Olimpiada e Tokios shtyhet për shkak të koronavirusit

2020-03-25 10:08:04 CRI Komenti juaj Printoni

Lojërat Olimpike dhe Paralimpike të Tokios 2020 janë shtyrë zyrtarisht vitin e ardhshëm, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kryeministri japonez Shinzo Abe thotë se vendimi është marrë pas një videokonference me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach:

"Duke u mbështetur në gjendjen e tanishme, ne bëmë një propozim për shtyrjen e lojërave rreth një vit, për të siguruar që sportistët botërorë të luajnë në kushtet më të mira dhe të kemi një veprimtari të sigurt për shikuesit. Mora një përgjigje nga presidenti i KON-it Bach që ai pajtohet 100 për qind."

Lojërat, që duhej të fillonin më 24 korrik, tani do të zhvillohen jo më vonë se vera e vitit të ardhshëm.

Bach thotë se shtyrja u vendos pasi përhapja e virusit në të gjithë botën është përkeqësuar ditët e fundit:

"Në telefonatën mes kryeministrit Abe dhe meje diskutuam për seriozitetin e pandemisë së koronavirusit. Ne të dy jemi shumë të shqetësuar për zhvillimin e saj në të gjithë botën, veçanërisht në dy-tre ditët e fundit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka folur për përshpejtimin e përhapjes së virusit, kështu që ne e trajtuam këtë situatë dhe arritëm në një përfundim."

Organizatorët japonezë dhe KON-i ritheksuan se nuk do të ketë anulim të olimpiadës.

KON-i bëri të ditur gjithashtu se Lojërat Olimpike do të quhen përsëri "Tokio 2020", pavarësisht se do të zhvillohen në vitin 2021.

Shtyrja është e para në historinë 124-vjeçare të Lojërave Olimpike, ndërsa më parë janë anuluar tre herë gjatë kohës së luftës.

KON-i kishte caktuar një afat katërjavor për të shqyrtuar shtyrjen e Lojërave, por pati trysni në rritje nga komitetet olimpike dhe sportistët që kërkonin një vendim më të shpejtë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore