Hans Deutgen-i, kampioni i qitjes me hark

2017-10-23 20:12:51 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 15-22 tetor zhvillohet në Meksikë Kampionati Botëror i Qitjes me Hark. Megjithëse qitja me hark është një sport olimpik duke filluar që nga olimpiada e dytë moderne, e zhvilluar në vitin 1900 në Paris, kurse Kampionati Botëror i Qitjes me Hark ka filluar në vitin 1931, pothuajse në të njëjtën kohë me Kampionatin Botëror të Futbollit, qitja me hark vazhdon të mbetet një sport jo shumë i njohur. Megjithatë, ky sport modern me rrënjë të lashta, siç quhet, ose një ndër sportet më të vjetra që ende praktikohet, është një ndër sportet me rritjen më të shpejtë.

Një ndër vendet mbizotëruese në turnetë dhe veprimtaritë e ndryshme të qitjes me hark që prej fillimit të tyre është Suedia. Qitësit dhe qitëset suedeze të harkut kanë fituar një numër titujsh ndërkombëtarë, jo vetëm si individë, por edhe në garat ekipore. Megjithatë, një prej tyre spikat veçanërisht, duke arritur atë sukses që askush nuk e ka arritur deri më tani në këtë sport për sa u përket meshkujve në kampionatet borërore të qitjes me hark. Ai është Hans Teodor Deutgen, fitues i titullit kampion bote katër me radhë, si edhe i një numri medaljesh të tjera, nga të cilat mungon medalja olimpike, e kjo sepse për fat të keq, gjatë karrierës së tij si sportist, qitja me hark nuk ishte një sport olimpik.

Hans Teodor Deutgen-i ka lindur më 17 shkurt 1917 në kryeqytetin suedez Stokholm. Ai nisi të merret me qitjen me hark kur ishte 25 vjeç, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe karriera e tij shkon në një masë të madhe paralel me atë të një tjetër qitësi të njohur me hark, danezit Einar Tang-Holbek, i cili po ashtu mësoi qitjen me hark gjatë viteve të Luftës. Hans Deutgen-i nisi të merret me qitjen me hark me pak ndihmë, për të mos thënë aspak, duke u quajtur në njëfarë mënyre, autodidakt. Por një gjë e tillë nuk do ta pengonte që të arrinte majat.

Pas luftës, në vitin 1946, kur rifilluan turnetë ndërkombëtare, Deutgen-i do të merrte pjesë për herë të parë në Kampionatin Botëror të Qitjes me Hark, që zhvillohej pikërisht në vendlindjen e tij, Stolkholm. Ai arriti që, që në këtë përvojë të parë, të merrte medaljen e argjendtë, teksa medalja e artë i takoi Tang-Holbek-ut. Ndryshe nga tani, kur Kampionati Botëror i Qitjes me Hark organizohet një herë në dy vjet, në atë kohë ai ishte i përvitshëm, dhe kështu një vit më pas, në 1947, në Pragë të ish-Çekosllovakisë, Hans Deutgen-i do të shpallej për herë të parë kampion bote, duke lënë pas dy qitës të tjerë të fortë, Vaclav Karola-n e Danimarkës dhe Josef Brejcha-n e ish-Çekosllovakisë. Ai po ashtu mori medaljen e bronzit me ekipin e Suedisë.

Suksesin e tij Hans Deutgen-i do ta përsëriste edhe pas një viti, kur mikpritëse e kampionatit botëror do të ishte Londra, duke u hakmarrë në njëfarë mënyre ndaj Einar Tang-Tolbekut, i cili doli i dyti. Sidoqoftë, diferenca e pikëve të Hans Deutgen-it me të gjithë konkurrentët e tjerë ishte shumë e madhe, duke e bërë atë një emër absolut në sportin e qitjes me hark.

Përveç medaljes së artë individuale, në atë kampionat Deutgen-i mori edhe një medalje të artë ekipore me Suedinë, që u shpall kampione.

Në vitin 1949, në kryeqytetin e Francës Paris, qitësi me hark nga Suedia do të fitonte titullin e vet të tretë radhas kampion bote, por këtë herë konkurrenca me rivalët do të ishte e ashpër, sidomos me Frantisek Hadas-in e ish-Çekosllovakisë, që mori medaljen e argjendtë. Një medalje të argjendtë do ta merrte edhe Deutgen-i, por këtë herë ekipore.

Në vitin 1950 Hans Deutgen-i do të fitonte titullin e vet të katërt dhe të fundit të kampionit të botës, duke mposhtur përsëri Einar Tang-Tolbekun në shtëpinë e vet, Kopenhagë. Danezi arriti të renditet vetëm në vendin e dytë, duke marrë medaljen e argjendtë. Por kur i dhanë medaljen e artë në podium, Hans Deutgen-i e mori atë dhe ia kaloi atë amerikanit Russ Reynolds, i cili, megjithëse vuante nga leucemia, kishte bërë një paraqitje mbresëlënëse, duke u renditur në vendin e tretë. Ndërkohë ekipi suedez mori përsëri në atë kampionat medaljen e argjendtë.

Po atë vit Hans Deutgen-i do të shpallej një ndër dhjetë sportistët më të mirë të Suedisë, hera e parë që një qitës me hark përfshihej në atë dhjetëshe.

Gjithsesi, 1950-a do të ishte edhe viti i fundit që Hans Deutgen-i merrte medalje. Ndonëse Suedia do të vazhdonte mbretërimin e saj edhe në tre kampionatet e ardhshme botërore të qitjes me hark për meshkuj, ku qitësit e saj do të fitonin tre medalje ari, një argjendi dhe tre bronzi, përveç titujve ekiporë, Hans Deutgen-i nuk do të ishte pjesë e këtij suksesi. Në vitin 1953 ai u tërhoq nga sporti, me premtimin se do të rikthehej kur qitja me hark të bëhej përsëri pjesë e Lojërave Olimpike.

Megjithatë, një gjë e tillë do të ndodhte rreth dy dhjetëvjeçarë më vonë, në Olimpiadën e Mynihut të vitit 1972, kur Hans Deutgen-i ishte 55 vjeç, një moshë mjaft e madhe për të rifilluar sportin. Sidoqoftë, në atë Olimpiadë një qitës suedez me hark do të merrte medaljen e argjendtë. Dhe një meritë për këtë i takon edhe Hans Deutgen-it, i cili pas lënies së sportit, kalonte një kohë të gjatë me qitësit e rinj, duke u dhënë atyre përvojën e tij të pasur dhe këshillë të çmuara, që ai vetë nuk kishte pasur mundësi t'i merrte kur ishte i ri dhe sapo kishte filluar këtë sport.

Hans Deutgen-i u nda nga jeta në tetor 1989, duke lënë pas një emër të respektuar.

Mrekulli
Lajmet Kryesore