vitin 2004 dhe përfshin biznese të ndryshme, si sigurimi i pasurisë, sigurimi i jetës, sigurimet shëndetësore, menaxhimi i pasurive, shitja dhe ndërmjetësimi i sigurimeve dhe shërbimet bankare. Grupi i Sigurimeve "Anbang" ka në përbërje të tij shtatë kompani, duke përfshirë Kompaninë e Sigurimit të Pasurisë "Anbang", Kompaninë e Sigurimit të Jetës "Anbang", Kompaninë e Sigurimeve Shëndetësore "Hexie" dhe Kompaninë e Menaxhimit të Pasurive "Anbang". Grupi i Sigurimeve "Anbang" ka një pasuri të përgjithshme prej 700 miliardë juanësh (rreth 115 miliardë dollarë amerikanë), më shumë se 3 000 degë, mbi 20 milionë klientë e degë menaxhimi pasurish jashtë vendit.


Foto: 吴长青 / 东方IC

Gjatë dhjetë vjetëve zhvillimi të qëndrueshëm, Grupi i Sigurimeve "Anbang" është përhapur në mbarë Kinën. Mbështetur në rrjetin e vet të shpërndarë në 31 provinca, qytete dhe rajone autonome në tërë Kinën, "Anbang" është një nga grupet e sigurimeve me degët më të shumta në Kinë, të cilat jo vetëm kanë promovuar zhvillimin e shpejtë të biznesit, por edhe kanë hedhur themele të forta për ofrimin nga "Anbang" në kohë dhe cilësi të shërbimeve për klientët.

Grupi i Sigurimeve "Anbang" ka si parim shërbimi "Përdorim mençurinë tonë, zbatojmë ligjin, u përgjigjemi shpejt ndryshimeve, punojmë në mënyrë efektive në grup dhe krijojmë përfitime të ndërsjella duke mbështetur njëri-tjetrin". Grupi ka si moto: "Klienti i pari, shpejtësia e ​​para". Duke synuar arritjen e standardeve ndërkombëtare dhe një zhvillimin afatgjatë e të qëndrueshëm, "Anbang" ka krijuar një ekip ndërkombëtar profesional menaxhimi. Grupi i Sigurimeve "Anbang" ka një platformë të integruar burimesh, që u sigurojnë klientëve të tij shërbime financiare profesionale, gjithëpërfshirëse dhe shumënivelëshe.

Grupi i Sigurimeve "Anbang" e vë theksin te klientët, punonjësit dhe aksionarët e vet, dhe, si një sipërmarrje me përgjegjësi shoqërore, në mënyrë aktive u përkushtohet programeve të mirëqenies publike dhe të bamirësisë e ndihmës në raste fatkeqësish. Përveç kësaj, kompania është mjaft e përfshirë në veprimtaritë që kanë të bëjnë me arsimimin dhe zhvillimin e të rinjve.

  Kriza e besimit është bërë një faktor mjaft kufizues për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit kinez të sigurimeve, ku për këtë arsye ka marrë një përparësi të madhe krijimi i një imazhi marke të besueshëm. Ndërkohë, bashkë me promovimin e sektorit të sigurimeve si një i tërë, vetëdijësimi për markën te sipërmarrjet e ndryshme është gjithashtu në rritje. Gjigandët e sigurimeve, të tillë si PICC, "Ping An" dhe "China Pacific Insurance", po promovojnë industrinë e sigurimeve për të forcuar imazhin e përgjithshëm të markës së tyre.

"Ne shpresojmë të krijojmë një imazh të mirë dhe të besueshëm të markës 'Anbang'," thotë presidenti i Grupit të Sigurimeve "Anbang" Zhang Feng. Sipas specialistëve, konsumatorët kryesisht blejnë sigurime në bazë të besimit, prandaj Grupi i Sigurimeve "Anbang" së pari është përpjekur për të forcuar imazhin e vet të korporatës për të krijuar një imazh të besueshëm marke, dhe pastaj ka bërë publicitetin e produkteve të veçanta.

    Sipas një sondazhi në internet të realizuar këtë vit nga Shoqata e Sigurimeve të Kinës, mbi 60 % e përdoruesve të internetit mendojnë se shërbimi i ofruar nga kompanitë e sigurimeve ka një ndikim themelor në imazhin e markës të këtyre kompanive. Shërbimi është një forcë shtytëse për kompanitë e sigurimeve për të forcuar imazhin e markës e për të fituar besnikërinë e konsumatorit. Sipas presidentit të Grupit të Sigurimeve "Anbang" Zhang Feng, kompania ka marrë masa efektive për t'u kushtuar vëmendje mendimeve të konsumatorëve dhe për të përmirësuar shërbimet, për të mundësuar kështu forcimin e imazhit të markës.

  Tani Grupi i Sigurimeve "Anbang" organizon pyetësorë nëpërmjet platformave të biznesit elektronik, për të rritur ndërveprimin e për të krijuar lidhje me klientët, duke vizituar lagjet e banimit, parqet dhe zyrat për të mbledhur mendimet e sugjerimet e klientëve nëpërmjet më shumë se 3000 zyrave të degëve të veta në të gjithë Kinën. Në të njëjtën kohë, janë ngritur pika këshillimi pranë çdonjërës prej këtyre zyrave. Klientët mund t'i vizitojnë këto pika për t'u konsultuar ose për të bërë ankesa, gjë që ndihmon për të rritur kënaqësinë e konsumatorit me shërbimet e kompanisë.

Javën e kaluar Grupi i Sigurimeve "Anbang" bleu hotelin "Waldorf Astoria" në Nju-Jork. "Anbang" ia bleu këtë ndërtesë simbol të Nju-Jorkut "Hilton Worldwide" për 1.95 miliardë dollarë amerikanë. Kjo është shuma më e madhe e paguar ndonjëherë nga një blerës kinez për një ndërtesë në ShBA, si edhe shuma më e madhe e paguar për një hotel në ShBA. "Vërtet që nuk ka shitje tjetër që të krahasohet me të," thotë Bruce Ford, nënkryetar dhe drejtor i zhvillimit të biznesit global në firmën "Lodging Econometrics". "Kjo është prona më e veçantë në vendin më të veçantë në botë."

Hoteli historik luksoz "Waldorf Astoria" ka më shumë se 1 400 dhoma, disa prej të cilave kushtojnë deri në 2 000 dollarë nata.

Investitorët aziatikë, veçanërisht ata kinezë, kanë blerë disa prej pasurive të patundshme kryesore në Nju-Jork vitet e fundit. Kështu miliarderi hong-kongas Cheng Yu Tung bleu hotelin "Carlyle" në vitin 2011. Vitin e kaluar, firma e pasurive të patundshme "Soho" e Kinës bleu 40 % të Ndërtesës së "General Motors" në Manhattan në një marrëveshje me vlerë 1.4 miliardë dollarë amerikanë. Konglomerati kinez "Fosun International" investoi në pasuritë e patundshme në ShBA, duke blerë ndërtesën 60-katëshe "One Chase Manhattan Plaza" nga "JPMorgan" për 725 milionë dollarë amerikanë.

Kevin Mallory, kreu i njësisë globale të hoteleve në Grupin CBRE, shprehet: "Po shohim një strategji diversifikimi të zbatuar nga kompanitë e sigurimeve dhe kompani të tjera, dhe kjo është e vërtetë edhe kur vjen fjala te investitorët privatë kinezë."

Kur blerja nga "Anbang"-u e hotelit "Waldorf Astoria" të ketë përfunduar, vlerësohet se investitorët kinezë do të kenë shpenzuar 2.7 miliardë dollarë amerikanë në pasuritë e patundshme në zonën e Nju-Jorkut vetëm këtë vit, ose 100 milionë më shumë se vlera e shpenzuar në krejt vitin e kaluar.

Në të vërtetë, ka një shtim të investimeve kineze në pasuritë e patundshme në mbarë botën. Vlerësohet se blerësit kinezë vjet blenë pasuri të patundshme komerciale jashtë vendit me vlerë 7.6 miliardë dollarë amerikanë, një rritje prej 125 për qind krahasuar me vitin 2012. Shifra mendohet se mund të arrijë në 10 miliardë dollarë sivjet.


Foto: Richard Levine / 东方IC

"Waldorf Astoria", të cilin Conrad Hilton, themeluesi i kompanisë së njohur të hoteleve me të njëjtin emër, e bleu në vitin 1949, 18 vjet pas ndërtimit, është skena ku janë xhiruar shumë filma, të tilla si "Fundjavë në Waldorf", si edhe vendi që ku qëndroi për disa kohë Marilyn Monroe, pas largimit nga "Hollivudi".

Por "Waldorf Astoria" ka edhe një lidhje të fortë me Kinën.

Muajin e kaluar ky hotel gumëzhinte nga qindra investitorë që ishin mbledhur aty për të dëgjuar nga themeluesi i kompanisë kineze të internetit "Alibaba" Ma Yun shpalljen e ofertës publike fillestare të kompanisë, më e larta në histori. Po Ma është vetëm i fundit në një varg të gjatë personalitetesh të njohura kineze që kanë qëndruar në këtë hotel, i cili shpesh ka përjetuar zhvillime të rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-ShBA.

"Waldorf" ka qenë zgjedhja kryesore për një numër udhëheqësish kinezë, duke përfshirë Ten Hsiao Pinin, Jiang Zemin-in e Hu Jintao-n.

Ten Hsiao Pini, atëherë zëvendëskryeministër, qëndroi në "Waldorf Astoria" gjatë udhëtimit të tij të parë në ShBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 1974. Në këtë hotel sekretari amerikan i Shtetit, Henri Kisinger, organizoi një banket për nder të Ten Hsiao Pinit.

Ish-presidenti Jiang Zemin qëndroi në "Waldorf Astoria" gjatë udhëtimit të tij të parë në ShBA në vitin 1997, dhe pastaj në vitin 2000, kur u takua me presidentin e atëhershëm Bill Klinton.

Pasardhësi i tij, Hu Jintao, bujti në "Waldorf Astoria" në shtator 2005, kur ndodhej në Nju-Jork për të marrë pjesë në 60-vjetorin e Kombeve të Bashkuara, dhe në shtator 2009 për një takim me presidentin Barak Obama.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China