Han Jian-i, kampioni i parë botëror i Kinës në badminton

2018-08-02 16:15:04 CRI Komenti juaj Printoni

Më 5 gusht mbyllet në Nankin të Kinës Kampionati Botëror i Badmintonit. Ashtu siç edhe pritej, mbizotërues në këtë kampionat ishin badmintonistet dhe badmintonistët kinezë. Han Jian-i është i pari ndër badmintonistët meshkuj nga Kina që ka fituar titullin kampion bote. Ai po ashtu është edhe dy herë fitues i Kupës së Botës, ndërkohë që ka qenë pjesë e ekipit kombëtar të Kinës që fitoi të parën Kupë "Thomas", duke i dhënë fund mbizotërimit të Malajzisë e të Indonezisë në badmintonin e meshkujve dhe duke filluar epokën e triumfit të Kinës. Han-i është pjesëtar i atij që quhet brezi i artë i badmintonit kinez, që do të hidhte bazat për kthimin e Kinës në një superfuqi në këtë sport, dhe një ndër badmintonistët më të mëdhenj të epokës së vet.

Han Jian-i ka lindur në vitin 1956 në Shenyang, kryeqendra e provincës Liaoning në Kinën Verilindore. Ai nisi të luajë badminton në një moshë relativisht të madhe, kur pothuajse kishte mbushur 16 vjeç, por e shfaqi menjëherë talentin e vet dhe pa kaluar shumë u zgjodh për të qenë pjesë e ekipit të badmintonit të provincës së tij të lindjes, Liaoning. Pas disa suksesesh në rang kombëtar, në vitin 1977, në moshën 21-vjeçare, Han Jian-i u përfshi në ekipin kombëtar të Kinës. Por duhej të kalonin edhe pesë vjet të tjerë që ai të arrinte suksesin e parë të madh ndërkombëtar. Në Kupën "Thomas" (që njihet edhe si kampionati botëror i ekipeve kombëtare të badmintonit për meshkuj) të vitit 1982, që u zhvillua në Londër të Britanisë së Madhe, ekipi kinez u shpall fitues. Në 11 edicionet e mëparshme të kësaj veprimtarie fitues kishin qenë vetëm Indonezia shtatë herë e Malajzia katër herë. Han Jian-i ishte pjesë e atij ekipi dhe e atij triumfi. Po në fund të atij viti ai arriti një tjetër sukses, këtë herë si individ, duke fituar medaljen e artë në Lojërat Aziatike të organizuara në Nju-Delhi të Indisë.

Një vit më pas, në 1983, Han Jian-i bëri të vetën medaljen e artë në Kupën e Botës në Kuala-Lumpur të Malajzisë, sukses që do ta përsëriste edhe në vitin pasardhës pikërisht në Xhakartë të Indonezisë. Po në vitin 1983 ai triumfoi në të parin nga pesë turnetë e Çmimit të Madh Botëror të fituara në karrierën e vet, Turneun e Hapur të Japonisë. Han Jian-i mori edhe medaljen e bronzit në Kampionatin Botëror të Badmintonit të zhvilluar në Kopenhagë të Danimarkës. Por në edicionin e ardhshëm në kësaj veprimtarie, në vitin 1985 në Kalgari të Kanadasë, Han Jian-i do të arrinte suksesin më të madh të karrierës së vet dhe suksesin më të madh të badmintonit kinez të meshkujve deri në atë kohë për sa i përket konkurrimit individual. Ai u bë badmintonisti i parë kinez që fitonte medaljen e artë në një kampionat botëror, duke hapur rrugën për vargun e triumfeve të mëpasshme të badmintonistëve kinezë.

Po atë vit Han Jian-i arriti të fitojë edhe tre turne të Çmimit të Madh Botëror, duke u bërë numri një i padiskutueshëm i badmintonit në botë.

Sukseset individuale të Han Jian-it u pasuan vitin e ardhshëm nga një sukses ekipor, fitimi përsëri nga ekipi kinez i Kupës "Thomas". Ky ishte edhe triumfi i fundit i Han Jian-it, tashmë në moshën 30-vjeçare.

Han Jian-i është shembulli i atij që e arrin suksesin edhe kur e fillon relativisht vonë karrierën, ose që njihen ndryshe edhe si "lule të vonuara". Ai shquhej si një lojtar gjakftohtë, i qëndrueshëm dhe këmbëngulës. Në Kinë ai mori emrin "karamelja ngjitëse", për shkak të taktikës që përdorte shpesh të shkëmbimeve të gjata të gjuajtjeve, për të ushtruar trysni ndaj kundërshtarëve dhe për t'i bërë ata të kryenin gabime.

Pas lënies së badmintonit si sportist, Han Jian-i filloi karrierën si trajner, që do të ishte edhe ajo e suksesshme. Në vitin 1989 Han Jian-i mori përsipër drejtimin e ekipit kombëtar të badmintonit të Malajzisë, duke arritur një vit më pas ta çojë deri në finalen e Kupës "Thomas", ndërkohë që në edicionin e ardhshëm të këtij turneu në vitin 1992, Malajzia me trajner Han Jian-in fitoi titullin kampion.

Pas punës si trajner i ekipit kombëtar të Malajzisë, nga viti 1993 deri në 1996 Han Jian-i mbajti detyrën e kryetrajnerit në Akademinë e Badmintonit të Malajzisë. Më pas, me ftesën e një mikut të vet, ai filloi punë si trajner për të rinjtë në një klub privat. Për Han Jian-in kjo ishte një punë e re dhe një sfidë e re, sfidë të cilën ai, si edhe gjithë të tjerat, e përballoi me sukses, duke nxjerrë një numër talentesh të reja.

Për kontributin e tij Han Jian-i është nderuar me një numër titujsh. Nga viti 1980 deri në 1985 ai u shpall një ndër dhjetë sportistët më të mirë të Kinës, ndërsa në vitin 1989 një prej sportistëve më të mirë kinezë gjatë 40 vjetëve që prej themelimit të Republikës Popullore të Kinës. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore