PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Li Hejun-i, njeriu që arrin sukses atje ku të tjerët dështojnë
2014-07-29 11:04:02 CRI Komenti juaj Printoni


"Nëse hyn në listën e të pasurve të Forbes-it, pa kaluar shumë do të jesh i mbaruar": kështu thuhet në romanin e një shkrimtari kinez me titull "Mallkimi i Forbes-it". Por duket se kjo nuk është diçka që e shqetëson edhe aq shumë Li Hejun-in, themeluesin dhe drejtuesin i Grupit "Hanergy", i cili debutoi në "Listën e të pasurve të kinës" të "Forbesit" vitin e kaluar, duke u renditur menjëherë në vendin e katërt, dhe jo pak, por me pothuajse 11 miliardë $, teksa lista e njerëzve më të pasur të Kinës e publikuar së fundmi nga revista kineze "New Fortune" e nxjerr atë njeriun më të pasur në Kinë, me 13.9 miliardë $. Li vlerësoshet si një njeri, nga i cili të tjerët mund të marrin frymëzim kur bëhet fjalë për energjinë e gjelbër, dhe është bërë miliarder falë energjisë së përtëritshme.


Li Hejun

Li Hejun-i ka lindur në gusht të vitit 1967 në provincën Guandong të Kinës Jugore, në Dongyuan, një zonë e njohur për njerëzit e vet kursimtarë, me kulturë dhe që punojnë shumë. Li Hejun-i është një prej atyre pak të rinjve nga zona e vet që kanë studiuar në Pekin, pikërisht në Universitetin Jiaotong, për inxhinieri mekanike. Li e kishte biznesin në gjak dhe, që kur ishte student, nisi të merrej me tregti, duke shitur në kohën e lirë cigare. Pas diplomimit në vitin 1988, Li Hejun-i vendosi të mos punojë në profesionin e vet për të cilin kishte kryer studimet, pra si inxhinier mekanik, por vijoi merret me biznes. Li i huajti 50 000 juanë (rreth 8200 dollarë) një profesori të vet të universitetit dhe nisi tregtinë. Siç thotë vetë, fillimisht u përpoq të merrej me shitjen e gjithçkaje, duke nisur nga uji mineral e deri te pajisjet elektronike. Suksesi në tregti e bëri që të investonte në fusha të tjera, si minierat dhe pasuritë e patundshme. Në vitin 1994, me një kapital fillestar prej 80 milionë juanësh (13 milionë dollarë me kursin e sotëm) Li Hejun-i krijoi Kompaninë e Tregtisë dhe të Zhvillimit "He Tai He" të Pekinit, e cila më pas do të pagëzohej Grupi "Hanergy".

Në vitet '90 të shekullit të kaluar shumë njerëz në Kinë ishin pesimistë për investimet në sektorin e energjetikës, por Li vendosi të investojë në projekte të energjisë së pastër.

Teksa sektori kinez i manifakturës nisi të ketë një zhvillim të madh, Kina po përballej me ndotjen gjithnjë e më të rëndë të mjedisit, duke bërë kështu që t'i jepej një rol gjithnjë e më të rëndësishëm energjisë së pastër. Për këtë arsye, energjia e pastër është bërë një energji e promovuar fuqishëm nga qeveria kineze, e cila ka nxitur prodhimin e energjisë diellore dhe shfrytërimin e burimeve të tjera të energjisë, duke përfshirë edhe atë të erës dhe bioenergjinë. Dhe Grupi "Hanergy" ka përfituar nga kjo, duke treguar edhe drejtësinë e vizionit strategjik të Li Hejun-it. Investimi i suksesshëm në hidrocentrale e më pas në energjinë diellore dhe të erës jo vetëm që përbën kontribut për shoqërinë, por u bë edhe një "burim të hollash" për Grupin "Hanergy". Për Li-në energjia e pastër është një biznes i madh.

Në vitin 2002 Li Hejun-i nënshkroi në emër të Grupit "Hanergy" një marrëveshje për të ndërtuar gjashtë nga tetë veprat hidroelektrike në provincën jugore Yunnan. Deri në atë kohë asnjë kompani private në Kinë nuk kishte investuar në një digë hidroelektrike që tejkalonte kapacitetin 1 milion kilovatë dhe Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës nuk e miratoi marrëveshjen. Në fund Li Hejun-it iu miratua vetëm marrja e njërit nga projektet.

Grupi "Hanergy" e ndërtoi hidrocentralin të vet të parë, të quajtur "Mujing", në lumin Donjiang të provincës Guandong. Fitimet nuk ishin të mëdha, por të qëndrueshme. Më vonë "Hanergy" do të ndërtonte rreth 10 hidrocentrale të tilla. Por vepra më madhore e kësaj kompanie do të ishte Stacioni Hidroelektrik "Jinanqiao" në lumin Jinsha në provincën Yunnan, me një investim prej 3.2 miliardë dollarësh dhe me një kapacitet deri në 3 milionë kilovatë, 10 % më shumë se i veprës së njohur, Projekti i Kontrollit të Ujit "Gezhouba". Por, nëse për ndërtimin e Projektit të Kontrollit të Ujit "Gezhouba" me investime shtetërore u deshën 17 vjet, Grupit "Hanergy" iu nevojitën vetëm 8 vjet për të përfunduar ndërtimin e Stacionit Hidroelektrik "Jinanqiao", duke treguar kështu forcën e vet si një sipërmarrje private.

"Unë shpresoj se 'Hanergy' do ta transformojë peizazhin global të energjisë dhe do të bëhet një nga kompanitë me ndikim më të madh në botë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm," thotë Li Hejun-i. "Kam bindje të plotë për këtë, sepse 'Hanergy' është një mrekullibërës dhe Stacioni Hidroelektrik 'Jinanqiao' është mrekullia e parë që bëmë. Unë besoj se në të ardhmen ne do të vazhdojmë të bëjmë më shumë mrekulli."

Stacioni Hidroelektrik "Jinanqiao" është një nga hidrocentralet më të mëdha në pronësi private në botë, që krijon 500 milionë dollarë të ardhura në vit. Kjo është një sasi e madhe parash, e megjithatë Li Hejun-i nuk u ndal aty. Ai e ktheu vështrimin nga energjia e erës dhe energjia diellore. "Hanergy" ka tani 18 impiante të energjisë diellore dhe dy centrale të prodhimit të energjisë së erës.

"Hanergy" ka arritur sukses si një "integrues i teknologjisë globale", veçanërisht në industrinë fotovoltaike diellore, dhe Li Hejun-i thotë se çelësi për këtë është zotërimi prej kompanisë së tij i teknologjive të siguruara si nëpërmjet vetërisive, ashtu edhe blerjes.

"Hanergy" vitet e fundit i ka hedhur sytë jashtë vendit për blerjen e kompanive të huaja të energjisë diellore me teknologji të përparuar. Kështu, në qershor 2012, "Hanergy" bleu "Solibro", një njësi e grupit gjerman të produkteve të energjisë diellore "Q-Cells", që prodhon module të shtresave të holla duke përdorur teknologjinë e ashtuquajtur të bashkavullimit CIGS.

Sipas kësaj teknologjie, shtresat e holla bëhen nga një përbërës i quajtur CIGS (nistoret e fjalëve në gjuhën angleze për metalet e bakrit, indiumit, galiumit dhe selenitit). Ato mund të futen midis pllakave të xhamit që përdoren në dritaret e një ndërtese ose të integruara në materiale elastike për përdorim në çatitë e këtyre ndërtesave.

Rendimenti i moduleve diellore të prodhuara në seri me këtë teknologji tani ka arritur në nivelin më të përparuar në botë prej 15.5 për qind.

Në tetor po të vitit 2012, "Hanergy" bleu për 30 milionë dollarë amerikanë "Miasole", edhe ky një prodhues panelesh diellore me shtresa të holla me qendër në Kaliforni, që ndodhej në një gjendje jo të mirë financiare. Li Hejun-i u shpreh me atë rast se "Hanergy" mund të arrijë sukses me teknologjitë e reja edhe aty ku të tjerët kanë pësuar humbje të mëdha.

Li Hejun-i thekson se, që kur hyri fillimisht në fushën e energjisë diellore, e dinte se teknologjia e shtresave të holla do të ishte një prirje e pashmangshme për zhvillimin e ardhshëm të industrisë globale të energjisë diellore. Ai thotë se kjo teknologji është një përmirësim i teknologjisë tradicionale të silicit kristalor dhe mund të jetë një zgjidhje për kompanitë kineze të pajisjeve të energjisë diellore, të cilave u duhet të përballen me taksat e larta të ShBA-së dhe BE-së të vendosura mbi to.

Deri në 95 për qind e paneleve diellore të prodhuara në Kinë shiten jashtë vendit, sidomos në vendet e BE-së, që janë importueset më të mëdha të paneleve diellore kineze.

"Hanergy" njoftoi në vitin 2012 se është bërë prodhuesi më i madh në botë i moduleve diellore të shtresave të holla, me një kapacitet vjetor deri në 3 gigavatë (GW), të cilat mund të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e një viti të tërë të një qyteti me një popullsi prej 10 milionë banorësh. Në vendlindjen e vet, qytezën Heyuan, Li Hejun-i investoi 21 miliardë juanë për një impiant panelesh diellore të shtresave të holla, më i madhi i këtij lloji në botë.

"Teknologjia fotovoltaike diellore e shtresave të holla është prirja e tanishme e zhvillimit global në industrinë fotovoltaike diellore dhe qëndron në thelb të strategjisë fotovoltaike të Hanergy," tha Li Hejun-i.

"Hanergy" përfundoi vitin e kaluar projektin e prodhimit të energjisë diellore me panele me shtresë të hollë në selinë e vet në Pekin, me një kapacitet të instaluar prodhimi 3 megavat. "Energjia elektrike e prodhuar nga kjo vepër është në gjendje të përmbushë nevojat e deri në 1 000 të punësuarve në ndërtesën e selisë sonë," thotë Li Hejun-i.

Ai shton se kompania është në bisedime me bashkinë e Pekinit për të zhvilluar projekte të prodhimit të energjisë elektrike në qytet.

"Hanergy" do të zgjerojë biznesin e saj në stacionet e energjisë diellore dhe ndërtesat me energji fotovoltaike të integruar jo vetëm në tregun e jashtëm, por mbi të gjitha në tregun e brendshëm, pasi Li mendon se ky i fundit deri më tani ka qenë i shpërfillur në masë të madhe nga shumë kompani kineze të energjisë diellore. "Hanergy" planifikon të investojë 189 miliardë juanë në bashkëpunim me qeveritë e ndryshme vendore në Kinë në projekte të energjisë diellore.

Kohët e fundit Li ka qenë fokusuar në qytetet e vogla. Shumica e paneleve diellore të "Hanergy" nuk janë për shitje, por prodhohen për centralet e energjisë diellore që kompania ka ndërtuar apo planifikon për të ndërtuar dhe vënë në funksionim së bashku me qeveritë vendore në Kinë. Barra financiare e një projekti sipas modelit të biznesit të "Hanergy" është e ndarë më tresh: qeveria vendore, banka dhe kompania secila sigurojnë 33 për qind të fondeve fillestare. Li bëri një përjashtim vetëm për qytezën e vet, duke i mbuluar të gjitha shpenzimet.

"Unë besoj se tregu i energjisë fotovoltaike diellore i Kinës do ta rimarrë veten së shpejti dhe do t'ia kalojë tregut të ShBA-së dhe tregut europian, duke u bërë tregu më i madh në botë," shprehet Li Hejun-i.

Grupi "Hanergy" është tashmë një kompani shumëkombëshe e prodhimit të energjisë elektrike nga energjia e pastër me më shumë se 10 000 të punësuar. Ajo ka degë në disa provinca në Kinë, si dhe në Amerikën e Veriut, Evropë, Azi-Paqësor dhe rajone të tjera.

Që nga themelimi i saj, "Hanergy" ka qenë e përkushtuar për "ndryshimin e botës me energjinë e pastër". Aktualisht, kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve të kësaj kompanie i kalon 6 GW, dhe kapaciteti i instaluar i impianteve të energjisë së erës është 131 MW. Në fushën e energjisë diellore, "Hanergy" ka investuar deri tani 27 miliardë juanë (rreth 4 miliardë dollarë) në qendrat e studimit dhe bazat e prodhimit të shtresave të holla në të gjithë Kinën, me një kapacitet total prodhues prej 3 GW. "Hanergy" ka hyrë në marrëveshje për ndërtimin e impianteve të energjisë diellore me një kapacitet të përgjithshëm prej rreth 10 GW jo vetëm në Kinë, por edhe në vendet europiane.

Në shkurt 2014 "Hanergy u zgjodh nga revista "Technology Review" e MIT-it si një nga "50 kompanitë më të zgjuara" në mbarë botën. "Hanergy" është e vetmja kompani kineze e energjisë që është nderuar me këtë çmim, një ndër çmimet kryesore në botë për sa u përket risive teknologjike.

Blerja njëra pas tjetrës brenda një viti e dy kompanive të njohura botërore të energjisë diellore - "Solibro" dhe "Miasole" - nga Kompania e Energjisë Diellore "Hanergy", një degë e Grupit "Hanergy", e kuotuar në Bursën e Hong-Kongut, dhe njoftimi po nga Kompania e Energjisë Diellore "Hanergy" e fillimit të zbatimit të projekteve të mëdha në provincën Qinghai dhe Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit në shtator të vitit të kaluar, bënë që çmimi i aksioneve të kësaj kompanie në Bursën e Hong-Kongut të rritet dyfish në krahasim me fillimin e vitit të kaluar dhe kapitalizimi i tregut i saj gjithashtu u ngrit ndjeshëm, nga 4.6 miliardë dollarë hongkongas në fillim të vitit të kaluar në 38.4 miliardë dollarë hongkongas në tetor 2013. Si aksioneri më i madh i Kompanisë së Energjisë Diellore "Hanergy", edhe pasuria e Li Hejun-it u rrit ndjeshëm, duke bërë pra që ai të shfaqet për herë të parë në listën e miliarderëve të Kinës vjet, duke u renditur menjëherë në vendin e katërt, me 10.9 miliard dollarë amerikanë.

Ndërkohë, sipas "Listës së 500 njerëzve më të pasur të Kinës" të publikuar nga revista "New Fortune", Li Hejun-i renditet në krye me një pasuri me vlerë 87 miliardë juanë (13.9 miliardë dollarë amerikanë).

Vitin e kaluar, krahas renditjes në listën e më të pasurve të Kinës të "Forbes"-it, Li Jehun-i, i cili është edhe kryetar i Dhomës së Tregtisë të Energjive të Reja të Kinës, u shfaq edhe në listën e sipërmarrësve të vetëbërë më të pasur me biznes kryesor në Azi. Pasuria e përgjithshme e sipërmarrësve të vetëbërë me biznes kryesor në Azi është rritur mbi 50 % vetëm në vitin e kaluar. Pasuria e përgjithshme e 10 më të pasurve prej tyre, ku përfshihet edhe Li Jehun-i, vjet arriti 169.9 miliardë dollarë amerikanë, nga 112 miliardë në vitin 2012, duke u rritur më shumë se 52 për qind. Rritja e shpejtë ekonomike e Kinës ka pasur një ndikim të madh në këtë. Shtatë nga 10 sipërmarrësit më të pasur me biznes kryesor në Azi janë nga pjesa kontinentale e Kinës ose Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong-Kongut. Vlera e përbashkët e pasurisë së tyre arrin në 128.7 miliardë dollarë, ose 70 për qind e pasurisë së përgjithshme të 10 sipërmarrësve të parë në listë, ku pra përfshihet edhe Li Hejun-i.

"Reforma dhe hapja e Kinës, si dhe zhvillimin i saj shoqëror, na kanë krijuar më shumë mundësi ne sipërmarrësve kinezë, dhe kjo është përparësia jonë kryesore, pasi ne mund të përfitojmë nga vrulli i madh i rritjes së vendit tonë," thotë ai.

Duke dhënë këshilla për ata, veçanërisht të rinj, që duan të kenë sukses në jetë e në biznes, Li Hejun-i ka këto për të thënë:"Frustrimi vjen përpara realizimit. Çdonjëri prej nesh ka përjetuar gjithfarëlloj frustrimesh, dhe sa më të mëdha të bëhen këto frustrime, aq më shumë forcohesh prej tyre. Suksesi i parakohshëm nuk është më i mirë se korrja e plotë e fryteve të punës tënde dhe frustrimi i hershëm është shumë më mirë sesa keqardhjet e pleqërisë."

Por, sipas Li-së, përpara se të përmbushësh diçka, duhet të kesh një mendje të mprehtë dhe karakter të fortë. "Sekreti për të fituar pasuri të madhe është që të kesh aspirata, besim dhe ëndrra", thekson ai. "Paraja është vetëm një nënprodukt; në qoftë se je i shqetësuar vetëm për të fituar para, kurrë nuk do të bëhesh shumë i pasur. Për aq kohë sa kemi një objektiv të qartë dhe ndjekim me këmbëngulje ëndrrat tona, procesi i bërjes së përpjekjeve në vetvete është një pasuri e paçmuar e jetës."

Para suksesit vjen përgjegjësia e madhe dhe gjithashtu duhet përkushtim dhe përpjekje të mëdha për të pasur sukses, mendon Li Hejun-i. "Ne duhet të dimë se çfarë mund të bëhet dhe çfarë nuk mund të bëhet; duhet të dimë se kur duhet të heqim dorë dhe kur duhet të vazhdojmë," thotë Li.

Për të qenë sipërmarrës i suksesshëm, duhet dashuri, shprehet ai: dashuri për vendin, dashuri për shoqërinë, dashuri për këdo në jetën tonë.

Li Jehun-i, i cili bleu një çift avionësh "Gulfstream" në vitin 2010, vendosi po ashtu dy reklama në shtypin e Hong-Kongut vitin e kaluar për të shpjeguar se si u bë një nga njerëzit më të pasur të Kinës. Por energjia diellore ka treguar se mund të jetë një sektor i rrezikshëm për manjatët, dhe shembulli më i mirë për këtë mund të jetë ai i themeluesit të kompanisë "Suntech" Shi Zhengrong. Pasi arriti në krye të listës së "Forbes"-it, Shi e pa firmën e tij të falimentonte.

Historia tregon se vetëm duke qëndruar me këmbë në tokë mund të kesh një sukses afatgjatë të biznesit. Li Jehun-i duket se e di fort mirë këtë dhe prandaj ka besim se suksesi i tij do të zgjasë edhe në vitet e tjera.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China