Ronaldinjo, "magjistari i topit të futbollit"

2017-12-08 15:27:08 CRI Komenti juaj Printoni

Javën e kaluar u zhvillua ndeshja e dytë finale e Kupës "Libertadores" ndërmjet "Lanus" të Argjentinës dhe "Gremio" të Brazilit. Brazilianët fituan 2-1, teksa kishin triumfuar edhe ndeshjen e parë 1-0, duke bërë të vetën për herë të tretë trofeun më të madh amerikanojugor për futbollin e klubeve. Pikërisht me "Gremion" në Kupën "Libertadores" ka pasur debutimin si profesionist një prej futbollistëve më të njohur në botë, dy herë fitues i çmimit "Lojtari më i mirë i vitit" i FIFA-s dhe një herë i "Topit të artë", si edhe fitues i një kupe bote me Brazilin. Ai është Ronaldinjo, ose "magjistari i topit".

Ronaldinjo, me emrin e lindjes Ronaldo de Assis Moreira, ka lindur më 21 mars 1980 në Porto-Alegre të Brazilit. Babai dhe vëllai i tij i madh ishin futbollistë profesionistë. Mund të thuhet se Ronaldinjo ishte i rrethuar nga futbolli që ditën kur lindi. "Unë vij nga një familje ku futbolli ka qenë gjithmonë i pranishëm," është shprehur ai. "Xhaxhallarët e mi, babai im dhe vëllai im ishin të gjithë futbollistë. Duke jetuar në këtë lloj sfondi, mësova shumë prej tyre dhe u përpoqa të përkushtohesha gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës".

Ronaldinjo veçon sidomos rolin e të atit. "Ai ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm për mua dhe për karrierën time, edhe pse vdiq kur isha shumë i vogël, 8 vjeç," është shprehur 37-vjeçari. "Më dha disa nga këshillat më të mira që më kanë dhënë ndonjëherë në jetë. Jashtë fushës: 'Bëj gjënë e duhur dhe ji njeri i ndershëm dhe i drejtë. ' Ndërsa në fushë: 'Luaj futboll sa më thjesht të jetë e mundur'. Ai gjithmonë thoshte se një nga gjërat më të ndërlikuara që mund të bësh, është të luash thjesht. "

Ronaldinjo filloi të jetë pjesë e ekipeve sportive që në moshën 7-vjeçare dhe pikërisht në atë kohë u quajt për herë të parë "Ronaldinjo", që është një formë zvogëluese e emrit të tij të lindjes, Ronaldo. "Gjithmonë më thërrisnin Ronaldinjo kur isha fëmijë, sepse isha me të vërtetë i vogël", shpjegon ai, "dhe kam luajtur me lojtarë që ishin më të mëdhenj se unë. Kur arrita në ekipin kombëtar, ishte një tjetër Ronaldo aty, kështu që mua më quajtën Ronaldinjo, sepse isha më i ri".

Ronaldinjo u rrit në një lagje relativisht të varfër, dhe ekipet e fëmijëve e të të rinjve pjesëtar i të cilëve ishte Ronaldinjo duhej të luanin në fusha të improvizuara futbolli. "Bari i vetëm në fushë ishte në cep," kujton Ronaldinjo. "Në mes nuk kishte bar, por vetëm rërë."

Përveç futbollit, Ronaldinjo gjithashtu luajti edhe futsal, ose futboll në sallë, një lloj futbolli me pesë veta. Përvojat e hershme të Ronaldinjos me futsalin ndihmuan në formimin e stilit të tij unik, të shenjuar nga prekja dhe kontrolli nga afër i topit. "Një pjesë e madhe e lëvizjeve të mia e kanë origjinën nga futsali," thotë Ronaldinjo. "Luhet në një hapësirë ​​shumë të vogël dhe kontrolli i topit është i ndryshëm në futsal. Kontrolli i topit nga unë ka qenë shumë i ngjashëm me atë të një lojtari të futsalit".

Ronaldinjo u bë shpejt një nga futbollistët më të njohur në Brazil. Një herë kur ishte 13 vjeç, ai shënoi 23 gola në një ndeshje të vetme. Ndërsa udhëhiqte ekipin e tij, Ronaldinjo u zhyt në historinë e gjatë dhe të lavdishme të futbollit të brazilian, duke lexuar për emrat e mëdhenj të tij, si Pele, Rivelino dhe Ronaldo, duke ëndërruar të ecte në hapat e tyre. Më pas, në vitin 1997, Ronaldinjo u thirr në ekipin kombëtar brazilian të moshës nën 17 vjeç. Skuadra fitoi kampionatin botëror për moshën nën 17 vjeç të FIFA-s dhe Ronaldinjo u zgjodh si lojtari më i mirë i turneut. Menjëherë pas kësaj, Ronaldinjo nënshkroi kontratën e tij të parë si profesionist me "Gremion", një nga skuadrat më të famshme braziliane.

Ronaldinjo e bëri paraqitjen e vet të parë për "Gremion" pikërisht në Kupën "Libertadores" në vitin 1998. Një vit më pas, ai u përfshi në kombëtaren braziliane që luajti në Kupën e Konfederatave në Meksikë. Brazili u rendit në vendin e dytë dhe Ronaldinjo fitoi çmimin "Topi i artë" si lojtari më i mirë i turneut, si dhe çmimin "Këpuca e artë" si golashënuesi më i mirë.

Në vitin 2001, Ronaldinjo, tashmë një emër i njohur në arenën ndërkombëtare, u largua nga Brazili për në Evropë, duke nënshkruar një kontratë për të luajtur me "Paris Saint-Germain në Francë. Një vit më vonë, ai mori pjesë për herë të parë në Kupën e Botës, duke qenë pjesë e një ekipi plot yje, si p. sh. Ronaldo dhe Rivaldo. Ronaldinjo shënoi dy gola në pesë ndeshje, duke përfshirë edhe golin e fitores në ndeshjen çerekfinale kundër Anglisë. Brazili mposhti në finale Gjermaninë, duke fituar për të pestën herë trofeun më të madh të futbollit botëror.

Në vitin 2003, Ronaldinjo realizoi një tjetër ëndërr të tij, atë për të luajtur me ekipin e "Barcelonës", një nga klubet më të famshme në botë. Jo vetëm kaq, por ai veshi edhe fanelën legjendare me nr. 10, zakonisht të mbajtur nga lojtari më i mirë i skuadrës.

Në vitet 2004 dhe 2005, "Barcelona" fitoi titullin kampion të "La Liga"-s, kurse Ronaldinjo mori çmimin "Futbollisti më i mirë i vitit" i FIFA-s, çmimi më i lartë individual në këtë sport. Ai u bë kështu lojtari i tretë që e fitonte më shumë se një herë këtë çmim, pas Ronaldos dhe Zinedin Zidanit. Në vitin 2005 ai fitoi edhe "Topin e artë". Ronaldinjo gjithashtu udhëhoqi shokët e tij të ekipit në majën e suksesit në vitin 2006, kur kuqeblutë, përveçse në "La Liga", triumfuan në Ligën e Kampioneve, pas 14 vjetësh nga hera e fundit që e kishin fituar titullin më të lartë për futbollin europian të klubeve. Një muaj më pas, Ronaldinjo ishte në përbërje të skuadrës braziliane që nisi me shumë pretendime Kupën e Botës në Gjermani. Por veprimtaria përfundoi me zhgënjim për "Seleçaon" që nuk arriti të mbrojë titullin, pasi u mund në çerekfinale nga Franca.

Në vitin 2008, në Lojërat Olimpike të Pekinit, Brazili zuri vendin e tretë, duke marrë medaljen e bronztë.

Po në vitin 2008, Ronaldinjo u largua nga "Barcelona" për t'u bashkuar me një tjetër nga klubet më të njohura të botës, "Milanin". Por paraqitja e tij me kuqezinjtë në "Serie A" ishte me luhatje, dhe kjo bëri që i shpalluri dy herë si lojtari më i mirë i vitit në botë të mos përfshihej në skuadrën braziliane që luajti në Kupën e Botës të Afrikës së Jugut.

Në 2011, Ronaldinjo u kthye në Brazil për të luajtur për "Flamengon" në Rio-de-Zhanejro. "Flamengo" fitoi atë vit Kampionatin e Rio-de-Zhanejros, por më pas marrëdhëniet e Ronaldinjos me klubin nuk shkuan mirë, dhe ai e përfundoi kontratën duke nënshkruar në qershor 2012 një tjetër kontratë me "Atlético" të Mineiros. Ishte një lëvizje që solli rishfaqjen e aftësive të tij në lojë, duke bërë që të bëhet përsëri pjesëtar i ekipit kombëtar në fazën eleminatore për Kupën e Botës 2014.

I vlerësuar si "magjistari i topit të futbollit", Ronaldinjo quhet nga shumë si lojtari më i madh i brezit të tij dhe një nga më të mirët në histori. Ai thotë se karriera e tij futbollistike ka qenë plot ulje-ngritje, por sidoqoftë me çaste të paharrueshme. "Për mua futbolli ofron kaq shumë emocione, një ndjenjë të ndryshme çdo ditë. Kam pasur fatin e mirë të marr pjesë në veprimtari të rëndësishme si Lojërat Olimpike, dhe fitorja e Kupës së Botës ishte gjithashtu e paharrueshme. Humbëm në Olimpiadë dhe fituam në Kupën e Botës, dhe kurrë nuk do të harroj asnjërën prej këtyre ndjenjave," ka thënë emri i madh i futbollit botëror Ronaldinjo.

Mrekulli
Lajmet Kryesore