Yue Qingshuang, "lulja e artë" e kërlingut kinez

2017-11-06 17:48:03 CRI Komenti juaj Printoni

Në Erina të Uellsit të Ri Jugor në Australi po zhvillohet Kampionati i Kërlingut i Azi-Paqësorit. Pa dyshim pretendente kryesore për fitimin e titullit, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, është Kina. Dy ekipet kombëtare kineze të kërlingut janë fituese të Lojërave Dimërore Aziatike të zhvilluara në shkurt të këtij viti në Sapporo të Japonisë. Kërlingu, deri para disa vjetësh një sport pothuajse i panjohur në vendin më të populluar të botës, tashmë është bërë ndër sportet kryesore dimërore dhe Kina po fiton një reputacion gjithnjë e më të madh në këtë sport. Sigurisht fakti që Pekini do të jetë organizator i Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022 do të jetë një nxitje për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti në Kinë dhe ekipet kineze do të synojnë të fitojnë medalje në këtë veprimtari, megjithëse do të kenë përballë rivalë të fortë, si Kanadaja, Zvicra, Suedia, Norvegjia, ShBA-ja apo edhe Skocia, vendlindja e këtij sporti.

Kërlingu është një sport ku vihen përballë dy ekipe me nga katër lojtarë, që rrëshqasin një gur me peshë afro 20 kg në akull drejt një zone me katër rrathë bashkëqendrorë. Ai njihet edhe si "sporti gjëmues", për shkak të zhurmës që bën ky gur i rëndë kur rrëshqet në akull. Ai u përfshi në Lojërat Olimpike që në vitin 1924, por u hoq më pas, për t'u futur në Lojërat Olimpike Dimërore që prej vitit 1998. Ndërkohë, Kampionati i Kërlingut i Azi-Paqësorit ka nisur në vitin 1991 dhe është i përvitshëm. Në fillim kampionë absolutë ishin Australia për meshkuj dhe Japonia për femra, por në dhjetë vjetët e fundit mbizotëruese pra është Kina, si për femra, ashtu edhe meshkuj. Ndër një aradhë emrash të njohur të këtij sporti është edhe Yue Qingshuang.

Yue Qingshuang-u ka lindur më 7 tetor 1985 në Harbin të provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore, i njohur edhe si "qyteti i akullt" për shkak të dimrit të tij shumë të ftohtë e të gjatë. Në rrugën e sportit vogëlushja shtatgjatë u fut jo nga prindërit e saj, por nga xhaxhai, që ishte basketbollist. Por sporti i parë që fillonte të praktikonte Yue Qingshuang-u ishte patinazhi në pistë, për të kaluar më pas në vitin 2000 në një sport edhe më të panjohur për të, por edhe jo shumë të njohur e të praktikuar në Kinë në atë kohë, në kërling. Megjithatë, më pas Yue do të shprehej me të qeshur: "Kërlingu i përshtatet karakterit tim, sepse unë jam e aftë edhe të sulmoj, edhe të mbrohem".

Falë talentit ajo u bë pjesëtare e ekipit të kërlingut të provincës Heilongjiang, kurse më pas edhe e ekipit kombëtar të kërlingut të femrave të Kinës, që kishte për bazë pikërisht vajzat nga Heilongjiang-u. Në Lojërat Dimërore Aziatike të zhvilluara në vitin 2003, ekipi kinez i femrave i kërlingut do të merrte medaljen e bronztë. Një vit më pas, Kina do të merrte medaljes e argjendtë në Kampionatin e Kërlingut të Azi-Paqësorit, gjë të cilën do ta përsëriste edhe pas një viti, në 2005. Po atë vit Yue Qingshuang-u do të ishte pjesë e ekipit kinez që fitoi medaljen e artë në Kampionatin e Kërlingut të Azi-Paqësorit për të Rinj, sukses që do të përsëritej edhe në vitin 2006. E po viti 2006 do të ishte fillimi i fitores gjashtë herë në shtatë vjet të medaljes së artë nga ekipi kinez i femrave në Kampionatin e Kërlingut të Azi-Paqësorit, dhe në këto fitore rolin e vet të padiskutueshëm do ta kishte edhe Yue Qingshuang-u.

Gjatë kësaj periudhe sigurisht më i suksesshmi dhe më i paharrueshmi për Yue Qingshuang-un dhe shoqet e saj të ekipit do të ishte viti 2009. Atë vit ato fituan medaljen e artë jo vetëm në Kampionatin e Kërlingut të Azi-Paqësorit, por edhe në Universiadën Dimërore të zhvilluar në qytetin e lindjes së Yue Qingshuang-ut, Harbin, e dy muaj më pas, edhe në Kampionatin Botëror të Kërlingut, veprimtari në të cilën një vit më parë ekipi kinez kishte fituar medaljen e argjendtë. Ndërkohë, në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2010 në Vankuver të Kanadasë Yue Qingshuang-u dhe shoqet e saj morën medaljen e bronztë, e para medalje medalje olimpike për Kinën në sportin e kërlingut.

Ekipi kinez i atëhershëm i kërlingut të femrave, i përbërë përveç Yue Qingshuang-ut, edhe nga Wang Bingyu, Liu Yin e Zhou Yan, kishte arritur që brenda pak vjetësh të kthehej nga një emër i panjohur në fitues të trofeve të rëndësishme ndërkombëtare, duke fituar një popularritet të jashtëzakonshëm. Ato u quajtën edhe si "Lulet e arta". "Zakonisht sportisteve të reja të kërlingut u duhen gjashtë-tetë vjet për të pasur rezultate të mira," shprehet Yue Qingshuang-u. "Por ekipi im i dikurshëm ishte i jashtëzakonshëm."

Yue Qingshuang-u e la kërlingun si sportiste pas Lojërave Olimpike Dimërore të Soçit 2014, por pasioni për sportin e saj të dashur nuk iu nda. Ajo u bë profesore në Shkollën e Sporteve Olimpike Dimërore në Universitetin e Sporteve të Harbinit, ku ka 80 studentë. Përveç kurseve për kërlingun, ajo jep mësime edhe për patinazhin në pistë, hokejin në akull e sporte të tjera dimërore. Por puna e saj kryesore është si trajnere kërlingu.

Në janarin e sivjetshëm, duke gëzuar shumëkënd, ajo u shfaq si trajnere e ekipit kinez të kërlingut në Universiadën Dimërore të zhvilluar në Almati të Kazakistanit. Yue Qingshuang-u shprehet se roli i trajneres është edhe më i vështirë se ai i lojtares. "Kur isha sportiste, kryesisht mendoja si të luaja sa më mirë. Ndërsa tani, si trajnere, duhet të mendoj për shumë më tepër."

E megjithatë, pasioni, e jo vetëm pasioni, i saj për të luajtur nuk ka reshtur. Duke folur lidhur me Olimpiadën Dimërore të Pekinit, Yue Qingshuang-u thotë: "Çdo sportist është i mbushur me shpresa dhe aspirata për Olimpiadën. Megjithëse pjesa më e madhe jona janë tërhequr si lojtare, ne ende stërvitemi." Dhe më tej shton: "Nëse vendi ynë ka nevojë për ne në 2022, ne patjetër do të kthehemi si lojtare në çdo kohë." (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore