Guo Yuehua, fituesi i parë i kupës së botës në pingpong

2018-10-18 14:57:35 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën mbyllet në Paris të Francës Kupa e Botës në pingpong për meshkuj. Guo Yuehua është fituesi i medaljes së parë të artë në këtë veprimtari, të filluar në vitin 1980. Pingpongisti kinez e ka fituar edhe një herë tjetër medaljen e artë në këtë kupë, ndërkohë që në sukseset e karrierës së tij të pasur përfshihen edhe gjashtë tituj kampionë bote si në ndeshjet individuale e dyshe, ashtu edhe në ato ekipore.

Guo Yuehua ka lindur në vitin 1956 në qytetin Xiamen të provincës lindore kineze Fujian. Ai filloi të luajë pingpong kur ishte tetë vjeç, duke hyrë në një shkollë sportive. Xiamen-i është një qytet bregdetar dhe meqë Guo luante shpesh në plazh, që i vogël ai kishte një trup të fuqishëm, ndonëse nuk ishte shtatlartë. Guo Yuehua po ashtu luante gjithmonë me lojtarë më të mëdhenj dhe më të mirë se vetja, gjë që do të luante rol të madh në suksesin e tij në vitet në vijim.

Guo Yuehua u bë pjesë e ekipit kombëtar të të rinjve të Kinës në moshën 17-vjeçare, ndërkohë që më pas do të ishte anëtar i kombëtares së të rriturve. Suksesin e parë ndërkombëtar Guo Yuehua e arriti në kampionatin botëror të vitit 1977 në Birmingam të Britanisë së Madhe, ku fitoi medaljen e artë me ekipin kinez dhe medaljen e argjendtë individuale. Në kampionatin e ardhshëm botëror, të zhvilluar pas dy vjetësh në Phenian të Koresë së Veriut, Guo Yuehua mori medaljen e argjendtë si ekipore, ashtu edhe individuale, ndërkohë që mori medaljen e bronztë në ndeshjet dyshe. Në kampionatin botëror të vitit 1981, që u organizua në Novi Sad të Jugosllavisë së atëhershme, rezultatet e Guo Yuehua-së do të kishin ngritje, duke fituar dy medalje të arta, përkatësisht ekipore dhe individuale, si edhe medaljen e argjendtë në ndeshjet dyshe. Por paraqitja më e mirë e Guo Yuehua-së në kampionatet botërore do të ishte në edicionin e mëpasshëm, atë që u zhvillua në Tokio të Japonisë në vitin 1983, ku ai siguroi tre medalje të arta: ekipore, indiviuale dhe në ndeshjet dyshe të përziera.

Të spikatura do të ishin rezultatet e Guo Yuehua-së edhe në Kupën e Botës. Në edicionin e parë në vitin 1980 të zhvilluar në Hong-Kong, Guo Yuehua do të shkruante përgjithmonë emrin e vet në historinë e kësaj veprimtarie, si fituesi i medaljes së parë të artë. Një vit më pas në Kuala-Lumpur të Malajzisë pingpongisti nga Kina mori medaljen e bronztë, ndërsa në edicionin e mëpasshëm, po në Hong-Kong, fitoi përsëri medaljen e artë.

Të shumta qenë sukseset e Guo Yuehua-së edhe në Kampionatin Aziatik të Pingpongut, ku ai fitoi 14 medalje, gjysmën e të cilave të arta, si në ndeshjet ekipore e individuale, ashtu edhe në ndeshjet dyshe e dyshe të përziera.

Guo Yuehua shquhej për qëndrimin disi më pranë tabelës se pingpongistët e tjerë, për sulmet e shpejta dhe shërbimet e fuqishme e të sakta, që i jepnin epërsi gjatë lojës. Ai po ashtu ishte një sportist që respektonte kundërshtarët e respektohej prej tyre. Kur Jan Ove Waldner-i, një prej pingpongistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, u pyet në Olimpiadën e Barcelonës të vitit 1992 se cili ishte pingpongisti që respektonte më shumë, ai u përgjigj pa asnjë ngurrim: "Guo Yuehua".

Në vitin 2001 Guo Yuehua u përfshi në Hollin e Famës të Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut.

Ai e la sportin herët, në vitin 1983, në moshën 28-vjeçare. Megjithatë, pas largimit si lojtar, Guo Yuehua ka punuar si zyrtar sporti, duke mbajtur poste të tilla si nënkryetar i Komisionit të Sporteve të provincës Fujian dhe president i Shoqatës së Pingpongut të qytetit Xiamen. Ai ka punuar gjithashtu edhe si trajner.

Guo Yuehua është nderuar me çmime të shumta. Nga viti 1980 deri në 1983, për katër vjet me radhë, ai është zgjedhur ndër "10 sportistët më të mirë të Kinës". Në vitet 1984 dhe 1989 Guo Yuehua u përfshi si një ndër sportistët më të mirë përkatësisht gjatë 35 dhe 40 vjetëve që prej themelimit të Republikës Popullore të Kinës. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore