Yao Ming, gjiganti i basketbollit kinez

2017-11-17 18:10:58 CRI Komenti juaj Printoni

Yao Ming është quajtur edhe si "Gjiganti i butë", sepse me gjithë gjatësinë 2.29 m, është një njeri i sjellshëm dhe gjithmonë i buzëqeshur. Ai është pa dyshim një ndër lojtarët më të mirë të huaj në historinë e kampionatit amerikan të basketbollit NBA, duke luajtur në tetë Ndeshje të të Gjitha Yjeve të NBA-së, si edhe duke u përzgjedhur pesë herë në Ekipin më të Mirë të NBA-së. Ai ka dhënë një ndihmesë të madhe në popullarizimin e sportit të basketbollit në mbarë botën, e veçanërisht në atdheun e tij, Kinë.

Yao Ming ka lindur në vitin 1980 në Shangai. Të dy prindërit e tij kanë qenë basketbollistë, babai i tij mbi dy metra i gjatë dhe e ëma mbi 1.90 m. Dhe kështu që kur ishte i vogël Yao Ming binte në sy ndër bashkëmoshatarët për shtatin e tij të lartë. Ai filloi të luajë basketboll që kur ishte 9 vjeç, ndërsa në moshën 12-vjeçare u regjistrua në një shkollë sportive. Një vit më pas, Yao nisi të luante për ekipin e të rinjve të basketbollit "Sharks" të Shangait në CBA, barasvlerësi kinez i NBA-së. Djaloshi stërvitej deri në dhjetë orë në ditë për ta justifikuar një besim të tillë në një moshë kaq të re. Pas katër vjetësh, kur ishte në moshën 17-vjeçare, Yao Ming u bë pjesëtar i ekipit të të rriturve të "Sharks". Në sezonin e parë me të rriturit Yao shënoi mesatarisht dhjetë pikë për ndeshje, por fatkeqësisht sezonin e ardhshëm u detyrua ta ndërpresë shpejt, për shkak se theu këmbën për herë të dytë. Në sezonin e tretë dhe të katërt të tij te "Sharks", ata dolën në finale, por në të dy rastet u mundën nga "Bayi Rockets". Kur një vit më pas Wang Zhizhi e la "Bayi Rockets", për t'u bërë basketbollisti i parë nga Kina në NBA, "Sharks" më në fund fituan titullin e tyre të parë. Gjatë ndeshjeve të playoff-it në sezonin e tij të fundit me "Sharks" të Shangait, Yao shënoi mesatarisht afro 39 pikë për ndeshje, ndërsa ishte i saktë në të 21 gjuajtjet që bëri në një nga ndeshjet e finaleve, pa gabuar në asnjë.

Yao vendosi të bëhet pjesë e përzgjedhjes së lojtarëve të rinj të kampionatit amerikan të basketbollit NBA në vitin 2002, duke qenë basketbollisti i parë nga Kina që merrte pjesë në këtë përzgjedhje. Kur "Rockets" i Hjustonit fitoi lotarinë për të qenë ekipi i parë që do të përzgjidhte, ata zgjodhën të parin pikërisht Yao Ming si lojtar i qendrës. Kështu gjiganti kinez 2.29 metra i gjatë u bë lojtari i parë i huaj që përzgjidhej i pari ndër lojtarët e rinj në historinë e NBA-së.

Një numër specialistësh, komentatorësh e basketbollistësh ishin skeptikë lidhur me paraqitjen e talentit nga Kina. Dhe dukej sikur kishin të drejtë kur në ndeshjen e parë kur u aktivizua, atë kundër "Pacers" të Indianas, Yao Ming-u nuk shënoi asnjë pikë në aq pak kohë sa luajti, kurse koshin e parë në NBA do ta shënonte në ndeshjen me "Nuggets" të Denverit. Në shtatë ndeshjet e para ai luajti vetëm 14 minuta dhe shënoi vetëm 4 pikë.

Por më pas, ylli kinez i basketbollit do të tregonte talentin e vet, sa herë që trajneri e fuste në lojë. Kështu, në një ndeshje në nëntor 2002 kundër ekipit "Lakers" të Los Anxhelesit, Yao Ming shënoi 20 pikë, duke qenë i saktë në të nëntë gjuajtjet që bëri nga fusha, si edhe në dy gjuajtjet e lira. Në një ndeshje pak kohë më pas, kundër "Mavericks" të Dallasit, Yao shënoi 30 pikë. Në dhjetor ai u shpall si lojtari i ri më i mirë i atij muaji në NBA. Megjithëse atë sezon "Rockets" nuk arriti dot në fazën e play-offit, Yao Ming e ndihmoi ekipin të arrinte një rekord prej 43 fitoresh e 39 humbjesh, nga 28 fitore dhe 54 humbje që kishte pasur një sezon më parë. Në sezonin e vet të parë Yao Ming u votua nga tifozët për të qenë pjesëtar i ekipit të Konferencës Lindore në Ndeshjen e të Gjitha Yjeve të NBA-së, për të qenë qendra e ekipit, në vend të Shaquille O'Neal-it.

Në sezonin 2003-2004, në një ndeshje kundër "Hawks" të Atlantës, Yao Ming shënoi 41 pikë, rekordi i karrierës së vet në NBA. Po atë sezon ai e ndihmoi ekipin e tij që pas shumë vitesh mungese, të kalonte në ndeshjet e play-off-it. Gjatë kohës që Yao Ming luajti me "Rockets", ky ekip do të dilte edhe katër herë të tjera në play-off, në 2005, 2007, 2008, 2009.

Megjithatë, Yao Ming pësoi një numër të madh dëmtimesh në këmbë gjatë shtatë vjetëve të para me "Rockets", dhe në sezonin 2008-09, gjatë fazës së play-off-it, ai u detyrua të mos luajë për shkak të një thyerje të këmbës, e cila më pas nuk arriti të shërohet plotësisht. Yao Ming bëri një operacion gjatë sezonit të ardhshëm 2009-2010 të NBA, por dëmtimi ishte aq i rëndë, saqë ai nuk arriti të luajë gjatë tërë atij sezoni. Yao Ming u rikthye, duke luajtur pesë ndeshje në fillim të sezonit 2010-11, para se të pësonte një dëmtim në kyçin e këmbës, që e la jashtë pjesës tjetër të sezonit. Ky do të ishte edhe fundi i karrierës së Yao Ming-ut në NBA dhe si basketbollist profesionist. Ai u fut në Hall e Famës të Basketbollit në vitin 2016.

Yao Ming po ashtu ka pasur një paraqitje të shkëlqyer edhe si pjesë e ekipit kombëtar të Kinës. Ai e udhëhoqi ekipin kinez në zënien e vendit të dhjetë, një vend i respektueshëm në atë kohë, në Lojërat Olimpike të Sidneit të vitit 2000. Yao Ming, së bashku me dy shokët e tij të ekipit kombëtar, Wang Zhizhi-në dhe Menk Batere, u quajtën "Muri Lëvizës i Kinës". Në vitin 2004, Yao Ming ishte flamurmbajtësi i delegacionit kinez pjesëmarrës në Olimpiadën e Athinës. Në atë Olimpiadë ekipi kinez kaloi në çerekfinale. Ndërkohë, me gjithë operacionin në këmbë, Yao Ming tha se donte të luante patjetër në Olimpiadën e parë që zhvillohej në vendin e tij, pikërisht të Pekinit 2008. Ai ishte mbartës i flakës olimpike kur ajo kaloi në sheshin "Tiananmen", dhe përsëri ishte mbajtësi i flamurit kinez në ceremoninë e happjes së Olimpiadës. Dhe do të ishte ai që do të shënonte koshin e parë në ndeshjet e basketbollit të kësaj Olimpiade, në ndeshjen e Kinës me ShBA-në. Ekipi kinez arriti përsëri të shkojë deri në çerekfinale në këtë olimpiadë.

Ndërkohë, nën udhëheqjen e Yao Ming-ut, ekipi kinez doli tre herë me radhë kampion i Azisë, në vitet 2001, 2003 dhe 2005.

Edhe pas lënies në karrierës si sportist, Yao Ming nuk u nda nga basketbolli. Në shkurt të këtij viti ai u zgjodh president i Shoqatës së Basketbollit të Kinës, ndërsa që nga viti 2009 ka qenë president dhe pronar i ekipit ku e nisi karrierën, "Sharks" të Shangait. Ai e ka bërë basketbollin një sport mjaft të dashur e të ndjekur në Kinë, dhe po ashtu ka dhënë ndihmesë të madhe në rritjen e cilësisë së basketbollit kinez.

Jashtë basketbollit, Yao Ming është një veprimtar për mbrojtjen e natyrës. Ai është Ambasador për Ruajtjen e Elefantëve dhe ka xhiruar një dokumentar për rinocerontët e bardhë. Ai ka qenë pjesë e fushatave të shumta sensibilizuese për mbrojtjen e këtyre dy kafshëve e të jetës së gjallë në përgjithësi.

Mrekulli