Pele, "Mbreti" i pashfronësuar i futbollit

2018-06-18 09:59:00 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 14 qershor deri më 15 korrik organizohet në Rusi veprimtaria më e rëndësishme e futbollit botëror, Kupa e Botës e FIFA-s. Përgjatë më shumë se një muaji, 32 skuadra do të përballen për të bërë të vetin këtë trofe kaq të lakmueshëm. Brazili është ekipi më i suksesshëm për sa u përket kupave të fituara, gjithsej pesë të tilla. Pjesëtar i këtij ekipi në tre prej këtyre fitoreve ka qenë ai që vlerësohet nga shumë si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave dhe që quhet edhe "Mbreti i futbollit": Edson Arantes do Nascimento. Nëse ky emër nuk ju kujton asgjë, atëherë e njihni patjetër nofkën e tij: Pele. Pele ka lindur në tetor të vitit 1940 në Tres Coraçoes të Brazilit. Emri i tij i vërtetë është Edson Arantes do Nascimento, i quajtur kështu për nder të shpikësit të madh amerikan Tomas Edison. As ai vetë nuk e mban mend se si i ngeli që i vogël nofka "Pele", të cilën nuk e pëlqente. Megjithatë ishte ky emër që do të kthehej në një simbol të vërtetë futbolli, që sipas një sondazhi në vitet '70, ishte marka më e njohur në Europë pas "Coca Cola"-s.

Babai i Peles ishte futbollist profesionist dhe mbase kjo ishte një ndër arsyet që lindi dashurinë aq të madhe të futbollit te vogëlushi, por familja e tij ishte aq e varfër, sa nuk kishte para as për të blerë një top. Pele i vogël shpesh luante deri vonë në rrugë me top lecke.

Më pas Pele filloi të luajë me një ekip të rinjsh, ku talenti i tij ra në sy të Waldemar de Britos, një ish-pjesëtar i kombëtares braziliane të futbollit. De Brito e mori 15-vjeçarin te "Santosi", që në atë kohë ishte një ekip i nivelit mesatar, por që pas ardhjes së tij do të bëhej ndër emrat më të mëdhenj të futbollit brazilian.

Pele e shënoi golin e parë si futbollist profesionist pa mbushur ende 16 vjeç. Në sezonin e parë të plotë për "Santosin", Pele e futi topin në rrjetë 32 herë, duke qenë golashënuesi më i mirë. Falë edhe kësaj, në moshën 17-vjeçare, ai u përzgjodh për të qenë pjesë e ekipit kombëtar brazilian.

Bota do të njihej për herë të parë me talentin brazilian në Kupën e Botës të vitit 1958 në Suedi. Ai nuk arriti të luajë në dy ndeshjet e para, por në çerekfinale bëri golin e fitores ndaj Uellsit, kurse në gjysmëfinale shënoi tre golat në fitoren 5-2 të Brazilit ndaj Francës. Në finale, ku "Seleçao" triumfoi me të njëjtin rezultat ndaj vendit mikpritës të Kupës, Pele shënoi dy gola. Pas ndeshjes shokët e ekipit e mbajtën në krahë djaloshin që e kishte bërë vendin e vet të fitonte për herë të parë trofeun "Zhyl Rime". Legjenda kishte lindur tashmë.

Pas Kupës së Botës superylli i ri mori oferta shumë joshëse nga klubet e Europës, por presidenti i asaj kohe i Brazilit Jânio Quadros e shpalli Pelen "thesar kombëtar" dhe ia bëri thuaje të pamundur të luante në ndonjë vend tjetër.

Në Kupën e mëpasme të Botës në Kili, Pele u dëmtua në ndeshjen e dytë, pasi kishte bërë një gol në ndeshjen e parë, duke qenë i detyruar ta ndjekë pjesën tjetër të turneut nga stoli. Por kjo nuk e pengoi ekipin e Brazilit të fitonte për here të dytë Kupën e Botës, falë edhe një tjetër ylli që zëvendësoi Pelen, Amarildo.

Pas katër vjetësh, në Kupën e Botës 1966 në Angli, ndërhyrjet e ashpra të mbrojtësve kundërshtarë bënë që Pele të dëmtohej përsëri dhe Brazili u eliminua që në raundin e parë.

Me gjithë këtë dështim, fama e Peles vetëm vinte duke u rritur. Në fund të viteve '60, palët kundërshtare në luftën civile në Nigeri vendosën të bënin një armëpushim dyditor, vetëm për të parë Pelen që do të luante në një ndeshje në Lagos. Po ashtu shtypi njoftoi se shahu i Iranit priti tre orë në aeroport për të pasur një takim të shkurtër me këtë mrekulli të futbollit.

Brazili dhe Pele do të kishin një rikthim triumfues në Kupën e Botës të vitit 1970 në Meksikë. "Mbreti", siç kishte filluar të quhej tashmë Pele, shënoi katër gola, duke përfshirë edhe një në fitoren 4-1 në finalen me Italinë. Brazili mori kështu për të tretën herë kupën "Zhyl Rime", duke e bërë përjetësisht të vetin këtë trofe.

Pele shpalli lënien e futbollit në 1974, por një vit më pas u bind të luante për "Cosmos" të Nju-Jorkut në Ligën e Futbollit të Amerikës së Veriut. Gjatë kohës që braziliani luajti aty, ky kampionat pati shikueshmërinë më të madhe në historinë e vet.

Pele e luajti ndeshjen e vet të fundit në vitin 1977. Gjithsej gjatë karrierës së vet ai shënoi 1 281 gola në 1 363 ndeshje, afërisht një gol për ndeshje, 12 nga të cilat në 14 ndeshje të Kupave të Botës, përsëri mesatarisht rreth një gol për ndeshje.

Por lënia e sportit nuk e zbehu legjendën e brazilianit. Në vitin 1999, bashkë me Diego Armando Maradonën, ai u shpall futbollisti më i mirë i shekullit të 20-të. Dhe në të vërtetë, një prej pyetjeve më të vështira për t'i dhënë përgjigje në botën e sportit, është ajo se cili është më i madhi i të gjitha kohërave: Pele apo Maradona.

Për Pelen është shkruar e thënë shumë, por mbase përshkrimi më i saktë është ai që "Mbreti" i ka bërë vetes: "Unë kam lindur për futbollin, ashtu si Bethoveni ka lindur për muzikën dhe Mikelanxhelo për pikturën." (Artan Goga)

Mrekulli