Joe Devis, "plaku i madh i snukerit"

2017-09-18 10:52:59 CRI Komenti juaj Printoni

Më 18 shtator filloi në Yushan të Kinës turneu "World Open", që do të zgjasë deri më 24 shtator. "World Open" është një prej dy turneve përcaktues të renditjes së snukeristëve profesionistë, që ka nisur në vitin 1982 dhe ka qenë i njohur më parë me emra të ndryshëm, si Turneu i Lojtarëve Profesionistë, Kupa "LG" dhe Çmimi i Madh. Ky është viti i pestë rresht që ky turne organizohet në Kinë, gjë që tregon interesin në rritje për këtë sport në vendin më të populluar në botë, që ka nxjerrë snukeristë të nivelit botëror si Ding Junhui.

Snukeri është një sport i popullarizuar falë një njeriu, i quajtur Joe Davis. Ai jo vetëm ishte organizatori i kampionatit të parë botëror të snukerit, por edhe fitoi 15 tituj kampion bote në snuker nga viti 1927 derisa sa u tërhoq nga kjo veprimtari në vitin 1946. Davis po ashtu doli katër herë kampion bote në bilardo, e ishte për dhjetë vjet kampion i Britanisë, duke vendosur dhe disa rekorde. Për madhështinë e tij Joe Davis është nderuar me Urdhrin e Mbretërisë Britanike. Ai ka marrë ndër të tjera nofkën: "Plaku i madh i snukerit".

Joe Davis ka lindur më 15 prill 1901 në Whitewell të Derbyshire-t në Angli. Ai mund të thuhet se hyri në rrugën e snukerit prej të atit, ose më saktë prej profesionit të tij. Kur Joe ishte 2 vjeç, babai i tij, që më parë ishte minator, nisi të drejtonte një pab dhe vendosi që ndër të tjera të vinte aty edhe fusha bilardoje.

Vogëlushi Joe rrinte aty me orë të tëra me stekë në dorë, dhe ky ishte fillimi i një karriere të madhe. Në moshën 13-vjeçare ai fitoi një kampionat lokal bilardoje, kurse një vit më pas nisi punë në një sallë bilardoje. Joe Davis arriti të bënte para aty duke u ndeshur me ata që vinin të luanin dhe që nuk ia njihnin talentin. Kurse në moshën 19 vjeç ai u bë një biliardist profesionist. Pikërisht gjatë kësaj periudhe Joe Davis do të ndiente për here të parë shijen e humbjes, duke u mposhtur në finale nga Tom Newman në Kampionatin Botëror të Bilardos Profesioniste në vitin 1926. Një vit më pas Davis doli përsëri në finale, dhe përsëri u mund nga Newman.

Megjithatë, po në këtë periudhë, Davis kishte filluar të interesohej lidhur me snukerin. Ndonëse pasioni i tij ishte bilardoja, ai e ndiente se ishte snukeri ku mund të arrinte më shumë. Ai vendosi të zhvillonte Kampionatin e Parë Botëror të Snukerit në vitin 1927. Duke qenë se ky sport nuk ishte dhe aq i njohur në atë kohë, vetëm 10 veta morën pjesë në të dhe niveli nuk ishte i duhuri. Natyrisht Joe Davis e fitoi lehtësisht atë, duke marrë edhe shpërblimin prej vetëm … 6.50 paundësh.

Pas kësaj, Joe Davis iu rikthye me një vetëbesim më të madh bilardos dhe pas fitimit të titullit të parë kampion bote në vitin 1928, duke u hakmarrë ndaj Newman-it, të cilin e mposhti në finale, fillon një periudhë fitoresh të njëpasnjëshme të tij si në snuker, ashtu edhe në bilardo. Ai fitoi në çdo vit që u organizua Kampionatin Botëror të Snukerit, si edhe tre herë të tjera Kampionatin Botëror të Bilardos Profesioniste, në 1929, 1930 dhe 1932. Ai po ashtu fitoi edhe dhjetë kamionate të bilardos të Britanisë.

Megjithatë, ishte snukeri ku Joe Davis e pati pa dyshim suksesin më të jashtëzakonshëm. Gjatë fitimit të kampionatit botëror çdo vit, ai po e rriste mjeshtërinë e vet dhe po e shtonte largësinë që e ndante nga snukeristët e tjerë. Loja e tij u bë një standard ku bazohen edhe sot lojtarët e këtij sporti. Ndërkohë, mbizotërimi i Joe Davis-it po e bënte gjithnjë edhe më të njohur snukerin. Ai organizoi një sërë veprimtarish bamirëse, që nxitën profilin e tij dhe snukerin.

Për sa u përket kampionateve botërore, mbizotërimi i Davis-it rrallë u kërcënua. Problemi kryesor për të ishte ndërprerja e këtyre kampionateve për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Pas fitores prej tij të të 14 titujve nga viti 1927 deri në 1940, kjo veprimtari u pezullua deri në vitin 1946, kur Joe Davis e fitoi për të fundit herë. Sidoqoftë, edhe në vitin 1940, kishte shenja se hendeku i tij me snukeristët e tjerë po ngushtohej, e kjo nga vëllai i tij Fred. Në fund të atij viti, të dy vëllezërit u ndeshën në atë që u quajt "përballje titanësh" e Joe arriti të fitojë me vetëm një pike më shumë, me rezultat të përgjithshëm 37-36.

Pas fitores së kampionatit në vitin 1946, Joe Davis nuk mori pjesë më në këtë veprimtari, duke u bërë i vetmi deri më sot që nuk ka pësuar asnjë humbje në këtë veprimtari. Megjithatë, ai mori pjesë në turne të ndryshme profesionte, duke vazhduar të fitojë e të vendosë rekorde. Në vitin 1964 ai e la krejtësisht karrierën si sportist, gjatë së cilës njohu vetëm katër humbje, dy të shkaktuara nga i vëllai Fred, ndaj të cilit Joe po ashtu arriti dy fitore gjithsej, dhe dy humbje të tjera nga John Pulman, kampioni i ardhshëm botëror. Pasi la sportin, Joe Davis jo vetëm ndiqte rregullisht veprimtaritë e snukerit, por edhe u përpoq të përhapte një formë tjetër të këtij sporti, të quajtur "Snuker Plus".

Jo vetëm jeta e Joe Davis-it, por edhe vdekja e tij mund të thuhet se ishte e lidhur me snukerin. Ai pësoi një atak kur ishte duke ndjekur të vëllanë Fred në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të vitit 1978. Dy muaj më pas, Joe Davis u nda nga jeta, por duke lënë pas një emër të madh. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore