PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Dawa Dondop-i, biznesmeni që shet ujin e akullnajave të Everestit
2014-04-08 19:22:52 CRI Komenti juaj Printoni

Dawa Dondop-i ka qenë dikur mësues fshati e më pas shofer kamioni, ndërsa sot është sot presidenti dhe kryetari i bordit të grupit të madh "Dashi", që merret me veprimtari që nga ndërtimi e turizmi, deri në prodhimin e ujit mineral nga Himalajat dhe të vajit të veçantë të arrës. Ai është shembulli tipik i suksesit dhe i potencialit të madh që kanë edhe biznesmenët nga radhët e pakicave kombëtare në Kinë.

Dawa Dondop-i, i njohur edhe si Dawa Dunzhu, ka lindur në vitin 1962 në një familje fshatare të prefekturës Nyingchi të Tibetit. Në vitin 1979 ai nisi punën si mësues në shkollën fillore të fshatit Tangdi të lokalitetit Gongzhong po në prefekturën Nyingchi. Në Kinë sapo kishte nisur Reforma e Hapja. Në vitin 1983 qeveria kineze nisi një projekt financimesh, me qëllim për të krijuar të ashtuquajturat "familje me 100 mijë juanë në vit". Duke përfituar nga kjo, po në vitin 1983 Dawa Dondop-i e la punën dhe me një kredi me interes zero prej 20 000 juanësh (vetëm diçka më shumë se 3 200 dollarë sot, po një shumë tepër e madhe për kohën) filloi biznesin e vet të transportit me kamion. Në vitin 1987 ai vendosi ta lërë këtë biznes dhe ia shiti kamionin dikujt në Lanzhou, kryeqendra e provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore. Por fillimisht blerësi i pagoi vetëm 12 000 nga 33 000 juanët e vlerës së kamionit. Ndërsa ishte duke pritur që merrte me pjesën e mbetur, pritje që do të zgjaste gjashtë muaj, Dawa Dondop-i qëndroi në një hotel të lirë në Lanzhou. Në këtë hotel ai u takua me punëdhënësin dhe ortakun e tij të ardhshëm, dhe bashkë me të shkoi në Shenzhen të Kinës Jugore, në deltën e Lumit të Perlave, pararoja e Reformës dhe Hapjes. "Shenzhen-i në ato vite ishte në ndryshim të shpejtë e të vazhdueshëm dhe nuk kishte shumë kohë që kishte fituar statusin e Zonës së Veçantë Ekonomike. Ndjekja nga afër e këtij shndërrimi ishte për mua një rast për një rritje të pabesueshme profesionale," kujton Dawa Dondop-i.

Dhe kështu, i nxitur nga shpirti i sipërmarrjes që pa në Shenzhen, në vitin 1990 Dawa Dondop-i u kthye në Tibet, pikërisht në kryeqendrën Lhasa, për të filluar përsëri një biznes të vetin, duke u marrë me tregtimin e artikujve të përdorimit të përditshëm, të cilat i sillte nga zona të tjera të Kinës dhe i shiste në Tibet. "Tibeti në atë kohë ishte ende shumë i prapambetur dhe kishte nevojë për çdo lloj malli, duke përbërë një treg të madh dhe me potencial të madh rritjeje," thotë Dawa. Përveç furnizimit të Tibetit, ai merrej edhe me tregtinë ndërkufitare, kryesisht me Indinë. Në vitin 1996 Dawa Dondop-i mori pjesë në një seminar trajnues për talentet nga pakicat kombëtare të zhvilluar në Suzhou të Kinës Lindore. Pikërisht nga ky seminar mori frymëzimin për të krijuar një vit më pas, në 1997, Kompaninë Industriale e Tregtare "Dashi" të Tibetit. Ka një arsye për zgjedhjen e emrit "Dashi". Në vitin 1992 Dawa Dondop-i shkoi në Hong-Kong për të shitur barna tradicionale tibetiane. Gjatë qëndrimit në Hong-Kong ai vuri re se shumë prej atyre që quheshin "perandori biznesi" ishin të mbështetura te familja. "Një ditë edhe unë do të kem një kompani të madhe që do të ketë mbiemrin e familjes sime," mendonte ai asokohe. Dhe kështu kompanisë së tij i vuri emrin "Dashi". Në gjuhën kineze "shi" do të thotë familje, pra "Dashi" do të thotë "familja Da").

Në fillim kompania "Dashi" merrej me ndërtimin e rrugëve, urave e objekteve të tjera infrastrukturore. Një prej projekteve më të rëndësishme të realizuara prej saj është rikonstruksioni në fund të viteve '90 të shekullit të kaluar i një pjese të autostradës Tibet-Sichuan, duke u vlerësuar lart për cilësinë e punimeve. Ndër të tjerë Dawa Dondop-i punësoi një inxhinier, i cili kërkoi dy herë që t'i rritej pagesa pas nënshkrimit të kontratës. "Në fund unë nuk fitova asnjë qindarkë nga projekti, por të paktën garantova që puna jonë të ishte në nivel të lartë," thotë ai i lehtësuar edhe tani që kanë kaluar kaq vjet. Cilësia për të është gjëja më e rëndësishme dhe ky është kyçi i suksesit të tij në biznes.

"Puna e kompanisë shkonte shumë mirë. Pas arritjes së një niveli të caktuar në vitin 1999, fitova më shumë besim se do ta bëja kompaninë time më të madhe e më të fortë, dhe vendosa që 'Dashi' të niste prodhimin e produkteve të veta dhe të kishte markat e veta," thotë Dawa Dondop-i.

Dhe kështu, duke filluar nga viti 2000, Dawa Dondop-i i përqendroi energjitë e veta në biznesin agroushqimor, duke përputhje me politikën e qeverisë për zhvillimin e produkteve lokale. Kompania "Dashi" nisi studimin e gjerë të tregut dhe vendosi në hartojë një projektpropozim për të prodhuar vaj ushqimor të cilësisë së lartë, të cilin ia paraqiti qeverisë së Rajonit Autonom të Tibetit. Për habinë e Dawa Dondop-it, projekti i tij u mor shumë seriozisht dhe u mbështet pa rezerva. Zëvendëskryetari i qeverisë së Rajonit Autonom të Tibetit mblodhi së bashku autoritetet përkatëse dhe, pas tre takimesh të veçanta dhe përmirësimeve, përcaktuan politikat mbështetëse për këtë projekt. Si rrjedhojë, në vitin 2003 u krijua Kompania e Teknologjisë Bujqësore "Shenglu" e Tibetit, tashmë pjesë e Grupit "Dashi".

Dawa Dondop-i besonte që në fillim në investimin për të ardhmen. Prandaj ai harxhoi 75 milionë juanë (pak më shumë se 12 milionë dollarë) për blerjen e pajisjeve të fjalës më të fundit nga Suedia, që siguronin cilësinë më të mirë të përpunimit. Por fillimisht gjërat nuk shkuan mirë për kompaninë e re dhe përsëri mosrespektimi i kontratës nga të tjerët ishte një kokëçarje për Dawa-në. Në vitin e krijimit të "Shenglu"-së, pra 2003, Dawa Dondop-i nënshkroi kontrata me pushtetin vendor të shtatë konteve për blerjen e 26 milionë tonëve farë kolze. Por menjëherë çmimet në treg u rritën dhe fermerët ua shitën farën e kolzës tregtarëve që u ofruan çmime më të larta. Si pasojë, Dawa humbi 6 milionë juanë (rreth 1 milionë dollarë).

"Nuk mund të fajësoje askënd. Njerëzit, përfshirë zyrtarët e pushtetit vendor, në atë kohë nuk e kishin ndjenjën e respektimit të kontratave. Besimi është i rëndësishëm, por është i mundur vetëm kur të gjitha palët u binden rregullave," shprehet Dawa Dondop-i.

Në vitin 2005 Dawa Dondop-i bëri një lëvizje tjetër, duke u vënë drejtpërdrejt në lidhje me këshillat e fshatrave. Si pasojë, atë vit niveli i respektimit të kontratave u rrit mjaft, duke arritur në 50 %. Gjithashtu në këtë kohë qeveria qendrore investoi 4 milionë juanë (më shumë se 640 mijë dollarë) për kultivimin e rreth 3 000 hektarëve tokë me farë kolze të cilësisë së lartë.

Dawa Dondop-i ishte blerësi më i madh i kësaj bime dhe, për të vendosur një standard të mirë, ai paguante paradhënie, duke garantuar një çmim dysheme dhe duke e lejuar atë të ngrihej në nivelin që diktohej nga tregu.

"Tashmë fermerët që kultivonin farë kolze më luteshin kur vinte stina e korrjes, por për mua rreziku më i madh ishte luhatja e çmimeve," shprehet Dawa Dondop-i.

Duke nisur që nga viti 2006, nëpërmjet pjesëmarrjes në forume të ndryshme ndërkombëtare, Dawa Dondop-i e kuptoi se i ashtuquajturi sektor i "ushqimit të gjelbër" do të merrte zhvillim të madh dhe falë kësaj intuite vendosi të ndërthurë elementin agroushqimor me atë bio. "Në Tibet një gjë e tillë është shumë e lehtë për t'u bërë," thotë ai, "sepse produktet aty janë pa ndotje. Me kalimin e kohës fama e sipërmarrjes sime u rrit duke arritur në nivel kombëtar dhe duke u nderuar me tituj e çmime të ndryshme."

Sektori i fundit ku u orientua "Dashi" ishte mjekësia tradicionale tibetane.

"Si një tibetian i lindur dhe i rritur në Tibet, kam qenë dëshmitar i politikës së Reformës dhe Hapjes dhe i fryteve të saj. Ndërkohë, jam gjithashtu edhe një nga përfituesit më të mëdhenj të Reformës dhe Hapjes. Arritjet e mia dhe rritja e Grupit janë bërë të mundura kryesisht nga politikat e favorshme të Reformës e Hapjes dhe politikat e veçanta të shpallura nga qeveria qendrore për Tibetin, si edhe nga mbështetja energjike nga qeveria e Rajonit Autonom të Tibetit," vë në dukje Dawa Dondop-i. Dhe më pas shton: "Qeveria qendrore ka krijuar dhe zbatuar një varg politikash për zhvillimin e sektorit privat në Tibet. Mendoni pak, për shembull, se në vitin 1993 në Tibet kishte vetëm 33 kompani private, me 386 të punësuar gjithsej, ndërsa në vitin 2008 numri i tyre arriti në 4756, me 99 498 punonjës. Një tjetër fakt që tregon se si kompanitë private janë tashmë një fokus i zhvillimit të ekonomisë së rajonit, është që sektori privat zë mbi 40 % të vëllimit të përgjithshëm ekonomik të Tibetit, me një kontribut fiskal më shumë se 60 % të vëllimit të përgjithshëm të të ardhurave tatimore në rajon."

Dawa Dondop-iështë optimist për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit për investimet private në Tibet dhe për nxitjen e rritjes së sipërmarrjeve private. "Në mjedisin dhe kushtet e favorshme," thotë ai, "Grupi 'Dashi', si një nga përfaqësuesit e sektorit privat në Tibet, do të realizojë objektivin e tij madhor për krijimin e 'një industrie kombëtare dhe një marke botërore', duke ndihmuar më shumë për nxitjen e zhvillimit të Tibetit dhe në të mirë të banorëve vendorë."

Dawa Dondop-i i është mirënjohës qeverisë për ndihmën e dhënë në disa periudha të vështira. "Qeveria ka shpallur shumë politika preferenciale për ne," shprehet ai. Megjithatë shton: "Por kjo është si me punën e kapjes së peshkut. Gjëja më e rëndësishme për ne, në vend që të na falet peshku, është që të mësojmë si të peshkojmë sa më mirë".

Produkti më i njohur i grupit "Dashi" është vaji ushqimor, i cili tregtohet me markën "Natyra e Tibetit".

"Vaji i arrës që prodhojmë ne, vjen nga arrat e egra që rriten në drurë 3 700 metra mbi nivelin e detit, dhe disa prej këtyre drurëve janë 100-vjeçarë ose më të vjetër. Ky vaj është me të vërtetë i veçantë. Arra është një element vërtet i veçantë i Tibetit që nuk ishte përdorur më parë. Tani ne jemi duke nxjerrë përfitime prej tij," vë në dukje Dawa Dondop-i.

"Vaji ynë standard i farave të kolzës gjithashtu përmban 46 për qind vaj arre. Vetëm disa marka kanadeze mund të krahasohen me cilësinë e vajit tonë," thekson sipërmarrësi 52-vjeçar .

Kur hekurudha Qinghai-Tibet filloi nga funksionimi më 1 korrik 2006, treni i parë i mallrave mbarti vaj "Natyra e Tibetit" me vlerë 4.14 milionë juanë për në Shangai. Që atëherë Dawa Dondop-i ka shfrytëzuar gjithmonë linjën hekurudhore për transportimin e vajit. "Hekurudha na kursen 70 për qind të kostos së transportit në krahasim me kamionët, gjë që është vendimtare për një produktet bujqësor me vlerë të shtuar të ulët," shpjegon ai.

Transporti me tren zgjat 18 ditë për të arritur në destinacionet kryesore si Pekin, Shangai dhe Guangzhou, pak më ngadalë sesa me kamion. Por transporti hekurudhor është më i besueshëm dhe në çdo dërgesë ka jo më shumë se dy ose tre arka të dëmtuara, shumë më pak sesa gjatë transportit me kamionë, të cilët shpesh udhëtojnë nëpër rrugë të vështira, e madje ndonjëherë edhe përmbysen, duke shkaktuar humbje shumë më të larta financiare.

Dawa Dondop-i ka dy strategji shumë të ndryshme për vajin e farave të kolzës dhe vajin e arrës. "Dashi" zë një të shtatën e tregut tibetian të vajit të farave të kolzës me vlerë 70 milionë juanësh, me një marzh fitimi 5 - 10 për qind.

"Nuk do ta tregtoj në mbarë vendin vajin nga fara e kolzës, sepse nuk mund të bëj shumë para prej tij. Por as nuk do të heq dorë nga prodhimi i këtij vaji, për shkak se 200 000 fermerë tibetianë përfitojnë prej tij, drejtpërdrejt ose tërthorazi," thotë Dawa.

Për vajin e arrës, për të cilin thuhet se mund të ulë kolesterolin, marzhi i fitimit mund të arrijë deri në 30 për qind. Çmimi i shitjes me pakicë të tij në vitin 2005 u dyfishua krahasuar me një vit më parë. Që nga viti 2006, të ardhurat vjetore nga vaji "Natyra e Tibetit" kanë ardhur duke u dyfishuar. Ndërkohë, fitimet e Grupi "Dashi" janë rritur me një mesatare vjetore prej 15 në 20 për qind.

Grupi "Dashi" ka një të ashtuajtur qasje organike, të gjelbër dhe që mbron mjedisin bazuar në përparësitë e burimeve unike në Tibet, dhe ka krijuar parkun e parë industrial për ushqime të gjelbra e organike në rajon. "Dashi" ka shtatë lloje vaji ushqimor të markës "Natyra e Tibetit", që kanë mbushur një zbrazëti në tregun e përpunimit të vajit ushqimor të cilësisë së lartë në Tibet dhe janë pritur mirë nga ana e konsumatorëve. Vaji i arrës së egër "Natyra e Tibetit" ka marrë Certifikatën e Ushqimit Organik të Kinës dhe një sërë certifikatash të tjera, duke e rritur në masë të madhe aftësinë konkurruese të markës. Kompania krijoi një bazë prej rreth 3 000 hektarësh për lëndën e parë për vajin ushqimor të gjelbër "Natyra e Tibetit", duke u dhënë certifikatë anëtarësimi 11 500 familjeve të fermerëve. Më vonë, me ndihmën e qeverisë rajonale, "Dashi" themeloi një kompani marketingu për produktet e Rajonit Autonom të Tibetit, duke integruar më shumë se 260 produkte nga mbi 40 kompani. Një rrjet pikash shitjeje u ngritën në Shangai, Pekin dhe qytete të tjera për produktet karakteristike tibetiane. Në vitin 2010, Grupi "Dashi" nisi prodhimin e ujit mineral të markës "Xhomolungma Glacier", ujë i prodhuar nga shkrirja e akullnajave në majën më të lartë të botës Xhomolungma(Everest).

Tani, duke integruar kërkim-zhvillimin, ndërtimin dhe tregtimin, Grupi "Dashi" i Tibetit ka formuar katër kompani: Kompania e Industrisë Indigjene Tibetiane, siç quhet tashmë kompania "Shenglu", dhe që merret pra me prodhimin e vajit ushqimor; Kompania e Zhvillimit të Burimeve të Ujit Akullnajor "Xhomolungma", që prodhon "Xhomolungma Glacier"; Kompania e Marketingut të Produkteve Indigjene Tibetiane dhe Kompania e Ndërtimit "Dashi" e Tibetit. Grupi "Dashi" ka në përbërjen e vet edhe tre shoqata, që përfshijnë Shoqatën Tibetiane të Kërpudhave, Shoqatën Tibetiane të Ujërave Minerale dhe Shoqatën Tibetiane të Arrave. Pasuritë e përgjithshme të grupit arrijnë në 670 milionë juanë (pak më shumë se 110 milionë dollarë).

"Dashi" nisi vetëm me tre veta, ndërsa tani, përveç një stafi prej më shumë se 600 vetash në Tibet, grupi ka gjithashtu mbi 1200 punonjës marketingu në pjesën tjetër të vendit.

Grupi "Dashi" ka krijuar një sistem modern menaxhimi të korporatave dhe ka marrë certifikata të ndryshme, si të kontrollit të cilësisë, të kontrollit të sigurisë ushqimore, të kontrollit të mjedisit etj. Grupi ka rreth 70 patenta me të drejta të pavarura të pronësisë intelektuale.

Grupi "Dashi" i Tibetit u ka sjellë fitime më shumë se 500 000 bujqve dhe blegtorëve tibetianë nëpërmjet blerjes së prodhimeve të tyre, duke rritur të ardhurat e drejtpërdrejta të fermerëve vendas me rreth 100 milionë juanë (më shumë 16 milionë dollarë). Fitimet e grupit në vitin 2013 ishin më shumë se 50 milionë juanë (mbi 8 milionë dollarë).

Grupi "Dazhi" është i angazhuar në mënyrë aktive në mirëqenien publike, dhe dhurimet e saj për shoqërinë gjatë viteve të fundit i kanë kaluar 6 milionë juanët (1 milion dollarët). Përveç kësaj, grupi ka krijuar Fondacionin për Mbrojtjen e Mjedisit "Xhomolungma" dhe një fondacion për lehtësimin e varfërisë. Mbi 55 % e punëtorëve të "Dashi" në Tibet janë bij të bujqve dhe blegtorëve. Kështu, Grupi "Dashi" ka kontribuar në krijimin e vendeve të punës për familjet e varfra në Tibet .

Që nga themelimi, Grupi "Dashi" është nderuar me çmime si "Sipërmarrje pararojë e industrializimit të bujqësisë dhe blegtorisë e Rajonit Autonom të Tibetit", "10 markat me ndikim më të madh të industrisë së gjelbër ushqimore në Kinë", "Sipërmarrje e përparuar e Tibetit në zhvillimin e ushqimit të gjelbër", "100 sipërmarrjet kombëtare model në ndërtimin e fshatit të ri", "Sipërmarrja private e përparuar në Rajonin Autonom të Tibetit", "Markë e njohur e Kinës" etj. Ndërkohë, vetë Dawa Dondop-iështë nderuar me "Medaljen Kombëtare të Ditës së Punëtorëve 1 Maji", me titujt "Sipërmarrës privat i dalluar", "10 kontribuesit më të dalluar për zhvillimin e zonave rurale" etj. Dawa Dondop-iështë zgjedhur nënkryetar i Shoqatës Industriale dhe Tregtare të Rajonit Autonom të Tibetit, drejtor i përhershëm i Shoqatës së Sipërmarrësve Privatë të Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës, drejtor i përhershëm i Shoqatës së Vajrave të Kinës dhe zëvendëskryetari i Shoqatës së Sipërmarrjeve private dhe në pronësi individuale etj.

Dawa Dondop-i tani i ka përqendruar përpjekjet e tij në ndërtimin e një rrjeti të shpërndarjes në rajonet bregdetare të Kinës.

"Ne kemi marrë certifikata të cilësisë nga Gjermania dhe Japonia, si dhe nga vetë vendi ynë. Ne kemi një treg të madh në metropolet ku konsumatori është i ndjeshëm ndaj cilësisë dhe e vetmja gjë për të cilën kemi nevojë tashti është një kanal shitjesh që mund të shkojë deri te klientela jonë," thotë Dawa.

"Ne po përdorim paratë tona tani, por jemi të hapur për të gjitha mundësitë, duke përfshirë ndërmarrjet e përbashkëta dhe investime të huaja," shton ai. "Përfundimisht, unë do t'i çoj produktet tona në tregun ndërkombëtar. E di që mund ta bëj një gjë të tillë. Ne kemi epërsinë e veçantë të diçkaje të prodhuar në 'Çatinë e botës'. Askush tjetër nuk e ka këtë epërsi."

Dawa Dondop-i është i vetëdijshëm se, sa më shumë të rritet biznesi i tij, aq më shumë ai do të kthehet në një model për tibetianët e tjerë. "Tibeti nuk ka teknologji të lartë," thotë ai. "Gjithçka mund të japim ne është vlera e produkteve bujqësore. Unë jam bir fshatari dhe jam gjithashtu budist. Të jesh fetar do të thotë të bësh gjëra të mira për të tjerët."

Por Dawa e pranon se, për shkak të lidhjes së ngushtë me budizmin, tibetianët që merren me biznes shpesh nuk kanë vetëbesimin e mjaftueshëm, veçanërisht përballë ndryshimeve të shpejta. Megjithatë shton: "Budizmi tibetian thekson rimishërimin. U them punonjësve të mi të shitjes që, kur shesin një juan mall, në të vërtetë po japin 10 qindarka për lumturinë e tyre të përtejme, sepse kanë bërë të mundur rritjen e standardit të jetesës së të tjerëve. Por, nëse bëjnë një juan në mënyrë të pandershme, i kanë shtuar 10 qindarka regjistrit të tyre të të këqijave, gjë për të cilën do të dënohen në jetët e tjetra."

Ndërsa motoja e vetë Dawa Dondop-it është: "Të fitosh vetë duke ndihmuar të tjerët".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China