Tenisti amerikan Arthur Ashe dhe trashëgimia e tij

2018-12-10 08:52:06 CRI Komenti juaj Printoni

 

Më 25 nëntor u mbyll Kupa "Davis" e tenisit, me triumfin e Kroacisë, e cila mundi në finale Francën. Kupa "Devis" është veprimtaria më e madhe ndërkombëtare e tenisit ekipor për meshkuj. Ajo përshkruhet nga organizatorët si "Kupa e Botës e Tenisit" dhe ekipi fitues cilësohet si kampion bote. Tenistët amerikanë janë ata që e kanë fituar më shumë këtë trofe, të nisur në vitin 1900, pikërisht si një sfidë midis ShBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Personazhi i emisionit tonë të sotëm është i pari tenist me ngjyrë që u bë pjesë e ekipit amerikan në "Kupën Davis". Ai gjithashtu është i vetmi tenist mashkull me ngjyrë që ka fituar tituj individualë në Wimbledon, Turneun e Hapur të ShBA-së dhe Turneun e Hapur të Australisë, dhe po ashtu i pari tenist afroamerikan i renditur në vendin numër një në botë. Ai na ka lënë një trashëgimi të paharrueshme jo vetëm në historinë e tenisit, por edhe të aktivizmit shoqëror dhe të përpjekjeve për ndryshime në shoqëri. Ai është Arthur Ashe.

Arthur Robert Ashe Jr. ishte i pari tenist me ngjyrë që u bë pjesë e ekipit amerikan në "Kupën Davis" dhe i vetmi tenist mashkull me ngjyrë që ka fituar tituj individualë në Wimbledon, Turneun e Hapur të ShBA-së dhe Turneun e Hapur të Australisë. Ai është po ashtu i pari tenist afroamerikan i renditur në vendin numër një në botë. Më 20 qershor 1993, Ashe-s iu dhurua pas vdekjes "Medalja Presidenciale e Lirisë" nga presidenti i atëhershëm Bill Clinton.

Arthur Ashe u rrit në Richmond të shtetit Virginia, në kohën kur aty ekzistonte ende segregacioni. Shtati i tij nuk tregonte aspak karrierën e tij të ardhme si një sportist profesionist. "I dobët si kashtë", Arthur-i shijonte orë të panumërta duke lexuar dhe duke dëgjuar muzikë me të ëmën, Mattie. Ai shfaqi talentin për tenis që kur mori për herë të parë në dorë një raketë. Kur Arthur-i ishte 6 vjeç, nëna e tij ndërroi jetën befas. Me gjithë pikëllimin, kujtimi i nënës së vet të dashur do të ishte burim frymëzimi gjatë gjithë jetës së tij.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Arthur-i arriti të fitonte një bursë tenisi për në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA). Në universitet Arthur-i u bë i njohur për aftësinë e tij tenistike në shkallë kombëtare, duke kulmuar me titullin kampion individual dhe ekipor të kampionatit të Shoqatës Kombëtare Sportive të Kolegjeve (NCAA) në vitin 1965. Ai gjithashtu u rrit edhe si njeri, duke u diplomuar në degën e administrimit të biznesit në 1966.

Në vitin 1963, Ashe u zgjodh të përfaqësonte Shtetet e Bashkuara në "Kupën Davis", një nder i madh për të. Kështu, ai u bë i pari afro- amerikan që luante për ekipin kombëtar amerikan të tenisit. Në fakt, Arthur Ashe ishte një shembull frymëzimi për tenistët afro-amerikanë sa herë fitonte në fushën e lojës, ashtu si Althea Gibson-i për tenistet afro-amerikane rreth 10 vjet para tij. Rëndësia e arritjeve të tij nuk kishte si të mos kuptohej nga Ashe. Vendosmëria e tij për të arritur suksesin, ndonëse në një sport që historikisht cilësohej se ishte për të bardhët, u vu në provën më të madhe në vitin 1969.

Arthur Ashe u prit nga presidenti amerikan Ronald Reagan

Atë vit, kur ai shijonte famën botërore që kishte fituar një vit më parë pasi kishte fituar Turneun e Hapur të ShBA-së dhe kishte luajtur rol kyç për fitoren nga ekipi i ShBA-së të "Kupës Davis", ndodhën dy ngjarje, të cilat ndihmuan në formimin e Arthur-it si një aktivist, një rol prej të cilit ai kurrë u largua në jetën e tij, nëse besonte në ndonjë kauzë. Ashe dhe disa tenistë të tjerë formuan një organizatë që më pas do të njihej si Shoqata e Profesionistëve të Tenisit (ATP). Më vonë po atë vit, si tenisti numër një në ShBA dhe një prej tenistëve më të mirë në botë, Arthur-i aplikoi për një vizë për të luajtur në Turneun e Hapur të Afrikës së Jugut, që ishte një turne i njohur. Atij nuk iu tha viza për arsye të ngjyrës së lëkurës së tij, teksa Afrika e Jugut gjendej nën apartejd. Ashe vendosi të vepronte me guxim. Thirrja e tij për përjashtimin e Afrikës së Jugut nga turnetë e tenisit dhe nga Kupa "Davis", mori mbështetje të shpejtë e të gjerë nga shumë individë dhe organizata të mirënjohura, nga brenda dhe jashtë botës së tenisit. Si rezultat, ai solli në vëmendjen e botës shtypjen e qeverisë së atëhershme të Afrikës së Jugut. Të frymëzuar nga përpjekjet e nisura nga Arthur Ashe, njerëzit me ngjyrë në Afrikën e Jugut dalngadalë, por me siguri, panë ndryshime në vendin e tyre.

Si një sportist, Arthur Ashe ishte një prej tenistëve më të mirënjohur në kohën e tij. Ai qe një konkurrues i gjithanshëm që vështirë se mund të njihte humbjen. Trashëgimia e tij do të jenë ndryshimet pozitive që ai solli dhe garat që fitoi, në tenis dhe në shoqëri.

Në 1975-n, në moshën 31-vjeçare, Arthur Ashe ishte në një prej sezoneve të tij më të mira dhe një prej çasteve më të ndritshme në karrierën e tij me fitimin e Wimbledonit. Ai po ashtu siguroi përfundimisht vendin nr.1 në renditjen botërore.

Pas lënies së sportit në 1980 dhe operacioneve në zemër në 1979 dhe 1983, Arthur-i nisi karrierën në fusha të tjera, duke përfshirë gazetarinë e median, si edhe filantropinë. Dukej se ish-tenisti ishte në tranzicionin e mbarë në gjysmën e dytë të jetës së vet, dhe u bë baba në vitin 1986 me lindjen e vajzës së tij Camera Elizabeth. Por pas diagnostikimit me HIV në 1988, jeta e tij ndryshoi tërësisht.

Ashe besohet ta ketë marrë virusin nga transfusioni gjatë një operacioni bypass të zemrës. Ai e njoftoi sëmundjen e tij në prill 1992 dhe nisi të edukonte të tjerë mbi virus HIV dhe sidën. Ai krijoi Fondacionin për Mposhtjen e Sidës "Arthur Ashe" dhe Institutin për Shëndetin Urban "Arthur Ashe" para se të vdiste nga pneumonia e lidhur me sidën, më 6 shkurt 1993, në moshën 49-vjeçare.

Për Arthur Ashe-n, tenisi ishte një mjet për të arritur qëllimin. Ajo që nisi në këndet publike të lojërave në Richmond të Virginia-s u bë një karrierë e shquar për një dekadë. Gjatë kësaj periudhe ai fitoi çmime të panumërta, dujke përfshirë tre tituj të "Grand Slam"-it dhe mbi 800 fitore të karrierës. Por për Arthur-in, ishte gjithmonë më shumë se një shkëlqim personal. Rëndësi më të madhe për të kishte që emri si një lojtar elite i garantoi një platformë të veçantë botërore për të folur hapur mbi pabarazinë, në botën e tenisit dhe në shoqëri. Arthur-i zgjodhi të shfrytëzonte statusin e tij për të nxitur ndryshime, gjë që e bën trashëgiminë e tij aq të rëndësishme.

(Wang Xianya)

 

Mrekulli
Lajmet Kryesore