Chrissie Wellington-i, "gruaja e hekurt" e "Ironman"-it

2018-10-12 15:24:18 CRI Komenti juaj Printoni

Këtë fundjavë zhvillohen dy veprimtari të rëndësishme të triatlonit: Kupa e Botës dhe Kampionati Botëror "Ironman". Në të vërtetë, të dyja këto veprimtari janë një grup garash në tre sportet që përbëjnë zakonisht triatlonin: not, çiklizëm dhe vrapim. Triatloni kërkon forcë dhe qëndresë të madhe, prandaj edhe kampionati botëror quhet "Ironman", që në anglishte do të thotë "Njeriu (burri) i hekurt". Por Chrissie Wellington në të vërtetë është një grua, që sidoqoftë mund të quhet me plot gojën "e hekurt". Ajo e ka fituar katër herë Kampionatin Botëror "Ironman", duke dalë triumfuese në të 13 garat ku mori pjesë dhe duke thyer tre herë rekordin botëror. Trajneri i saj e ka quajtur: "Një njeri me shkëlqim të vërtetë sportiv ndërkombëtar, që nuk është eklipsuar prej askujt tjetër në sportet e tjera."

Chrissie Wellington-i ka lindur më 18 shkurt 1977 në Suffolk të Anglisë dhe u rrit në Norfolk. Ajo nisi të merrej me sport që në shkollën fillore, filimisht me gjimnastikë e më pas me not, hokej e atletikë. Chrissie u bë pjesëtare e një ekipi noti që në moshën nëntëvjeçare.

Kur ishte 18-vjeçare Chrissie Wellington nisi studimet në Universitetin e Birmingamit. "Studimi ishte gjithmonë përparësia kryesore për mua, por po ashtu u bëra anëtare e një numri klubesh dhe ekipesh sportive", ka kujtuar ajo. Por noti mbeti sporti kryesor për të dhe Chrissie u bë kapitene e ekipit të notit të universitetit.

Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera për gjeografi, Chrissie donte të studionte përsëri, këtë herë për drejtësi. Por përpara se të fillonte këtë degë të dytë, ajo vendosi të udhëtojë nëpër botë për nëntë muaj. Sidoqoftë, ky udhëtim zgjati dy vjet dhe ishte një përvojë e paharruar për të. Ajo u kthye në Angli e vendosur për të ndryshuar rrugën e karrierës dhe për të studiuar në fushën e zhvillimit ndërkombëtar.

Ndërkohë, Chrissie vazhdonte të merrej edhe me sport, por këtë herë kryesisht me vrap. "Më pëlqente vërtet energjia që më jepte vrapimi dhe sfida për të shkuar çdo herë pak më larg," ka treguar ajo. Në vitin 2002 Chrissie Wellington-i mori pjesë në Maratonën e Londrës. Po atë vit ajo nisi punë për qeverinë britanike si këshilltare për politikat e zhvillimit ndërkombëtar. Ndërkohë, ajo rifilloi të merrej edhe me not, derisa një mik i saj, anëtar i Klubit të Vrapimit dhe të Triatlonit të Birmingamit, e nxiti të merrej me triatlon, megjithëse ajo kurrë nuk kishte hipur në biçikletë deri atëherë. Ajo bleu një biçikletë të vjetër sportive "Peugeot" dhe zuri të mësonte ta ngiste, duke nisur njëkohësisht stërvitjen në triatlon.

Chrissie Wellington-i e zhvilloi garën e parë të triatlonit në maj 2004 dhe doli e treta. Në dy muajt e mëpasshëm ajo triumfoi në të dy garat ku mori pjesë, që do të pasoheshin edhe nga shumë fitore të tjera. Pas marrjes së titullit kampione si amatore, në vitin 2007 Chrissie Wellington-i u bë një triatloniste profesioniste. Në tetor të atij viti ajo fitoi për herë të parë Kampionatin Botëror "Ironman", në Kona të Havait. Chrissie Wellington-i u bë kështu e vetmja triatloniste, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, që e ka fituar këtë kampionat më pak se një vit pas bërjes profesioniste, gjë që është përshkruar nga Federata Britanike e Triatlonit si "një arritje e spikatur, e cila shihet si një mision thuajse e pamundur për çdo sportist që merr pjesë për herë të parë në Kampionatin Botërore 'Ironman'."

Një vit më pas ajo e fitoi përsëri këtë kampionat, si edhe kampionatin botëror të distancave të gjata në Almere të Holandës. Në 2009-n Chrissie Wellington-i jo vetëm fitoi përsëri Kampionatin Botëror "Ironman", por edhe theu një rekord që mbahej prej 17 vjetësh në këtë veprimtari. Në vitin 2010 Chrissie nuk mori pjesë në "Ironman" për shkak dëmtimi, por pas një viti u rikthye e shëruar dhe bëri gjënë e vetme që dinte të bënte: të fitonte përsëri, duke vendosur edhe rekordin e kohës më të shpejtë të arritur nga një triatloniste në "Ironman".

Në janar 2012 Chrissie Wellington-i njoftoi se do të qëndronte një vit larg triatlonit, por në dhjetor të po atij viti shpalli se tërheqja do të ishte e përhershme.

E megjithatë, Chrissie nuk hoqi dorë nga sporti. Ajo filloi të merrte pjesë në Parkrun, një numër garash vrapimi që zhvillohen çdo të shtunë në 20 vende të botës.

Chrissie Wellington-i është edhe autore e librit "Një jetë pa kufi – Udhëtimi i një kampioneje bote", një përshkrim jo vetëm i karrierës sportive, por edhe i jetës së saj. Libri synon të motivojë çdokënd që e lexon të përpiqet të kapërcejë ata që i sheh si kufij të vetvetes. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore