Hou Yifan, nga "gjeni" në "Mjeshtër i Madh" i shahut

2019-03-06 15:57:59 CRI Komenti juaj Printoni

Më 4 mars ka nisur në Astana të Kazakistanit Kampionati Botëror Ekipor i Shahut, që do të mbyllet më 15 mars. Në këtë veprimtari shahu që mbahet çdo dy vjet, marrin pjesë ekipet e 10 vendeve, federatat e të cilave dominojnë në kontinentet e tyre. Në sportin e shahut, ky turne dhe olimpiadat e shahut janë veprimtaritë më të rëndësishëm ndërkombëtare për ekipet. Kampionati Botëror Ekipor i Shahut është i ndarë në dy seksione, në seksionin e hapur dhe në atë të femrave. Kampione në fuqi në seksionin e hapur është Kina, ndërsa në seksionin e femrave ekipi kinez do të përfaqësojë Azinë si kampion i këtij kontinenti. Kina ka fituar gjithashtu numrin më të madh të medaljeve të arta në seksionin e femrave, duke triumfuar në të tre edicionet e para. Protagonistja e emisionit tonë të sotëm ka qenë pikërisht pjesë e këtyre tre triumfeve. Ajo është shahistja më e re në botë që ka marrë titullin "Mjeshtre e Madhe" dhe që ka fituar Kampionatin Botëror të Shahut për Femra, duke qenë edhe shahistja më e re që ka marrë pjesë në një kampionat botëror e në një olimpiadë shahu. Ajo është "fëmija gjeni e shahut", Hou Yifan.

Hou Yifan ka lindur në vitin 1994 në provincën kineze Jiangsu. Ajo filloi të luajë shah rregullisht që në moshën 5-vjeçare, por ishte tërhequr nga kjo lojë që kur ishte vetëm tre vjeçe. I ati i saj, Hou Xuejian, e çonte shpesh mbrëmjeve vajzën e vet në librari. Ai vuri re që vajzës së vogël i pëlqente t'ua ngulte sytë gurëve të shahut që nga prapa vitrinës. Më vonë ai i bleu asaj një kuti shahu. Trevjeçarja arriti ta mundte të atin dhe gjyshen pas disa javësh. Në vitin 1999, i ati ftoi "Mjeshtrin Ndërkombëtar" Tong Yuanming ta stërviste vajzën e tij 5-vjeçare. Tong Yuanming më vonë tha që Hou Yifan-i ishte një talent i jashtëzakonshëm, që kishte "besim të fortë, kujtesë mbresëlënëse, aftësi llogaritëse dhe reagim të shpejtë". Vetë Hou Yifan-i ka thënë që e zgjodhi shahun sepse e tërhoqën gurët e tij.

Në vitin 2006, në moshën 12-vjeçare, Hou Yifan-i u bë shahistja më e re që merrte pjesë në Kampionatin Botëror të Shahut për Femra (të mbajtur atë vit në Yekateriburg të Rusisë) dhe në Olimpiadën e Shahut (në Torino). Një vit më pas ajo u bë kampionia më e re e Kinës në shah, ndërkohë që ishte edhe pjesë e ekipit kinez që fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror Ekipor të Shahut, në seksionin për femra, që zhvillohej për herë të parë atë vit. Një sukses të tillë Hou Yifan-i dhe shoqet e saj të ekipit do ta përsëritnin edhe në dy edicionet e ardhshme të kësaj veprimtarie, në vitet 2009 dhe 2011. Vlen të përmendet fakti që në tre edicionet e tjera, tashmë pa Hou Yifan-in, ekipi kinez i femrave nuk arriti më të fitonte medaljen e artë, ndonëse nuk do të largohej kurrë pa medalje.

Hou Yifan-i arriti të merrte titujt "Mjeshtër i FIDE-s për femra" në janar të vitit 2004, "Mjeshtër i Madh për femra" në janar të vitit 2007 dhe "Mjeshtër i Madh " në gusht 2008.

Në 2010, Hou Yifan-i fitoi Kampionatin Botëror për Femra në Hatay të Turqisë në moshën 16-vjeçare. Ajo fitoi tre kampionatet pasardhëse në të cilët titulli përcaktohej nga rezultati i së ashtuquajturës ndeshje me dhjetë lojë (në 2011, 2013 dhe 2016, me një total 10 fitore, asnjë humbje dhe 14 barazime kundrejt tre rivalëve të ndryshëm), por ose u eliminua herët ose nuk pranoi të merrte pjesë në kampionatet, ku titulli përcaktohej nga një turne eliminator (në 2012, 2015 dhe 2017).

Yifan fitoi në dy turne të "Çmimit të Madh 2011-2012" për Femra, përkatësisht në Rostov të Rusisë dhe Shenzhen të Kinës. Në nëntor të vitit 2011, në kryeqytetin e Shqipërisë Tiranë, shahistja kineze mbrojti titullin kampione bote. Në finale, Hou ndodhej përballë shahistes indiane Koneru Humpy. Hou Yifan-i fitoi tre lojë dhe barazoi pesë të tjera në një ndeshje me 10 lojë, duke fituar titullin kampione lehtësisht. Më vonë, ekipi i përbërë me Hou dhe 4 bashkatdhetare të saj, fitoi për herë të tretë Kampionatin Botëror Ekipor në Mardin të Turqisë.

Gjatë periudhës 2012-2013, Hou Yifan nuk pati shumë arritje në arenën ndërkombëtare. Por vlen të përmendet që në edicionin e 40-të të Olimpiadës së Shahut që u mbajt në Stamboll të Turqisë, ajo e udhëhoqi ekipin kinez në fitoren e vendit të dytë dhe të medaljes së argjendtë, duke marrë vetë medaljen e artë për rezultatet individuale.

Hou Yifan është fituese e "Çmimit të Madh 2013-2014" për Femra, të cilin e nisi me tre fitore rresht, duke e zotëruar këtë turne nga fillimi deri në mbarim. Me shtyrjen e Kampionatit Botëror të Shahut 2014, në tetor ajo luajti në "Cirkuitin Korsikan të Shahut " dhe fitoi, duke mundur shahistin Sergey Fedorchuk në finale. Kjo konsiderohet si fitorja më e rëndësishme nga një shahiste femër në një veprimtari të përzier, përveç atyre të legjendës hungareze Judit Polgar, për të cilën kemi folur tashmë të emisionet tona.

Hou vijon të jetë aktive në turnetë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke vazhduar të shtojë trofetë e saj. Ajo është e treta shahiste femër që renditet ndër 100 shahistët më të mirë të botës, pas Maia Chiburdanidze-s dhe Judit Polgar-it. Ajo konsiderohet si shahistja më e mirë ende aktive, dhe se është "vite dritë" përpara rivaleve të saj. Në janar të vitit 2019, ajo ishte e para në renditjen botërore të shahisteve femra, me 87 pikë më shumë se numri dy, bashkëatdhetarja e saj Ju Wenjun.

Mrekulli
Lajmet Kryesore