Yuan Wenqing-u, "Princi i wushu-së"

2018-08-23 15:52:30 CRI Komenti juaj Printoni

Në Indonezi po zhvillohen Lojërat e 18-ta Aziatike. Vendi më i suksesshëm në historinë e këtyre lojërave është Kina, e cila ka marrë numrin më të madh të medaljeve. Kina po ashtu është kampione absolute në një sport që është bërë pjesë e lojërave aziatike në vitin 1990. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ai është një sport i krijuar dhe i zhvilluar në Kinë, por që tani po njihet dhe po përhapet në mbarë botën.

Ky sport është wushu-ja, që mund të cilësohet edhe si njëfarë varianti sportiv i artit marcial kinez të kongfusë. Kina ka fituar gjithsej 65 medalje ne wushu në lojërat e mëparshme aziatike, tre herë më shumë se vendi i dytë, Vietnami, që ka 22 të tilla. Por epërsia e Kinës bëhet më e dukshme kur është fjala për medaljet e arta. Kina ka plot 53 të tilla, ndërsa vendi i dytë pas saj, Irani, ka vetëm 5. Yuan Wenqing-u është pikërisht fituesi i medaljes së parë të artë në wushu në Lojërat Aziatike, duke krijuar edhe praktikën standard në këto lojëra. Ai është po ashtu fituesi i dy titujve kampionë bote në wushu dhe një prej emrave më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.

Yuan Wenqing-u ka lindur në vitin 1966 në provincën kineze Shanxi. Ai nisi të merret me wushu që kur ishte 9 vjeç, por sigurisht pa menduar se në njëfarë mënyre wushu-ja do të bëhej profesioni i jetës së vet. "Nuk dija asgjë për ekipet apo për konkurrimin," thotë ai. "E bëja vetëm se e kisha qejf."

Por shpejt u duk se Yuan-i kishte jo vetëm pasion, por edhe talent për wushu-në. Pas dy vjetësh ai u bë pjesë e ekipit të provincës Shanxi dhe nisi të merrte pjesë në veprimtaritë kombëtare. "Doja t'ia merrja medaljen e artë ekipit të Pekinit dhe të mundja kampionët e mëparshëm," kujton Yuan Wenqing-u. Dhe ai e arriti qëllimin.

Në vitin 1989, 23-vjeçari i atëhershëm u përfshi në skuadrën kombëtare të wushu-së të Kinës. Dhe suksesi ndërkombëtar i Yuan Wenqing-ut nuk do të vononte, ndonëse do të arrihej në vendin e vet. Në Lojërat Aziatike të vitit 1990, të cilat u zhvilluan në Kinë, e pikërisht në Pekin, wushu-ja u përfshi për herë të parë si sport zyrtar. Yuan Wenqing-u jo vetëm fitoi medaljen e artë në stilin "Changquan (Grushti i gjatë)", por edhe vendosi rutinën e detyrueshme që duhej të ndiqej më vonë nga të gjithë sportistët e wushu-së që konkurronin në këtë stil. Më pas Yuan Wenqing-u do të ishte edhe krijuesi i ushtrimeve rutinë të një stili tjetër të wushu-së, gunshu, ose stili i heshtës.

Në vitin 1993 Yuan Wenqing-u u shpall kampion bote në Kuala-Lumpur të Malajzisë. Pas dy vjetësh, në moshën 29-vjeçare, një moshë relativisht e madhe për wushu-në, Yuan Wenqing-u njoftoi lënien e sportit. E megjithatë, si një sfidë ndaj vetvetes, vendosi të rikthehej pas dy vjetësh të tjerë dhe të marrë pjesë në kampionatin botëror të vitit 1997 në Romë të Italisë. Ja si e ka përshkruar redaktorja ekzekutive e revistës "Kungfu" Martha Burr në artikullin e saj "Ylli më i ndritshëm i Kinës" këtë paraqitje të Yuan Wenqing-ut:

"Kur Yuan Wenqing-u hyri në ring, i gjithë stadiumi brohoriti si i çmendur, pastaj ra në qetësi. Me lëvizjen e tij të parë, shprehja e qetësisë ndryshoi në një shprehje intensiteti të rreptë. Çdo lëvizje ishte e saktë, e rrjedhshme, e fuqishme. Lartësia e kërcimeve të tij shkaktonte britma habie, pastaj brohoritje. Konkurruesit e tjerë qëndronin të ngurosur, duke harruar në ato çaste konkurrimin ose renditjen e tyre. Gjatë tërë atyre pak minutave ne e tejkaluam rutinën e konkurrimit dhe shihnim të magjepsur njeriun që është vërtet shpirti i wushu-së."

Yuan Wenqing-u arriti të fitojë lehtësisht medaljen e artë në këtë kampionat, duke fituar kështu titullin e vet të dytë kampion bote. Pas kësaj ai e la përsëri sportin, duke lënë njëkohësisht edhe një emër të madh. Ai është quajtur si urë mes arteve marciale tradicionale kineze dhe wushu-së moderne, ose si një shembull i qartë që wushu-ja e sotme i ka rrënjët në artet marciale tradicionale të Kinës.

Yuan Wenqing-u është quajtur edhe si "Princi i wushu-së". Për të po ashtu thuhet që e ktheu wushu-në nga sport në art. Në njëfarë mënyre, kjo është e vërtetë edhe në kuptimin e drejtpërdrejtë, pasi pas përfundimit të karrierës si sportist, ai u përfshi në kinematografi, duke marrë pjesë në filmin me kongfu "Majmuni i hekurt 2". Por karriera e tij kinematografike ishte shumë e shkurtër sesa ajo si sportist. Yuan Wenqing-u para së gjithash do të mbetet në historinë e wushu-së si një nga legjendat dhe kampionët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore