PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Chen Dongsheng-u: "Mëso për luftën duke luftuar, mëso për biznesin duke bërë biznes"
2014-06-17 17:17:12 CRI Komenti juaj Printoni

Pjesa më e madhe e njerëzve nuk arrijnë dot të krijojnë qoftë edhe një kompani të vetme gjatë gjithë jetës së tyre, ndërsa Chen Dongsheng-u brenda një kohe të shkurtër vetëm 3-vjeçare krijoi tre të tilla në tre sektorë krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri: shitjet në ankand, postë dhe sigurime, të cilat kanë qenë që të treja të suksesshme. Për të thuhet se e ka grumbulluar pasurinë e vet si duke u marrë me gjëra të jetës së zakonshme, siç janë dërgesat postare e sigurimet, ashtu edhe shkëlqimin e veprave të jashtëzakonshme të artit.

Chen Dongsheng-u ka lindur në Tianmen të provincës Hubei të Kinës në vitin 1957. Në vitin 1979, fill pasi në Kinë filloi politika e Reformës dhe e Hapjes, ai nisi studimet në Universitetin e Wuhan-it, kryeqendra e provincës së tij të lindjes Hubei, pikërisht në Departamentin e Ekonomisë. Sot mjaft të rinj në Kinë që dëshirojnë të studiojnë ekonomi, shkojnë për të studiuar pikërisht në Universitetin e Wuhan-it, që mund të vlerësohet kështu si njëfarë Universiteti i Çikagos i Kinës. Pas diplomimit me rezultate të mira në vitin 1983, Chen-i nisi punë në Qendrën Studimore për Vendet në Zhvillim në Institutin e Kërkimeve të Tregtisë Ndërkombëtare në varësi të Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë së Jashtme të Kinës. Gjatë kësaj kohe ai ishte njëkohësisht edhe zëvendësredaktor i revistës "Management World", si edhe mori gradën "doktor" po në Departamentin e Ekonomisë të Universitetit të Wuhan-it.

Por ashtu si shumë të tjerë, i frymëzuar nga i famshmi "tur jugor" i udhëheqësit të atëhershëm kinez Ten Hsiao Pin në vitin 1992, ku u ritheksua politika e Reformës e Hapjes dhe që çliroi një valë të re fryme sipërmarrjeje në Kinë, Chen Dongsheng-u vendosi edhe ai të nisë biznesin e vet. Në vitin 1993 ai krijoi Kompaninë e Ankandeve "Guardian" të Kinës, e para kompani në Kinën kontinentale e specializuar për shitjen në ankand të veprave të artit kinez të të gjitha llojeve.

Edhe pse sot Kompania e Ankandeve "Guardian" quhet edhe "'Sotheby's' e Kinës", Chen Dongsheng-u kujton ende edhe sot e kësaj dite vështirësitë dhe trysninë e madhe që ndiente kur e nisi për herë të parë këtë kompani. "Për ta pozicionuar atë si një biznes të nivelit të lartë, morëm me qira me 85 dollarë në ditë secilën pesë dhoma që na shërbyen si zyra në 'Grand Wall Sheraton', hotel me pesë yje," tregon ai. "Para se të zhvillonim ankandin tonë të parë në mars të vitit 1994, nuk kishim nxjerrë asnjë qindarkë të vetme të ardhura për një vit të tërë. As unë vetë nuk e di se si ia dolëm ta kalonim atë periudhë."

Sigurisht kjo sipërmarrje nuk ishte fushë me lule për Chen Dongsheng-un. "Të gjithë mendonin se isha i marrë. Nuk kisha para, e nuk kisha as edhe përvojë, dhe nuk isha ndonjë i brendshëm në këtë fushë. E pse duhej ndokush të më jepte leje për ushtrimin e këtij biznesi? Besoj se ishte vetëm përkushtimi e vendosmëria që kisha që më ndihmuan në atë kohë," shprehet ai pa e fshehur krenarinë.

Por Chen Dongsheng-u nuk u mjaftua me kaq. Duke ndjekur që në atë kohë atë që është bërë sot një këshillë mjaft e njohur nga gurutë e investimeve, ai vendosi të mos mbështetet vetëm në një burim të vetëm të ardhurash, por të investojë edhe në sektorë të tjerë. Kështu në vitin 1994, bashkë me të vëllanë, Chen Ping-un, Chen Dongsheng-u themeloi kompaninë e shërbimit të postës së shpejtë "ZJS Express", e cila është bërë tashmë një kompani pararojë në këtë sektor. Pa kaluar më shumë se dy vjet, pikërisht në 1996, Chen-i krijoi në Pekin Kompaninë e Sigurimeve të Jetës "Taikang", ku ai tashmë shërben si kryetar i bordit dhe si zyrtar kryeekzekutiv dhe që është një nga kompanitë më të mëdha në Kinë sa u përket sigurimeve të jetës dhe menaxhimit të pasurive

Ndonëse e krijoi të fundin, "Taikang"-u është fokusi kryesor i Chen Dongsheng-ut. Në të vërtetë, kompania e parë që Chen-i donte të krijonte ishte pikërisht kjo kompani sigurimesh, duke vënë re njohuritë e pakta dhe zhvillimin jo shumë të madh të tregut të sigurimeve në Kinë. Por "Taikang"-utiu deshën katër vjet për t'u miratuar nga Banka Popullore e Kinës, banka qendrore kineze, për të qenë një korporatë kombëtare. Me miratimin e "Taikang"-ut në 22 gusht 1996, Chen Dongsheng-uu bë i pari zyrtar kryeekzekutivnë sektorin e shërbimeve financiare në Kinë.

Në vitin 2000, Kompania e Sigurimeve të Jetës "Taikang"arriti me sukses të sigurojë investime të huaja dhe të krijojë një strukturë drejtimi korporative të ndërkombëtarizuar.

Chen Dongsheng-u drejton ekipin e menaxhimit profesional ndërkombëtar të "Taikang"-ut,duke sjellë zhvillimin me shpejtësi të kësaj kompanie. Deri në fund të vitit 2010, Kompania e Sigurimeve të Jetës "Taikang" kishte një pasuri të përgjithshme me vlerë rreth 300 miliardë juanë (diçka më pak se 48.8 miliardë dollarë) dhe aktive neto rreth 13.4 miliardë juanë (2.28 miliardë dollarë), me nivel të aftësisë paguese prej më shumë se 170 % dhe një fitim vjetor prej më shumë se 2 miliardë juanë (afro 330 milionë dollarë). Në vitin 2009 dhe në vitin 2010, Kompania e Sigurimeve të Jetës "Taikang"u rendit në 100-shen e parë të 500 sipërmarrjeve kryesore në Kinë.

Në vitin 2006 dhe në vitin 2007 "Taikang"-u krijoi përkatësisht dy degë: Kompaninë e Menaxhimit të Pasurive "Taikang" dhe Kompaninë e Pensioneve dhe Sigurimeve "Taikang". Kompania e Menaxhimit të Pasurive "Taikang" investon kryesisht në tregun e brendshëm të kapitaleve, me fitime nga investimet që e kanë vënë në pozita udhëheqëse për tetë vjet rresht. Ndërsa Kompania e Pensioneve dhe Sigurimeve "Taikang" u vlerësua si kompania e pensioneve më konkurruese në Renditjen e Vlerës Financiare të Rrjetit të Biznesit të Kinës (CBN).

Duke qenë jo fort i njohur me këtë sektor, Chen-i filloi procesin e tij të të mësuarit duke u nisur nga tregjet e konsoliduara të sigurimeve. Gjatë periudhës së viteve 1997-2002 ai vizitoi 21 grupe të mëdha shumëkombëshe financiare dhe sigurimesh në kërkim të partnerëve.

Ashtu si kompanitë e tjera kineze të sigurimeve, "Taikang"-u ka përjetuar një rritje të shpejtë gjatë rreth dy dhjetëvjeçarëve që prej krijimit, por kjo sipas Chen Dongsheng-ut mbarte me vete rreziqet e veta. "Rreziqet që solli rritja e shpejtë e 'Taikang'-ut ishin kryesisht financiare, menaxheriale, rregullatore dhe të markës," shpjegon ai. Megjithatë, 'Taikang'-u i kaloi këto rreziqe dhe vijoi rritjen e qëndrueshme. Në vitin 2011 "Goldman Sachs" u bë aksionari i dytë për nga madhësia i Kompanisë së Sigurimeve të Jetës "Taikang".

Në vitet e fundit, Chen Dongsheng-u ka mbrojtur ndjekjen e një strategjie të orientuar drejt klientëve dhe ka nxitur idenë e trajtimit të sigurimeve dhe financave si mallra konsumi. Duke mos u vetëkënaqur asnjëherë, Chen-i arriti një tjetër kulm në karrierën e vet, kur "Taikang"-u u bë kompania e parë private e sigurimeve në Kinë që në vitin 2009 u përfshi në fushën e ndërtimit të komuniteteve të kujdesit për të moshuarit.

"Ne tani jemi vënë në rrugë," thotë ai. "Qëllimi ynë është që të bëhemi kompania kryesore në Kinë në sektorin e kujdesit për të moshuarit."

Chen Dongsheng-u thotë se shpreson se në të ardhmen të moshuarit në Kinë do të keni një pleqëri sa më të bukur. Ambicia e tij është që të investojë 100 miliardë juanë (rreth 16 miliardë dollarë) në pasuritë e patundshme lidhur me kujdesin për të moshuarit dhe t'i përfshijë ato në zinxhirin e sektorit të sigurimeve. "Në këtë mënyrë, sigurimet e jetës, pasuritë e patundshme, kujdesi për të moshuarit dhe kujdesi mjekësor do të jenë të gjitha të integruara, duke krijuar të tërë zinxhirin nga djepi deri në parajsë," thotë Chen Dongsheng-u.

Në të vërtetë, Chen Dongsheng-u thotë se pasioni për të pasur një biznes të vetin i lindi që kur punonte si zëvendësredaktor në revistën "Management World". Po ashtu, duke qenë studiues në Qendrën Studimore për Vendet në Zhvillim në Institutin e Kërkimeve të Tregtisë Ndërkombëtare, ai ishte në gjendje të lexonte plot periodikë të huaj, të tillë si "Fortune" dhe "Business Weekly". Chen-i zbuloi se fuqitë ekonomike botërore janë shumë të qëndrueshme kur vjen fjala te numri e kompanive në listën e 500 kompanive kryesore botërore të "Forbes"-it.

Kështu Chen Dongsheng-u vendosi të vërë në jetë të njëjtën ide dhe për Kinën dhe filloi vlerësimin e 500 sipërmarrjeve kryesore kineze. Përfundimisht, Chen-i krijoi bindjen se Kinës i nevojiteshin më shumë shumëkombëshe për t'u bërë një fuqi ekonomike botërore, dhe ai dëshironte që të ishte vetë krijuesi i një sipërmarrjeje të tillë të madhe.

Falë reputacionit dhe rrjetit që krijoi për të vlerësuar 500 kompanitë kryesore të Kinës, Chen Dongsheng-u ishte në gjendje të mblidhte më shumë se 3 milionë dollarë vetëm në një javë.

Chen Dongsheng-u i përket atij që ai vetë e ka pagëzuar "Brezi i vitit 1992" ose "Grupi 92", dhe që siç thotë "në mënyrë idealiste përfitoi nga politika e reformës ekonomike dhe e hapjes e Ten Hsiao Pinit për të krijuar sipërmarrje dhe për të eksploruar tregjet." Ata janë kryesisht zyrtarë ose studiues, që pikërisht të frymëzuar nga idetë e arkitektit të Reformës e të Hapjes në Kinë, e ndryshuan karrierën e tyre duke hyrë në biznes. Ata janë një grup elitë me një ndjenjë të fuqishme të identitetit kombëtar, por edhe që besojnë fort në vlerat e ekonomisë së tregut.

Sipas mendimit të Chen Dongsheng-ut, shumë nga të rinjtë e sotëm nuk e kuptojnë gjendjen shoqërore të këtij brezi të sipërmarrësve kinezë dhe gabimisht besojnë se ata e bënë pasurinë e tyre nëpërmjet asaj që në gjuhën kineze quhet guangxi, pra lidhjeve shoqërore.

Chen Dongsheng-u shprehet se, edhe pse anëtarët e "Grupit 92" gëzonin një mjedis më të mirë biznesi se brezi i parë i biznesmenëve kinezë, ata përsëri ishin eksperimentuesit e sistemit modern të tregut në Kinë. Chen-i thekson se pjesëtarët e "Grupit 92" ishin gjithashtu sipërmarrësit e parë kinezë që kishin një vetëdije të qartë aksionarësh dhe që kuptonin, respektonin dhe ndiqnin ligjet e tregut.

Chen Dongsheng-u e pranon sidoqoftë se ishte me fat që zgjodhi për të hyrë në biznes në kohën e duhur: pasi Ten Hsiao Pini ndërmori "turin jugor" që çliroi shpirtin e nismës së lirë. "Kur një shoqëri pohon vlerën e përgjithshme se vetëm talentet më të spikatura do të angazhohen në biznes, ekonomia e tregut në atë vend shkon vërtet drejt pjekurisë," shprehet Chen-i.


Mao Ce Dun

Kur e pyet se çfarë përvojash jete kanë ndikuar thellësisht në sipërmarrjen dhe në filozofinë e stilin e menaxhimit të tij,Chen Dongsheng-u përmend fjalët e gjyshit të së shoqes, ish-kryetarit të Kinës Mao Ce Dun: "Mësoj për luftën duke luftuar". "Kjo do të thotë të kërkosh dhe të reflektosh duke praktikuar, të mësosh për biznesin duke bërë biznes," thotë Chen-i. "Unë jam nxitur, jam frymëzuar dhe jam ndikuar nga leximi i shumë biografive për sipërmarrësit e mëdhenj. Por, në radhë të parë, unë shqyrtoj dhe reflektoj mbi stilin dhe mendimet e mia origjinale. Për shembull, unë i kam krijuar vetë idetë e mia në lidhje me kulturën organizative dhe pozicionin e kryezyrtarit ekzekutiv (CEO) dhe kryezyrtarit financiar (CFO)."

"Ne e filluam biznesin tonë nga asgjëja, pastaj u bëmë nga të vegjël të mëdhenj, nga të dobët të fortë. Dhe ne gjetëm zgjidhje konkrete për problemet që ndeshëm gjatë rrugës. Ky proces i zgjidhjes së problemeve është gjithashtu proces mësimi, përmbledhjeje dhe përgjithësimi, duke krijuar idetë dhe qasjet tona. Në kohë të ndryshme ne kemi hasur probleme të ndryshme, kështu që i kemi ndryshuar konceptet tona mbështetur në këto probleme. Dhe kështu nëpërmjet hasjes së problemeve e gjetjes së rrugëzgjidhjes për to ne jemi rritur e forcuar," thotë Chen Dongsheng-u

"Është e vështirë të përmbledhësh vetëm me disa fjalë filozofinë dhe perspektivën time," vijon ai. "Por, për ta thënë thjesht dhe qartë, unë jam idealist dhe dua të krijoj një sipërmarrje të fuqishme. Unë vlerësoj specializimin, standardizimin, tregëzimin dhe ndërkombëtarizimin. Në thelb stili ynë të menaxhimit mund të përmblidhet në: qëndrueshmëri, profesionalizëm, risi dhe ndershmëri".

Chen Dongsheng-u thotë se motoja e tij është 'Të krijosh risi do të thotë që të imitosh" dhe "Mëso nga Perëndimi". "Unë besoj se vendet perëndimore kanë pasur ekonomi tregu prej qindra vjetësh dhe bizneseve të tyre u është dashur mjaft për të mësuar modelet dhe rregullat e tregut. Përvoja e tyre historike u ka dhënë njëfarë logjike të brendshme. Tani mund të jemi ende të paaftë për ta kuptuar plotësisht atë, por mund të mësojmë prej tyre," vë në dukje Chen-i

57-vjeçari beson se në konkurrencë, duhet të mësosh të imitosh, por duhet të dish si dhe çfarë të imitosh dhe të mos mbetesh tek imitimi. Duhet të imitosh përpara të tjerëve, në mënyrë që të arrish imitimin më të mirë. Prandaj Kompania e Sigurimeve të Jetës "Taikang" e tij ndjek standardet ndërkombëtare për të arritur specializimin.

Duke folur për kompanitë që ka marrë si shembull, Chen Dongsheng-u thotë: "Në fillim ne ishim si një letër e bardhë. Duhej të mësonim se si e kishin krijuar kompanitë e tjera infrastrukturën e tyre dhe se si e bënin ndarjen e punëve. Ne mësuam se si të ngrinim ekipe shitjesh dhe sisteme shitjesh, pastaj si të krijonim sisteme dividentesh, e më tej si të krijonim një sistem investimesh. Shitjet erdhën të parat, pastaj produktet, pastaj investimet. Ne pastaj studiuam elemente të tilla si financat, burimet njerëzore, administrata dhe takimet e punës. Dërguam shumë njerëz për të mësuar lidhur me këto gjëra e po ashtu punësuam shumë profesionistë për të na trajnuar. Kështu, ne nuk mësuam nga ndonjë kompani e veçantë: ne mësuam nga të gjitha."

Lidhur me atë se sa ndryshojnë idealet e tij të tanishme nga ato kur filloi rrugën e biznesit, Chen Dongsheng-u thotë: "Njerëzit nuk duhet ta kuptojnë idealizmin në një mënyrë shumë të përgjithshme dhe të gjerë. Për mua, idealizmi kërkon që të kesh një shpirt sipërmarrës e objektiva të mëdha dhe të përpiqesh të kuptosh vlerën e qenieve njerëzore. Ne përpiqemi të arrijmë idealet tona, e jo thjesht të bëjmë një punë të mirë."

"Por idealizmi nuk mund të ekzistojë pa themele të forta pune," shton Chen Dongsheng-u. "Mos më merrni për një ëndërrues të pastër: unë jam në thelb njeri që bën, njeri i veprimit."

Ekzekutivja e Kompanisë së Ankandeve "Guardian", kompania e parë e krijuar nga Chen Dongsheng-u, Wang Yannan-i, thotë: "Z. Chen ka ideale dhe ambicie të mëdha. Por ajo që e bën të veçohet nga të tjerët është se ai është me këmbë në tokë: ai bën gjëra, ai vepron për të plotësuar qëllimet një nga një. Prandaj, ai ka arritur sukses. "

Vetë Chen Dongsheng-u thotë se, nëse këmbëngul për një kohë të mjaftueshme pa u tërhequr sapo shfaqen vështirësitë e para, patjetër që në fund do të arrish sukses. Sigurisht, në këtë botë dhe në këtë jetë nuk mund të bësh gjithçka, thotë ai, por përcakto objektiva të qarta dhe ji i durueshëm, dhe në fund përpjekjet e tua do të shpërblehen.

"Unë jam tani më shumë se 50 vjeç, pra përvoja e jetës sime është më shumë se gjysmëshekullore. Ndryshe nga shumë prej të rinjve të përfshirë në biznes, e njoh historinë e shekullit të kaluar. E kam dëshmuar kalimin e Kinës nga një ekonomi e komanduar në ekonominë e tregut që është sot, dhe më tej integrimin e ekonomisë kineze në ekonominë botërore. Kjo përvojë më jep themelet për të bërë gjykime të shëndosha e për të marrë vendime të drejta," shprehet Chen Dongsheng-u. Dhe shton: "Të kesh para nuk do të thotë të kesh karrierë, por, po të kesh karrierë, paratë nuk do të të mungojnë. Unë flas shpesh për marrëdhënien mes parasë dhe karrierës. Prandaj unë ngul këmbë fort në krijimin e bizneseve të suksesshme, për të zgjidhur problemin e punësimit të një numri të madh njerëzish, për t'u bërë një markë e fortë dhe për të dhënë ndihmesë për shoqërinë. Këtu qëndron vlera e vërtetë e një individi."

Diskutohet shpesh tashmë nëse paratë e bëjnë një individ të lumtur. Duket se Chen Dongsheng-u nuk ka dyshim për këtë. Por problemi i tij është diçka tjetër. "Deri më tani nuk kam qenë në gjendje të filloj të shijoj jetën dhe kënaqësinë që të sjell pasuria," thotë ai.

Të shpresojmë se do të nisë sa më pare ta bëjë një gjë të tillë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China