John McEnroe, një prej tenistëve më të mëdhenj në epokën e "turneve të hapur"

2018-11-19 08:56:18 CRI Komenti juaj Printoni






Në "Arena O2" të Londrës në Britani po zhvillohen Finalet e Shoqatës së Tenistëve Profesionistë (ATP) të tenisit për meshkuj 2018. Finalet e ATP-së janë kampionati përmbyllës i sezonit të Turneut Botëror të ATP-së, ku luajnë tetë lojtarët më të mirë individualë dhe ekipet dyshe sipas renditjes së ATP-së dhe është gjithashtu turneu më kryesor për tenistët meshkuj pas katër turneve të "Grand Slam"-it.

Roger Federeri mban rekordin për titujt individualë të fituar në këtë turne, me gjashtë të tilla, ndërsa Peter Fleming-u dhe John McEnroe janë rekordmbajtësit për titujt në ndeshjet dyshe, me 7 fitore. Në emisionin e sotëm do të flasim për John McEnroe-n, tenisti amerikan që konsiderohet si një prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e tenisit, i cili ka mbajtur vendin nr.1 në renditjen si individuale, dhe dyshe, duke e mbyllur karrierën e tij me 77 fitore individualë dhe 78 dyshe.

I lindur më 16 shkurt 1959 në Wiesbaden të Gjermanisë Perëndimore të dikurshme nga prindër amerikanë, John McEnroe doli në qendër të vëmendjes së publikut me hyrjen në gjysmëfinalen e Wimbledon-it në moshën 18-vjeçare. Më tej ai do të fitonte disa herë turnetë e "Grand Slam-it" dhe u bë i famshëm për aftësitë mbresëlënëse dhe rivalitetin me suedezin, Bjorn Borg, si edhe për karakterin e ndryshueshëm në fushën e tenisit.


Stil madhështor loje, personalitet i ndryshueshëm

Me kalimin e kohës, McEnroe nisi të luante me një stil që dallohej për finesën dhe shkathtësinë. Shërbimet e tij nuk ishin shumë të forta, por reagimi i tij është i shpejtë dhe një nuhatje të mprehtë në fushë, sikur e dinte instinktivisht se ku do të drejtohej topi. Arthur Ashe, një kampion i ndjerë tenisi, e përmblidhte kështu stilin e e John McEnroe-s në një intervistë për "Sports Illustrated": "Përballë Connors-it dhe Borg-ut, të duket sikur po të gjuajnë me një çekan, por McEnroe është një heshtë."

Bashkë me talentin që tërhoqi vëmendjen e publikut, ishin edhe sjelljet e tij të çuditshme. "Newsweek" shkruante për të: "Ai është një i ri që i ngriti në mënyrë të përsosur goditjet në një formë të lartë arti, vetëm për të pasur pastaj shpërthime zemërimi që e bënin kryeveprën e tij të dukej si mbishkrim në mur."

Në 1979, pas humbjes në "Wimbledon", MeEnroe fitoi "U.S.Open" në një ndeshje kundrejt Vitas Gerulaitis, duke u bërë kështu lojtari më i ri që e fitonte këtë turne qysh nga viti 1948. Fill pas këtij triumfi, ai i udhëhoqi Shtetet e Bashkuara në triumfin kundrejt Argjentinës, Australisë dhe Italisë, duke mbajtur titullin në Kupën "Davis".


Ndjeshja e famshme me Borg-un në "Wimbledon" dhe "Grand Slam"-e të tjera

"Në qoftë se luan me John-in, duhet të luash me më të mirën tënde. Ai nuk ka asnjë dobësi," ka komentur Bjorn Borg-u për McEnroe-n.

Në 1980, një prej përballjeve më të famshme të tenisit midis McEnroe dhe suedezit gjakftohtë Bjorn Borg mori formë, duke filluar në korrik të atij viti në finalen e "Wimbledon"-it. Seti i katërt përfundoi me 34 pikë shtesë, kurse ndeshja e plotë zgjati katër orë e gjysmë. Borg-u doli fitimtar (1-6, 7-5, 6-3, 6-7, 8-6) në një prej ndeshjeve më epike të të gjitha kohërave në tenis.

Dy rivalët u takuan prapë në finalen e "US Open", ku McEnroe fitoi (7-6, 6-1, 6-7, 5-7, 6-4). Më pas u gjendën përballë njëri-tjetrit për herë të dytë në finalen e "Wimbledon"-it në 1981. Kësaj here, Borg-u humbi kurorën që e mbante prej pesë vjetësh dhe McEnroe, që doli fitimtar në një ndeshje me katër sete, u fronëzua si mbreti i ri. McEnroe e mundi Borg-un prapë në turneun e "US Open", duke u bërë tenisti i parë mashkull qysh kur Bill Tilden-i fitonte tre tituj "Open" me radhë.


John McEnroe (djathtas) me Bjorn Borg-un


Përpjekje të tjera

Në 1995, McEnroe nisi karrierën e dytë si komentator televizioni dhe vazhdoi të konkurrojë herë pas here në fushën e tenisit me qëllim bamirësie, duke i kushtuar një pjesë të kohës Fondacionit "Arthur Ashe" në luftën ndaj sidës. McEnroe u fut në Hollin Ndërkombëtar të Famës të Tenisit në vitin 1999.


Filmat

Në prill të vitit 2018 u shfaq në ekran filmi sportiv "Borg vs McEnroe". Aktori Shia LeBeouf luan rolin e yllit tekanjoz të tenisit.

Verën e kaluar, një dokumentar, "John MeEnroe: In the Realm of Perfection", me pamje nga arkivi të ndeshjeve të tij gjatë turneut "French Open", u takua me shikuesit. (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore