Li Duihong-u, kampionia e qitjes me pistoletë nga 25 metra

2018-09-13 09:56:09 CRI Komenti juaj Printoni

Në Korenë e Jugut u mbyll të premten Kampionati Botëror i Qitjes, një veprimtari që zhvillohet një herë në katër vjet nga Federata Ndërkombëtare e Qitjes Sportive. Edhe në këtë kampionat, ashtu si në katër nga pesë kampionatet e fundit, kanë mbizotëruar qitësit dhe qitëset kineze. Li Duihong-u është një prej atyre që e kanë ngritur qitjen kineze në majat e qitjes botërore. Ajo ka fituar tre herë medaljen e artë në Kampionatin Botëror të Qitjes të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Qitjes Sportive, si edhe dy herë të tjera po medaljen e artë në Kampionatin Botëror të Qitjes të Këshillit Ndërkombëtar për Sportet Ushtarake. Ajo pa ashtu ka fituar edhe një medalje të artë olimpike, si edhe një të argjendtë.

Li Duihong-u ka lindur në vitin 1970 në Daqing të provincës Heilongjiang në Kinës Verilindore. Ajo nisi të merrej me qitjen që në moshën 12-vjeçare. Lidhur me historinë se si u përfshi në këtë sport, Li Duihong-u tregon: "Në atë kohë trajnerët e qitjes ishin të paktë, kështu që ushtria dërgoi dy veta për të përzgjedhur fëmijë për t'u marrë me qitje. Unë dhe motra ime ishim që të dyja në klasë të pestë dhe ishim ende në mësim kur erdhën dy përfaqësuesit e ushtrisë dhe pyetën se kush nga ne donte të stërvitej për qitje. Motra ime ngriti dorën, e pas saj edhe unë. Por meqë nuk isha shumë e mirë në mësime, mësuesja më tha ta ulja dorën. Kështu që motra hyri e para në ekipin e qitjes".

Li Duihong në Olimpiadën e Atlantës, 1996

Por duket se fati nuk donte ta linte të pazbuluar një fëmijë me dhunti, kështu që më pas edhe Li Duihong-u u përfshi në ekipin e qitjes. Dhe do ta tregonte talentin e vet kur po atë vit do të arrinte suksesin e vet të parë ndërkombëtar, duke dalë e para në Kupën e Botës të Qitjes në Havanë të Kubës, në kategorinë e pistoletës sportive me kalibër të vogël. Pas dy vjetësh, në vitin 1984, Li Duihong-u u përzgjodh për të qenë pjesëtare e ekipit të qitjes të Zonës Ushtarake të Provincës Heilongjiang, dhe më pas, po atë vit, në ekipin e qitjes të ushtrisë, "Bayi" (ose "1 Gushti").

Në vitin 1987, kur ishte 17 vjeçe, Li Duihong-u u përfshi në ekipin kombëtar të qitjes të Kinës. Por i duhej të priste pesë vjet për të shpalosur vlerat e veta e për të triumfuar.

Në Lojërat Olimpike të vitit 1992 në Barcelonë, Li Duihong-u doli e dyta në qitjen me pistoletë nga 25 metra, duke marrë kështu medaljen e argjendtë. Pas një viti, në Kampionatin Botëror të Qitjes të Këshillit Ndërkombëtar për Sportet Ushtarake, që atë vit zhvillohej në Oslo të Norvegjisë, qitësja kineze mori një medalje të artë dhe tre argjendi, përkatësisht dy individuale dhe dy ekipore, duke vendosur edhe rekordin e kampionatit në qitje 25 metra me pistoletë, rekord që nuk është thyer ende edhe sot. Një vit më pas, në Kampionatin Botëror të Federatës Ndërkombëtare të Qitjes Sportive, Li Duihong-u fitoi dy medalje të arta ekipore, përkatësisht në qitjen me pistoletë me ajër nga 10 metra dhe me pistoletë sportive 25 metra, ndërkohë që mori medaljen e bronzit në qitjen me pistoletë sportive nga 25 metra individuale.

Li Duihong në Olimpiadën e Atlantës, 1996

Por suksesi më i madh në karrierën e Li Duihong-u sigurisht do të vinte në vitin 1996, në Olimpiadën e Atlantës, kur me 589 + 98.9 pikë në qitjen nga 25 metra me pistoletë ajo jo vetëm mori medaljen e artë, por edhe vendosi rekord olimpik. Ky rekord do të thyhej më pas po nga qitëset kineze, por një rekord ende i pathyer i Li Duihong-ut është ai botëror ekipor po në 25 metra me pistoletë, që ajo vendosi me dy shoqet e saj të ekipit kombëtar në Lojërat Aziatike të Busanit në vitin 2002. Po atë vit Li Duihong-u u shpall edhe kampione bote, po në disiplinën ku ajo ishte pothuajse absolute, 25 metra me pistoletë. Ndërkohë në vitin 2001, në Kampionatin Botëror të Qitjes të Këshillit Ndërkombëtar për Sportet Ushtarake, Li Duihong-u mori medalje të artë si individuale, ashtu edhe ekipore, në qitjen me pistoletë sportive.

Në vitin 2003 Li Duihong-u u tërhoq nga ekipi kombëtar dhe nisi punë si trajnere e qitjes, por u rikthye përsëri pas një viti për të marrë pjesë në olimpiadën e Athinës, duke treguar vullnetin e saj dhe sfidën që ajo kërkon t'i bëjë moshës.

Li Duihong-u është nderuar me tituj e medalje të ndryshme për kontributin e saj, si "Medalja kombëtare e nderit për sportet" nga Komisioni Shtetëror për Kulturën Fizike dhe Sportet i Kinës, ndërsa tre herë është përzgjedhur ndër 10 sportistët më të mirë të vitit në Kinë. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore