Ayrton Senna, gjeniu i pavdekshëm i automobilizmit

2017-11-13 19:10:26 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën e kaluar u zhvillua në Sao-Paulo gara e "Formula 1" "Çmimi i Madh i Brazilit" për vitin 2017, e cila u fitua nga Sebastian Vettel. Pikërisht Sao Paulo është vendlindja e një prej pilotëve më të shquar të "Formula 1", Ayrton Senna-s.

Duke filluar automobilizmin që në moshën 13 vjeç, pa kaluar shumë ai nisi të spikatë dhe u bë një kampion i padiskutueshëm i "Formula 1".

Ayrton Senna fitoi tre tituj kampionë, duke u nisur plot 65 herë i pari. Por, për fat të keq, jo vetëm karriera, por edhe jeta e tij u ndërpre nga një aksident tragjik pikërisht në pistën e garës, duke lënë pas sidoqoftë një emër të paharruar.

Pilotit tjetër të madh të "Formula 1" Michael Schumaher iu deshën plot 12 vjet që të thyente rekordin e legjendës braziliane.

Ayrton Senna ka lindur në Sao-Paulo të Brazilit në mars të vitit 1960.

Kur ishte fëmijë, ai kishte një problem të bashkërendimit të lëvizjeve, por në të njëjtën kohë tregonte një interes për makinat.

I ati, i cili ishte ndër të tjera edhe pronar i një uzine pjesësh këmbimi për automjete, mendoi që ta shfrytëzonte një gjë të tillë për ta ndihmuar të birin të realizonte plotësisht potencialet e tij, prandaj, që kur Ayrton-i ishte katër vjeç, i bleu atij një miniautomobil.

Dhe kishte pasur të drejtë: në timon vogëlushi ishte krejt tjetër njeri, plot vetëbesim dhe i përqendruar. Çelësi ishte gjetur: çdo fundjavë familja dilte shëtitje nëpër parqe të ndryshme, ku Ayrton-i i vogël ngiste i lumtur miniautomobilin e tij.

Në vitin 1972, Brazili nxori kampionin e parë të "Formula 1", Fittipaldin. Një vit më pas u zhvillua "Çmimi i Madh" i parë në Brazil, pikërisht në Interlagos të Sao-Paulos, ku zhvillohet edhe sot. Fittipaldi doli fitues, duke entuziazmuar publikun vendës. Mes tyre ishte edhe 13-vjeçari Ayrton Senna, që ëndërronte më shumë sesa të bëhej si Fittipaldi. Ai kërkonte të bëhej më i miri i të gjitha kohërave.

Atë vit Ayrton Senna mund të merrte pjesë ligjërisht në garat me miniautomobil. Garën e parë ai e zhvilloi në një pistë miniautomobilash të kompleksit të Interlagosit. Miniautomobilin e tij e kishte bërë pikërisht i ati. Djaloshi e nisi garën nga vendi i parë dhe përdori të gjitha energjitë për ta ruajtur atë vend dhe e fitoi garën, preludi i një vargu të gjatë fitoresh të tjera dhe i një karriere të shkëlqyer, edhe pse të ndërprerë më mes.

Në vitin 1977, Ayrton Senna fitoi Kampionatin e Miniautomobilizmit të Amerikës së Jugut. Më pas, nga 1978 deri në 1982, Ayrton Senna do të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të Miniautomobilizmit. Niveli i tij erdhi duke u rritur nga gara në garë dhe në sezonet e viteve 1979 dhe 1980 ai doli nënkampion.

Në vitin 1981 Senna u vendos në Britaninë e Madhe dhe në vitin 1982 filloi karrierën e tij në automobilizëm. Atë vit ai fitoi kampionatet "Formula Ford 2000" të Britanisë dhe të Europës. Një vit me pas braziliani do të garonte në "Formula 3", që është hapi i fundit përpara konkurrimit në "Formula 1". Senna fitoi titullin kampion të "Formula 3" të Britanisë së Madhe dhe me pas Çmimin e Madh të "Formula 3".

Viti 1984 do të shënonte pjesëmarrjen e parë të Artion Senna-s në "Formula 1". Skuadra e tij e parë ishte "Toleman". Në "Formula 1" gjërat ishin ndryshe. Pa makinën dhe motorin e duhur, edhe piloti më i mirë nuk mund të bënte shumë.

Vitin tjetër Senna kaloi te "Lotus Renault", skuadra e bashkatdhetarit të tij të famshëm Fittipaldi, por që në atë kohë nuk ndodhej në një gjendje të mirë dhe që shpresonte te Senna për ta kthyer sërish te skuadrat më të mira. Por as Senna nuk ishte në gjendjen t'i kthente "Lotusit" lavdinë e dikurshme. Gjatë tre sezoneve me këtë skuadër braziliani fitoi vetëm gjashtë gara.

Në vitin 1988 Senna kaloi tek "McLaren", ku si shok ekipi në mënyrë ironike do të kishte francezin Alain Prost, njeriun me të cilin do të krijonte një rivalitet epik në "Formula 1", rivalitet që është cilësuar edhe si më "vdekjeprurësi" në historinë e "Formula 1". Dyshja do të mbizotëronte atë sezon dhe "McLaren" do të fitonte 15 nga 16 garat, nga të cilat Senna 8 dhe Prost 7. Braziliani do të renditej atë sezon i pari dhe francezi, atëherë dy herë fitues i "Formula 1", i dyti. Mbizotërimi i "McLaren"-i do të vazhdonte edhe sezonin e mëpasshëm, por këtë herë dy pilotët e tij nga shokë u kthyen në armiq të betuar. Prost-i e akuzoi Senna-n se e ngiste makinën në mënyrë të rrezikshme. Por ky rivalitet i ashpër do të bënte edhe që ata të jepnin më të mirën e tyre dhe ata sezon që të dy zunë përsëri dy vendet e para, por këtë herë ndodhi një "rokadë" dhe francezi doli i pari, kurse Senna i dyti. Megjithatë, fitorja e francezit u arrit në mënyrë shumë të diskutueshme, pas asaj përplasjeje mes makinave të të dyve në Çmimin e Madh të Japonisë.

Rivaliteti Senna-Prost do të bëhej më i hidhur një vit më pas, në 1990, kur Prost kaloi te "Ferrari". Por këtë herë Senna do të mbizotëronte krejtësisht, duke siguruar titullin e vet të dytë me gjashtë gara të fituara,

dy vende të dyta dhe tre vende të treta.

Mbizotërimi i Ayrton Senna-s do të vazhdonte edhe në sezonin e mëpasshëm, atë të vitit 1991, kur ai u bë ndër piloted më të rinj që fitonte tre herë titullin kampion të "Formula 1". Ai arriti shtatë fitore atë sezon, duke vendosur edhe rekordin e 60 nisjeve të garës nga vendi i parë.

Në vitin 1992, shkëlqimi i "McLaren"-it u zbeh nga ai i "Williams-"-it dhe atë sezon braziliani arriti të dalë vetëm i katërti.

Në tetor 1993, pasi rivali i tij Alen Prost i kishte dhënë fund karrierës, pikërisht me "Williams"-in, Senna nënshkroi një kontratë me këtë ekip, sipas së cilës për çdo garë ai do të merrte një million dollarë dhe 20 milionë dollarë për gjithë sezonin. Dhe garën e parë për "Williams"-in ai do ta bënte në atdheun e vet, Brazil. Por ishte në garën e tretë, në pistën e Imolas në San-Marino, në xhiron e shtatë, kur ndodhi tragjedia. Makina e tij goditi murin dhe legjenda e "Formula 1" humbi jetën, pikërisht aty ku një ditë më pare kishtë ndodhur një tjetër tragjedi, vdekja e pilotit austriak Roland Ratzenberger. Dy ngjarjet tragjike bënë që autoritetet e "Formula 1" t'i rishikonin rregullat e sigurisë dhe, që atëherë, në këtë veprimtari nuk ka pasur asnjë fatkeqësi.

Vdekja e Senna-s ishte një tragjedi kombëtare në Brazil dhe qeveria braziliane vendosi që për të të mbahej tre ditë zi kombëtare. Tre milionë e veta përcollën për në banesën e fundit një ndër emrat më të mëdhenj jo vetëm të "Formula 1", por edhe të sportit botëror. "Ayrton Senna është gjeni," ishte shprehur në 1993 një ish-pilot i njohur i "Formula 1", Martin Brundle. Për shumë, ai do të mbetet një njeri i pavdekshëm. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore