Pete Sampras, "mbreti i Wimbledon-it"

2018-07-06 09:58:03 CRI Komenti juaj Printoni






Në Britani ka nisur Turneu i Hapur i Tenisit i Wimbledon-it, një prej katër turneve të "Grand Slam"-it dhe një prej ngjarjeve më të rëndësishme të tenisit ndërkombëtar. Tenisti i shquar amerikan Pete Sampras është quajtur edhe "Mbreti i Wimbledon-it", sepse e kishte fituar më shumë se çdo tenist tjetër këtë turne, plot shtatë herë, deri vitin e kaluar, kur një tjetër yll i tenisit, Roger Federer, e fitoi për herë të tetë "Wimbledon"-in. Ndërkohë, Pete Sampras-i po shtatë herë ka fituar edhe dy turne të tjera të "Grand Slam"-it. 14 triumfet e tij në "Grand Slam" gjithashtu ishin një rekord deri në vitin 2009, kur ky rekord u thye po nga Roger Federer-i.


Talenti dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme bënë që Pete Sampras-i të mbizotëronte tenisin e meshkujve gjatë viteve '90 të shekullit të kaluar, duke mbajtur vendin e parë në renditjen e tenistëve botërorë nga viti 1993 deri në vitin 1998. Në vitin 1997 ai u përzgjodh si tenisti më i mirë i 25 vjetëve të fundit, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Shoqatës Ndërkombëtare të Tenisit. Në vitin 2007 Pete Sampras-i u përfshi në Hollin Ndërkombëtar të Famës të Tenisit.

Pete Sampras-i ka lindur në vitin 1971 në Uashington të ShBA-së. Familja e tij nuk kishte ndonjë lidhje me sportin, por ai e zbuloi vetë tenisin pasi gjeti një një raketë të vjetër tenisi prej druri. Vogëlushi mësoi të luante tenis duke e goditur topin në murin e bodrumit të shtëpisë së tij.

Familja e Pete Sampras-it u vendos në Kaliforni kur ai ishte shtatë vjeç. Pasioni i vogëlushit për sportin e tenisit vazhdoi të rritej dhe i ati e vuri re këtë. Ai në fillim donte ta stërviste vetë të birin, por pastaj vendosi të gjente një trajner për të. Pete Fischer-i, një mjek pediatër, ishte një lojtar i shkëlqyer tenisi, por nuk kishte përvojë si trajner. Megjithatë, kur pa talentin e Pete-it, ai vendosi të bëhej trajneri i tij falas. Për babanë e Pete-it që nuk ishte mirë nga ana ekonomike, ky ishte një lajm i mirë.

Fischer-i doli se ishte një trajner i shkëlqyer. Ai u fokusua në anën mendore, duke dashur ta kthejë nxënësin e tij me natyrë të butë e gjithnjë i buzëqeshur, në një konkurrent të fortë. Nën drejtimin e tij, Sampras-i nisi konkurrimin në tenisin për fëmijë dhe për të rinj, duke kapur majat. Në mes të viteve '80 të shekullit të kaluar ai ishte tashmë një prej tenistëve të rinj më të mirë të botës.



Pete Sampras-i hyri në radhët e tenistëve profesionistë në vitin 1988, në moshën 17-vjeçare, duke pasur një ecuri të qëndrueshme gjatë dy sezoneve në vijim. Në Turneun e Hapur të ShBA-së të vitit 1990, ai do të tregonte se ishte një ndër yjet në ngjitje të tenisit botëror, duke mposhtur në finale Andre Agassi-n, një tjetër tenist i ri i talentuar amerikan, i cili do të ishte rivali kryesor i Sampras-it gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij. Në moshën 19 vjeçare, Pete Sampras-i do të bëhej fituesi më i ri i këtij turneu për meshkuj.

Në vijim Pete Sampras-i do ta fitonte edhe katër herë të tjera këtë turne (1993, 1995, 1996, 2002), si edhe dy herë një tjetër turne të "Grand Slam"-it, Turneun e Hapur të Australisë (1994, 1997). Por ndërsa nuk do të arrinte të fitonte dot asnjëherë Turneun e Hapur të Francës, në turneun e fundit të "Grand Slam"-it, mbase më të famshmin, atë të Wimbledon-it, ai do të ishte tenisti më i sukseshëm për një kohë të gjatë, duke e fituar atë pothuajse shtatë herë rresht (në vitet 1993 deri 1995 dhe 1997 deri në 2000). Sampras-i ka vendosur një rekord, duke fituar 40 nga 42 ndeshjet e zhvilluara në Fushën Qendrore të Wimbledon-it.

Përveç suksesit individual, Sampras-i ishte pjesë e ekipit amerikan që fitoi në vitin 1995 Kupën "Davis".

Pete Sampras arriti fitore që kur ishte adoleshent, kur ishte në të 20-tat, e madje edhe kur kishte hyrë në të 30-tat. Në vitin 2002, në moshën 31-vjeçare, ai arriti fitoren e fundit të një turneu të "Grand Slam-it", pikërisht aty ku kishte arritur edhe fitoren e parë, në Turneun e Hapur të ShBA-së. Një vit më pas ai e la sportin, duke mbetur një nga emrat më të mëdhenj në sportin e tenisit.


Mrekulli