PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Hekurudha kineze shkon drejt botës me shpejtësi të madhe
2014-08-26 16:56:54 CRI Komenti juaj Printoni

Në Kinë hekurudha me shpejtësi të madhe ka shkurtuar në mënyrë të ndjeshme largësinë mes qyteteve të ndryshme, duke ndryshuar jetën e banorëve. Në fund të vitit 2012 u vu në funksionim linja më e gjatë e hekurudhës me shpejtësi të lartë në botë, ajo mes Pekinit dhe Guangzhout. Me këtë linjë, 2298 kilometra të gjatë, udhëtimi nga kryeqyteti Pekin për në Guangzhou të Kinës Jugore është shkurtuar në 8 orë, nga 30 orë që ishte më parë.

Hekurudha me shpejtësi të lartë jo vetëm ofron transport të shpejtë, por edhe krijon lehtësi të madhe, pasi stacionet hekurudhore shpesh ndodhen në qendër të qytetit. Tani gjithnjë e më shumë njerëz që udhëtojnë ndërmjet Pekinit, Shangait dhe Guangzhout zgjedhin hekurudhën në vend të aeroportit.

Zonja Long është një prej tyre:

"Po të zgjedh aeroplanin, do të harxhoj një orë rrugë nga qyteti për në aeroport. Për pritjen e aeroplanit shpesh harxhoj së paku një orë dhe aeroplani fluturon për së paku dy orë e gjysëm. Pasi të mbërrij, do të harxhoj edhe një orë për bagazhet dhe për të shkuar në qendër të qytetit. Të gjitha këto shkojnë 6-7 orë. Kështu që treni me shpejtësi të lartë është një zgjedhje e mirë. Krahas udhëtimit të shpejtë, mund të flas me telefon gjatë rrugës".

Në Kinë linja e parë hekurudhore me shpejtësi të lartë, që filloi të ndërtohej në vitin 1999, ishte nga Qinhuangdao afër Pekinit për në Shenyang të Kinës Verilindore. Deri në fund të vitit 2013, në Kinë janë ndërtuar gjithsej 11 028 km hekurudhë me shpejtësi të lartë, duke zënë 50 % të gjatësisë së përgjithshme të këtyre hekurudhave në shkallë botërore. Përveç kësaj, janë në ndërtim edhe 12 mijë kilometra hekurudha të tilla. Ndërkohë, hekurudha me shpejtësi të lartë e Kinës ofron transport vërtet të shpejtë. Shpejtësia më e madhe në funksionim real është 380 kilometra në orë, ndërsa shpejtësia maksimale në testim mund të arrijë në 486.1 km/orë. Me një zhvillim kaq të shpejtë të hekurudhës me shpejtësi të madhe, sistemi hekurudhor kinez ka tashmë gjatësinë më të madhe, ritmet më të shpejta të ndërtimit dhe shpejtësinë më të lartë në mbarë botën.

Ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë është një zgjedhje praktike për Kinën, sepse është një vend me popullsi të madhe dhe burime të pakta. Transporti ajror nuk është një rrugë shumë e përshtatshme për mbartjen masive. Për shembull, në ShBA, ku transporti ajror është shumë i përhapur, ka një aeroplan për 50 mijë veta, ndërsa në Kinë, nëse do të arrihej në raportin një aeroplan për 100 mijë veta, do të harxhoheshin 1.3 miliardë naftë bruto në vit. Tani në Kinë rezerva e zbuluar e naftës arrin vetëm në 200 milionë tonë naftë, çka është shumë larg kërkesës së madhe të tregut. Përveç kësaj, në krahinat lindore të Kinës, dendësia e popullsisë është 400 banorë për kilometër katror, ndërsa në ShBA dhe Gjermani përkatësisht 36 dhe 220 banorë/km2. Kështu, në krahasim me këto vende të zhvilluara, hekurudha me shpejtësi të lartë në Kinë përputhet më mirë me gjendjen e vendit.

Wang Derong është zv.kryetar i përhershëm i Shoqatës së Transportit të Kinës. Ai u shpreh:

"Modeli kryesor i transportit në Kinë dhe në të gjitha vendet përcaktohet nga gjendja e zhvillimit dhe procesi i industralizimit. Gjendja në Kinë nuk na lejon të ecim në rrugën e vendeve europiane dhe të ShBA-së. Veçanërisht në kohën e sotme, kur burimet dhe mjedisi janë bërë një problem shumë serioz, Kina duhet të gjejë rrugën e vet të veçantë. Ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë mund të ngushtojë hendekun e zhvillimit mes Kinës Perëndimore dhe mbarë botës, çka mund të ulë mjaft koston e zhvillimit."

Në vitin 2004, Këshilli i Shtetit i Kinës miratoi "Planin afatmesëm dhe afatgjatë të rrjetit hekurudhor", duke propozuar në mënyrë të qartë që të ndërtohet një rrjet hekurudhor me teknologji të lartë, i projektuar dhe prodhuar në mënyrë të përbashkët dhe i markës kineze. Kjo do të thotë që ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë në Kinë, duke u bazuar nga teknologjitë e fundit botërore, duhet të ndërthurë edhe idetë e konceptet e reja, për të krijuar një platformë të unifikuar teknologjike dhe për të gjetur një rrugë të përshtatshme për gjendjen e vendit.

Zv.kryemenaxheri i Drejtorisë së 15-të të Korporatës Hekurudhore të Kinës (CREC) Xi Zhongwei tregon që para disa kohësh, gjatë ndërtimit të një hekurudhe, personeli teknik zbuloi që përqindja e çimentos në projektin e paraqitur nga një kompani gjermane nuk përputhej me kërkesat e ndërtimit në Kinë. Kështu, inxhinierët dhe teknikët mposhtën vështirësitë e shumta, duke gjetur projektin më të përshtatshëm.

"Kemi bërë shumë përpjekje, kemi bërë mbi 10 mijë prova dhe sigurisht kemi pasur vështirësi të mëdha. Por projekti ynë për përqindjen e çimentos ka ndërthurur standardin gjerman me atë vendës dhe ka një ndryshim thelbësor nga projekti origjinal i palës gjermane," thotë Xi Zhongwei.

Në fakt, problemi që kanë hasur Xi Zhongwei dhe kolegët e tij është vetëm një pjesë e vogël e procesit të zhvillimit të hekurudhës me shpejtësi të lartë në Kinë. Gjatë këtyre viteve, vetëm në ndërtimin e hekurudhës Wuhan-Guangzhou janë marrë 946 patenta profesionale, duke zotëruar 9 teknologji thelbësore dhe 10 të tjera dytësore në këtë fushë. Për këto arritje në fushën e pronësisë intelektuale, ata që janë të përfshirë në ndërtimin e hekurudhës së shpejtësisë së lartë ndihen shumë krenarë. Zv.kryemenaxheri i Drejtorisë së Urave pranë CREC-ut Wen Wusong është një nga ata. Ai thotë:

"Kemi pasur risi në 4 drejtime kryesore: materiale, strukturë, pajisje dhe standardin e prodhimit. Ato tregojnë arritjet tona në rinovimin e teknologjisë për ndërtimin e urave dhe hekurudhave. Vlen të përmendet që çdo arritje është bërë me të drejta të pavarura të pronësisë intelektuale dhe se kemi aplikuar për shtatë patenta teknologjike në rang kombëtar. Ne i kemi krijuar të gjitha këto dhe ato i takojnë të gjithë popullit kinez."

Hekurudha me shpejtësi të lartë jo vetëm ka ndryshuar jetën e banorëve në Kinë, por edhe ka tërhequr vëmendjen jashtëzakonisht të madhe jashtë vendit. Deri tani Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimit lidhur me hekurudhën me shpejtësi të lartë me Laosin, Tajlandën, ShBA-në, Rusinë dhe Brazilin. Ndërsa me Mianmarin, Poloninë, Indinë dhe vendet e Azisë Qendrore është arritur konsenus për bashkëpunim në këtë fushë. Në fund të vitit 2013, gjatë samitit të udhëheqësve të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, Kina nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për hekurudhën që do të lidhë Hungarinë me Serbinë, ndërtimi i së cilës ka filluar. Në muajin maj të sivjetshëm, gjatë vizitës së kryeministrit kinez Li Keqiang në Afrikë, Kina e Nigeria nënshkruan një kontratë kornizë për ndërtimin e një linjeje hekurudhore në bregdet. Krahas kësaj, kryeministri Li deklaroi që Kina do të ndërtojë një qendër kërkimore për hekurudhat në Afrikë dhe do ta ndajë teknologjinë e vet në këtë fushë me vendet e tjera. (Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China