Gao Min, "Mbretëresha e kërcimit nga trampolina"

2018-09-04 14:39:54 CRI Komenti juaj Printoni

Në Xhakartë të Indonezisë mbyllen të dielën Lojërat e 18-ta Aziatike. Ashtu siç edhe pritej, në këto lojëra ka mbretëruar Kina, që ka fituar numrin më të madh të medaljeve. Një ndër sportet ku Kina ka treguar epërsinë më të madhe është pa dyshim kërcimi në ujë, si nga platforma, ashtu edhe nga trampolina. Gao Min është një sportive e kërcimit në ujë që 28 vjet më parë ka fituar pikërisht tre medalje të arta në Lojërat Aziatike. Përveç kësaj, ajo ka fituar po tre medalje të arta në kupën e botës të kërcimit në ujë, tre tituj kampione bote, e mbi të gjitha, dy medalje të arta olimpike. Ajo është pa dyshim një prej emrave më të mëdhenj në historinë e sportit të kërcimit në ujë.

Gao Min-i ka lindur në vitin 1971 në qytetin Zigong të provincës kineze Sichuan. Që kur ishte e vogël asaj i pëlqente uji dhe nisi të notonte që në moshën 4 vjeçe. E megjithatë, sporti i parë me të cilin do të merrej Gao Min-i, falë edhe trupit të vet të imët, ishte gjimnastika. Por sërish dashuria e vet për notin e bënte që të shkonte shpesh në pishinën e shkollës sportive ku mësonte. Dhe pikërisht aty u pikas nga një trajner i kërcimit në ujë, i cili e bindi të kalonte pikërisht në këtë sport. Dhe kështu në moshën nëntëvjeçare nisi një karrierë e shkëlqyer.

Shumë shpejt vogëlushja e tregoi talentin e vet dhe hyri në ekipin e kërcimit në ujë të provincës Sichuan.

Në moshën 13-vjeçare, Gao Min-i u shpall kampione bote për grupmoshën e saj në kërcimin një dhe tre metra nga trampolina. Në vitin 1985 Gao fitoi titullin kampione kombëtare dhe u pranua në ekipin e kërcimit në ujë të Kinës. Trajneri i saj Xu Yiming kujton: "Ajo ishte e para që vinte në pishinë dhe e fundit që largohej."

Kjo stërvitje e mundimshme i dha rezultatet e saj. Në kampionatin botëror të vitit 1986 në Madrid, Gao Min e siguroi fitoren në hedhjen tre metra nga trampolina që para provës së fundit. Por ajo nuk u kënaq me këtë rezultat dhe vendosi të shënojë rekord. Dhe me 582.90 pikë, Gao Min-i fitoi titullin e parë kampione bote për Kinën dhe vendosi rekord botëror. Por pa kaluar shumë ajo do ta thyente këtë rekord.

Në vitin 1987, Gao Min-i triumfoi në Kupën e Botës në tre metra nga trampolina si në garën ekipore, ashtu edhe atë individuale. Ajo u bë e para dhe e vetmja sportiste e kërcimit në ujë deri tani që arriti të marrë mbi 600 pikë, duke e përsëritur madje edhe dy herë të tjera një gjë të tillë.

Në vitin 1988 do të ishte pjesëmarrja e parë e Gao Min-it në Lojërat Olimpike. Ajo do të dëshmonte se ishte mbretëresha e kërcimit në ujë, duke marrë medaljen e artë me 580.23 pikë dhe duke e bërë Kinën të fillonte të shndërrohej në një superfuqi në këtë sport.

Pas një viti, në Kupën e Botës Gao Min-i do të merrte përsëri medalje të artë, këtë herë jo vetëm në kërcimin nga trampolina 3 metra, por edhe në atë 1 metër.

Viti 1990 do të sillte pesë medalje të arta për Gao Min-in, tre në Lojërat Aziatike, që atë vit u zhvilluan në Pekin, dhe dy në Lojërat e Vullnetit të Mirë në Siatëll.

Një vit më pas në Australi, Gao Min-i fitoi dy tituj kampione bote, përsëri në kërcimin një dhe tre metra nga trampolina. Pas kësaj, ajo donte ta linte sportin, por trajneri e bindi të mos e bënte një gjë të tillë për të paktën një vit.

Në Lojërat Olimpike të Barcelonës në vitin 1992, Gao Min-i shoqërohej kudo nga katër mjekë. Stërvitja e mundimshme, dëmtimet dhe presioni e kishin bërë punën e tyre. E megjithatë, ato nuk e penguan vullnetin e sportistes kineze për të mbrojtur titullin kampione olimpike. Kur u ngjit në podium për të marrë medaljen e artë, Gao Min-i, që kishte fituar zemrat e njerëzve edhe për buzëqeshjen që i shihej përherë në fytyrë, nuk mundi të mos shpërthente në lot. Pas kësaj Gao Min-i e la sportin, si sportistja më e njohur kineze në atë kohë dhe një nga sportistet më të mëdha të kërcimit në ujë përgjatë historisë.

Gao Min-i u zgjodh për një numër rekord prej shtatë herësh sportistja më e mirë femër e kërcimit në ujë, nga viti 1986 deri në 1992, periudhë kur mbretërimi i saj ishte absolut.

Në vitin 1998 Gao u përfshi në Hollin Ndërkombëtar të Famës të Notit. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore