Tong Wen-i, gjigantja kineze e xhudos

2018-09-20 16:59:11 CRI Komenti juaj Printoni

Në Baku të Azerbajxhanit po zhvillohet Kampionati Botëror i Xhudos. Ndër vendet pretendente për medalje në këtë veprimtari është Kina, veçanërisht kur është fjala në konkurrimin për femra. Xhudistet kineze, mbi të gjitha ato të peshës së rëndë, kanë njohur në vijimësi suksese, si në kampionatet botërore, ashtu edhe në olimpiada. Kështu, në dy kampionatet e fundit botërorë, fituese në peshën mbi 78 kg për femra kanë qenë pikërisht xhudistet kineze, ndërkohë që po xhudiset kineze janë fitueset e numrit më të madh të medaljeve olimpike për peshën e rëndë, katër nga shtatë të tilla, që kur xhudoja për femra u bë disiplinë olimpike në vitin 1992.

Tong Wen-i është pikërisht njëra prej këtyre fitueseve. Ajo ka bërë të sajën medaljen e artë në peshën mbi 78 kg në Olimpiadën e Pekinit, ndërkohë që është shpallur edhe pesë herë kampione bote dhe një herë kampione e Azisë, si edhe ka marrë dy medalje të arta në Lojërat Aziatike.

Tong Wen në stërvitje

Tong Wen-i ka lindur më 1 shkurt 1983 në qytetin kinez të Tianjin-it. Ajo nisi të merrej me xhudo në moshën 13-vjeçare, falë edhe trupit të vet shumë të madh për moshën. Po atë vit ajo u bë pjesë e ekipit kombëtar të të rejave të xhudos të Kinës.

Suksesin e vet të parë ndërkombëtar Tong Wen-i e arriti në vitin 2000, në Kampionatin Aziatik të Xhudos në Osaka të Japonisë, ku mori medaljen e artë, në peshën mbi 78 kg. Po në Osaka tre vjet më pas xhudistja kineze do të shpallej kampione bote, titull që do ta fitonte edhe katër herë të tjera rresht, përkatësisht në vitet 2005, 2007, 2009 dhe 2011.

Por pa dyshim arritja më e madhe në karrierën e saj do të ishte në vitin 2008, kur Olimpiada zhvillohej në atdheun e Tong-ut, në Kinë. Tong Wen-i nuk kishte arritur të merrte pjesë për shkak dëmtimi në Olimpiadën e Athinës katër vjet më parë. Mundet edhe për këtë arsye, për herë të parë që prej përfshirjes së xhudos së femrave në lojërat olimpike në vitin 1992, Kina nuk arriti të fitonte medaljen e artë në kategorinë mbi 78 kg, por u mjaftua me medaljen e bronztë. Katër vjet më pas, Tong Wen-i ishte e vendosur t'i rikthente trofeun atdheut të saj. Dhe ajo nuk zhgënjeu kur arriti deri në finale, ku përballë do të kishte pikërisht fituesen e medaljes së artë në Lojërat Olimpike të Athinës, xhudisten japoneze Maki Tsukada. Beteja mes dy gjiganteve 120 kg secila dhe mbi 180 cm të gjata, që u ndoq nga 5000 veta të pranishëm në Pallatin e Sportit të Pekinit, u zhvillua me një luftë të fortë sportive. Maki Tsukada ishte shprehur para Olimpiadës se nuk mund të kishte kampione të vërtetë olimpike pa mundur xhudisten kineze. Por doli se ky ishte mision i pamundur, edhe pse japonezja kryesonte deri pak para përfundimit të ndeshjes. Kurse vetë Tong Wen-i do të shprehej pas fitores së ndeshjes, e bashkë me të, edhe të medaljes së artë: "Unë kurrë nuk kam luajtur një ndeshje kaq të fortë. Gjithmonë kam kryesuar ndaj saj në ndeshjet e mëparshme, kështu që kisha një vullnet të fortë për ta fituar ndeshjen edhe kur gjendesha në disavantazh".

Tong Wen, në Olimpiadën e Pekinit, 2008

Tong Wen-i do të merrte pjesë edhe në Olimpiadën e Londrës të vitit 2012, por do të fitonte vetëm medaljen e bronztë. Pas kësaj, në moshën 29-vjeçare, Tong Wen-i e la sportin.

Medalja e artë e fituar prej saj në Pekin ishte e fundit për Kinën në kategorinë mbi 78 kg në xhudon për femra për sa u përket olimpiadave. Por xhudistet femra do të vazhdonin të ishin triumfuese në kampionatet botërore, ku edhe pas largimit të Tong Wen-it ato do të vijonin të shpalleshin kampione. Edhe në kampionatin botëror që është në vazhdim dy xhudistet kineze që konkurrojnë në kategorinë mbi 78 kg janë pretendentet kryesore për fitimin e titullit, duke vijuar traditën e Tong Wen-it dhe të shoqeve të saj. (Artan Goga)

Tong Wen, në Olimpiadën e Pekinit, 2008

Mrekulli
Lajmet Kryesore