Pang-Tong dhe "betejat" e tyre triumfuese në pistën e akullit

2018-03-19 11:10:57 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 19 deri më 25 mars zhvillohet në Milano të Italisë Kampionati Botëror i Patinazhit Artistik. Në këtë kampionat do të konkurrohet në katër disiplina: patinazh artistik për meshkuj, për femra, çift e vallëzim në akull. Kampione në fuqi për të dytin vit radhas në patinazhin artistik për çiftet është Kina, me dyshen Sui Wenjing dhe Han Cong, të cilët janë edhe pretendentët kryesorë për fitimin e medaljes sivjet. Ata janë vijues të një tradite të patinatorëve e patinatoreve kineze, veçanërisht në patinazhin artistik për çiftet, një prej të cilëve është edhe ai Pang Qing e Tong Jian.Ata janë shpallur dy herë kampionë bote, si edhe pesë herë kampionë në Kampionatin e Katër Kontinenteve, ndërkohë që kanë bërë të vetën edhe një medalje të argjendtë olimpike dhe një medalje të artë në Lojërat Aziatike Dimërore. Nga çift në sport, ata janë tashmë edhe çift në jetë.

Pang Qing-u dhe Tong Jian-i kanë lindur në të njëjtin vit, 1979, dhe në të njëjtin qytet, Harbin të Kinës Verilindore. Harbini, ose "qyteti i akullit", është i njohur për sportet dimërore dhe ka nxjerrë kampionë jo vetëm kombëtarë, por edhe ndërkombëtarë në këto sporte.

Pang Qing-u dhe Tong Jian-i kanë të përbashkët jo vetëm vitin dhe qytetin e lindjes, por edhe kohën kur nisën të merren me patinazh, që në moshën 6-vjeçare. Në fillim ata konkurronin individualisht, por në vitin 1993 Yao Bin-i, një nga pionierët e sportit të patinazhit në Kinë dhe trajneri i yjeve të patinazhit artistik kinez, duke përfshirë edhe kampionët botërorë në fuqi Sui Wenjing dhe Han Cong, vendosi që Pang Qing-u dhe Tong Jian-i të stërviteshin si çift. Që atëherë, ata nuk u ndanë asnjëherë gjatë gjithë karrierës së tyre.

Në vitin 1997, kur të dy ishin në moshën 18-vjeçare, Pang Qing-u dhe Tong Jian-i morën një medalje të argjendtë në kampionatin kombëtar të patinazhit artistik, ndërsa në vitin 1999 filluan të përfaqësonin Kinën në nivel ndërkombëtar për të rritur, si në Kampionatin e Katër Kontinenteve, ashtu edhe në kampionatin botëror dhe në "Çmimin e Madh". Një vit më pas Pang Qing-u dhe Tong Jian-i dolën kampionë kombëtarë, ndërkohë që në sezonin 2001-2002 filluan fitoret e para ndërkombëtare në garat e "Çmimit të Madh". Në vitin 2002 ata morën edhe medaljen e parë të artë në Kampionatin e Katër Kontinenteve, sukses të cilin do ta përsëritnin edhe pas dy vjetësh. Po në vitin 2004 çifti i patinatorëve kinezë u ngjit për herë të parë në podium në një kampionat botëror, në Dortmund të Gjermanisë, ku u renditën të tretët, duke fituar kështu medalje bronzi. Pas dy vjetësh Pang Qing-u e Tong Jian-i do të ngjiteshin përsëri në podium, po këtë herë për të marrë medaljen e tyre të parë të artë në kampionatin botëror, që atë vit zhvillohej në Kalgari të Kanadasë.

Një vit më pas, në 2007, çifti nuk arriti dot të mbronte titullin kampion bote, megjithatë mori medalje të argjendtë. Në të vërtetë do të ishte viti i medaljeve të tilla për Pang Qing-un e Tong Jian-in, pasi ata u renditën të dytët edhe në Kampionatin e Katër Kontinenteve e në Lojërat Aziatike Dimërore të Changchun-it.

Në vitin 2008 Pang-u e Tong-u fituan titullin e tyre të tretë kampion në Kampionatin e Katër Kontinenteve, sukses të cilin e arritën edhe një vit më pas në Vankuver të Kanadasë. Vitin e ardhshëm, 2010, po në Vankuver organizoheshin Lojërat Olimpike Dimërore dhe Pang Qing-u e Tong Jian-i morën aty medaljen e argjendtë, ndërsa medaljen e artë e mori një tjetër çift patinatorësh kinezë, Shen Xue e Zhao Hongbo. Një muaj më pas, në Torino, Pang e Tong fituan titullin e tyre të dytë kampion bote.

Suksesi i çiftit kinez do të vijonte pothuajse i pandalshëm edhe një vit më pas, kur fitoi titullin e vet të pestë në Kampionatin e Katër Kontinenteve, si askush tjetër më parë, si edhe duke marrë medaljen e artë në Lojërat Aziatike Dimërore. Më pak sukses do të kishin Pang Qing-u dhe Tong Jian-i në kampionatin botëror atë vit, kur ia dolën të marrin vetëm medaljen e bronztë.

Po në vitin 2011, Pang Qing-u e Tong Jian-i u fejuan. Tong-i e bëri propozimin për fejesë ... e ku tjetër veçse në pistën e akullit. Sigurisht, në moshën 32-vjeçare, ata po fillonin të mendonin tashmë për jetën personale. Megjithatë, tërheqjen nga sporti Pang Qing-u e Tong Jian-i e njoftuan pas Lojërave Olimpike Dimërore të Soçit të vitit 2014, ku me gjithë moshën 35-vjeçare, ata u renditën në vendin e katërt, rezultati më i mirë i Kinës në patinazhin artistik në atë olimpiadë.

Por Pang Qing-u e Tong Jian-i befasuan shumëkënd kur një vit më pas u shfaqën në Seul, për pjesëmarrjen e tyre të 15-të në Kampionatin e Katër Kontinenteve, veprimtari ku 16 vjet më parë kishin bërë debutimin e tyre ndërkombëtar dhe ku kishin arritur suksesin më të madh. "Nuk u kthyem për medalje ari," tha Tong Jian-i. "U kthyem për dashamirësit tanë dhe për patinazhin artistik në Kinë".

Megjithatë, ata arritën të fitojnë medaljen e bronztë, medalja e nëntë për ta në Kampionatin e Katër Kontinenteve. "Vërtet?" tha Tong kur gazetarët ia vunë në dukje një gjë të tillë. "Nuk i kam numëruar. Të gjitha këto vite e numra mund t'u duken pa kuptim disave, por për ne ia vlen kur sheh se sa shumë njerëz e vlerësojnë atë që bën, vazhdojnë të të mbështesin dhe lumturohen me gjithë zemër për arritjet e tua." Dhe duke përfunduar ai tha: "Patinazhi artistik është një sport i bukur. Por pista e akullit është një fushëbetejë, që kërkon forcë mendore, guxim dhe besim. Guximin dhe besimin i fiton kur bën gjërat e duhura. Dhe gjërat e duhura i bën kur e do dhe e respekton sportin."

Dhe Pang Qing-u e Tong Jian-i e vazhduan këtë "betejë" në fushën e akullit edhe një muaj më pas, kur kampionati botëror zhvillohej në atdheun e tyre, e pikërisht në Shangai. Edhe aty ata nuk dolën "duarbosh" sa u përket medaljeve, duke fituar përsëri medaljen e argjendtë. Kjo shënoi edhe lënien e vërtetë të patinazhit prej tyre si sportistë, ndërsa kanë nisur karrierën si trajnerë, për të nxjerrë kampionë të rinj.

Pang Qing-u e Tong Jian-i e kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë dy vjet më parë dhe tani janë prindër të një djali. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore