Toni Kukoç, "pantera rozë" e basketbollit

2017-09-04 10:44:56 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 31 gusht deri më 17 shtator zhvillohet Kampionati i 40- të Europian i Basketbollit, i njohur edhe si "EuroBasket". Në këtë kampionat marrin pjesë 24 ekipe të ndara në gjashtë grupe. Ashtu si edhe herën e fundit, ky kampionat organizohet në katër vende njëkohësisht, që janë këtë herë janë Finlanda, Izraeli, Rumania dhe Turqia. Duke filluar nga sivjet, Kampionati Europian i Basketbollit do të zhvillohet një herë në katër vjet, nga një herë në dy vjet që organizohej më parë.

Toni Kukoç është një prej emrave më të mëdhenj të basketbollit europian, fitues dy herë i "Eurobasketit" dhe një herë i Kupës së Botës, duke u bërë më pas ndër basketbollistët më të njohur europianë të Kampionatit Europian të Basketbollit, NBA.

Toni Kukoçi ka lindur më 18 shtator 1968 në Split të Kroacisë, që atëherë ishte pjesë e Jugosllavisë. Dashurinë për sportet duket se ai e trashëgoi prej të atit, që ishte futbollist dhe luante si portier, por adhuronte sportet në përgjithësi. Edhe Toni i vogël do të fillonte të merrej me sport, por jo me basketboll apo futboll, por me pingpong. Dhe aty do të shfaqte talent, duke dalë madje edhe kampion. E megjithatë, ashtu si edhe për shumë fëmijë të tjerë, dashuria e tij e vërtetë ishte futbolli, për më tepër që qyteti i tij i lindjes, Spliti, kishte një ekip të njohur në atë kohë si "Hajduku". Edhe Toni Kukoçi ëndërronte të vishte një ditë fanellën e këtij ekipi. Dhe dukej se ishte duke filluar realizimin e kësaj ëndrre kur në moshën 11 vjeç u pranua në ekipin e fëmijëve të "Hajdukut". E ndonëse përsëri dukej se ishte një fëmijë që kishte talent edhe në futboll, shtati i tij po rritej shumë shpejt, aq sa kur ai ishte 13 vjeç, ishte i gjatë 1.90 cm.

Toni Kukoç vazhdoi të luajë futboll deri në moshën 15-vjeçare, kur ai u pikas nga një zbulues talentesh i ekipit të basketbollit të Splitit, "Jugoplastika" (sot "Spliti"), që u habit kur djaloshi i tha se nuk ishte marrë ndonjëherë me basketboll. Toni vendosi ta provonte dhe nisi paralelisht të stërvitej në futboll e basketboll, por më në fund ky i fundit triumfoi.

Toni Kukoç nisi të luajë për ekipin e parë të "Jugoplastikës" kur ishte 17 vjeç. Ky ishte fillimi i karrierës së tij të shkëlqyer individuale si basketbollist, por edhe i asaj që mund të quhet "era Kukoç" te "Jugoplastika". Ndeshja e parë e tij do të ishte kundër "Buduçnostit" në Podgoricë. Në sezonin e parë ai nuk u aktivizua shumë dhe arriti të shënojë vetëm 54 pikë (2.6 pikë për ndeshje). Edhe në finalen e tij të parë, atë për titullin kampion të Kroacisë, ai ndjeu zhgënjim, dhe madje pati edhe një ndjenjë turpi kur skuadra humbi para tifozëve të vet me "Cibonën" e Zagrebit. Por një sezon më pas, kur te "Jugoplastika" erdhën edhe lojtarë të tillë si Raxha dhe Xhoerxheviç, Kukuç shënoi 317 pikë (14.4 pikë për ndeshje) në sezonin e rregullt dhe 46 të tjera në ndeshjet e plejofit.

"Jugoplastika" nisi ngritjen dhe arriti të bëhet jo vetëm kampione e Kroacisë, por edhe e mbarë Jugosllavisë për katër vjet me radhë (1988-1991), e për më tepër edhe e Europës, duke fituar për tre herë me radhë atë që quhej atëherë Kupa e Kampioneve e Europës dhe sot "EuroLeague" (1989-1991).

Po aq mbresëlënëse do të ishte edhe paraqitja e kroatit shtatlartë në ekipin kombëtar të Jugosllavisë në atë periudhë. Ai ishte pjesë e ekipit të të rinjve të Jugosllavisë që fitoi kampionatin europian në vitin 1985. Ndërkohë, në vitin 1987 ai ishte pjesë e ekipit të të rriturve që zuri vendin e tretë në Kampionatin Europian të Baskebollit, pra "EuroBasket". Po atë vit, Toni Kukoç ishte edhe pjesë e ekipit kombëtar të të rinjve që fitoi kampionatin botëror përballë ekipit të fortë të Shteteve të Bashkuara.

Një vit më pas, në Olimpiadën e Seulit, Jugosllavia fitoi medaljet e argjendit, duke u mundur në finale nga Shtetet e Bashkuara. Do të pasonin tre vjet ku Jugosllavia do të shpallej tre herë kampione, duke fituar dy herë "EuroBasketin" në vitet 1989 dhe 1991, si edhe Kupën e Botës të 1990-s. Kukoç do të ishte një lojtar kyç në këto triumfe.

Për rastësi, gjatë ditëve që në Itali zhvillohej "EuroBasketi"i vitit 1991, ku Jugosllavia pra u shpall kampione, Kroacia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia. Sigurisht Toni Kukoçi u bë pjesë e ekipit të ri kombëtar kroat të basketbollit, që në dy sezonet e mëpasshme të "Eurobasket"-it, pikërisht në 1993 dhe 1995, zuri vendin e tretë.

Po në vitin 1991, kur reshti së luajturi për Jugosllavinë, Kukoçi u largua edhe nga "Jugoplastika", që do të quhej më vonë thjesht "Split" dhe që do ta humbiste shkëlqimin pas largimit të numrit 7 të saj, i cili për dy sezone do të luante në Itali për "Benetton" të Trevizos. Me ekipin e vet të ri kroati Kukoç do të fitonte një kampionat të Italisë dhe një kupë.

Në vitin 1992 Kukoç ishte pjesë e "ekipit të ëndrrave" të Kroacisë, që fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të Barcelonës.

Në vitin 1993 kroati shtatlartë do të niste karrierën përtej oqeanit, në të famshmin kampionat të ShBA-së NBA. Ai do të bëhej pjesë e "Chicago Bulls" pikërisht kur, për zhgënjimin e tij, Michael Jordan do të tërhiqej për herë të parë nga basketbolli. Megjithatë, pas dy vjetësh Jordan do të rikthehej dhe ëndrra e kroatit për të luajtur përkrah idhullit të tij u realizua. Me "demat" Kukoç fitoi tre tituj të NBA-së. Në dy sezone ai ishte shënuesi i tretë më i mirë për "Bulls"-at, një arritje jo e vogël kjo, po të kesh parasysh yjet e këtij ekipi, si edhe faktin që Kukoç ishte lojtar i stolit.

Pas 7 sezoneve me Çikagon, Toni Kukoç do të luante edhe për 6 sezone të tjera në NBA me "Philadelfia 76ers", "Atlanta Hawks" e "Milwaukee Bucks".

Në vitin 2006 Kukoç e la karrierën e lojtarit, ndërsa është tani këshilltar i posaçëm për "Chicago Bulls". Megjithatë, ai ende kujtohet si një basketbollist i shkëlqyer e elegant. Ai është quajtur "Magic (Jonson) i Bardhë", "Mrekullia kroate" etj., por për lëvizjet e shkathëta, duart e gjata dhe trupin e hajthëm, mbase më e goditur është nofta "Pantera rozë". Siç është thënë në media, ai e bënte shënimin e koshit ose dhënien e një pasimi për kosh të dukej si gjëja më e thjeshtë në botë.

Por më shumë se për shënimin e pikëve, Toni Kukoç do të mbahet mend për lojën në ekip e për dhënien e pasimeve, duke lënë edhe një thënie të famshme tashmë: "Shënimi i një koshi bën një njeri të lumtur, kurse pasimi lumturon dy veta." (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore