Yang Yang-u, fituesja e medaljes së parë në olimpiadat dimërore për Kinën

2018-02-17 09:02:10 CRI Komenti juaj Printoni

Në Pyeongchang të Koresë së Veriut vazhdojnë Lojërat Olimpike Dimërore. Kina është tashmë një prej vendeve fituese të medaljeve në këtë olimpiadë, që bashkë me faktin që lojërat e ardhshme dimërore do të zhvillohen në Pekin, është tregues që sportet dimërore po njohin një zhvillim të madh në vendin më të madh të botës për nga numri i banorëve. Në olimpiadat e kaluara dimërore sportistët kinezë kanë marrë gjithsej 12 medalje të arta, dy nga të cilat, duke përfshirë edhe medaljen e parë të artë në historinë e olimpiadave dimërore për Kinën, janë fituar pikërisht nga personazhi i emisionit tonë të sotëm. Ajo po ashtu është edhe patinatorja e parë në botë që ka fituar më shumë se një medalje ari në olimpiada, teksa është edhe fituese e dy medaljeve të argjendta dhe një medaljeje të bronztë olimpike, përveçse është shpallur gjashtë herë radhas kampione bote, duke qenë gjithashtu pationatorja e parë kineze kamione bote në garat e pistës së shkurtër. Gjatë karrierës së saj ajo ka vendosur katër rekorde individuale botërore. Ajo është Yang Yang-u.

Yang Yang-u ka lindur më 24 gusht 1975 në Jiamusi të provincës Heilongjiang në Kinën Verilindore, pranë kufirit me Rusinë. Verilindja e Kinës njihet për dimrin e ftohtë e me shumë dëborë dhe Heilongjiang-u është një provincë që ka nxjerrë kampionë të shumtë në sportet dimërore.

Yang Yang-u filloi të merret me patinazh që në moshën nëntë vjeç dhe pas katër vjetësh ajo arriti në finalet e një gare të organizuar prej Bashkimit Ndërkombëtar të Patinazhit. Në vitin 1995, Yang Yang u bë pjesë e ekipit kombëtar të patinazhit në pistë të shkurtër të Kinës, por për shkak të stërvitjes së tepruar, nuk ia doli të ketë rezultate të mira në Kampionatin Botëror të një viti më pas, ndonëse arriti të marrë medalje të arta në Lojërat Aziatike të po atij viti të zhvilluar në provincën e saj, si në 1500 metra, ashtu edhe në 3000 metra stafetë. Në sezonin e ardhshëm Yang Yang-u e përmirësoi stërvitjen e saj dhe në kampionatin botëror të zhvilluar në Nagano të Japonisë, fitoi në garat e 500 dhe 1000 metrave, duke ndarë titullin e kampiones me dy herë kampionen e botës Chun Lee-Kyung të Koresë së Jugut. Yang Yang-u u bë kështu kampionia e parë e Kinës në patinazhin në pistë të shkurtër.

Në vitin 1998 Yang mori pjesë për herë të parë në Olimpiadën Dimërore, që zhvillohej po në Nagano. Ndonëse nuk arriti të marrë asnjë medalje individuale, Yang Yang-u vendosi një rekord botëror në çerekfinalen e 1 000 metrave. Në finalen e kësaj gare, ajo ishte përsëri përballë Chun Lee-Kyung, që ishte kampione olimpike në fuqi. Të dyja ndodheshin shumë pranë në mbërritje, duke prekur krahët me njëra-tjetrën, por Chun u rrëzua dhe gjyqtarët e diskualifikuan Yang Yang-un. Medalja e vetme që mori Yang ishte ajo ekipore e argjendtë në stafetën 3 000 metra. Yang Yang-u fajësoi përgatitjen e vet të dobët psikologjike për rezultatet e pakënaqshme për të. Megjithatë, më vonë po në vitin 1998, patinatorja kineze fitoi titullin e vet të dytë kampione bote – këtë herë vetëm, duke "u hakmarrë" ndaj Chun Lee-Kyung-ut dhe duke filluar të mbizotëronte në kampionatet botërore. Kështu Yang Yang-u siguroi titullin e kampiones edhe në kampionatin botëror të vitit 1999 në Sofje të Bullgarisë, të vitit 2000 në Shefild të Britanisë dhe 2001 në Jeonju të Koresë së Jugut. Në të gjitha këto kampionate botërore Yang Yang-u fitoi pothuajse në të gjitha garat ku mori pjesë, si individuale, ashtu edhe stafetë, duke u renditur në vitin 2001 si numri një në botë në patinazhin në pistë të shkurtër.

Dhe kështu erdhi viti olimpik 2002, kur Yang ishte shpresa e madhe e Kinës për fitoren e medaljes së parë të artë në olimpiadën dimërore, që atë vit zhvillohej në Salt Lake City. Dhe ajo e përmbushi më së miri këtë pritshmëri, duke fituar jo një, po dy medalje të arta, përkatësisht në 500 m dhe 1000 m, teksa mori dhe një medalje argjendi në 3000 metra stafetë.

Dy muaj më pas Yang Yang-u do të ritheksonte mbizotërimin e vet absolut në kampionatin botëror në Montreal të Kanadasë, ku doli e para në garat 500, 1000 dhe 1500 metra, duke u shpallur për të gjashtën herë radhas kampione bote. Megjithatë, radhës së titujve të saj kampione bote këtu u erdhi fundi. Yang u rendit e dyta në kampionatin botëror të vitit 2003, megjithëse doli e para në garën e 500 metrave. Pas këtij kampionati ajo vendosi të bëjë pushim, por u rikthye pas një viti, në 2005, kur kamionati botëror zhvillohej në atdheun e vet, pikërisht në Pekin. Ajo doli përsëri e para në 500 metra, por doli e pesta në renditjen e përgjithshme, çka do të thoshte se tashmë për moshën e saj 30-vjeçare garat e distancave të gjata ishin një sfidë e madhe.

Yang Yang-u e pati paraqitjen e saj të fundit olimpike në Lojërat Dimërore të vitit 2006 në Torino të Italisë. Kur ajo nuk arriti të kualifikohej në finalen e garës individuale të 1 500 metrave dhe ekipi i saj nuk u kualifikua në finalen e 3 000 metrave stafetë, filloi të dukej sikur Yang Yang-u do ta linte Torinon pa medalje. Por nuk ndodhi kështu. Patinatorja arriti të marrë medaljen e bronzit në finalen e 1 000 metrave. Pak kohë pas ngjitjes në podiumin e fituesve, ajo njoftoi lënien e sportit.

E pyetur se ç'mendon për vendin që do të zërë në historinë e sportit, Yang Yang-u është shprehur se nuk mendon shumë për këtë dhe se u takon të tjerëve ta përcaktojnë. "Gjithçka që di, është se njerëzit më kanë frymëzuar shumë dhe unë jam përpjekur t'i frymëzoj ata. Ka qenë një marrëdhënie e ndërsjellë," është shprehur ajo.

Yang Yang-u i dha fund karrierës si sportiste, por jo sportit, duke iu përkushtuar veçanërisht përhapjes së frymës olimpike. Në vitin 2006 ajo u zgjodh drejtore ekzekutive e Komitetit Olimpik Kombëtar të Kinës, ndërsa në vitin 2010 anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Në vitin 2014 Yang Yang-u u bë kryetare e Komitetit Vlerësues të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për Olimpiadën Dimërore Rinore të vitit 2020. Ajo është po ashtu ambasadore globale për Lojërat e Veçanta Olimpike. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore