Ela Tase, simboli i volejbollit të femrave shqiptare

2018-06-23 10:08:01 CRI Komenti juaj Printoni






Nga 20 qershor deri më 1 korrik zhvillohen në Tarragona të Spanjës Lojërat e 18-a Mesdhetare. Në këtë veprimtari merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet në 14 sporte, 13 nga të cilat individuale dhe vetëm një ekipor, volejbolli, si për meshkuj, ashtu edhe për femra. Vajzat volejbolliste shqiptare vijnë në këto Lojëra pas suksesit të arritur në Suedi të dielën e kaluar, kur mundën Estoninë 3-0, duke fituar medaljen e bronztë në Divizionin e Argjendtë. E kanë qenë po vajzat kuqezi të volejbollit që kanë fituar një medalje të artë në Lojërat Mesdhetare të vitit 1987, të udhëhequra nga ajo që është pa dyshim mbretëresha e volejbollit shqiptar, Ela Tase. Me ekipin e saj po aq legjendar në atë kohë, "Dinamon", ajo ka fituar 16 tituj kampion kombëtar dhe 14 kupa Republike. Ajo është shpallur tre herë volejbollistja më e mirë e Ballkanit, ndërkohë që me ekipin kombëtar ka fituar edhe një titull kampione Ballkani. Ela Tase ka fituar dhjetë herë titullin "Sportistja më e mirë e vitit", ndërkohë që është shpallur edhe si volejbollistja shqiptare më e madhe e të gjitha kohërave.


Ekipi Kombëtar akutal


Ela Tase ka lindur më 11 gusht 1958 në Tiranë. Ajo ishte një vajzë e hedhur, plot gjallëri dhe, pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare, vendosi të merrej me sport. Zgjodhi volejbollin, për shkak se edhe vëllai i saj i madh, Leonardi, ishte në atë kohë volejbollist me të rinjtë e "Dinamos". Megjithëse fillimisht u regjistrua me të rejat e "17 Nëntorit" (sot "Tirana"), përsëri nën ndikimin e të afërmve, si Leonardi apo edhe kushërira e saj, Eva Kavaja, volejbolliste e "Dinamos", edhe Ela u bë pjesë e bluve të "Dinamos". Në Spartakiadën e 3-të Kombëtare të vitit 1974, kur ende nuk kishte mbushur 16 vjeçe, Ela i bashkohet skuadrës së parë të "Dinamos". Atëherë ekipet që rivalizonin në futbollin shqiptar të femrave ishin "17 Nëntori" e "Skënderbeu", por me ardhjen e Ela Tases, nisi epoka e artë për "Dinamon", e cila filloi të fitonte radhas kampionatet kombëtare dhe kupat e Republikës.

Në vitin 1979 do të nisnin edhe sukseset ndërkombëtare të Ela Tases, fillimisht me ekipin kombëtar, dhe pastaj edhe me klubin. Pikërisht në vitin 1979 ekipi shqiptar i volejbollit të femrave mori pjesë në Ballkaniadën që atë vit zhvillohej në Bukuresht të Rumanisë. Shqipëria doli në vend të tretë përballë disa prej ekipeve më të mira të Europës, falë edhe shuteres së saj 21-vjeçare Ela Tase, që u shpall lojtarja më e mirë e Ballkanit. Ajo do ta fitonte më pas edhe dy herë të tjera këtë titull, në lojërat ballkanike të vitit 1982 në Bullgari dhe të vitit 1988 në Shqipëri.


Në vitin 1980, ekipi shqiptar fitoi përsëri medaljen e bronztë në Ballkaniadë, ndërkohë që në vitin 1988 fitoi medaljen e argjendtë, për të ardhur në vitin 1990, kur vajzat shqiptare u shpallën kampione të Ballkanit.

Në vitin 1987, Ela Tase dhe shoqet e saj të ekipit kombëtar patën një sukses absolut në Lojërat e 10-ta Mesdhetare në Latakia të Sirisë, duke humbur vetëm një set në katër takime dhe duke fituar medaljen e artë.​

Jo më pak mbresëlënëse ishin edhe arritjet e "Dinamos" nën udhëheqjen e kapitenes Ela Tase dhe me lojtare të tilla si organizatorja Mimoza Ibrahimi, apo Jorgjeta Qirici, Alketa Doçi etj., dhe trajner Kreshnik Tartarin. Vajzat blu arritën tre herë në gjysmëfinalen e Kupës së Kampioneve të Europës, ​përkatësisht në sezonet 1980-1981, 1982-1983, ndërkohë që në sezonin 1989-1990 "Dinamo" doli e treta në Europë, duke marrë medaljen e bronzit. ​

Ndërkohë, për sa i përket Kupës së Kupave, suksesin më të madh vajzat e drejtuara nga trajneri Tartari e patën në sezonin 1986-1987, kur arritën deri në finale, por pastaj, për arsye politike, hoqën dorë nga përballja me ekipin sovjetik "Kommunalnik" të Minskut.​


​Në vitin 1991 Ela Tase për herë të parë pas 18 vjetësh do ta linte ekipin e "Dinamos" e madje edhe kampionatin shqiptar, për të luajtur në Maqedoni për "Shkëndijën" e Tetovës; por në sezonin 1994-1995 u rikthye në ekipin e saj të zemrës, duke e drejtuar në fitimin si të kampionatit, ashtu edhe të kupës.​

Në vitin 1995 "Mjeshtra e merituar e sportit" dhe "Nderi i sportit shqiptar" Ela Tase e la sportin, duke u shpallur në një anketë të gazetës "Sporti shqiptar" si volejbollistja më e madhe shqiptare e të gjitha kohërave. Megjithatë, ajo e sheh veten jo si themeluese, por trashëguese të volejbollit shqiptar të femrave.

"Volejbollin e femrave në Shqipëri nuk e themeluam ne, por një grup vajzash përpara nesh, të cilat kanë vendosur tullën e parë në këtë volejboll, ndërsa ne brezat e ardhshëm e zhvilluam më tepër dhe e çuam edhe më lart," është shprehur Ela Tase në një intervistë për median.

"Mbretëresha" e volejbollit shqiptar e ka lënë sportin, por vetëm si lojtare. Ajo ka qenë ndër të tjera edhe zv.presidente e Komitetit Olimpik Shqiptar dhe presidente e Komisionit "Femra dhe sporti". Por mbi të gjitha, Ela Tase do të mbetet një simbol i volejbollit shqiptar dhe një prej emrave më të mëdhenj të sportit shqiptar të të gjitha kohërave. (Artan Goga)



Ela Tase duke mbytur topin.



Ela Tase në rreshtin e parë, e dyta nga a djathta.

Mrekulli