Shen Xue/Zhao Hongbo, kampionët e patinazhit artistik kinez

2017-12-14 16:11:52 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën e kaluar u mbyll në Nagoya të Japonisë Finalja e Çmimit të Madh të Patinazhit Artistik. Ndër fituesit ishin edhe patinatorët kinezë Sui Weijing e Han Cong, që morën medaljen e argjendtë si çift, duke treguar rritjen e madhe që ka pasur patinazhi artistik në Kinë. Por dëshmia më e madhe e kësaj rritjeje janë pa dyshim çifti Shen Xue dhe Zhao Hongbo, që kanë fituar gjashtë medalje të arta në Finalen e Çmimit të Madh të Patinazhit Artistik, bashkë me tre tituj kampionë bote e, mbi të gjitha, fitues të medaljes së artë në olimpiadën dimërore, medalja e parë e artë olimpike e fituar nga Kina në patinazhin artistik, duke i dhënë fund mbizotërimit rus në këtë sport. Shen Xue e Zhao Hongbo janë çift jo vetëm në sport, po edhe në jetë.

Shen Xue dhe Zhao Hongbo kanë lindur në Harbin të Heilongjiang-ut në Kinës Verilindore. Harbini, një nga qytetet më të ftohta në Kinë, i njohur edhe si "Qyteti i akullit", ka nxjerrë disa prej sportistëve më të famshëm jo vetëm në Kinë, por edhe në botë, për sa u përket sporteve dimërore. Dhe kjo lidhje e qytetit të tyre me këto sporte nuk kishte si të mos ndikonte te Shen dhe Zhao, të cilët nisën të merren me patinazh që fëmijë.

Kostumet për "Madame Butterfly"

"Turandot" u bë një shfaqe klasike të çifit sportist

Shen Xue dhe Zhao Hongbo filluan të konkurrojnë si çift së bashku në vitin 1992, kur Shen-i ishte 14-vjeçare dhe Zhao 19. Katër vjet më pas, kur Lojërat Dimërore Aziatike u zhvilluan në qytetin e tyre, Harbin, ata fituan medaljen e tyre të parë të artë në një veprimtari ndërkombëtare. Në vitin 1998, Shen Xue e Zhao Hongbo konkurruan për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore, që atë vit u zhvilluan në Nagano të Japonisë, duke zënë vendin e pestë. Një vit më pas, falë koreografisë dhe interpretimit të përmirësuar, dy patinatorët kinezë arritën ndër rezultatet më të mira të karrierës së tyre për sa u përket numrit të medaljeve, në një sport ku mbizotërimi rus ishte pothuajse absolut. Kështu, Shen dhe Zhao fituan medalje të artë jo vetëm përsëri në Lojërat Dimërore Aziatike, por edhe në Finalen e Çmimit të Madh në Shën-Petërburg, si edhe në Çmimin e të Katër Kontinenteve, që atë vit zhvillohej për herë të parë. Po në vitin 1999 Shen Xue e Zhao Hongbo fituan medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të Patinazhit Artistik, duke u bërë çifti i parë kinez që fitonte një medalje në këtë veprimtari. Një vit më pas ata do ta përsëritnin të njëjtat rezultate në Finalen e Çmimit të Madh dhe në Kampionatin Botëror, duke fituar përkatësisht medaljen e artë dhe atë të argjendtë.

Shen Xue e Zhao Hongbo do ta fitonin për herë të parë titullin kampion bote në vitin 2002, po në Nagano, duke qenë çifti i parë i patinatorëve kinezë që e arrinte një gjë të tillë. Po atë vit ata ishin edhe çifti i parë i patinatorëve kinezë që fitonte një medalje olimpike, kur morën medaljen e bronztë në Olimpiadën Dimërore të zhvilluar në Salt Lake City, aty ku një vit më parë ata kishin fituar medaljen e argjendtë në Lojërat e Katër Kontinenteve.

Vitin 2003, Shen dhe Zhao fituan madeljen e artë në Kampionatin Botëror të Patinazhit Artisitk

Viti 2003 do të ishte një tjetër vit "pjellor" në medalje për çiftin kinez, duke fituar përsëri tre medalje të arta, përkatësisht medaljen e tyre të dytë të artë në Kampionatin Botëror të Patinazhit Artistik, po medaljen e dytë të artë në Lojërat e Katër Kontinenteve, që atë vit u zhvillua në kryeqytetin e atdheut të tyre, Pekin, si edhe medaljen e tretë të artë të tyre në Lojërat Dimërore Aziatike. Po atë vit Shen e Zhao fituan edhe medaljen e argjendtë në Finalen e Çmimit të Madh.

Viti 2004 do të vinte me dy medalje për Shen-in dhe Zhao-n, një medalje të argjendtë në Kampionatin Botëror dhe një të artë në Finalen e Çmimit të Madh, ku po ashtu edhe vitin e ardhshëm do të fitonin medalje të artë, që do të mbetej e vetmja medalje e tyre për atë vit, për shkak të një dëmtimi në këmbë të Zhao-s. Ata e rifilluan konkurrimin vetëm në vitin 2006, në Olimpiadën Dimërore në Torino, ku arritën të marrin edhe një herë medaljen e bronztë, megjithëse mungesa e stërvitjes ishte e dukshme. Por një vit më pas çifti u rikthye me të gjithë forcën, duke fituar medalje të arta në të katër veprimtaritë e rëndësishme ku morën pjesë, mbi të gjitha në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Tokio. Pas kësaj medaljeje, Shen Xue e Zhao Hongbo kurorëzuan në martesë lidhjen e tyre personale, përveç asaj profesionale, dhe shpallën lënien e sportit.

Por pas dy vjetësh, tashmë patinatorët më të suksesshëm e më të famshëm në Kinë e rikthyen vendimin e tyre dhe iu rikthyen sportit. Mbase sepse ata kishin lënë edhe një medalje të artë pa marrë. Dhe me synimin për të mos e pasur më një peng të tillë, ata morën pjesë në Olimpiadën Dimërore 2010 që atë vit zhvillohej në Kanada. Dhe duke i dhënë fund mbizotërimit pothuajse gjysmëvjeçar të patinatorëve nga ish-BS-ja, e më pas nga Rusia, dhe duke realizuar një tjetër "herë të parë", Shen dhe Zhao fituan medaljen e artë olimpike, duke u bërë pra çifti i parë kinez që fitonte një medalje të tillë në patinazhin artistik. Dhe për ta plotësuar fitoren e tyre dhe triumfin e Kinës, medalja e argjendtë u fitua gjithashtu nga një çift kinez, Pang Qing dhe Tong Jian.

Shen dhe Zhao (në mes), në Olimpiadën Dimërore 2010

"Ne e kemi pasur këtë ëndërr prej shumë, shumë vjetësh," u shpreh Zhao Hongbo pas fitores së medaljes së artë. "Kemi fituar në shumë veprimtari dhe sa herë që dëgjonim himnin kombëtar dhe shihnim ngritjen e flamurit kombëtar, dëshironim që të ishin lojërat olimpike. Sot ne e arritëm qëllimin tonë."

Pas arritjes së këtij qëllimi, Shen dhe Zhao u tërhoqën përfundimisht nga patinazhi, por vetëm si sportistë, duke filluar një karrierë të re, atë të trajnerit, duke synuar siç thonë, që ta çojnë patinazhin artistik kinez në "një epokë të re". Ata ishin shumë aktivë në fitoren e kandidaturës së Pekinit për të organizuar Olimpiadën Dimërore të vitit 2022, duke pasur tashmë ëndrrën që patinatorët e patinatoret e stërvitura prej tyre të jenë fituesit e rinj të medaljeve të arta.

Shen dhe Zhao, në Olimpiadën Dimërore 2010

Shen dhe Zhao, të gëzuar, në dasmën e tyre

Mrekulli
Lajmet Kryesore