Anëtari i KON-it: Olimpiada mund të shtyhet në vitin 2021

2020-03-24 11:10:23 CRI Komenti juaj Printoni

Anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Dick Pound ka thënë se KON-i tashmë ka vendosur ta shtyjë Olimpiadën e Tokios.

Duke folur për "USA Today" të hënën, Pound citohet të ketë thënë: "Në bazë të informacionit që ka KON-i, shtyrja është vendosur".

Ai tha në një intervistë telefonike se Lojërat ka të ngjarë të zhvendosen në vitin 2021.

KON-i njoftoi të dielën se kishte mundësi që Lojërat Olimpike të shtyheshin dhe i dha vetes katër javë kohë për të marrë një vendim.

Kryeministri japonez Shinzo Abe u bëri jehonë deklaratave të KON-it të hënën, duke thënë se Olimpiada duhet të zhvillohet në një mënyrë të plotë:

"Një vendim i tillë nga KON-i është në përputhje me politikën time të deklaruar të 'zbatimit të plotë' dhe, nëse është e vështirë për ta bërë këtë, një vendim shtyrjeje do të ishte i pashmangshëm, pasi ne e mendojmë sigurinë e sportistëve si përparësi kryesore."

Më parë, Komiteti Olimpik Kanadez kishte konfirmuar se nuk do të dërgonte sportistë në Lojërat Olimpike të Tokios të vitit 2020, në sfondin e shqetësimeve në rritje për pandeminë e koronavirusit.

Kryeekzekutivi i Komitetit Olimpik Australian Matt Carroll konfirmoi gjithashtu se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, nëse ato zhvillohen në korrik të këtij viti:

"Është vendosur që ekipi olimpik australian nuk mund të mblidhet në rrethanat në ndryshim si këtu, ashtu edhe jashtë. Ne duhet të kujdesemi jo vetëm për sportistët e zyrtarët tanë, por edhe për familjet e tyre, që ndihen të shqetësuara për djemtë e vajzat e tyre."

Carroll-i shtoi se Komiteti Olimpik Australian tani do të përgatitet për Lojërat Olimpike të vitit 2021.

Komiteti Olimpik Norvegjez gjithashtu njoftoi se nuk do të dërgojë sportistë në Lojërat e Tokios derisa pandemia e koronavirusit të vihet nën kontroll.

Mrekulli
Lajmet Kryesore