Zinedin Zidani, kampioni që i dha Francës Kupën e parë të Botës

2018-08-20 11:22:24 CRI Komenti juaj Printoni

Në Europë kanë nisur tashmë ose nisin së shpejti kampionatet kombëtare të futbollit. Kështu, të premten ishte dita e parë e "La Ligës" në Spanjë, ndërsa të shtunën fillon kampionati italian, i njohur edhe si "Serie A". Transferimi më i bujshëm këtë verë sigurisht ka qenë kalimi i Kristiano Ronaldos nga "Reali" i Madridit te "Juventusi". Por një kalim të tillë do ta bëjë, veçse jo si lojtar, edhe një legjendë e futbollit botëror, i cili e ka ndarë karrierën e vet pikërisht midis këtyre dy emrave të mëdhenj të futbollit europian të klubeve. E teksa Franca muajin e kaluar fitoi Kupën e Botës për herë të dytë, ai është heroi që u dha "gjelave" francezë kupën e parë të botës në histori. Ai është Zinedin Zidani.

Zinedin Zidani, i njohur edhe thjesht si Zizu, ka lindur në vitin 1972 në Marsejë të Francës, në një familje imigrantësh algjerianë. Që i vogël ai luante në rrugicat e lagjes së tij, "La Castellane", një prej lagjeve më të varfra të Marsejës, ndërsa më pas u bë pjesë e një skuadre vendore fëmijësh.

Zizuja e nisi karrierën e vet profesionale me "Kanën" në moshën 17-vjeçare. Ai shënoi që në ndeshjen e parë, duke u bërë shpejt shtylla e ekipit. Pas tre vjetësh Zidani kaloi te ekipi tjetër i kampionatit francez "Bordo", duke shënuar aty 10 gola që në sezonin e parë. Në vitin 1994, në moshën 22-vjeçare, ai u shpall "Lojtari i ri më i mirë i vitit" në kampionatin francez.

Një vit më pas "Bordoja" arriti deri në finalen e Kupës "UEFA", mbi të gjitha falë kontributit të Zizusë, por në vitin 1996 ai e la Francën dhe kaloi në kampionatin italian te "Juventusi".

Ndikimi i francezit te "zonja e vjetër" u ndje menjëherë. Atë sezon, "Juventusi" u shpall kampion i Italisë, si edhe fitoi Kupën Ndërkontinentale, ndërkohë që arriti edhe në finalen e Ligës së Kampioneve. Një sezon më pas, Zuzuja shënoi 32 gola dhe "Juventusi" u shpall përsëri kampion i Italisë e doli përsëri në finalen e Ligës së Kampioneve. Në vitin 2001 Zidani u shpall edhe një herë "Lojtari i huaj më i mirë i vitit" në "Serinë A". Por po atë vit ai kaloi te një tjetër skuadër e madhe europiane, "Reali" i Madridit, për vlerën rekord të 66 milionë dollarëve.

Dhe ylli francez e përligji një këtë investim. Në sezonin e tij të parë te "Reali", "merengët" fituan Ligën e Kampioneve, si edhe Superkupën e Europës, ndërsa një vit më pas "La Ligën".

Po aq e shkëlqyer ka qenë paraqitja e Zidanit edhe me përfaqësuesen franceze, me të cilën ai e zhvilloi ndeshjen e parë në gusht 1994. Ishte një ndeshje miqësore me Republikën Çeke dhe "blutë" e kishin mbyllur pjesën e parë me humbje 0-2. Trajneri francez vendosi të fusë në pjesën e dytë një 22-vjeçar. Ishte pikërisht Zinedin Zidani. "Që nga ai çast, futbolli nuk do të ishte më si më parë," do të shkruante më vonë shtypi. Ne minutat e fundit Zizuja e tundi dy herë rrjetën, duke u dhënë "gjelave" francezë barazimin.

Por pa dyshim arritja më e madhe për ekipin francez në përgjithësi dhe Zidanin në veçanti do të ishte pas katër vjetësh, kur kupa e botës do të zhvillohej për herë të dytë në Francë. Por ndryshe nga hera e parë 60 vjet më parë, tani francezët kishin në përbërje një kampion të vërtetë. Ishte pikërisht Zinedin Zidani. Dhe këtë herë ata nuk do të linin t'u ikte trofeu më i madh i futbollit botëror nga dora. Franca mundi Brazilin legjendar 3-0, dy të parët nga të cilët të shënuar nga Zidani, duke fituar për herë të parë Kupën e Botës.

Pas dy vjetësh, po nën udhëheqjen e Zuzusë, "gjelat" fituan edhe Kampionatin Europian, 16 vjet pasi një tjetër legjendë e futbollit francez dhe botëror, Mishel Platini, i kishte udhëhequr francezët në fitimin e titullit të tyre të parë europian.

Një tjetër kulm i ekipit francez do të ishte Kupa e Botës e vitit 2006. Zidani, tashmë 34-vjeçar, kishte shpallur se pas kësaj kupe bote do ta linte futbollin. Dhe dukej se do të largohej po me lavdi, kur Franca arriti në finale kundër Italisë. Por në minutat shtesë të ndeshjes, koha e rregullt e së cilës u mbyll në barazim 1-1, dhe ku golin për francezët e kishte shënuar pikërisht Zizuja, ndodhi një prej ngjarjeve që do të mbeten gjatë në kujtesën e futbollit botëror. Befas Zidani goditi me kokë në gjoks mbrojtësin italian Materazzi, duket pas një provokimi të këtij të fundit, dhe u largua me karton të kuq. Pa kapitetin e saj, Franca humbi me penallti ndaj italianëve. Megjithatë, Zidani fitoi "Topin e artë" si futbollisti më i mirë i turneut.

Pas lënies së karrierës si futbollist, i shpallur tre herë nga FIFA si "Futbollisti më i mirë i vitit (1998, 2000 dhe 2003), Zinedin Zidani filloi punën si trajner. Në këtë karrierë të re të tij do të spikatnin veçanërisht arritjet me klubin ku kishte qenë dikur futbollist, "Realin", duke arritur që gjatë më pak se tre vjetëve si trajner i parë aty të fitonte tre Liga Kampionesh, më të fundit prej të cilave në maj të këtij viti.

Po pikërisht në këtë kulm të karrierës së tij me "Realin", francezi befasoi - e madje edhe tronditi - shumë veta, kur tha se do të largohej. Njoftimet e fundit thonë se ai e ka marrë tashmë vendimin për të kaluar në stafin teknik të klubit tjetër të dashur të tij, "Juventusit".

(Artan Goga)

Mrekulli