Wang Nan-i, emri i njohur i pingpongut kinez

2017-10-30 18:16:33 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 27 deri në 29 tetor u zhvillua në Markham të Ontarios në Kanada Kupa e 21-të e Botës në pingpong për femra. Pa dyshim mbizotëruese në këtë veprimtari, që prej fillimit të saj, ashtu si edhe në sportin e pingpongut në përgjithësi, ishte Kina. Finalja e Kupës ishte e gjitha kineze, dhe u fitua nga Zhu Yuling, përballë Liu Shiwen, 4-3. Pingpongistet kineze jo vetëm kanë marrë medaljen e artë në të gjitha Kupat e Botës, me përjashtim të asaj të vitit të kaluar, por edhe në shumën e edicioneve të kësaj veprimtarie kanë bërë të vetat që të treja medaljet. Pikërisht një prej këtyre fitueseve është edhe Wang Nan, që është e vetmja, bashkë me pingpongisten tjetër kineze Zhang Yining, që ka fituar katër medalje të arta individuale në Kupat e Botës, përveç një medaljeje të artë ekipore dhe dy medaljesh të argjendta. Wang Nan-i është deri tani e vetmja pingpongiste, si për femra, ashtu edhe meshkuj, që ka fituar tre Kupa Bote radhazi në ndeshjet individuale dhe ato dyshe. Ajo është po ashtu e vetmja, po me Zhang Yining-un dhe legjendën tjetër të pingpongut kinez të femrave, Deng Yaping, që ka fituar katër medalje të arta olimpike. Ndërkohë Wang-u ka marrë edhe 15 medalje në kampionatet botërore të pingpongut, duke qenë një prej pingpongistëve më të shquara e me më shumë medalje të fituara në historinë e këtij sporti. Me forcën dhe lëvizjet e saj të shpejta, pingpongistja që luante me dorën e majtë, e ngriti këtë sport në një nivel të ri.

 

Wang Nan-i ka lindur në Fushan të provincës Liaoning të Kinës, në vitin 1978. Ajo filloi të merrej me pingpong që kur ishte shtatë vjeçe. Në moshën 11-vjeçare Wang hyri në një shkollë sportive në vendlindjen e vet. Pas tre vjetësh, falë talentit dhe stërvitjes së palodhur, Wang Nan u pranua në ekipin e pingpongut të provincës Liaoning, ndërsa një vit më pas, kur ishte 15 vjeçe, u bë pjesëtare e ekipit kombëtar të pingpongut të femrave të Kinës, duke qenë lojtarja në moshën më të re në këtë ekip. Një vit më pas, në 1994, Wang Nan doli fituese për herë të parë në një veprimtari ndërkombëtare, duke fituar turneun "Sweden Open". Në vitin 1997, Wang Nan-i fitoi medaljen e artë në edicionin e dytë të Kupës së Botës, ndërsa po atë vit u shpall edhe nënkampione bote. Një vit më pas 20-vjeçarja e atëhershme fitoi përsëri Kupën e Botës, si edhe mori të katër medaljet e arta në Lojërat Aziatike: individuale, dyshe, të përziera dhe ekipore.

Në vitin 1999, Wang Nan-i doli kampione bote si në ndeshjet individuale, ashtu edhe dyshe, duke zënë për herë të parë kreun e renditjes së pingongisteve më të mira të botës, vend të cilin do ta mbante deri në vitin 2002. Pasi fitoi dy medalje të arta përsëri si në ndeshjet individuale, ashtu edhe dyshe në Lojërat Olimpike të Sidneit të vitit 2000, Wang Nan u bë pingpongistja e dytë kineze pas Deng Yaping-ut që fitonte të gjithë titujt kryesorë në ndeshjet individuale.

Por pas fitores në vitin 2001 të titullit të dytë kampion bote, shumë menduan se karrierës së Wang Nan-it i erdhi fundi. Në Lojërat Aziatike të Busanit të vitit 2002 ajo humbi si në finalen individuale, ashtu edhe atë ekipore, duke u kritikuar se ishte shumë pasive dhe kishte mungesë vetëbesimi. Wang Nan-i ka thënë se kjo ishte periudha më e vështirë në karrierën e mbase jetën e saj, kur ajo edhe u kaplua nga depresioni. "Pas Lojrave Aziatike, mendova ta lija sportin. Më dukej se e kisha të pamundur ta vazhdoja," tregon ajo.

Ajo thotë se dështimi e bëri të pyeste veten nëse ishte psikologjikisht e aftë të përballej me ulje-ngritjet.

Ekipi kombëtar i kërkoi Wang Nan-it të merrte pushim. Gjatë asaj kohe, ajo mori shumë inkurajim nga trajnerët e saj, shoqet e ekipit dhe familja. Dhe kuptoi se nuk mund të jetonte dot pa pingpongun dhe sa thellë ishte e lidhur me këtë sport. Wang Nan-i rinisi stërvitjen me shpresën dhe vendosmërinë për t'u kthyer në formën e mëparshme.

"Mezi prisja ndeshjen e ardhshme. Doja të provoja se vazhdoja të isha më e mira," thotë ajo.

Dhe Wang Nan-i e tregoi vërtet një gjë të tillë një vit më vonë, kur në Kampionatin Botëror të Pingpongut 2003 në Paris, fitoi tre medalje të arta në ndeshjet individuale, dyshe dhe dyshe të përziera. Wang Nan-i u bë kështu pingpongistja e parë që fitonte tre tituj kampionë bote rresht pas Angelica Rozeanu-t të Rumanisë, që kishte fituar gjashtë të tilla rresht nga viti 1950 deri në 1955. Po ashtu, duke fituar titullin e vet të katërt në ndeshjet dyshe, Wang Nan-i u bë e para që fitonte 7 tituj kampionë botërorë në historinë e pingpongut. Po në vitin 2003 Wang Nan fitoi për herë të tretë Kupën e Botës, sukses të cilin ajo do ta përsëriste për herë të katërt e të fundit në vitin 2007. Ndërkohë, në vitet 2000 dhe 2004 në këtë veprimtari pingpongistja kineze fitoi edhe dy medalje të argjendta.

Për sa u përket olimpiadave, Wang Nan-i nuk arriti të mbronte titullin në Lojërat Olimpike 2004 në Athinë, por mori medaljen e artë në ndeshjet dyshe me yllin në ngjitje në atë kohë, Zhang Yining. Duke provuar si sukseset, dhe dështimet, Wang Nan dinte tashmë si të sillej përballë tyre.

"Nëse dilja kampione, do të isha shumë i lumtur dhe do të ndieja se të gjitha përpjekjet që kisha bërë nuk ishin të kota. Por nëse dështoja, nuk do të më vinte keq, sepse të paktën isha përpjekur".

Ndonëse tashmë ishte shfaqur një brez i ri pingpongistesh të talentuara kineze, Wang Nan, me forcën dhe qëndrueshmërinë e saj, vazhdonte të ishte ndër më të mirat, megjithëse relativisht më e vjetër. Loja e saj ishte spektakolare, veçanërisht në ndeshjet ekipore, kur Wang Nan-i provoi se ishte një pasuri për suksesin e ekipit. Trajnerja e ekipit kinez të pingpongut të femrave në atë kohë, Shi Zhihao, është shprehur se Wang Nan ishte mbështetje shpirtërore për lojtaret e tjera të ekipit.

"Wang Nan luan një rol të rëndësishëm në mbajtjen lart të moralit të të gjithë ekipit. Ajo ka talent e aftësi taktike dhe, ç'është më e rëndësishmja, ka përvojë të pasur," thotë Shi Zhihao.

Sidoqoftë, Wang Nan-i nisi gradualisht të kalojë nga lojtare në trajnere e ekipit kombëtar. Megjithatë, pa hequr dorë nga karriera si lojtare, dhe kjo sepse, ashtu si edhe shumë sportistë e sportiste të tjera kineze, donte që të merrte pjesë në Olimpiadën e vitit 2008 që do të zhvillohej në atdheun e saj. Para Olimpiadës së Pekinit, Wang-u tha: "Shpresoj që të marr medalje të arta së bashku me anëtaret e ekipit tim, që të kem një kujtim të bukur për pjesën tjetër të jetës sime".

Dhe ndonëse në ndeshjet individuale në Olimpiadë Wang Nan-i fitoi vetëm medaljen e argjendtë, duke u mundur në finale nga shoqja e saj e ekipit, Zhang Yining, ajo arriti të marrë një medalje të artë me ekipin kinez, e katërta medalje e artë olimpike për të. Ky ishte fundi i një karriere të madhe.

Pas Olimpiadës së Pekinit Wang Nan-i u tërhoq nga sporti, duke iu kushtuar jetës familjare dhe kujdesit për djalin e saj të vogël. Megjithatë, ajo ka lënë pas një nga emrat më të mëdhenj në historinë e sportit të pingpongut. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore