Mikel Janku, nga fluturimi me avion te "fluturimi" në portë

2019-01-18 09:52:35 CRI Komenti juaj Printoni

Një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptar, Mikel Janku, është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare. Janku ka mbrojtur portën e ekipit të "Partizanit" në vitet 1962-1969, si edhe të kombëtares shqiptare në vitet 1964-1967, duke zhvilluar nëntë ndeshje zyrtare në veprimtaritë e FIFA-s dhe UEFA-s. Megjithëse studioi për pilot, ai e zëvendësoi fluturimin me helikopter me "fluturimin" në portën e fushës së futbollit, duke u shquar për kërcimet akrobatike e elasticitetin, dhe për një filozofi moderne loje të portierit për kohën.

Mikel Janku lindi në vitin 1941 në Tiranë. Ai ishte më i madhi ndër katër vëllezërit, të cilët të gjithë u morën me sport dhe të gjithë për një klub, ndërkohë që edhe babai i tyre kishte qenë futbollist në rini. Edhe Mikeli luante që i vogël futboll si shumë fëmijë të tjerë në atë kohë, nëpër rrugicat e fushat sportive të Tiranës. Në moshën 17-vjeçare ai nisi studimet për aviacion në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik. Përveç studimeve, ai luante edhe futboll, si portier, por edhe sporte të tjera.

Në vitin 1961, Janku kthehet në atdhe, duke vazhduar pasionin e tij të madh, futbollin. Pas një viti, duke luajtur në Spartakiadën Ushtarake, ai përzgjidhet për t'u luante si portier me ekipin e parë të "Partizanit", ku gjeti një tjetër legjendë të portës, Sulejman Maliqatin, por edhe futbollistë të tjerë të shquar, si Resmja, Papadhopulli, Pano etj.

Janku e zhvilloi ndeshjen e parë për "të kuqtë" ende pa mbushur 21 vjeç, në prill të vitit 1962, e po atë vit, pas pesë muajsh, do të zhvillonte edhe ndeshjen e vet ndërkombëtare, në përballjen e "Partizanit" në Tiranë me suedezët e Norçepingut, takim që u mbyll në barazim 1-1.

Dy vjet më pas, kur Sulejman Maliqati u largua nga "Partizani", porta e "të kuqve" do të kishte një tjetër gardian të parë shumë të talentuar, 23-vjeçarin Mikel Janku. E po atë vit ai do të luante ndeshjen e parë me kombëtaren shqiptare, pikërisht në maj të vitit 1964, në Roterdam me Holandën, kur portokallinjtë triumfuan 2-0. Për kombëtaren Janku ka zhvilluar nëntë takime, nga të cilat pa dyshim më mbresëlënës ka qenë barazimi në Tiranë në nëntor 1965 me Irlandën e Veriut, që kishte në përbërje të vet një legjendë të portës, Pat Xhenings. Por Jankut i kujtohej edhe ndeshja që ishte në Belfast gjashtë muaj më parë, gjatë së cilës, në kohën kur u fut në fushë, Xheningsi e shikonte me njëfarë habie, për shkak të trupit jo fort të gjatë të Jankut. Më vonë, pas ndeshjes, irlandoveriori i tha: "Ti bën një heroizëm të madh që luan si portier".

Por sigurisht arritjet më të mëdha Janku i pati me "Partizanin", me të cilin arriti të fitojë kampionate kombëtare e kupa Republike. Gjithashtu po me të kuqtë ka zhvilluar edhe disa takime ndërkombëtare përveç atij me "Norçepingun", si me "Spartakun, me "Këlnin" dhe me "Torinon".

Për shumë nga ata që i kanë ndjekur ndeshjet ku ka luajtur Mikel Janku, më e paharruar mbetet derbi kryeqytetas mes "Partizanit" dhe "17 Nëntorit" të atëhershëm, sot "Tirana". Janku pa dyshim ka qenë ai që i dha fitoren ekipit të vet, me një paraqitje të jashtëzakonshme, duke pritur çdo gjuajtje në kuadrat e duke mos lejuar rrjetën e portës së vet të tundej. Dhe tifozët e zjarrtë dhe të entuziazmuar nga fitorja të "Partizanit" e mbajtën në krahë deri në shtëpinë e tij.

Pas lënies së futbollit si lojtar në vitin 1969, Mikel Janku punoi si drejtues i klubit "Partizani" e trajner, ndërsa më pas, gjithnjë duke mos iu ndarë sportit, ai fillimisht nisi punë si opinionist futbolli në "Radio Tirana" e më pas edhe në TVSh, ndërsa edhe ka bashkëthemeluar dhe ka qenë zv.kryeredaktor i gazetës "Sport Ekspres", e para gazetë sportive në Shqipëri e krijuar pas vitit 1990.

Mikel Janku është nderuar me çmime të shumta, jo vetëm si futbollist, por edhe si gazetarë sportiv. Federata Shqiptare e Futbollit i ka dhënë atij titullin "Nderi i Futbollit shqiptar", ndërsa klubi të cilit Mikel Janku dhe të gjithë vëllezërit e tij i qëndruan besnikë, "Partizani", me rastin e 70-vjetorit të themelimit, i ka akorduar "legjendës së kuqe" "Medaljen e Meritës". Mikel Janku gjithashtu është fituesi i parë i çmimit "Anton Mazreku", që jepet per gazetarët sportive.

Mikel Janku u nda nga jeta më 10 janar, në moshën 78-vjeçare. Në mesazhin e tij të ngushëllimit për humbjen e kësaj figure të madhe të futbollit shqiptar, presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, ndër të tjera shkroi:

"Mikel Janku do të kujtohet me nderim, jo vetëm për kontributin si titullar i 'Partizanit' të madh të atyre viteve dhe i ekipit kombëtar, por edhe si shembull i qytetarisë dhe edukimit të brezave të rinj me vlerat më të mira sportive e njerëzore."

Mrekulli
Lajmet Kryesore