Pavlina Evro, "perëndesha" e atletikës shqiptare

2018-03-02 16:37:26 CRI Komenti juaj Printoni

Të enjten ka nisur në Birmingam të Britanisë Kampionati Botëror i Atletikës në salla të mbyllura, ku merr pjesë edhe atletja shqiptare Luiza Gega në garën e 1500 metrave. Gega mund të thuhet se është trashëgimtarja e një figure legjendë të atletikës shqiptare, Pavlina Evros, kampione absolute kombëtare në vrapimin 800, 1500 dhe 3000 metra në vitet '80 të shekullit të kaluar, duke vendosur disa prej rekordeve më jetëgjata në atletikën e lehtë shqiptare. Pavlina Evro ka fituar 68 tituj kombëtarë, ndërkohë që e ka ngritur lart 17 herë flamurin shqiptar edhe në veprimtaritë ndërkombëtare, ku spikat medalja e artë në garat e "Çmimit të madh" të atletikës në Nisë, dhe medaljet e bronzta në mitingun e Oslos dhe në Lojërat Mesdhetare të Latakias.

Pavlina Evro ka lindur në Korçë në vitin 1965, në një familje të madhe me shtatë fëmijë. Ndonëse babai i saj ishte piktor, Pavlina nuk do të bëhej artiste, por sportiste. E megjithatë, në njëfarë mënyre ajo diti ta kthejë sportin në art.

Ishte trajneri Pirro Kasati që zbuloi talentin e saj në një garë krosi në shkollën 8-vjeçare ku mësonte Pavlina, ku ajo doli e para. Ndonëse kishte pasion basketbollin, trajner Kasati dhe mësuesit e mësueset e shkollës e nxitën 13-vjeçaren e atëhershme që të stërvitej në atletikë. Kështu Pavlina Evro u bë pjesë e ekipeve zinxhir të "Skënderbeut" të Korçës. Nisi një punë plot pasion e një stërvitje e lodhshme, por frytdhënëse për vajzën e re e të talentuar, e cila gjatë viteve '80 të shekullit të kaluar do të ishte një kampione absolute kombëtare në garat 800, 1500 e 3000 metra.

Por Pavlina Evro do të fillonte shpejt të njihte edhe suksese ndërkombëtare. Garimin e vet të parë jashtë vendit Pavlina e bëri në Krosin Ballkanik në vitin 1981, ku ndonëse vetëm 16 vjeç, ajo zuri vendin e pestë.

Në vitin 1983, Pavlina Evro thyen rekordin kombëtar në garën e 800 metrave, të vendosur nga një tjetër atlete e shquar, Marinda Preka, ndërsa në kampionatin europian të të rinjve në Austri, Evro jo vetëm vendos një tjetër rekord kombëtar, në garën e 1500 metrave, por edhe fiton medaljen e argjendtë. Falë kësaj ajo merr titullin "Mjeshtre e merituar sporti" që në moshën 18-vjeçare.

Një vit më pas do të ishte kulmi i karrierës së atletes së madhe shqiptare. Në mitingun e "Çmimit të madh" të atletikës në Nisë të Francës, Pavlina Evro doli e para me kohën 4'06"64, duke thyer përsëri rekordin kombëtar dhe duke marrë medaljen e artë, e para për atletikën shqiptare në një garë të tillë të rëndësishme ndërkombëtare. Pavlina Evro u shpall një ndër tre sportistët më të mirë të turneut, së bashku me kampionët botërorë dhe ndër atletët më të mëdhenj në botë në atë kohë, Kingdom dhe Vinjero. Atletja shqiptare u shpall gjithashtu "Qytetare nderi" e Nisës.

Medalja e artë në Nisë (1984)

Po në vitin 1984, në spartakiadën kombëtare, Pavlina Evro theu një tjetër rekord kombëtar, këtë herë në garën e 3000 metrave.

Në vitin 1985 Pavlina Evro doli fituese në turneun ndërkombëtar të Algjerisë, në garën e 800 metrave. Një vit më pas do të vinte një tjetër kulm i karrierës së sportistes së shquar korçare. Në mitingun e atletikës në Oslo të Norvegjisë, në garën e 1500 metrave, Evro do të kishte ndër të tjera si konkurrente Doina Melinten e Rumanisë, që dy vjet më parë në Los Anxheles të ShBA-së kishte fituar medaljen e argjendtë olimpike në 1500 metra dhe të artën në 800 metra. Gjatë garës atletja shqiptare pengohet në mënyrë të parregullt dhe rrëzohet përtokë, po me një forcë të jashtëzakonshme vullneti, e nxitur edhe nga brohoritjet e shikuesve në stadium, që thërritnin e emrin e saj dhe të Shqipërisë, Pavlina Evro jo vetëm ngrihet dhe e çon deri në fund garën ndonëse e gjakosur, por arrin edhe të ngjitet në podium, duke marrë medaljen e bronztë e duke vendosur një rekord të ri kombëtar 4'06"41, rekord që do të thyhej vetëm 28 vjet më pas, pikërisht nga Luiza Gega.

Në vitin 1987 Pavlina Evro fitoi medaljen e artë në mitingun e atletikës të Athinës në 3000 metra, kurse më pas po atë vit edhe medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare në Latakia të Sirisë, përsëri në garën ku ka pasur më shumë sukses, atë të 1500 metrave.

Dhe kështu vijuan sukseset e Pavlino Evros si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, derisa në vitin 1991 kalon në kampionatin grek me "Iraklis" të Selanikut, me të cilin një vit më pas u shpall kampione e Greqisë, duke fituar edhe në garat e 800 e 1500 metrave dhe në stafetën 4 herë 400 metra. Evro po ashtu vendosi rekordin në Greqi në një garë të re për të, atë të 5000 metrave.

Pavlina Evro e mbylli karrierën e vet të shkëlqyer si sportiste në vitin 1995, me pengun e vetëm mospjesëmarrjen në një olimpiadë. Më pas ajo punoi si pedagoge dhe trajnere në disa klube greke, duke përfshirë edhe të njohurin "Panelinio" të Selanikut, ndërsa po më pas do të shërbente edhe si konsulle e Shqipërisë në Selanik. Por me gjithë përfshirjen në diplomaci, "perëndesha" e atletikës nuk e ka harruar dashurinë e saj të jetës, sportin. Tani ajo është e përfshirë në organizimin e veprimtarive që synojnë rigjallërimin e atletikës shqiptare dhe që sporti shqiptar në përgjithësi të ngjitet sa më lart.

Për arritjet e saj, Pavlina Evro është nderuar me tituj e medalje të shumta, si "Mjeshtre e Madhe e Punës" nga presidenti i Republikës në vitin 2012, "Nderi i sportit shqiptar", "Qytetare nderi e qarkut të Korçës", "Qytetare nderi e bashkisë së Korçës" etj., përveç titullit "Qytetare nderi e Nisës" të fituar më shumë se 30 vjet më parë, kur ajo e çoi atletikën shqiptare në majat më të larta. (Artan Goga)

Dhënia e medaljes Mjeshtre e Madhe e Punës nga presidenti Bamir Topi (2012)

Mrekulli
Lajmet Kryesore