Chris Evert-i, "Princesha e akullit" e tenisit

2018-09-07 10:38:41 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën mbyllet Turneu i Hapur i ShBA-së në tenis. Tenistja amerikane Chris Evert është ajo që e ka fituar më shumë herë këtë turne, së bashku me një tjetër teniste të shquar po amerikane, Serena Williams. Ajo ka vendosur edhe një numër rekordesh të tjera, ndërkohë që ka krijuar në tenis edhe të ashtuquajturin "stil i goditjes me pjesën e pasme të raketës me të dyja duart". Për afro 15 vjet ajo ka qenë mbizotëruesja e tenisit të femrave.

 

Chris Evert-i ka lindur në vitin 1954 në Florida të ShBA-së. Ajo filloi të luajë tenis që në moshën 5-vjeçare, duke pasur si trajner babanë e saj, Jimmy Evert, një tenist i njohur në atë kohë, e që më vonë do të bëhej edhe trajneri i Serena Williams-it.

 

Pas fitores së turneut kombëtar të tenisit për moshat nën 16 vjeç, Evert-i mori pjesë në një turne me tetë teniste të zhvilluar në Karolinën e Veriut. Tenistja e re 15-vjeçare do të dilte në finale, duke arritur të mundte mbajtësen e titullit kampion të këtij turneu dhe tenisten nr. 1 në botë në atë kohë, Margaret Court.

Një vit më pas, në 1971, Chris Evert-i pati pjesëmarrjen e vet të parë në një turne të "Grand Slam"-it, pikërisht në Turneun e Hapur të ShBA-së. Ajo arriti fitore 2-0 në ndeshjen e parë dhe 2-1 në tre ndeshjet e ardhshme, duke arritur në të tre rastet ta përmbyste rezultatin. Evert-i u bë kështu gjysmëfinalistja më e re në hisorinë e Turneut të Hapur të ShBA-së, por pikërisht aty udhëtimi i saj u ndal, pasi u mund nga fituesja e këtij turneu për atë vit, Billie Jean King.

Një vit më pas Chris Evert-i do të merrte pjesë për herë të parë në turneun e Wimbledon-it në Angli, duke dalë përsëri në gjysmëfinale. Para mbërritjes së saj në Wimbledon, mediat britanike e quajtën atë "Princesha e akullit", për shkak të qetësisë, hijeshisë dhe saktësisë së saj. Ky emër mbeti me të gjatë gjithë karrierës së saj.

Chris Evert-i u bë sportiste profesioniste në moshën 18-vjeçare, në dhjetor të vitit 1972. Kjo shënon edhe fillimin e hyrjes së saj në "librin e rekordeve". Gjatë viteve '70 dhe në gjysmën e parë të viteve '80, tenistja amerikane fitoi 18 tituj të "Grand Slam"-it, ndërkohë që doli edhe 16 herë të tjera në finale. Përpara se të kremtonte 21-vjetorin e lindjes, ajo kishte fituar tashmë nga dy herë Turneun e Hapur të ShBA-së (1975, 1976), Wimbledon-in (1974, 1976) dhe "Roland Garros"-in e Francës (1974, 1975), pa përmendur një numër kampionatesh të tjera. Ndërkohë Evert-i fitoi tre turne të "Grand Slam"-it edhe në ndeshjet dyshe për femra ("Roland Garros"-in në 1974 e 1975 dhe në vitin 1976 "Wimbledon"-in).

 

Në vitin 1982 Chris Evert vendosi rekordin e fitoreve në Turneun e Hapur të ShBA-së për sa u përket tenisteve femra, gjashtë të tilla, rekord që në vitin 2014 u barazua pikërisht nga Serena Williams-i, por që ende nuk është tejkaluar. Ndërkohë, për sa u përket turneve të tjera të "Grand Slam"-it, Evert-i ka fituar gjithsej shtatë herë "Roland Garros"-in (duke u kaluar vetëm në vitin 2013 nga Rafael Nadali), tre herë Wimbledon-in dhe dy herë Turneun e Hapur të Australisë (1982, 1984).

Evert-i gjithashtu ka fituar katër herë Kampionatin e Shoqatës Botërore të Tenisit, që organizohet në fund të çdo sezoni me tenistet më të mira.

Përveç sukseseve individuale, Evert-i ka fituar tetë herë Kupën e Federatave me ekipin e tenisit të femrave të Shteteve të Bashkuara. Ndeshja e fundit e Evert-it ishte pikërisht në këtë veprimtari në vitin 1989, kur ajo e mbylli karrierën e vet të shkëlqyer gjatë së cilës kishte arritur shumë fitore, po me një fitore 2-0 ndaj Conchita Martinez-it.

Gjatë karrierës së saj, Chris Evert-i arriti shumë rekorde. Ajo u bë tenistja e parë, si për meshkuj, edhe për femra, që fitoi 1 000 ndeshje individuale. Ajo po ashtu fitoi të paktën një titull të madh për 13 vjet me radhë, ndërsa nga viti 1975 deri në 1986, për 260 javë gjithsej, u rendit në vendin e parë ose të dytë në klasifikimin e Federatës Ndërkombëtare të Tenisit.

Chris Evert ka marrë tituj e çmime të shumta, si "Sportistja e vitit" nga "Associated Press" (katër herë), ndërsa në vitin 1985 Fondacioni Sportiv i Grave e cilësoi si sportisten më të madhe të 25 vjetëve të fundit. Evert-i u përfshi njëzëri në Hollin Ndërkombëtar të Famës të Tenisit në vitin 1995.

Pas lënies së sportit, Chris Evert-i u bë komentatore televizive për tenisin, këshilltare e posaçme e ekipit kombëtar të tenisit të Shteteve të Bashkuara dhe presidente e Shoqatës së Tenisit të Femrave (1982-1991). Bashkë me familjen ajo themeloi në vitin 1996 Akademinë e Tenisit "Evert", për të formuar breza të rinj tenistësh. (Artan Goga)

Mrekulli